Shpëtim Emiri: CILËN NGA POLICITË TË LAJMËROJ?!
– Po gjejmë belanë, o inxhinier! – i qau hallin i miri Vasil, drejtori i kantierit.
– Ç’ne belanë?! Ende nuk kemi bërë “ta” në këtë objekt!
– Jo jo! Jo në objekt!… Bëhet fjalë për postën e policisë tek Pylli i Sodës! – Postë policie tek Pylli i Sodës? Si nuk e paskam vënë re…?! – shprehu habi teksa e njihte mjaft mirë atë territor, madje më mirë edhe se vetë vlonjatët; me pëllëmbë! Qysh nga vitet 1981-85, si drejtues i punimeve në dy objekte industriale, Uzina e Sodës (dyfishim kapaciteti) dhe Uzina e Re e PVC (poliklorvinilit) me teknologji italiane, kur iu duhej të kalonin dy herë në ditë nëpër pyll nga Porti i Ri, ku kishin fjetoret, deri tek dy uzinat.
– Tani, para ca ditësh, ka mbirë si kërpudhë! Na i ndalojnë në çdo rrugë makinat e mëdha të transportit, qoftë kur sjellim çakëll guri nga guroret e Drashovicës, njëlloj edhe kur sjellim zhavorrin e Vjosës nga Mifoli. – Çfarë ju kërkojnë? Kemi ndonjë mangësi, kanë konstatuar ndonjë shkelje, punë dokumentesh…?! – i shqetësuar nxitonte të sqarohej inxhinieri.
– Duhet të jetë ndonjë shkak tjetër, – po ngrinte supet drejtuesi. Nuk po e marrim dot vesh përse na bezdisin, por na vonojnë, na i mbajnë aty mjetet të ndalura kot.
– Ku e kanë stacionin, të shkojmë bashkë të trokasim, ta bisedojmë…
– Ata janë si të hedhur me parashutë! “Posta” e tyre nuk ka as derë, as dritare!
– Si? Postë policie pa postë?!
– Po hiç o, fare, – ndërhyri Petrua, inxhinieri topograf, që nuk i honepste fare pengesat artificiale me qëllime përfitimi. – Dalin grup, o shef, tre katër policë në mes të pyllit, aty ku degëzon një rrugë për në Nartë dhe, më e bukura, se nuk rrinë aty gjithë kohën, jooo!
– Vendallinjtë, këtu, e lidhin me trafikun që ka filluar së fundmi në bregdetin e Zvërnecit dhe kanë bindjen se ai grup policësh varet direkt nga Tirana, sepse nuk arritën të njohin asnjërin prej tyre. Të Vlorës i njohin këta, nuk të falin!
– Ky llaf, nuk është pa gjë, – e përforcoi tekniku, – ka dalë nga vetë uniformat që mbulojnë zonën e Zvërnecit.
– Sa duket, e ka shtrënguar qendra hesapin e nuk ia beson më luftën kundër trafikut policisë lokale, që justifikohet se kap hera-herës ndonjë gomone të braktisur e medemek është në ndjekje të pronarëve të dyshuar. Kush të fal tani, o burr’? Pse bar hanë ata lart?!
– Ose, ose, do jetë ndonjë skemë “Allahu-na-ruajt”, që nuk e merr vesh dreqi, ndryshe s’ka pse të psherëtijnë tek klubi i Zvërnecit: “Pse na nxorën jashtë dasme ne dhe bien krushq nga Tirana”?!
Atë ditë inxhinieri u nis për Tiranë, me merakun se kish lënë pas pa zgjidhur një problem, të vogël në dukje, por me pasoja serioze për ritmin, për ecurinë e punimeve sipas grafikut të kontratës që kishte penalitete të kripura për tejkalimin e afatit. I vëmendshëm, ngadalë në kthim për Tiranë nëpër pyllin e Sodës, nuk pa asnjë shenjë policie tek “vendi”. Nuk vonoi veç disa ditë të rikthehej në kantierin e Zvërnecit me përparësinë të kontaktonte me postën policore ambulante, pa çati e pa katandi. Sa hyri tek Pylli i Sodës, teksa ëndërronte të pikaste ndonjë syresh, befas pa pallaskën e kuqe në duart e një polici fillikat. Hapi krahun dhe ndaloi p lumturuar! Doli, u përshëndet me të. Ndërkohë nga brendësia e pishave dolën edhe dy të tjerë që u afruan në atë xhep anërruge të gjelbëruar me një qilim të shndritshëm bari, rrethuar me pisha të larta.
– Dhe po të mos më ndalonit, do qëndroja për t’ju takuar! – nuk iu la radhë ta pyesnin ku po shkonte. – Jemi të njoftuar se policia ndalon makinat tona të transportit. Unë jam përfaqësues i kompanisë “TRISS-Ndërtim” që punon për zbatimin e një kontrate shumë serioze shtetërore, madje me afat mjaft të shkurtër, vetëm dy muaj e gjysmë (viti 2002). Besoj keni dëgjuar se do ngrihet një kullë e lartë shpimesh të thella, mbi 5000 metra, për naftë. Kërkohet me urgjencë nga qeveria.
