Arben Iliazi: Gjuha e shifruar lirike e Marash Mirashit
Me poetin Marash Mirashi qëlloi të punonim bashkë si gazetarë në fillim të viteve ‘90, por jemi njohur më herët, nga mesi i viteve ’80, kur botonim poezi në organet letrare të kohës. Gjithmonë ai ka qenë në kërkim të një teknike të mjeteve shpirtërore në përsosje të stilit letrar, si në poezi, ashtu dhe në prozë, duke u renditur si një nga krijuesit tanë më të mirë. Me dy fjali do të shprehesha se, në krijimtarinë e tij, dashuria është luftë, dhe lufta dashuri. Një projektim uni brenda vetëvetes dhe, njëkohësisht, tej vetëvetes. Megjithëse jemi takuar rrallë vitet e fundit, asnjëherë nuk kam qenë i çinteresuar për botimet e tij. Dje më tërhoqi vëmendjen një poezi, botuar sot në revistën “Vlera”. Poezia, që titullohet “Rekuiem”, është një utopi e gjendjeve të tërthota, mes qetësisë dhe harmonisë, një ëndërr, në dukje dalldie, një gjykim moral që poeti ka për vetëveten në intimitetin e vetëdijes së tij.
Jeta shpitërore, e tronditur nga sundimi i dashurisë, është luftë kundër amullisë së materies dhe mpirjes së jetës. Heroi lirik në këtë poezi nuk ndërgjegjësohet nga dalldia, por nga lufta e forcave, ku njeriu heq dorë nga vetëvetja, në përpjekjen njerëzore për të shkërbyer tronditjen e materies së brendëshme shpirtërore, por edhe asaj të shfaqur. Poeti, me dritëhije reflektimesh dhe ngjyrime metaforike, vizaton strehën e një filozofie të dashurisë në paqe dhe të paqes në luftë, si zgjedhje etike dhe si përmasë autenticiteti.
Vargjet e kësaj poezie janë ngulitur me konfortin modern dhe shqetësimin e butë (me mijëra joshje), që ofron shpirti, por dhe në mospranimin e përbindshëm të të vërtetave fillestare, që shoqërohet nga mospranimet si induktim përsiatës dhe si akt krijues.
“Koha ka ikur duke lënë vija
në fytyrë, në tokë e në qiell”.
Tek poeti vlon një pasion i pazbutur, që digjet përbrenda si një zjarr dimëror, që kërcet si një muzikë brenda shpirtit, si një meshë e veçanë për prehjen.
“E kam ditur se fati
ka qenë një qeramikë
me një muzikë si rekuiem
në duar gruaje”.
Duke zgjedhur këtë gjendje, poeti ngrihet tërthorazi mbi vetëveten, ngrihet mbi zgjedhjen fillestare duke guxuar, duke dëgjur pak më tepër vetëveten, por pa e kërkuar atë. Një vendim krijues, që zhvendos nga akti i zgjedhjes pikën e rëndesës së lirisë, e cila gjendet tek çlirimi, që vjen nga një zgjedhje spontane përfytyrimi, për të mos rënë pre e pëshjellimit pa rrugëdalje.
Gjithë poezia shpreh një transhedencë të brendshme, por në thelb, një transhedencë të paarritshme, që nuk është objekt veprimi. Në aspektin e vet ngadhënjyes, kjo arrihet përmes një gjuhe të shifruar poetike, duke luajtur me drita dhe hije, me një teknikë moderne vjershërimi, me një disiplinë të frytshme stilistike dhe semantike dhe spiritualizmi të kulluar lirik.
REKUIEM
Jam gjethja e brishtë
poshtë një currili
që ti e derdh
mbi dimrin tim.
E kam ditur se fati
ka qenë një qeramikë
me një muzikë si rekuiem
në duar gruaje.
Një mjegull e bardhë,
e vetmja urë që rri në këmbë
hapësirës së pafund.
Koha ka ikur duke lënë vija
në fytyrë, në tokë e në qiell.
U vërshëllej stinëve
por asnjë dele nuk blegërin
si prill.
BIOGRAFIA
Marash Mirashi u lind në Lezhë, më 4 shkurt 1964. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe pasi mbaroi shkollën e mesme, kryen edhe studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Kamzës në degën agronomi.
Autor i katër librave me poezi. “Viset e dhimbjes” 2005, “Britmat e muzgut modern”, 2021, “Viset e dhimbjes” (2020), “Fjongo në qiell” 2021 dhe “Moderniteti i ajrit”, 2023.
Vitet e fundit ka botuar romanet mjaft të sukseshëm: “Vula” dhe “Brirët”.
Autor i rreth 1000 reportazheve në televizion dhe shtypin e shkruar.