Ahmet Xhavit Delvina: NJË KOIÇIDENCË INTERESANTE E KOHËS SË KOMUNIZMIT
Më kujtohet një tjetër skenë në periudhën e fatalitetit që na imponuan komunistët, sa komike po aq edhe e dhimbshme. Në kuadrin e përpjekjeve për të mbijetuar, pa mbushur akoma 13 vjeç kisha dalë për të shitur me një tezgë në Pazarin e Ri, diku aty ku sot ndodhet busti i Avni Rustemit. Aty përpara tezgës sime po kalonte gruaja e Dr. Asim Abdurahmanit e cila ishte mikeshë e afërt me familjen tonë dhe natyrisht më njihte edhe mua. Kur më pa duke shitur ndaloi për të më përshëndetur dhe njëkohësisht edhe për të më ngushëlluar për realitetin e hidhur që na imponoi komunizmi të gjitha familjeve të kategorisë sonë, dhe njëkohësisht të më jepte kurajo për të shpresuar tek e ardhmja e cila nuk duhet të ishte larg e të merrnim atë që meritonim. Kur për një moment i shkojnë sytë në krah të tezgës time dhe shikon se po shitej makina e saj qepëse “SINGER”. Ajo makinë ishte shumë e dallueshme se për më tepër në platformën e makinës prej mobilje druri të rimesuar, ishte shkruar në mënyrë shumë të dukshme me pirografi dhe me një kaligrafi korsive shumë të bukur kjo fjali: “Ia dhuroj Mezos me rastin e ditëlindjes”.
Historiku i asaj makine që kishte ardhur në treg për t’u shitur, ishte një histori e hidhur për Mezon, pronësia tashmë nuk i takonte asaj, por familjeve të komunistëve që i kishin marrë si “Trofe lufte” nga armiqtë e brendshëm. Por ja që shumë shpejt edhe këta “fitimtarë” kishin patur fatin e atyre që kishin dënuar vet, sepse kishte vepruar mekanizmi i mirënjohur “auto – vrasës”. E shkreta Mezo shumë e tronditur dhe me lot në sy duke qarë, e mblodhi pak veten dhe arriti të më pyesi se si qe e mundur që makina e saj e sekuestruar në kohën e Koçi Xoxes që i pushkatoi të shoqin Dr. Asim Abdurahmanin, të shitej në treg privatisht dhe biles pa prishur së paku diçiturën e dhurimit, kjo më duket shumë e turpshme. Të lutem ma spjego se po më parakalojnë përpara syve skena se, si na plaçkitën pa asnjë mëshirë dhe na hodhën në rrugë të madhe me gjithë fëmijët në mes të dimrit, ky kujtim sot po më llahtaris.
Unë mbeta në pozitë të vështirë, nuk kisha si ti thoja të vërtetën sepse atë makinë të sajën ma kishte dhënë për shitje kushëriri i nënës Dr. Ymer Dishnica – ish Ministër i Shëndetsisë, i cili atëherë pas fitores e kishte marrë në “mënyrë të ligjshme” si dhuratë për të kompletuar shtëpinë me plaçka të sekuestruara nga armiqtë, por për fat të keq edhe atij i kishte ardhur koha për tu hedhur në rrugë, kështu që edhe doktori ishte detyruar ta shiste si plaçkë shtëpie për bukën e gojës. Mua më gjeti belaja, Mezon mikeshë shtëpie, Doktori djalë xhaxhai i nënës, ç’të bëja? Rashë keq. Por faktikisht dola me sukses nga situata sepse ajo grua e “pa djallëzuar” gënjehej kollaj.
Shfrytëzova një koiçidencë, ia ktheva përgjigjen duke e bërë bisedën në italisht me pretekst se rreth e rrotull ka komunistë spiunë dhe po na dëgjuan na gjen belaja të dyve. Atëherë menjëherë fillova t’i them Mezos, pasurinë tënde po për bukën e gojës po e shesin ekzekutorët tuaj sepse, edhe ata e pësuan si ju nga lufta e egër brenda llojit të tyre. Ja psh, ju drejtova Mezos si me kujdes, kjo gruaja në krahun tim është gruaja e Koçi Xoxes dhe po shet deri edhe “rrobat e banjës” së Koçit sepse edhe ajo tani është e “ve” si ty, sapo ia kanë pushkatuar Koçin, xhelatin e burrit tënd. Si… si… si, – tha ajo shumë e habitur nga kjo e papritur. Për fat të keq ajo e kthen në shqip bisedën duke e treguar edhe me dorë, Si? Kjo është gruaja e Koçit, çudi çudi! Kaq shpejt u hakmorr Zoti me të. Ai kriminel më vrau burrin, më la fëmijët pa baba, ai ai monstër, xhuxh ma xhuxh, aahh ti shtrigë, aah ti shtrigë dhe ia bënte me gisht nga e shoqja e Koçit, Sofika Xoxe. Vëntë dorë Zoti te kjo, ta çmendi fare si më katandisi mua, i shoqi saj kriminel e teneqexhi. Por e gjithë kjo bisedë u bë me zë të lartë nga Mezo, si rrjedhim u grumbulluan shumë njerëz rreth nesh. Sofika u hutua aq shumë sa më kërkoi edhe mua ndihmë për të mbledhur plaçkat e saj që po tregëtonte dhe për t’i futur nëpër ca këllëf jastëku që i përdorte për thasë, i hipi në një karrocë dore fëmijësh të sajën dhe u largua menjëherë nën mallkimet e së shkretës Mezo.
U mundova ta qetësoja zonjën Mezo duke i thënë se vërtet atë e shporre, por mos harro se je në mes të komunistëve dhe ka mundësi e rrezik që ata të “organizohen” dhe të të kundërvihen, kjo është në dëmin tënd dhe fëmijëve të tu. Ajo u bind dhe u largua pasi më përqafoi duke më thënë: ciao ciao ci rivedremo. Pas disa ditëve e takova Sofikën e Koçit sepse kishim njohje, shisnim bashkë në treg dhe e dinte që isha nipi i Esatit, ia spjegova rastësinë e atij konflikti që ishte rrjedhojë e mizerjes që jetonim, po po, tha, shyqyr që jam në punë, ajo punonte tek ndërmarrja e leshpunuesve. I thashë edhe Florës se ju gratë e ish – udhëheqësave më ngatërruat dhe nuk dua të merrem më me ju por ia lë Partisë dhe qeshëm.