Uniformave blu ndërkohë iu kish ndryshuar çehrja, nga dyshuese fillimisht në dëgjuese të zellshme. Përballë tyre inxhinierit i duhej të siguronte punën normale të kantierit, ndaj nuk kursehej me shpjegime.
– Ne kryejmë punimet ndërtimore për platformën dhe bazamentet teknologjike, ndërsa procesin e shpim-kërkimit do ta kryejë firma kroate “Ina Naftaplin”. Njëqind metër më në veri të pusit do ndërtojmë platformën tjetër për zyrat dhe fjetoret e kroatëve, infrastrukturën e nevojshme, njëherësh do të rikonstruktojmë rrugën nga Pusi i Mezinit deri tek sheshi i ndërtimit, 12 kilometra.
Si të mos mjaftonte gjithë ky informacion, teksa inxhinieri priste ta uronin, “Me krahë të lehta e zbatim me sukses të kontratës”, ata u vështruan sy ndër sy mes tyre dhe e pyetën: – Ku tamam-tamam do të ngrihet kulla e shpimit?
Ndonëse e konsideroi të tepërt këtë sqarim, krejtësisht të panevojshëm për policët, inxhinieri me të njëjtin entuziazëm ua shpjegoi se, sipas projektit të institutit të naftës, platforma prej dy-tri hektarësh do të realizohej pranë bregut të detit tek kodrina e fundit e kepit të Zvërnecit, deri aty ku, në vazhdim drejt veriut nis rripi i ngushtë dhe i qetë i bregdetit që ndan detin nga këneta.
– Para apo pas “Dajlanit” të peshkimit?
– Pas, pas Dajlanit! Në fund të kodrinës! Nën të është një gji i mbrojtur nga hunda e zgjatur e asaj kodrine.
Shikimet e ndezura të tre policëve u kryqëzuan thekshëm mes tyre. Diçka nuk shkonte! Por inxhinierit nuk i interesonin kuriozitetet. I duhej të shmangte me mirëkuptim pengesën pa shkak.
– Zotërinj policë, lutemi mos na pengoni më! Le të respektojmë njëri-tjetrin. Ne kemi punën tonë, ju keni “punën” tuaj! Ne nuk ju biem më qafë, as ju mos na shqetësoni pa arsye! – iu tha shpejt e shpejt dhe i takoi përzemërsisht të “hutuarit”, duke nënkuptuar marrëveshjen e mosndërhyrjes në punët e secilës palë.
Sa mbërriti në kantier e diskutuan së bashku me drejtuesin e kantierit. Ça dreq postblloku policie është ky?! Pa asnjë lloj shenje standarde të sinjalistikës rrugore për kufizim apo ndalim! Pa makinë policie… Madje mungesa e makinës nuk linte shije të mirë. Policët nuk shkonin më këmbë në fund të dynjasë, atëherë përse e fshihnin makinën!? Ata dilnin për kontroll, apo për pusi?! Policia me uniformë dihet, është legale…
Çdo ditë që kalonte trashej muhabeti i trafikimit të qenieve njerëzore nga Vlora në drejtim të brigjeve italiane. Lajmet, ekranet, gjithë mediat publikonin sukseset e policisë që kapnin tek-tuk ndonjë gomone, bërë gati për mbartje të pashpresësh. Flitej ashiqare se Vlora ishte bërë kryeqyteti i përcjelljes së paligjshme të klandestinëve.
Të pakënaqur me sasinë e çakllit të furnizuar në ditët e para të fillimit të punimeve, inxhinieri gjezdisi guroret më këmbë, “lexoi” kapacitetet praktike të prodhimit dhe u kthye i terrorizuar në kantier. Realiteti nuk kishte lidhje me premtimet.
Pronarët e guroreve, njëri më i mirë se tjetri, shumë të kënaqur të bashkëpunonin me kompaninë e dëgjuar “TRISS Ndërtim”, por që nuk i “vriste shumë këpuca” për ritmin, e patën marrë përsipër furnizimin me sasinë e kërkuar ditore, pa më të voglin dyshim.
“Ç’ke ti o vëlla”?! – ishte angazhimi thuajse tipik në kontaktin e parë, sapo njiheshin me kërkesat. “Ik or pa merak të them! Po ku pyet ky mal për kërkesat tuaja, o inxhinier?! Ik o fli gjumë e mos u qederos fare! Opo ky, ore!” – dhe e shikonin me keqardhje inxhinierin që në vend të lumturohej e të shijonte kafet aq miqësore e gazmore me ta, e kish dënuar Perëndia vetëm të dyshonte. Gjynah nga Zoti!
