Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Në politikë zullumet ligjërohen

Në politikë zullumet ligjërohen. Por të ligjërosh zullumin do të thotë, se shkalla e pasigurisë është shumë e lartë jo vetëm për masën e gjerë, por edhe për vetë politikanë që mendojnë se përfitojnë në afat të gjatë kohor. Tjetërsimi i mendimit që përmbledh realitetin, është një hile që i përshtatet vetëm politikbërësit, i cili ngre çështje jo për t’i mbrojtur, por për t’i ligjëruar në favor të politikave të mbrapshta që e udhëheqin në fshehtësi.

Fshehtësia është hambari të cilin e mbushin jo vetëm natën, por edhe ditën me atë pasuri, të cilën e zhvatin dhe nuk e tregojnë.

Të zhvatësh pasurinë që nuk të përket, do të thotë se politika punon për punë të pista. Por ky pisllëk është në dëm të masës së gjerë që pret të ngopet nga dorë që nuk ushqen por që mashtron. Mungesa e vakteve është shenjë dalluese e mbrapshtisë së mendjes së atyre politikanëve, që vaktet i quajnë humbje dhe jo detyrim. Kjo mendësi është e mbrapshtë dhe jetëshkurtër, pasi luga e zbrazur nuk mund të gënjejë për shumë kohë të uriturin që pret vakt pas vakti. Kequshqyerja është tregues i qartë se nuk punohet për mirëqenie, por fallsifikohet si punë për t’u majmur në kurriz të të uriturit.

Të gërvishësh plagë është e dhimbshme. Kjo dhimbje nuk transmetohet tek ligjvënësit, por bëhet pjesë e jetës së asaj mase, që vuajtjen e ka mysafire të përditshme, e cila i shkakton dhimbje dhe plagë, për të deklaruar kështu një sëmundje që nuk shërohet. Kjo sëmundje nuk shërohet nga mungesa e vëmendjes, nga mosprania e ndihmës në nevojë, nga keqtrajtimi i ndihmës dhe i detyrimit të atyre politikave që shohin dhe bëjnë sehir, që vjedhin por nuk falin, dhe që detyrimin e kthejnë me kokëposhtë, për të deformuar dhënien e llogarisë përpara ligjit më suprem që udhëheq krijimin.

Çdo politikë është e mbrapshtë kur nuk zbaton me përpikmëri dhe në përplotësi çdo detyrim që i përket nga mëngjesi në darkë. Të jesh i mefshtë kur drita të zgjon do të thotë se ke injoruar dijen. Por dija nuk është e mefshtë që të dalë me humbje.

Në lojë luajnë edhe ata që nuk dinë, por luajnë edhe ata që zotërojnë aq njohuri, sa ta shfrytëzojnë lojën me çdo mënyrë për të fituar. Këta janë politikanët të cilët joshin të paditur për t’i vënë në lojë si gurë shahu, e në kohën e golit t’i nxjerrin jashtë loje si të pavlerë, duke i injoruar se nuk ditën të luajnë.

Politika kufijtë e saj i shënon me vula të cilat mbajnë erë të rëndë. Kjo lloj arome është tregues i qartë, se nëse guxon t’i kapërcesh këta kufij, do të thotë se ke marrë parasysh rrezikun për t’u ndotur. Por të ndotesh në këtë kapërcim kufiri, do të thotë se ke pranuar në vullnet të plotë të bëhesh pis, të pranosh të mbash këtë lloj ere e cila njihet prej së largu.

Nga kjo lloj arome shumë largohen, por ka edhe nga ata që hiqen sikur e pëlqejnë, por që në fshehtësi zenë hundët me dorë nga neveria.

Të vetëkënaqurit nuk e kuptojnë, se të bëhesh pis në këta kufij të dyshimtë do të thotë, se vështirësia për t’u pastruar nuk është kalimtare, por është një destinacion, ku përballja me ligjin e politikanit është skenar i përgatitur jo në dritë por në errësirë, dhe kjo errësirë nuk mëson të mençurit, por tradhton ligjin e mençurisë dhe të urtisë, duke i vënë përballë atë dije, e cila luftohet dhe dënohet.

Shumë të korruptuar e kanë njohur shkallën e vështirësisë së kësaj dije. Shumë të korruptuar kanë dashur të pastrohen, por nuk mund të pastrohen në errësirë, përveçse të bëhen edhe më keq pis se ç’ishin në fillim.

Kjo ndotje nuk mund të shitet si pastërti, pasi të mençurit nuk mund të gënjehen nga asnjë lloj arome dhe asnjë lloj errësire, ku lindin, zhvillohen dhe mbeten po brenda errësirës ata njerëz që injorojnë dritën, por që mbi të gjitha, mohojnë dashurinë që buron nga drita!