***
Nga sondazhet e vazhdueshme që na bënte babai të tre fëmijëve të tij në lidhje me “prirjet natyrale” të trashëguara nga origjina a për diçka gjenetike, unë këtë logjikë nuk e merrja vesh në atë kohë, por kisha arritur në konkluzionin se me Sherifin duhej të punohej diçka në mënyrë më speciale dhe për ta shkolluar në profilin klasik, mua më klasifikonte me prirje në sensin e shkencave ekzakte apo reale, ndërsa për Nedon nuk e kishim dëgjuar akoma të jepte ndonjë mendim sepse ajo ishte akoma shumë e vogël. Sherifin veçanërisht e mbante shumë afër gjithmonë, bisedat që bënte ai me të konsistonin kryesisht në tema historike, arkeologjike, histori – gjuhësore, antropologjike dhe më vonë filloi të zgjerohej në filozofi, psiko – analizë etj. Babai gjithmonë i rekomandonte me insistim të madh që pavarësisht nga kushtet e vështira që jetonim, të thellohej në këto shkenca por ama që të njihej në mënyrë perfekte me to, duhej të punonte shumë që të njihte në rrënjë dy gjuhët kryesore të botës, anglishten dhe frengjishten dhe çdo studim ta bënte me tekstet origjinalë dhe jo me ato përkthime në shqip, të cilët nuk kanë asnjë përputhshmëri me origjinalin, edhe këto palo – përkthime nëse janë përkthyer.
Krahas këtyre dy gjuhëve, i thoshte se duhet të thellohesh edhe më tej në latinisht, pavarësisht se aty nuk je keq se e trashëgon atë gjuhë nga shkolla italiane, jo më pak e rëndësishme është për më vonë studimi i gjuhës së vjetër greke. Vazhdimisht ai e kontrollonte se çfarë lexonte dhe i rekomandonte edhe vetë në vazhdimësi libra të ndryshëm që mendonte që i shërbenin aktualisht. Gëzohej shumë kur konstatonte se Sherifi kishte arritur progrese në këto fusha dhe këtë gjë e vërente kur debatonin bashkë, megjithëse nganjëherë për shaka Sherifi ndërtonte diskutime të atilla që e dinte se ato ishin në kundërshtim me mendimet e tij gjithnjë pro – turke e konservatore si psh për një “Armeni të madhe”, apo edhe një “Kurdistan të tillë”, si edhe probleme të myslymanizmit, ortodoksizmit apo harmonia fetare etj. Kënaqej jashtë mase kur Sherifi nën prizmin e një analize psiko – analitike, analizonte personazhet e Shekspirit në tragjeditë e tij si tek: Hamleti, Makbethi, Mbreti Lir etj.etj dhe thoshte të shpresojmë për Sherifin se më duket më i avancuar për moshën që ka. Bakallëm (të shohim). Këtë aspektin psiko – analitik ai e vlerësonte me kompetencë dhe thoshte se unë jam specialist me përvojë në këtë fushë, por e shoh që mendimet e Sherifit bien diçka të re në gjykim, “Allah Versën” (Zoti e ndihmoftë).
Babai i bindur në kapacitetin e Sherifit mendonte ta ndihmonte me ç’të mundej, biles ai organizonte shpesh takime “kordiale” me miqtë e tij të ngushtë në shtëpinë tonë komode, në forma kokteji për të biseduar dhe shkëmbyer pikpamje kulturore të ndryshme në prezencë të Sherifit të vogël. Kështu që këta “Savanë” duhet të influenconin direkt në kokën e Sherifit sipas babait. Në të vërtetë edhe ata miqtë e pëlqenin Sherifin, ishin burra të mirë e të dashur si psh. Kol Kamsi, Ali Asllani, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Pasko, etj. Por çe do, u bë “çlirimi i vendit” dhe siç e thashë edhe më lart Sherifin e hodhën nëpër fshatrat më të largëta të Jugut. Kjo e pengonte në programet e studimit sepse pengohej rrjedha normale e studimeve, dmth të përfitimit të të rejave. Kjo “hata” e shqetësonte shumë babain por sërish thoshte i dëshpëruar që të shpresojmë se pas një të keqe, vjen një e mirë dhe ashtu doli, u gëzua shumë kur mori vesh se në fshatin Bënçë të Tepelenës ku ishte mësues Sherifi, kishin internuar një mikun e tij dhe të djalit të hallës së tij Faik Konicës, një zotni të vërtetë me kulturë të gjithanshme Hito Sadikun.
Atë e kishin caktuar “kaçator” të fshatit dmth korrier, kjo punë i ishte dhënë atij sa për të mos “ngordhur” (vdekur) për bukën e gojës. Sapo e mori vesh babai që Hito ishte në Bënçë, u nis menjëherë për atje. Pasi u takuan ata u gëzuan reciprokisht sepse ishin edhe shumë të përmalluar, kishin kohë pa u parë sepse ai kishte kohë që jetonte në SHBA pranë Faik Konicës dhe Fan Nolit. Kur u ndanë babai iu lut Hitos që t’i rrinte pranë Sherifit dhe po të mundte të bënte çmos që t’i hynte Sherifit në shpirtin e tij, sepse kjo do të ishte një ndihmë shumë e çmueshme për formimin e tij si njeri në radhë të parë, pastaj të tjerat dhe në fakt, thoshte babai më vonë, që shoh tek Sherifi dorën e artë dhe mendjen e ndritur të Hitos. “Alla Versën” për atë pjesëz të vogël të jetës që ndejtën dhe jetuan bashkë, ai e gatoi mendjen e Sheros tonë si deshi ai. Mirëpo siç e tham edhe më lart që çdo e mirë e ka edhe një të keqe, kjo u pa dhe u vërtetua se ky ritëm studimi i zgjatur dhe me intensitet të vazhdueshëm, e shkëputi Sherifin nga realiteti i jetës që jetonte, atij sikur i lindi një indiferentizëm për çdo gjë të “rëndomtë” siç i quante ai hallet e ditës dhe kjo nuk qe e mirë për kohën që jetonim. Një kushërira jonë thoshte me shaka për Sherifin që ai është “sette passi fra le nuvole” dhe kishte plotësisht të drejtë. Madam Bibi, gruaja e Nexhip Kokës dhe e motra e Shahin dhe Ymer Delvinës, insistonte se Sherifi jetonte në një botë tjetër dhe me ç’po shoh ai po largohet përditë e më tepër prej nesh. Në fakt ajo kishte të drejtë, Sherifi vuajti dhe kaloi vështirësi të panumërta vetëm nga ky formim që nuk përputhej kërkund me jetën “Tip” që bënim të imponuar nga komunizmi diktatorial. Megjithatë pati një dhuratë nga Zoti pasi shpresën për të ardhmen nuk e humbi kurrë deri ditën që u duk se u përmbys diktatura, sepse kjo nuk qe përmbysje por ndërrim forme dhe taktike, megjithatë të mirat e reja nuk diskutohen sepse nuk doli më e nevojshme që të luaje rolin e të “dizekuilibruari psiqik” dhe mund të shkruaje pa patur rrezik që të asgjësoheshe me gjithë ç’të mban pragu i shtëpisë, dmth nuk bëheshe më viktimë e kthetrave të Sigurimit të Shtetit. Natyrisht nuk përjashtohej ndonjë aksident automobilistik.