Mbledhur në zyrën e kantierit, drejtuesit kishin rënë përmbys! Në vend të trajtonin ndonjë problem teknik, që për fat ai projekt, “tabako” për ta nuk ua ofronte, qanin atë që nuk varej prej tyre, mosarritjen e furnizimit me sasinë e nevojshme ditore të çakllit për shtrimin e rrugës dhe sheshet e dy platformave. Kapaciteti prodhues i të gjithë guroreve ekzistuese në Sherishte dhe Drashovicë të Vlorës nuk arrinte dot as gjysmën e nevojave ditore të kësaj kontrate! Ajo që ishte konsideruar si garanci e padyshimtë, rezultoi katastrofë. Gjendja reale ofronte dështim të sigurt! Penalitetet e kontratës po se po, por edhe rënie të theksuar të reputacionit të kompanisë, që përkthehej në ngelje duarlartë, pa punë në vazhdim… Alternativa, të hapej gurore e re, nuk bëhej fjalë, kur vetëm procedurat e licensimit nëpër institucione zgjatnin me vite.
– Ne jemi në situatën që populli e ka qarë me shprehjen, “E dua nusen sot dhe e dua si tënden”! teksa prodhuesit na gjykojnë me një thënie tjetër, se “kërkojmë qiqra në hell” !
Por “Kur vijnë të këqijat, hapu derën”! thotë një fjalë e urtë. Të mpirë, mbetur ulur rreth tavolinës në zyrën e kantierit, kushedi kur do përmendeshin, po të mos iu binte në prehër një tjetër hall. U shkundën nga të bërtiturat e çjerra, gjithë tension e temperament, të ekskavatoristit që po afrohej vrullshëm. Kish lënë punën dhe i hardallosur u shfaq i shpërfytyruar tek dera e zyrës së kantierit. Ai tip, alarmant ishte dhe kur qeshte, llogarit ta shihje në atë gjendje!
– Ça ke Flamur? Ç’ka bërë vaki, të ka ikur fytyra!… Ekskavatori?… Rrëzuar?… Aksident, mos o Zot?!
– Ene ma keq, mor burr! M’kan vendos tytën e kobures n’kry! – shpërtheu i zemëruar ligsht punonjësi, një manovrator i jashtëzakonshëm që lozte e tallej me vështirësitë e nuk dinte ç’ishte ankesa, përveçse po t’i vonohej hapja e frontit të punës.
– Ça dreqin? Me kë je ngatërruar mor i uruar?! Sot na e gjete kohën, që po na hik truri?! Veç ti na mungoje tani! – nuk po e bënte kabull inxhinieri në atë situate alarmante.
– Me askënd inxhinier! Pse, sot po m’njef mu…?! Nuk i kam borxh kërkujt! Nuk di, nuk e di ça me thanë! Nji furgon i bardhë… un po gërmojsha rrugën me fut tubat e tombinos. E kisha mrapa, nuk po e shifsha hiç. Nga furgoni dul njeni me pistoletë n’dore e m’bërtiste me e myll kanalin e sapo hapun. Aj nuk ninte hiç me prit t’futshim tubat mren e mandejna: “Mbylle atë mut kanali mor ta q… nënën, se t’i hodha trutë në erë”! Nuk po kuptojsha asgjësend. U mata me zbrit, aj ma futi me qyt pistolete ballit, sa m’lëshuen sytë xixa dhe ma majti tytën n’ranx t’veshit, deri sa e mylla kanalin dhe ua njesha mirë e mirë me kovë mushjen të mos ngecshin furgonat, se u bane dy, njeni mas tjetrit e fill mas ksajna kalun rrufe, – iu mor fryma prej ngutit e fjalët e fundit i dolën të ngjirura. – Prit, prit, mos m’nërpre inxhinier! T’lutem! – nuk e la të fliste. – Urdhni i tyne asht mos me e hap kanalin për pa u kthy mrapsh furgonat.
– Sazan, – iu drejtua inxhinieri brigadierit të saldim montimit, – merre për krahu Flamurin, shkoni me benzin tek kafja dhe mbushja gotën këtij çakallozi, ama me majë, siç i ka mbush të vetat ky … Do vij dhe unë më vonë!
– Ç’a kafe po thu, o shef? – i paofenduar hiç prej romuzeve të zakonshme, ia priti vrik. – Unë jam ende në kry t’detyres! S’mund t’luj prej ekskavatorit! Njaty po më pret njeni prej tyne. Vetëm pasi të kthehen për në Vlorë furgonat, do ta rihap kanalin.
– Lere fare për sot atë punë, Flamuro! Ka kaluar orari, gdhihet dita nesër… Shkoni tek kafja, se erdha! Sot qetësohu!
– Simas urdhnit t’tyne, kanali duhet hap po sot, menjiherë mas kthimit mrapsh t’furgonave.
