Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Epoka që jetojmë…

Jetojmë në një epokë, ku njeriu duhet të kuptojë zhvillimin e jetës së tij, si dhe i duhet të hamendësojë, se zhvillimi ka edhe rrisqet e veta, të cilat shpien në rreziqe që edhe mund të shmangen. Shmangia e tyre është në vullnet të fuqiplotëve. Por cilët janë këta fuqiplotë që mund të shmangin rreziqe, dhe të lehtësojnë jetën në zhvillim?
Njeriu kupton, se zhvillimi quhet përparim dhe përparimi të shpie drejt zhvillimit. Rënia e këtij zhvillimi ku po jeton njeriu sot, ka të bëjë me faktin, se fuqiplotët kanë kapitulluar. Ky kapitullim shënon pikën më të ulët të zhvillimit, ku njeriu shpresoi dhe besoi, se jeta e tij në rrugën drejt zhvillimit, do të përparonte drejt mirëqenies dhe stabilitetit ekonomik, financiar, mendor dhe shpirtëror.
Jemi në një fazë, ku kthimi mbrapa nuk është demagogji, por është një e vërtetë që ulëret, dhe ulërima e kësaj të vërtete, nuk ka më nevojë të manipulohet si britmë gëzimi. Njeriu ulëret nga dhimbja, ulëret nga zhgënjimi, ulëret nga tradhtia, ulëret nga mosbesimi.
Zhgënjimi është fatal dhe ky fatalitet vret jetën. Njeriu sot po përjeton dramën e vërtetë, ku ka kuptuar, se jeta e tij nuk është më e sigurt, dhe se vetë ai si qenie njerëzore, është e varur nga shumë pikëpyetje që mbeten pa përgjigje. Por përgjigjen e vërtetë të të gjitha pikëpyetjeve që ai ngre sot në zhvillimin e kësaj drame, mund ta gjejë vetëm në librin e së vërtetës, të asaj të vërtete që e ka ndjekur hap pas hapi, në heshtje, e përulur, e dhimbsur, mëshirëplotë, e dashur, pasi e vërteta nuk ka ç’të fshehë, përveçse të tregojë hapur deri në qelizë, gjithçka që duket e nuk mund të fshihet. Përballja me këtë të vërtetë që shkakton dhimbje pa kufi, e bën njeriun të kuptojë, se pa këtë të vërtetë, jeta e tij do të humbiste pa e kuptuar, se ai vetë është zoti i jetës së tij, se ai vetë ka të drejtë të ulërijë, ka të drejtë të revoltohet, ka të drejtë të kundërshtojë, ka të drejtë të luftojë për të qënë i sigurt, se e vërteta po e udhëheq pa gabuar.
Ndihma e së vërtetës është arma më e fuqishme që ngre në këmbë çdo të rrëzuar, çdo të gjymtuar. Ndihma e së vërtetës ngre në këmbë edhe atë që jep shpirt, për të dashur dhe për të luftuar.
Njeriu zgjuarsinë nuk e gjen tek zhgënjimi, as tek imoraliteti, as tek fallsiteti, por e gjen tek vuatja, tek dhimbja, tek lëndimi, të cilat e ndihmojnë për të kapërcyer kufirin që ndan gënjeshtrën nga e vërteta. Njeriu fuqinë e merr nga të gjithë ato elementë që e furnizojnë për të shpërthyer deri në atë fazë, ku zhvillimi i ndjenjës që zgjohet nga përgjumja, bëhet nismëtare për t’i dhënë atë shtysë, për të cilën ka nevojë në momentet më të vështira.
Të marrësh fuqi kur mendon se je i pafuqi, do të thotë, se ndihma nuk të vjen nga vetvetja, as nga gënjeshtra, as nga zhgënjimi, as nga fallsiteti, por ndihma të vjen nga aleatja më besnike e njeriut, e kjo aleate ka një emër të bukur. Kjo bukuri nuk të vret, por të çlodh. E vërteta është mikja më e mirë e çdo krijese që frymon në këtë krijim, i cili e ka një Zot që e ndihmon dhe e shpëton njerinë!

10 shkurt 2026.