Ismet Hajrullahu: Kur kleri mysliman u bë vegël e politikës greke
Çamëria mbetet një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare.
Pas Traktatit të Lozanës me 1923, shqiptarët myslimanë u trajtuan si turq vetëm për shkak të besimit fetar dhe u detyruan të braktisin trojet e tyre.
Një vendim “diplomatik”, i menduar si zgjidhje për tensionet greko‑turke, u kthye në dramë kombëtare…
Qeveria greke përdori klerin mysliman shqiptar si instrument të politikës së saj. Myftiu i Filiatit, Mehmet Zeqiraj dhe ish myftiu i Çamërisë, Halil Hilmiu shkuan deri në Athinë për të paraqitur çamët si turq që “vetë dëshironin” shpërnguljen…
Ky veprim u përdor nga autoritetet greke si provë e “vullnetit” të popullsisë, duke legjitimuar zbrazjen e krahinës.
Familje të tëra humbën trojet dhe pasuritë, krahinat u zbrazën dhe tokat iu shpërndanë kolonëve grekë nga Azia e Vogël.
Megjithatë, rezistenca nuk mungoi. Më 31 tetor 1923, rreth 22 përfaqësues nga Margallëqi, Filiati, Paramithia dhe Gumenica iu drejtuan qeverisë shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje pranë Turqisë për të mos pranuar shqiptarë të mashtruar nga propaganda e klerit. Ky fakt dëshmon se ndërgjegjja kombëtare nuk ishte shuar, edhe pse fuqitë e mëdha nuk lejuan përjashtimin e shqiptarëve nga shkëmbimi.
Një tjetër dëshmi e fuqishme e pranisë shqiptare në Greqi janë Arvanitët. Ata janë popullsia autoktone, të pranishëm shumë përpara formimit të shtetit modern grek.
Arvanitët kanë dhënë kontribut të madh historik, shoqëror dhe ushtarak, duke nxjerrë figura të shquara si Aristidh Kola, Jorgo Jero, Marko Boçari, Odise Andruco, Laskarina Bubulina etj.
Sot, identiteti arvanit mbrohet nga shoqatat kulturore, ndërsa dialekti arvanitas ende flitet në disa zona rurale, megjithëse është i rrezikuar. Historia e tyre është historia e një popullsie autoktone që, pavarësisht figurave të shquara dhe përpjekjeve të vazhdueshme, u përball me presionin e asimilimit të shoqërisë greke.
Ndryshe nga arvanitët, çamët myslimanë, pas viteve 1944–45 përjetuan dëbim të dhunshëm.
Autoritetet greke ndërmorën masa që çuan në largimin e shumicës së çamëve drejt Shqipërisë…
Familje te shumta humbën trojet dhe pasuritë e tyre, duke u shndërruar në refugjatë pa status pakice.
Sot në Greqi mbeten vetëm individë të shpërndarë, pa njohje ligjore dhe pa të drejta të garantuara.
Ky kontrast i madh mes arvanitëve të asimiluar dhe çamëve të dëbuar tregon dy rrugë të ndryshme të fatit shqiptar në Greqi, njëri u tret ngadalë, tjetri u shkul me dhunë…
Departamenti i Çështjeve Jorezidente të Kosovës në kuadër të aktiviteteve të shumta për diasporën, organizoi Javën e Kulturës Arvanite në Prishtinë, një aktivitet që shërbeu si urë lidhëse mes historisë dhe identitetit kulturor. Kjo ngjarje ishte një prezantim i traditave, një përjetim i gjallë nga afer i kulturës arvanite.
Gjatë kësaj jave ndodhi edhe një incident ku u vodhën disa nga kostumet kombëtare arvanite. Zgjidhja u gjet duke ofruar kostume kombëtare nga Ansambli “Shota”, në mënyrë që programi të vazhdonte pa pengesa. Përveç aktiviteteve kulturore, pjesëmarrësit vizituan Prekazin si dhe familjen Jashari duke e lidhur ngjarjen me kujtesën historike dhe shpirtërore të kombit. Kjo javë e mbushur me aktivitete tregoi se kultura arvanite kërkon mbrojtje dhe respekt.
Identiteti i çamëve dhe arvanitëve duhet të mbrohet me ligj dhe kushtetuta greke duhet të ndryshohet.
Qeveria shqiptare duhet ta ngrejë këtë temë në nivel diplomatik, duke kërkuar njohjen e çamëve dhe arvanitëve si pjesë përbërëse të kushtetutës greke, ashtu siç bëjnë shtetet perëndimore që respektojnë minoritetet.
Kosova i ka njohur serbët si pakicë kushtetuese dhe u ka garantuar të drejta të plota politike e kulturore.
Nëse një shtet i vogël si Kosova ka arritur ta bëjë këtë, Greqia si anëtare e Bashkimit Europian nuk mund të vazhdojë të mohojë çamët dhe arvanitët.
Njohja e tyre është e drejtë historike dhe një detyrim politik e moral europian!