– Ore, Flamur! Mos ke filluar gjë punë me ata ti?! Me çfarë page?… Po armë a të kanë dhënë?!… Mos o Zot, se me atë kokë që ke ti, të gjejmë vrimë ku të futemi edhe ne! – Me at’koke qi kam pas, po, – mirëpriti romuzin. – Por me kët, si ma kan ba xhungash, vallahi sun gjuj dot as mizen! … Sa për kanalin, ju nuk e dini, por sot nuk duhet të myllet. Sonte do qindrojë i hapun. Urdhni i premë! Ose, përnryshe, dilni ju, shef, me kobure n’dore, shtini nalt dy-tri here, ta kuptoj se asht prej vërteti e mandej po, do zbatoj urdhnat e juaja, veçse pasi t’i keni hek qafet ata!
Zgjidhja e situatës ekstreme, prodhimi i çakllit, u bë i mundur vetëm me “formulën” e shefit të madh, Ismailit, eksperiencë që kompania e pat aplikuar në vitin 1995-96 në ndërtimin e platformës gjigande të objektit “Dogana Qafë-Thanë”. Eksperiencë hidrocentralesh!
Shkuan direkt tek ndërmarrja e makinerive (NSHRMN) në Durrës, tek kryeinxhinieri i hershëm, Gaqo Malaveci, dhe drejtori i ri i demokracisë, zotni burrë! Zgjidhja: u mor me qira një buldozer japonez KOMATSU me fuqi 400 kf (kuaj fuqi) me plug mbrapa.
Vlonjatët, ashtu siç iu ka hije, por dhe lezet, ua lanë ‘Komatsu’-në të kulloste sipas qejfit nëpër guroren e tyre, pronë private. Me një fjalë ua falën malin… Bravo Vlora!
Makineria e fuqishme, jo vetëm e shkërmoqte formacionin shkëmbor shtresor të malit si të ishte shtuf i shkrifët, por me lëvizjet mbi çakëll realizonte thyerje të mëtejshme deri në dimensionet e kërkuara për të garantuar kompaktësim në shtresat rrugore.
– Ha-pa-pa-pa-pa! Çfarë japonezit! Çfarë popull i çuditshëm ata! Me këto KOMATSU-të, e paskan vrarë mendjen të zgjidhin edhe hallet tona! – qeshte Hyseni, manovrator i shkëlqyer i saj.
Vit i çuditshëm 2002-shi! Ekstazë epidemike dëshpërimi masiv për të braktisur vendin duke rrezikuar! Dhe jo vetëm mosha të reja, por me familje, madje me fise deri edhe fshatçe! Gomonet, mjeti më i pasigurt në det të hapur, u bënë simbol shpëtimtar për emigrimin drejt mirëqenies së imagjinuar në dhe të huaj.
Organizim perfekt i emigracionit të paligjshëm!
Veç mos të shpëtonte ndonjë fjalë për të ikur nga Shqipëria, se ta hidhte krahun sekseri kudo që të ndodheshe nëpër Shqipëri. Fshat apo qytet! Të niste, pa çak – pa bam, në Vlorë, ku pritësi të sistemonte në njërën nga qendrat e grumbullimit shtazor. Po, po, shtazor! Mund të rastiste një haur apo depo, një hangar, mundet bodrum, ndonjë shtëpi e braktisur, magazinë e harruar, që të gjitha pa minimumin jetik të kushteve, lere më higjienën, mos ta ndij kush…
Të mbyllur brenda tyre për ditë e net të tëra, në mos javë, qëndronin në gatishmëri në pritje të ethshme, të lodhshme sa s’ka e me siklete gjithfarësoj derisa kapiteneria e portit të njoftonte për stuhinë që kish përfshirë bregun Italian dhe po i afrohej bregdetit të Vlorës. Furtuna, shtrëngata, uragani, gjithë lemeritë e natyrës, ishin të mezipritura nga kontrabandistët, të mos mund të zbuloheshin në mbërritje nga roja bregdetare italiane, që nuk i fikte si tanët radarët.
Kapobandat, sipërmarrësit e aventurës, iu merrnin secilit vullnetar “hakun” e lojës së tyre me jetën dhe bënin zhvendosjen e turmës drejt pikës së nisjes në bregdet. O Zot, çfarë transporti! Fugonë të mbyllur! Pa asnjë dritare dhe ngjeshja brenda automjetit si sardele! Ngarkesa duhet të ishte e palëvizshme, ndryshe rrezikonte përmbysjen dhe në kthesat më të vogla! Kjo lloj ngjeshjeje u bëhej e ditur, teksa kishte edhe gra, vajza e fëmijë. Faji, u thuhej, ishte i ligjit që e ndalonte eksodin klandestin, domethënë vendimin e tyre për jetë a vdekje.
Të gjithë personat më këmbë, shtrënguar aq sa mund të mbyteshin nga asfiksia para se të mbërrinin në bregdet. Ishte si një lloj prove se sa gjatë mund ta mbanin frymën … Se që mund të mbyteshin në det, secilit mund t’i kish shkuar ndërmend, por se mund të mbyteshin në të thatë, nuk kish si të hamendësohej!