Nëntori i vitit 1944 ishte muaji dhe viti më i zi për Shqipërinë. Kjo ishte periudha që u shtrua këmbë – kryq Sllavo – Komunizmi me terror bolshevik dhe me zjarr në vendin tonë siç e kam parashtruar më lart. Kjo kohë e keqe e gjeti motrën tonë të vogël Nedo dy vjeçe, kjo periudhë mund të themi qe dhe fundi i lumturis së saj sepse, deri atëherë mund ti plotësoheshin çdo gjë e nevojshme për atë moshë delikate, por që në këtë moment fatkeq edhe ajo hyri në rrjedhën e fatit të keq të klasës sonë si ne të rriturit. Në vitin 1947 sapo mbushi pesë vjeç ndodhi “Përmbysja e madhe”, arrestuan babanë dhe na çuan tek “vila që meritonim” në rrugën e Shëngjergjit. Fatkeqësisht kjo e quajtur “banesë” që na çoi Partia për riedukim, nuk kishte vetëm problemet që përshkrova më lart por mbarte me vete dhe kushte shumë-shumë të rënda higjeno – sanitare që na shkaktuan shumë shpejt mjaft probleme shëndetësore. “Vila jonë” mu në buzë të Lanës, pa mure rrethuese, pa nevojtore të rregullt, pa ujë brenda në këtë palo shtëpi, na e vështirësonte shumë jetën psh aty përreth nesh, ishte një goxha qoshe gjysëm e fshehtë që iu shërbente kalimtarëve të rrugës për të kryer nevojat e rastit, dmth aty ishte “Pishuar” publik siç e quante babai, tej mase i frekuentuar sepse vetë ai ambjent të nxiste dëshirën që të “urinoje me qejf”, qoshe e braktisur.
Ky realitet shumë i keq për ne, shkaktonte një ndotje ambjenti shumë të rëndë dhe ishte e pamundur në ato kohra, që ne ta evitonim me mundësit tona familjare. Era shumë e rëndë dhe mizat e shumta ishin të padurueshme. Kjo ndotje menjëherë ndikoi tek Nedo si fëmijë me natyrë delikate dhe minorene, siç i thoshte babai, si rrjedhim i natyrshëm ajo vajzë ishte më e predispozuar për të marrë ndonjë infeksion të rrezikshëm sepse ajo kishte kaluar nga një ambjent krejtësisht steril, në një “hale publike” tejet të frekuentuar gjithë aciditet komunisti. Ajo u sëmur menjëherë nga “botkini” në shkollë, të rëndë, pastaj kaloi në “fruth” dhe më vonë u sëmur nga një infeksion në lëkurë. Luftuam për ta shëruar dhe me shumë sakrifica ia arritëm. Për këtë sukses babai thoshte që influencoi rritja e mirë me siguri, ajo ka marrë gjithë atë vaj peshku, ka pirë vazhdimisht qumësht “Nesle” etj, prandaj e përballoi me “Sykse” këtë situatë të vështirë shëndetësore. Për ta gëzuar Nedon i bëmë peshqesh një palë tuta të kuqe nga një mbulesë tavoline të cilën e kishim shpëtuar me shumë sakrifica nga thonjtë e Mihal Bishës, duke e justifikuar si mbulesë dengu të atyre palo plaçkave që na dhanë për të mbijetuar. Po me këto halle te “Vila e Re” ajo filloi edhe shkollën që për fat e kishim përballë derës së shtëpisë.
Një ditë ajo erdhi nga shkolla duke qarë sepse i kishin thënë në organizatën e Pionierit, se familja e saj në të kaluarën i kishte pirë gjakun popullit dhe me këtë gjak e kishin rritur edhe atë. Këto ia tha Nedoja nënës duke qarë dhe ndërmjet të tjerave ajo i thotë që, pse babai ynë nuk kishte bërë një punë të thjeshtë, të ishte punëtor si prindërit e shoqeve të klasës që jetojnë me nder dhe janë krenarë për prindërit e tyre? Pse unë mos të kisha një fat të tillë? Çfarë i duhej babait tonë të punonte si gjykatës e të mos ishte si baballarët e shoqeve të mia si: nallane – punues, samarxhi, qeleshexhi, etj? Kështu që edhe unë do të kisha një vend të nderuar ndërmjet shoqeve në shkollë, ndërsa tani unë do të mbetem gjithmonë e turpëruar… dhe qante me dënesë për këtë hall që e kishte zënë të shkretën. Me shumë punë mezi e qetësuam dhe e bindëm që të vazhdonte shkollën pa debatuar me njeri, se kur të rritej edhe pak do ta kuptonte se nuk ishte ashtu si i kishin thënë por përkundrazi ajo do të krenohej me babanë e saj.
Natyrisht bisedat me të ishin me shumë takt sepse ishte e vogël, herë – herë i flisnim direkt dhe herë – herë indirekt për çdo gjë që po i ndodhte në shkollë dhe në përgjithësi për situatën në vend. Ajo sikur filloi të kthjellohej dhe të bindej dhe në fakt e vazhdoi shkollën më tej duke evituar incidentet, sigurisht gjithnjë nën kujdesin dhe drejtimin tonë.
Me kalimin e kohës perfeksionoi një sjellje teatrale me shoqërinë në shkollë apo edhe me udhëheqëset e organizatës Pionierit, e cila i dha rezultate të mira deri në përfundimin e shkollës së mesme pa shqetësime të rëndësishme. Ishte vetë sistemi që të impononte të maskoje atë që ndjeje në të vërtetë. “Fatkeq – mirësisht” Nedo ishte një vajzë simpatike, bjonde e gjatë, sylarush dhe me një farë figurë në shoqëri për kohën e vet, por fal Zotit ajo qëlloi një tip apo natyrë që do ta nderonte familjen dhe origjinën e saj në superlativë, nderit i tha nder dhe pikë. Megjithatë shqetësimi ynë si familje dhe sidomos i imi personal për ta mbrojtur nga problemet apo rreziqet që rridhnin nga degradimi apo deri degjenerimi gradual i asaj shoqërie, ishte shumë i madh. Partia në fakt kishte në dorë edhe jetën tonë, ajo na mori çfarë deshi, por në nder nuk e lamë të vërë dorë. Kjo ndodhi në radhë të parë për meritë të edukatës familjare të trashëguar ndër breza, për të mos thënë në shekuj. Fanatizmi im si person për të ruajtur nderin e familjes ishte edhe i tepruar në disa raste, por sidoqoftë në fund të fundit ia pamë hajrin.
Më kujtohet kur vija njëherë nga Hidrocentrali i Ulzës me makinë “Gaz 69”, halli më pati imponuar të punoja edhe si shofer profesionist. Ishte ora rreth 19.00 e darkës, hyj në shtëpi apo në “hanin tonë” dhe nuk e shoh Nedon, e pyes nënën se ku është ajo? Nëna më thotë se erdhi tezja me vajzën e dajës dhe e morën për të shkuar në dasëm sepse martohej kushëriri ynë Feri Dishnica. – Po pse e le? – i them nënës. Ajo më përgjigjet se përse? Çfarë të keqe ka? Ç’të keqe sheh ti këtu? me njerëzit e saj shkoi te njeriu ynë. Pa folur fare dola menjëherë, mora makinën dhe u nisa menjëherë për në dasëm. I kapa rrugës për tek shtëpia e Ferit. Ndalova makinën dhe i thashë Nedos: hajde hyp në makinë pa një e pa dy, duke mos i përfillur fare ato. – Po pse e bën këtë? – më thotë tezja, Meli dhe pak më vonë më kthehet me fjalë, je shumë injorant o ditëzi, turp të kesh. Dhe unë i kthehem si me ironi apo shaka, epo ç’të bësh, Partia juaj na la të tillë. Nedo hypi dhe menjëherë u nisëm për në shtëpi në mënyrë harbute. Gjatë rrugës e qortova Nedon por ajo qeshte vazhdimisht me mua dhe në fund më tha: – Pashë Zotin o vëlla pse bëhesh merak tani që unë u rrita, vallë unë nuk jam brumë i kësaj familjeje apo fëmija i Neki Delvinës? Më thuaj kujt do t’i ngjaj? A di ndonjë prej rracës tonë që të ketë shkelur në nder a moral?
Iu drejtova menjëherë gjoja si me nervozitet dhe i them: – Babai ynë thotë që të ruhemi se ka ardhur “zaman i keq” (kohë e keqe), por meqë e kërkove po të jap një shembull konkret imoraliteti brenda në familjen tonë dhe në rrethin e parë të kushërinjve. – Po kush? – më pyet ajo. – Uuaa. kaq e marrë je?, i them unë, po a ka më “pusht” se daiu ynë? Vëllai dhe babai i atyre që ishe ti kur të mora unë? Hë fol, – i kërkova unë përgjigje me insistim. Atëherë ja dhamë të qeshurit që të dy bashkë. Kështu e kaloi rininë e saj, moshën më të bukur të jetës së saj, shtëpi – shkollë – shtëpi.
Kur u paraqit rasti që e kërkuan për martesë, unë kërkova ta njoh atë person nëpërmjet shkuesit Dr. Fatmir Dodës. Sapo e pashë kandidatin për dhëndër e desha menjëherë me shikim të parë. Ai më bëri shumë përshtypje për qëndrimin që mbajti gjatë bisedës me mua, aty ai demonstroi burrërinë e tij, karakterin e qëndrueshëm verior, qetësinë shpirtërore dhe atë të fjalës, edukatën dhe kulturën e tij. Paraqitja e mendimeve të tij, sigurisht si ditë e parë ishin diçka të rezervuara, por ama me shumë llogjikë, kishte dhe humor shumë të spikatur për shumë probleme të jetës në përgjithësi, por mbi të gjitha më bëri përshtypje pozitive fryma e tij liberale – demokrate – perëndimore për çdo gjë që bisedoi. Më tha në veçanti ndërmjet të tjerave që familjen dhe të gjithë njerëzit e mi, i kam me mendime komuniste, por unë kam mendime krejt të ndryshme nga ata dhe besoj që mendimet e mia që i kam thellë në zemrën time nuk mund t’i shpreh sepse e tillë është situata sot, besoj se përputhen plotësisht me mendimet tuaja pavarësisht se nuk i takojmë të njëjtës klasë shoqërore dhe ju garantoj se në rast se unë martohem me motrën tuaj, atë do ta veçoj nga ai ambjent dhe do t’i krijoj kushte që të jetoj si tek ju, dhe gjithashtu shpresoj të ndërtojmë së bashku një familje që të na sjellë kënaqësi jo vetëm neve por edhe juve. Pasi u martuan dhe jetuan bashkë, me të vërtetë vetëm lumturi patën, apo jetuan vetëm ditë të bukura. Ai mbeti në kujtimin tonë si njeri me vlera absolute pozitive. Ky qe Dr. Hysni Sinamati, burri i motrës sonë. Por çe do, e vranë, e vranë monstrat komunistë me kontributin fatkeqësisht kundër tij dhe të disa familjarëve të tij. Ne jemi të sigurtë dhe mendojmë duke u bazuar edhe në shumë pohime të miqve të vërtetë, edhe nga verifikimi që bëra personalisht në morg, se aksidenti automobilistik që u konsiderua si shkak i vdekjes së tij, ishte një sajesë e organeve të specializuara për kësi punësh. Kjo ishte një metodë e zakontë për të asgjesuar kundërshtarët e atij regjimi që i paramendonin vetë. Megjithatë ne të afërmit e tij besojmë se do të jemi në gjëndje të vërtetojmë këtë hipotezë që sot qarkullon privatisht.