Or zotëri! Njerëzit në atë zinxhir veprimesh zhbëheshin! Ktheheshin në numra, në masë, në peshë, njëlloj si të ishin thasë apo trungje deri sa të ndalonte fugoni e të hapej dera të rrëzoheshin jashtë…
Këta fugonë me trupa njerëzish të presuar kalonin para “postbllokut” policor me shpejtësi skëterrë, pa pyetur fare në ishin gjallë policët dhe “fatmirësisht” nuk u pikasën në asnjë rast edhe pse ishte i vetmi trafik i dyshimtë, madje thuajse i vetmi trafik përveç makinave ngarkuar me çakëll e zhavorr nëpër atë rrugën mes për mes pyllit.
– A i gjendet dot ndonjë shpjegim kësaj pune?! – u hap muhabeti në kantier. – Si nuk po kapet asnjë fugon kontrabande tek Pylli i Sodës, teksa vigjëlon një postë policie?
– Fajin e ka populli ynë! – ia plasi hokatari, që i detyroi të kthenin habitshëm kokat.
– Po me popullin ç’pate ti, a i vrarë?! – E kam me atë shprehjen e famshme, “Qeveria e zë lepurin me qerre”! Shih si vjen puna! Tani që qerret janë zhdukur nga rrugët, i janë prerë duart qeverisë! Me ça ta kapi lepurin ajo?! – Ore derdimen! Ti po bën shaka me qeverinë apo me popullin?! Ku vihet në diskutim ç’ka thënë populli?!… Veç i duhet një shtojcë, “Kur do, qeveria e zë lepurin me qerre”!
– Po ç’qeveri m’i thua këtyre ti a i vrarë?! Qeveri ishte ajo e para ‘90-ës, kur lepujt mbanin radhën deri sa ta fusnin kokën poshtë rrotës së qerres! Ha-ha-ha!
– Sevdanë kjo qeveri, me sa duket, e ka t’i zërë lepujt tek e tek e jo me tufa brenda një rezervati! – tirreshin muhabetet, secili sipas midesë, por askush nuk dyshonte më në rolin e vërtetë të postës policore…
Ajo, e përkushtuar në hallin e vet, garantonte kalimin e fugonëve, e gatshme të pengonte ndonjë ndërhyrje aksidentale prej policisë vendore, qoftë dhe nga ndonjë merhum me uniformë që nuk kuptonte se si luhej loja… E po, nuk do rrinin të sqaronin gjithë policët e Vlorës, de!
– Ore, për të treguar se “policia është me ne” ka të tjerë burra që piketojnë “lepujt”, t’i zërë me plan e me terezi “qerrja” e qeverisë. Pse o, pak lepuj të hazdisur ka opozita?!
– Lere opozitën ti, o tutkun! Bashkë janë ortakë, dallojnë vetëm nga përqindja e fitimit. Qeverisë i shijojnë lepujt e lëshuar ergjele, që nuk kanë krijuar parti. I mjaftojnë këta, ta realizojë planin!
– Inxhinier! Ç’na kanë parë sytë dje, u tmerruam! – i tha brigadier Nekiu. – Pikërisht në bregun poshtë platformës
tonë kish nxjerrë deti kufomën e një djali të ri të mbytur. Eja, eja të shikosh vendin, njëzet metër larg e kemi, sa të zbresim këtë pjerrinë të vogël, – dhe u nis i pari, ndjekur nga specialistët, dëshmitarë të asaj lemerie. – Ishte alamet djali, çfarë trupi…! Tek të tridhjetat mund të ishte. U njoftua policia, erdhën e morën… Ishte mbytje e freskët. Sa keeeeq!? Të vinte të ulërije! Apo s’kish të prera përgjysmë tre nga gishtërinjtë e dorës së djathtë. Pjerrtas! – dhe iu rrudh jo vetëm fytyra, por gjithë trupi gjatë rrëfimit.
– Sa mirë që nuk u ndodhe, ta shihje! – nuk pushonte së treguari teksa inxhinieri nuk foli, i ngrirë, i përfshirë nga mendimi se po punonin në një zonë ku krimi po shqyente jetë njerëzore…
– Gishtat nuk ia ka kafshuar ndonjë egërsirë… – nxitoi ta bëjë këtë sqarim. – Të këtushmit vënë dorën në zjarr! Ishte prerje thike! Paska qenë shumë e vërtetë ajo që flitet!
– Çfarë?!
– Nuk e keni dëgjuar?! – dhe sa pa të ngrinte supet vijoi. – Këndej ka marrë dhenë ky muhabet. Ca maskarenj të gomoneve nuk i çojnë pasagjerët aty për ku kanë paguar të gjorët, por i hedhin në mes të detit dhe kthehen t’ju vijnë në “ndihmë” të tjerëve. Ky që nxori deti në breg është hedhur shumë afër, vetëm disa milje larg, pa dalë hiç në det të hapur.
– Nuk e kuptova, në tërë këtë katrahurë ç’lidhje kanë gishtat e viktimës së mbytur…?