Megjithatë jeta vazhdon. Kjo ngjarje e dhimbshme tronditi sërish familjen tonë, por këtë rradhë në dimension tjetër. Nëna më e rënduar për të përballuar sërish tjetër goditje, Sherifi si beqar në botën e tij të librave, me këtë ndodhi prishi ekuilibrin e rutinës së tij të përditshme për qetësin e tij studimore, Nedo e traumatizuar në Kukës, që shihej si bijë borgjezi dhe me dy fëmijë të vegjël e temperament të vështirë veriu. Sërish në këtë sfidë shokuese baza mbështetëse për të superuar isha unë si Xhavit, që me ndihmën absolute sërish të Pupo Shytit, që nuk u kursye kurrë për familjen tonë, mbështetjen e mirënjohjen pafund të mikut tim të nderuar Përparim Bodinaku, mundësuan konform ligjeve, të siguronin transferimin nga Kukësi për në Tiranë, në shtëpin e nënës, pasi vëllazëria e Hysniut i braktisi totalisht, edhe ata dy fëmijë, edhe pse ishin funksionarët më të lartë të rrethit dhe si komunistë të devotshëm, ishte e papranueshme mbështetja. Nedo me tronditjen dhe anën shëndetsore të rënduar, e kishte tejet të vështirë të përshtatej me realitetin e ri. Edhe më të rëndë e kishin dy fëmijët që pothuaj dukej e pamundur kjo përshtatje, ndërrimi i mjedisit dhe ndryshimi në mënyrën e të folurit, dialektin e vështirë për tu kuptuar, kishte raste që i çonin ata drejt bullizimit, edhe si “të ardhur”, gjë që i vriste ata aq sa donin të braktisnin shkollën, sidomos vajza e cila e vuante më së shumti, e pati goxha më të vështirë përshtatjen deri vonë. Por me përkrahjen e të afërmve të bashkëshortes dhe bashkudhëtares sime Emel, pa të cilën nuk do të mund t’ia dilja, me anë të të afërmve të saj, që ishin mësuese të nderuara të gjimnazit “Sami Frashëri”, zonja Myryban Dajçi dhe zonja Lume Nallbani, këmbënguljen sonë si familje dhe bashkëpunimi i Nedos me miqtë arsimtarë të afërt të Sherifit, vajza arriti të vazhdonte rrugëtimin arsimor me shumë vështirësi pa e braktisur shkollën derisa mbaroi studimet e larta, duke e shoqëruar personalisht hap pas hapi deri në përfundim të studimeve, duke e mbajtur gjithnjë pranë për natyrën e saj impulsive, deri sa mori drejtimin e saj. Por jo më pak i vështirë për t’u adoptuar ishte djali që me “bëmat” e tij të pafundme e të paimagjinueshme për moshën, që siç e thashë pa mbështetjen gjithmonë të zonjës sime fisnike, me vullnetin e saj të çeliktë dhe familjen e saj Bejzade, ky rrugëtim plot peripeci, lodhje fizike, stres, sfida shokuese dhe pa komunikimin, që ishte referencë për çdo veprim në çdo etapë, gjithçka do të ishte e pamundur. Të njëjtat vështirësi shpirtërore, emocionale, morale e fizike u rikthyen pas disa vitesh kur u bë e mundur në rrugë ligjore nëpërmjet kunatit tim të vyer e të nderuar Nuri Bejzade, kthimi i eshtrave të Hysniut nga Kuksi në Tiranë.
Edhe në këto momente me shoqërimin personal të tij, edhe si përfaqësues zyrtar por edhe si i afërm, ndjeva mbështetjen e tij gjatë nxjerrjes së eshtrave, duke e parë trupin të paprekur në dukje dhe më pas heqjen e dhëmbëve të floririt nga goja e Hysniut, veprim të cilin e bëra personalisht. Kjo ishte tronditje e paimagjinueshme, por ndjemë sërish shmangien totale dhe inegzistente nga ky proçes kaq i vështirë nga vëllazëria e Hysniut. Përfundimisht mund të them se ky rrugëtim aq i rëndë ishte vërtet i dhimbshëm e sfidues, por jeta vazhdoi dhe familja e Nedos mori drejtimin që dëshiroi. Ndërsa unë si Xhavit mbarta pengjet e mia karshi kujdesit të sime bije, për ta drejtuar vetë siç duhet në rrugëtimin e saj. Uroj dhe shpresoj në bekimet e Zotit në të ardhmen duke ia kërkuar të ma bëj hallall!
Rrjedhojat e të këqijave të komunizmit që i shkaktuan këtij populli dhe që natyrshëm prekën rëndë edhe familjen tonë, mund të ishin edhe më të rënda, në rast se prindërit tanë nuk do të ishin të aftë të na parapërgatisnin në një farë mënyre për të përballuar situata të rënda e të vështira në çdo kohë qofshin ato, jeta i njeh këto mundësi. Asnjëherë nuk u mposhtëm apo u demoralizuam familjarisht, por ju përkushtuam punës sikur të ishim lindur posaçërisht për të përballuar të keqen dhe hallet që na u imponuan nga ky lloj komunizmi gjakatar. Sot nuk besoj të imagjinojnë brezat e rinjë që të ruash gjakftohtësinë dhe ekuilibrin, kur je akoma pa mbushur 15 vjeç dhe për më tepër kur je rritur me shërbyese, guvernante, kuzhinier të specializuar, etj apo të vije nga shkolla italiane e me mësues privat në vazhdimësi dhe menjëherë me “Deus Esmakina” (në mënyrë të menjëhershme) komuniste, të kthehesh në punëtor, motorist, buldozer, eskavator, auto – xhenerik, mirëmbajtës të mjeteve të rënda të ndërtimit, etj nëpër kantieret më të largëta të vendit, si te rruga e rinisë Kukës – Peshkopi, rruga Shëmri – Kolgecaj, rruga Gramsh – Lozhan, apo rruga e Dritës, dhe pa përjashtuar objektet e tjera si në ndërtimin e urës së Mbrostarit, apo Rafinerinë e naftës në Cërrik, etj. Puna në këto “vepra” ka qenë gjithmonë mbi 12 orë ose edhe 16 orë ditë natë, në shi e në borë, dhe i paveshur mirë si edhe më shumë i pangrënë. Por ja që i kaluam me shumë forcë shpirtërore dhe u dalluam. Më kujtohet viti i mallkuar 1947 kur babai ishte në burg, unë isha vetëm 13 vjeç, vuanim për bukë por në të njëjtën kohë duhet ti çonim babait ushqim special dhe kos çdo ditë, për diabet plus duhej siguruar dhe sasia e antibiotikëve e rekomanduar nga mjekët si Penicilinë e kombinuar me Streptomicinë (oleoze) për proçesin tuberkular që i ishte hapur atje nëpër birucat e hetimit të kriminelit Andrea Mema. Ato antibiotikë në atë periudhë fillestare meqë ishin prodhim i ri dhe konsideroheshin me efekte të jashtëzakonshme, kushtonin shumë dhe mbi të gjitha ishte shumë e vështirë për t’i gjetur. Kështu që për të përballuar këto nevoja të domosdoshme, vendosëm që unë të dilja në treg siç e kam përmendur më lart, me tezgë si në pazarin e vjetër po ashtu edhe në të riun për të shitur deri edhe ndonjë plaçkë të vjetër të trupit tonë të zhveshur, apo edhe ndonjë qëndisje që ja merrte nëna jonë një shoqeje të saj për të fituar diçka. Për këtë punë që bëja ndjeja krenari dhe nuk kisha fare turp nga kushdo se e dija që puna ime i zbuste diçka hallet e shtëpisë që ishin me shumicë. Por në të njëjtën kohë ndihmoja edhe familje të tjera të sërës sonë, duke ju shitur edhe atyre ndonjë gjë për të mbajtur edhe ata shpirtin sepse kishim një farë diference për të shfrytëzuar çdo mundësi ekzistuese që rridhte për arsye se ato i kishin burrat të pushkatuar apo nëpër burgje, ishin pa fëmijë apo të sëmura, ishin të moshuara etj si psh mbesat e Ismail Qemalit, gratë e Gjeneral Mirdaçit apo Shefqet Frashërit dhe mund t’ju kishte mbetur kazualisht ndonjë gjë e vogël për shitje. “Sikur më shkonte kjo punë” dhe të gjitha thonin që sa i shkathët na qëlloi ky Xhaviti që na shpëtoi, por ky kontribut ishte shtrirë edhe tek disa miq tanët, ish – funksionarë të lartë komunist të centrifuguar nga Partia “mëmë” si Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica etj. Çdo lloj punësh bëja në ato kohra për të mbijetuar, por gjithmonë me nderë, vazhdoja edhe shkollën me shumë vështirësi dhe nuk u thyem asnjëherë, jetuam me dinjitetin e nevojshëm pa e lëkundur nderin e origjinës së familjes. Edhe tani që jemi në moshë relativisht të thyer, përsëri shpresojmë për një të ardhme më të mirë së paku për fëmijët tanë, nipat dhe mbesat që ata të mburren me ne, ashtu si ne me prindërit tanë që luftuan me jetën dhe punuan me ndershmëri të lartë dhe në fund të fundit mbijetuan në ferrin komunist. Me kujtime të këqija, hidhërime të mëdha ishte mbushur ajo jetë “socialiste”.
Më kujtohet një mik i fëmijërisë që pati një fat tragjik si familja e tij, ashtu edhe vet e që quhej Robert Kiçi e që ne e thërrisnim me nofkën “Daja”. E vranë në kohën që thamë, pikërisht tani në periudhën që u “shemb” komunizmi dhe erdhi periudha e të ashtuquajturit “Tranzicion Neo – Komunist i Pafund”. Mafia e dinte që ai kishte djemtë dhe gruan në Itali si emigrantë ekonomikë, prandaj ai duhej të kishte para të thata në shtëpi. E vranë kur ai ishte në gjumë dhe e plaçkitën si deshën pa i penguar njeri. Ishim shokë që në apartamentet e bardha të italianëve, i ati Rrok Kiçi ishte funksionar i lartë i financave në regjimet “anti – popullore”, nga halli se po vinte komunizmi një vëlla, Rudi, u largua në SHBA, ndërsa Rrokun e persekutuan bashkë me vëllanë tjetër Henrikun, të cilin detashmentët e Rinisë Komuniste në Shkodër, duke e ditur se kishte natyrshëm mendime “reaksionare” e vranë në një aksion ndëshkues. Roberti me shumë vështirësi e sakrifica arriti të mbarojë shkollën e mesme tregtare sepse luftohej për “biografi të keqe” dhe po me shumë vështirësi arriti të bëhej magazinier në një magazinë të vogël për fruta – zarzavate në Ulëz sepse i mungonte “besimi klasor”, pas disa kohësh me shumë mundime arriti të bëhej shofer me auto – bot për të larë rrugët e Shkodrës në Drejtorinë Komunale. E përmenda Robertin jo vetëm për fatalitetin familjar që pësuan, por edhe të kujtoj se ai ishte shoku më simpatik në shoqëri, ai dallohej për humorin e tij të hollë dhe karakteristik shkodran, biles thoshte se jam ba edhe poet bejtexhi prej zorit, veç me i knu ksaj bukurie që po jetojmë. Këtë vjershë e këndonte me zë të ulët ndërmjet nesh se mos e nigjonte ndonjë spiun se të digjnin në turrën e druve. Kjo qe dhe vjersha e tij e fundit:
Enver Hoxha, rob i Ferrit,
Renegat i Luçiferrit,
Çoj Shqipnin në maj të sherrit,
Për me e ba pjes të Ferrit.