– Djem të fuqishëm, që dinë mirë not dhe luftojnë të mbahen me duar tek gomonia, ua presin me thika. Nuk duan të dalë gjallë nga kjo ‘dasëm’ vdekjeje kriminale asnjë dëshmitar! Asnjë!
– Jo, kjo është krejtësisht e pabesueshme!… Gomonet janë të shqiptarëve. Por dhe të huaj të ishin… Ç’bëhet kështu?!
– Nuk ka më të liq se ne, o inxhinier, ta them unë! – nuk përmbahej ai që e pa i pari me sy viktimën dhe i tmerruar njoftoi shokët.
– Kjo është e llahtarshme!
– Ka dalë një racë shumë e keqe inxhinier! Viti ‘97 na dha mundësinë për të njohur më mirë veten tonë… – nuk hiqte dorë nga opinioni ekstrem i lemerisuri nga pamja e viktimës, therur e mbytur.
Inxhinierit iu bë fiksim hedhja në det e klandestinëve. Nuk shpëtonte dot nga fanitja e asaj skene makabër. S’është e mundur, mendonte, aq sa nisi t’i zgjohej bindja se ishte shpifje dashakeqe. Dhe bënte llogari… Drejtuesit e gomones janë dy vetë, pasagjerët mund të jenë dhjetë-njëzet. Si nuk u hidhen në grykë dy banditëve, kur shohin se po i mbysin në mes të detit?! Si nuk u ndizet gjaku para tragjedisë familjare ndodhur befas në sytë e tyre, ndërsa iu mbysin një nga një gjithë familjen, gruan, fëmijët, vajzën, djalin dhe ata vetë?! Jo! Është krejtësisht e pabesueshme! Nuk ka shqiptar që mund ta bëjë sehir këtë “legjendë” gojëshpifësish, të endur me mashtrim, tradhti e krim njëherësh…!
S’mund të jenë veçse sajesa që duan të na godasin në themelet tona, karakterin, traditën… Duan, virtytet të na i zëvendësojnë me vese. Jo! Kësi parullash u duhet treguar vendi!
Me këtë mendje, madje me vetëqortimin se nuk ua përplasi dot në moment llafazanëve, e hapi pasdite bisedën aty ku e patën lënë dhe priti të dorëzoheshin pa kushte gojëlëshuarit e të mbyllej ky kapitull denigrues.
– O inxhinier, a dini not ju! – iu drejtua me pyetjen sa të papritur, aq pa kuptim në dukje ai, që i rëndoi më tepër akuza kur ua përplasi inxhinieri.
– Thuajse jo, sepse noti im zgjat sa të më zënë këmbët në tokë e kokën ta kem mbi ujë! – u shpreh pa pike “turpi”, i pafajshëm pse qe lerë e rritur në qytetin pa det. – Ama, sikur e patëm gjetkë muhabetin, – iu kthye pyetësit.
– Po, aty ta kam edhe unë, – nuk ia përtoi hiç vendasi. – Në gomone, or njeri, nuk ka kohë për luftimin trup me trup, siç kemi mësuar në zboret ushtarake, – ia plasi “inxhinieri i detit” kolegut të steresë. – Sapo lirohet litari, që mban të shtrënguar fort trupat e pasagjerëve pas trupit të gomones, njerëzit kërcejnë si gogla mbi gomone, nuk kanë ku mbahen kurrkund e mjafton një kthim sado i vogël i saj të fluturojnë mbi ujë të tradhtuar, të dënuar me vdekje në det.
– Ka ardhur prefekti i Vlorës! – e njoftoi Miçua, Teknik furnitori. – Kërkoi: “Kush është përgjegjësi”? Po ju pret në hyrje të platformës.
La punën inxhinieri dhe i doli para. Nuk e njihte. Një alamet burri, ndofta tek të dyzetat, që mund ta cilësoje edhe djalë! I pashëm, serioz… i kish lezet detyra e lartë shtetërore.
– Mirë se erdhët! – e uroi dhe iu prezantua, emër mbiemër, e prefekti reagoi në çast, madje me mirësjellje.
– Kam dëgjuar për ju nga ndërtuesit në Vlorë.
Një e papritur kjo, por e këndshme, që ia bëri më të afërt komunikimin. E shoqëroi tek platforma kryesore, ku nuk kishte gjëra të veçanta për të parë, veç cilësisë së lartë të realizimit, sheshit të sistemuar, shtruar e ruluar me çakëll e stabilizat, bërë pasqyrë, si të ishte betonuar, bazamenteve të kullës gjigande metalike të pusit dhe në fund i qartësoi se dy katllavanet e mëdha, mbi dhjetë mijë metër kub, si govata me thellësi dy-tre metër, do shërbenin për grumbullim e trajtim të lëngjeve e solucioneve të procesit teknologjik të shpimit. Fillimisht do të visheshin me fletë të trasha plastike që do saldoheshin me njëra-tjetrën, të ndalohej depërtimi në tokë i lëngjeve me kimikate të dëmshme, në përputhje me standardet evropiane të mbrojtjes së ambientit.
– Ky është investim mjaft i rëndësishëm për gjithë krahinën. Jo vetëm për atë çfarë do arrijë të zbulojë, pasurinë e çmuar të nëntokës, por edhe për zhvillimin e zonës, për punësimet, investimet në vazhdim e tjera, – u shpreh i entuziazmuar titullari, ndërsa bëri të ditur se si profesion edhe ai ishte inxhinier; mjaft më i ri se pritësi.
– Po tjetër? – pyeti në vazhdim.
– Matanë kemi ndërtuar një platformë pothuaj sa gjysma e kësaj, ku përveç repartit të shërbimit me gjeneratorë të fuqishëm elektrikë e pompa, po sistemohen zyrat, laboratorët, magazinat dhe fjetoret e gjithë personelit; specialistë, teknikë e inxhinierë, që do punojnë pa ndërprerje, me tre turne… Por mendoj se nuk ia vlen, nuk ka ndonjë interes për t’u vizituar nga ana juaj, – donte t’i respektonte rangun, nivelin e përfaqësimit, ama pa ditur hiç se ç’hata do t’u dilte para.
– Shkojmë, shkojm’ e shohim, ndofta takojmë dhe përfaqësues të firmës kroate, t’u urojmë mirëseardhjen në Vlorë. – e u nis i kënaqur, i qeshur, pse jo dhe kryelartë.
Rruga e shkurtër që lidhte dy platformat, ndonëse e paasfaltuar, ua kalonte gjithë shëtitoreve të botës! Të mrekullonte pamja piktoreske e natyrës. Në të majtë deti, kaltërsia, dallgët me kreshta të zhurmshme e të shkumuara bardhësisht, sidomos afër bregut. Në të djathtë këneta e qetë e Nartës me ishullin e saj, një mrekulli natyrore si kupolë gjigande me gjelbërimin e fortë të pyllit me pisha të dendura, që reflektonte i përmbysur në pasqyrën e ujit… Që aty nuk mund të dallohej manastiri i famshëm i ishullit, të cilin regjimi i kaluar e ktheu në një lloj burgu, vend izolimi për kundërshtarët politikë.
Duke u ngjitur tek kodrina e fundit, përpara tyre një tjetër bukuri mahnitëse ofronte pamja drejt veriut me pafundësinë e bregut të detit kurriz më kurriz me kënetën… Këmbët ndërkohë, si pa kuptuar, i çuan deri në buzën e thepisur të kodrinës. Uaau! Shtangën nga zhurmërimi i mbytur dhe gjindja njerëzore dhjetë-pesëmbëdhjetë metër poshtë këmbëve të tyre! Skena sa e çuditshme aq tronditëse!… Një teatër absurd!
– Ça bëhet këtu?! – i shpëtoi vetiu prefektit kjo pyetje, që më shumë u ndje si grahmë. Një pamje prishje-gjaku rrëqethëse, drithëruese. Habitja pleksur me tronditjen e tij fliste shumë… Kjo zonë e ‘minuar’ ishte e panjohur për të… Përpara syve u zbulua gjiri i vogël, i fshehur, krejt i padukshëm nga Sazani, si xhep i mbrojtur nga hunda e zgjatur e cepit të kodrinës. Dhe çfarë të shikoje në të!?
Dy gomone goxha të mëdha, ndofta pesëmbëdhjet’-njëzet vendëshe, ngjyrë kafe e kuqërreme, ndaluar në atë pëllëmbë gji, as njëzet metër larg bregut. Poshtë buzës së thepisur, një grumbull i madh njerëzish, burra, djem, gra, ndofta dhe fëmijë… plus me nga ndonjë bohçe nëpër duar. Të gjithë më këmbë me sytë nga gomonet. Nuk ishte dhënë ende urdhri të hipnin. Vazhdonte furnizimi me naftë me një mënyrë të çuditshme që të përpinte, të bënte kureshtar ta vrojtoje pa pushim… Bidonët plot karburant, të lidhur zinxhir njëri pas tjetrit çdo dy metër me të njëjtin litar, po notonin me kokën mbi sipërfaqen e qetë të detit, të tërhequra nga personi mbi gomone.
Fugoni që kish sjellë bidonët me naftë ishte larguar bashkë me ata që sollën njerëzit.
– Zoti prefekt, largohuni që këndej! – i foli me ton inxhinieri, pa menduar fare se çfarë po i thoshte dhe i hodhi krahun dhunshëm kolegut në profesion, që thjesht okazioni politik e kishte vënë përkohësisht në funksione të larta pushteti. U pa ashiqare se aty ishte stacioni i radhës për nisjen kontrabandë të klandestinëve për Itali dhe se prefekti ishte krejtësisht jashtë loje. Nuk foli ai! Me siguri u ndie shumë keq, si të ishte thjesht një kukull në postin e rëndësishëm që mbante. “Më rruat karrigia”! – mund të ketë belbëzuar.