Dhe tamam kështu e boni Shqipnin ai “çen” (qen), thoshte Roberti (Daja). Ishin me të vërtetë shumë të rënda ato vite të mallkuara për familjen tonë, kishte pak kohë që babai kishte dalë nga burgu, dhe përveç sëmundjes së mushkrive që e pati dhuratë nga torturat në periudhën e arrestimit, pati edhe një rritje të paparë deri atëherë të diabetit në gjak. Këto diagnoza e rënduan shumë bilancin ekonomik të familjes, kulmi arriti kur u mor vesh se edhe Nedo u prek nga një “anemi e theksuar”. Kjo për fat të keq qe një situatë që kërkonte për të dy rastet, një dietë të zgjedhur ose më shqip më të “shtrenjtë”. Nuk kishim nga t’ia mbanim, u drejtuam tek sekseri argjendar që bashkëpunonim në shitjen e xhevahireve z. Paparisto, por për fat të keq megjithëse ai ishte mik i familjes nuk na bëri dot gjë, sepse në ato momente edhe ai kishte “shterur”. Nëna atij i kishte dhënë një “Pandatif” të përbërë nga gurë të vegjël diamanti të pastërtisë shumë të lartë, të cilat ishin vendosur anash një si emblemë me reliev të ngritur e mbështetur në një bazament platini në qendrën e së cilës ishte vendosur guri kryesor i Pandatifit prej brilanti shumë – shumë të shtrenjtë. Ky Pandatif ishte emëruar nga firma shitëse “Pikë Loti”, babai këtë e kishte blerë në Zvicër me rastin e 21 – vjetorit të ditlindjes së nënës, me çmim shumë të lartë në një ankand xhevahirësh që zhvillohej në atë kohë në Lozanë. Babai për të evituar ndonjë bela apo grabitje në rrethanat e “udhëtimit turistik” që ata ndodheshin nëpër shtete të Europës deri në Fiordet e Norvegjisë, e solli Pandatifin nëpërmjet një Banke si mall me shumë vlerë dmth me “Assikuracion të garantuar”. Mundësia e shitjes në atë kohë duke ju referuar vlerës që ajo përfaqësonte pothuaj qe e pamundur. Prandaj për të evituar këtë ngecje z. Paparisto mendoi t’i hiqeshin gurët dhe të shiteshin në veçanti, duke i bërë qoftë edhe unaza të reja. Kjo gjë tha ai, është e vetmja mundësi e kohës. Specialistët e huaj që punonin atëherë në Shqipëri në fakt përfaqësonin fuqinë blerëse reale dhe më të fortën, dhe si rrjedhim logjik vetëm tek këta mund të shpresohej për shitje dhe në fakt pak me vonesë por kështu ndodhi shitja e tij. Rezultatet e shitjes nuk përfaqësonin kurrë vlerën reale të atij Pandatifi, tashmë të masakruar në copa, por sërish e sërish “Lavdi të përjetshme” Gani Çanos që na shpëtoi me inisiativën e tij personale dhe që përfundimisht ai na krijoi mundësinë për të jetuar në atë ferr për një kohë relativisht të gjatë.
Veç sëmundjeve të atyre momenteve, si të babait apo të Nedos, apo koha që na u desh për përgatitjen e Pandatifit për shitje siç e thashë më lart, qëlloi edhe Viti i Ri dhe duheshin gjetur patjetër para jo vetëm për të plotësuar zakonin e festës, por duhej krijuar një situatë që të induktonte në shpirtrat e tyre një shpresë për të ardhmen. Natyrisht siç e kam shpjeguar më lart këto probleme na takonin mua dhe nënës për zgjidhje. Vramë mëndjen dhe na u kujtua diçka që mund të na shërbente në atë situatë shumë të rëndë. Mihal Marto, një rrobaqepës luksi në Tiranë, mik i familjes sepse aty babai dhe ne qepnim vazhdimisht, na kishte kthyer tre metra stof anglez burrash pasi nuk kishte arritur t’ia qepte kostumin e ri babait prej të mallkuarit “çlirim i vendit”. Këtë stof donim ta shisnim nëpërmjet burrit të kushërirës së babait, Avni Gjilani i cili i njihte kësi punësh, duke na rekomanduar një të njohurin e tij, por që qëlloi një matrapaz, me emrin Mol Hyka. Këtij i dorëzuam stofin por fatkeqësisht ai nuk na doli korrekt, na e zvarriti këtë punë për muaj me rradhë dhe biles së fundmi i shmangej takimit me ne. Aty ku ne patëm pyetur për këtë tip, Molin, na patën thënë që të mos shpresonim më, por ta qanim stofin sepse ai e bënte këtë punë vazhdimisht dhe ishte një batakçi i njohur dhe i pashembëllt. E vramë mëndjen me nënën dhe vendosëm t’i drejtohemi për ndihmë një mikut të babait dhe njëkohësisht këpucari personal i tij prej shumë vitesh, Sul Bylykut se ndoshta e njihte Mol Hykën si tironsi – tironsin, kushedi! “Myshterillëku” i vjetër me të dhe natyra burrërore njëkohësisht, kjo e shoqëruar edhe me një humor dhe ironi të drejtë, i kishte shndërruar marrëdhëniet tona në një miqësi konfidenciale, prandaj dhe ne pa më të voglin siklet, i treguam mungesën e korrektesës së Molit me ne dhe njëkohësisht e pyetëm nëse ai si tiranas i vjetër a e njihte këtë person dhe nëse e njihte a kishte mundësi ta ndërmjetësonte për ndonjë zgjidhje të mundshme? Por për koençidencë në dyqanin e Sulës ndodhej një miku i tij i ulur që e dëgjoi të gjithë bisedën e kërkesës së nënës ndaj Sulës, por ne vumë re se ai u revoltua shumë dhe ndërhyri menjëherë: Meqënëse ju qekeni (qenkeni) miqtë e Sulës mos më thonçin Xhek Meta, pa ja marrë unë stofin atij kopuku në vend, ose në fund të fundit paret mrena javës, se për emnin e atij që oshtë aq e noltë e rrjep t’gjall (të gjallë), ene hiç mos u boni marak. Mori fun ky hall i juj. Nëna e falenderoi mikun e Sulës dhe morëm për tu larguar, Sula na ndoqi nga pas dhe na ndali te pragu i derës duke na thënë (mesa duket ai e kuptoi gjëndjen tonë ekonomike): Mos ma merrni për keq se jam miku juaj dhe ju lutem pranoni një borxh prej 2000 lekësh dhe të mi ktheni kur t’i keni, gjithashtu ju lutem pranoni nga unë si dhuratë 2 kg miell misri për Vit të Ri se, mi ka pru një mik i imi dhe e di që kjo lloj buke nuk i bo dom Neki Beut prej smunies sheqerit. Nëna i tha se ai s’kishte pse e bënte këtë sakrificë dhe ishte e tepërt, për kohën që jetonim, – nuk ka gjo, thotë ai – sot nuk keni ju që jeni të pasur dhe nuk i dihet nesër, s’kam unë. Miku i mirë për një ditë të keqe oshtë, u detyruam ta marrim “dhuratën miell” dhe u nisëm për në shtëpi. Dy kg miell përbënin dhuratën më të çmueshme të asaj kohe sepse nuk kishte treg dhe gjithkush kishte triskën e vet. Kjo sasi mielli suplementar e rregullonte më së miri bilancin e konsumit të bukës dhe ushqimit të familjes së uritur socialiste. Për fatin tonë borxhi u kthye shumë shpejt, tamam brënda javës që tha Xhek Meta. Më vonë morëm vesh se Xhek Meta kishte një influencë të padiskutueshme ndaj batakçiut Mol Hyka. Pra u bëmë me lekë tamam në 30 Dhjetor.