– Zoti prefekt, më pyetët “Ç’bëhet këtu?!” – qesëndisi, veçse miqësisht, inxhinieri. – Ajo çka pamë, po ndodh në Vlorë, jo në kantier, megjithatë unë nuk po ju pyes “Ç’po ndodh kështu në Vlorë”?! ngase jam më se i sigurt se nuk jeni pjesë e kësaj katrahure.
Mysafiri i lartë në kantier, i përfshirë nga heshtja, nuk po çlirohej nga përballja e beftë me realitetin, me të kundërtën e asaj çfarë trumbetohej me të madhe zyrtarisht, se shteti, qeveria, përfshirë atë vetë, bënte dit’ e natë luftë dhëmbë për dhëmbë me banditët kontrabandistë…
– Sa kohë nuk keni dijeni për atë që po ndodh, ma do mendja se nuk keni fuqi të ndryshoni asgjë! – Inxhinieri përpiqej t’i ndodhej pranë në atë situatë të vështirë dhe po i fliste me keqardhje. – Zëre se nuk keni qenë këtu. Harroni çfarë ju pa syri e, lum si ju, çfarë nuk patë deri në fund, kur gomonet do fluturojnë drejt Italisë!
“Dhe sa mirë që nuk u bë kureshtar për të parë vazhdimin e atij filmi traumatik të lënë përgjysmë”! mendoi inxhinieri, që kish dëgjuar përshkrime origjinale …
Hipja në gomone kishte të tjera andralla, sidomos kur nuk kishte ndonjë mol sado të vogël, siç ishte rasti i Zvërnecit. Nga bregu tek gomonia pasagjerët do të ecnin më këmbë nëpër det. Gojëkyçur do zbatonin rreptësisht këshillat e “kapove” për lëvizje. Ndihmonin njëri-tjetrin të hipnin sikletshëm në gomone, uleshin në perimetrin e brendshëm të saj, u kalonin litarin shtrëngues nga hallka në hallkë, përfshirë trupin e secilit dhe për të garantuar shtrëngim sa më të sigurt iu hipte sipër supeve të secilit, duke peshuar me tërë peshën e trupit fort mbi to, “ustai” i gomones.
…Titullari u mjaftua vetëm me shikimin dashamirës mirëkuptues dhe i painteresuar për sqarime, me kokën ulur, i nxituar në ikje, teksa dukej i kërrusur, i rrudhur…
Ndodhia e beftë nuk i ndahej nga mendja dhe po rigjykonte e po replikonte më pas me veten inxhinieri: “Ç’pata unë ta tërhiqja nga përballja me krimin; madje ta bëja një sy qorr dhe një vesh shurdh e të largohej si hije?! Joooo! I kam futur hundët kot! E kam marrë më qafë titullarin”!
“Or zotëri! – iu kthye vetes rishtas. – A nuk dinte vetë ai se çfarë qëndrimi të mbante përpara krimit të shpërfaqur ballas para tij? Po funksioni i tij i lartë shtetëror a nuk e thërriste të bënte detyrën?!… Sigurisht!
– Po kur e dinte, përse nuk reagoi? Le të qëndronte aty dhe të thërriste organet e specializuara të kapnin në flagrancë banditët! Atij iu dha rasti, madje po të qe nevoja le të bënte edhe heroizëm në interes të vendit.
– Po kë të njoftonte ai, sipas teje or derdimen? – iu hakërrye vetes… Cilën polici? Vendoren që nuk donte t’i kapte, apo qëndroren që i niste, i shoqëronte dhe i mbronte? Apo qeveritarët gjer në majë që hiqen si të jenë jashtë loje?!… Rri or urtë, ç’i ke këto akuza për mua ti?! Oj, e paskam marrë më qafë unë pushtetarin e lartë!
– Ah, po! Pse ia ngjita unë frikën atij? Kjo po! Këtë e pranoj! Për hero nuk ia them hiç! Mender teje, të…! …Jo, jo! I vetëm, të ngrihem kundër kësaj kontrabande kriminale shtetërore?!… Veç të jem i marrë!… Po, pse o, budalla është populli ynë që, ndërsa në gjithë historinë e tij ka luftuar dhëmb për dhëmb me pushtuesit e huaj dhe ka mbrojtur me gjak lirinë; tani, si të mos jetë i njëjti popull, e ka ndarë mendjen: ose e lë vatanin e ia mbath nga sytë këmbët, ose rri këtu e bën sehir si kafshohet Shqipëria nga “pushtuesit e votuar”, mëmëdhetarët tanë, madje qëndron aq i mefshtë sa krahasimin e sjelljes së tij me “delet”, (jrahasimi i popullit tonë me delet, i bërë në emër të Departamentit të Shtetit të Amerikës, u përsërit jo vetëm një herë nga Ambasadori Amerikan në Tiranë) e çmon si dekoratë…
– E po, “qengj” i këtij lloj populli jam edhe unë pra! Duroj, s’ndihem, seee… se nuk ma mban! Pikë”!