Sapo morëm paratë e stofit, lamë borxhin tek Sula, e falenderuam për gjithçka që bënë për ne dhe ikëm të lumtur. Më pas menjëherë shkuam në shtëpinë e një matrapazi antibiotikësh ku shiteshin në fshehtësi ilaçet që i sillnin nga jashtë shtetit me raport mjeksor fallco për veten e tyre, dhe pastaj i shisnin me çmim shumë të shtrenjt. Morëm “Penicilinat dhe Streptomicinat oleoze”, u lumturuam sepse zgjidhëm problemin jetik për një muaj për babanë. Pra borxhi i Sulës prej 2 000 lekësh, plus ilaçet, na mbetën vetëm 468 lekë për Vit të Ri dhe kështu e mbyllëm atë kapitull feste e sëmundje me “Sykse” të plotë siç thoshte nëna në Frengjishte – Dishnice. Por e shihja nënën që nuk po gjente qetësi, nuk donte të linte për forcë zakoni pa shtruar tavolinën për Vit të Ri, një tavolinë fare modeste thoshte ajo, se mbase kur të mblidhemi rreth saj, mbase gëzohet Nekiu. Duhet t’i gëzojmë të dy “Savanët”, si Nekiun ashtu edhe Sherifin, thoshte e “gjora”. Duhet t’i mbledhim në atë tavolinë “Mbretërore Grand – Ufficiale” – Dr . Neki Delvina dhe Profesorin e ri Sherif Delvina. Tavolinë – Mbretërore i thoshte tavolinës së bukës sepse ishte me tre këmbë, se njëra këmbë kur na e “dhuruan” kishte kohë që i kishte humbur dhe kur e luanim tavolinën, këmbën e IV – të e formonim me tulla. Ajo thoshte se këtë e bëjmë për mësysh dhe kurrë nuk na linte ti mbërthenim një dërrasë fikse. Por nga llogaritë e shpenzimeve që parashikonim të bënim, duke llogaritur edhe shpenzimet për ditët e mëvonshme, na duheshin edhe para të tjera, pra ku t’i gjenim? Por mendja e të dyve ishte me të vërtetë krijuese dhe më në fund e zgjidhëm. “Evrika”, tha mamaja greqisht, dmth e gjetëm. Morëm triskat e veshmbathjes të cilat i kishim të pa konsumuara sepse për fat në atë kohë pati kërkesa për ato lloj triskash pasi në ato ditë kishte dalë në shitje një lloj bezeje, natyrisht rast i rrallë dhe kërkoheshin t’i blinin këto triska me çmim të leverdisshëm për ne që i shisnim. Bashkë me triskat na ra ndërmend se mund të shisnim dhe një mangall me suprinë bronxi që na e kishte dhuruar Sejfulla Malëshova, pasi atij nuk kisha mundur t’ia shisja në kohën që ai ishte i interesuar, por e bukur ishte se kur na e dhuroi, na tha që, sa herë të ngroheni me këtë mangall në të ardhmen, të më kujtoni mua. Por pas disa kohësh kur ai vjen për vizitë, i thotë nëna: Ç’e do mor Sejfulla nuk arritëm të të kujtojmë me atë të flamosur mangall që na e le dhe porosi sepse e shitëm për bukën e gojës, kjo ishte edhe dëshira e Partisë. Ai iu kthye nënës po me të qeshur: – S’ka gjë që nuk më kujtoni ju, se na kujton “Ai” miku i përbashkët, Enver Hoxha deri ditën që do na marri shpirtin dhe të shpëtoj, si ai me ne, ashtu edhe ne me atë.
Nga të gjitha këto shitje që bëmë u grumbulluan aq para sa arritëm të blejmë një zog pule, ca putarka të thata peshku, një litër verë të kuqe dhe bëmë gjithashtu një “mëmëlike” me pjesë nga mielli i Sulës se babai e pëlqente dhe i thoshte “mëmëlinga”. Kështu që edhe ky “eveniment” festiv tradicional” u kalua me sukses dhe në mënyrë “socialiste”, falë përpjekjeve të nënës dhe përpjekjeve të mia, gjithashtu ju lutëm Zotit për një të ardhme më të mirë. Nuk mund të imagjinohet se sa e rëndë dhe e dhimbshme është për ne, kur shohim edhe sot që po këta persekutorë komunistë e kriminelë që zbatuan me aq zell përmbi 50 vjet krime nga më monstruozet ndaj këtij populli, që ishin krime të përmasave të një genocidi të pastër, të jenë po ata sot të vendosur me të gjitha komoditetet në drejtim të po këtij shteti që e vetëquajtën “pluralist”. Po aq e çuditshme është se po vetë këta monstra të urryera që njihen me gisht nga ky popull martir janë veshur me petk të ri prej demokratësh dhe kërkojnë në forma nga më të ndryshme duke u bërë “njësh” me viktimat e tyre, se për të kaluarën jemi vetë bashkfajtorë e bashkëvuajtës dhe tani e në të ardhmen të mos e kthejmë kokën prapa, por të shohim vetëm përpara.
Absurditetet – Hipokrizi Komuniste –
Historianët e rinj me mendimet komuniste rekomandojnë që të rishkruhet “Historia Shqiptare” dhe njëkohësisht sugjerojnë përsa i takon psh sakrificave të nacionalistëve shqiptarë në të kaluarën, t’i identifikojë ata me një shprehje të panjohur në logjikën historike si psh “Ekstremizëm i djathtë”, këto nuk janë veçse llafollogjira komuniste të cilat bëjnë pjesë në natyrën e tyre tradhëtare kundër interesave të atdheut, por nuk besoj të arrijnë gjëkund veçse do të vetë demaskohen. Ja vlen të përmendim atë periudhë të ndyrë “të lavdishme” që shteti përvetësoi abuzivisht me terror e dhunë të gjithë pronën private të paluajtshme në rang Republike. Ky fakt gjeneroi në popullin e shkatërruar dy llojë hajdutësh:
- Hajdutët e vegjël me karakter ordiner që vidhnin nëpër xhepat e qytetarëve, apo ndonjë plaçkë të nderur pas larjes nëpër telat e shtëpive, si edhe kooperativistët që vidhnin nga pak e përditë prodhimet e tyre për të jetuar.
- Hajdutët e mëdhenj ku përfshiheshin punonjësit e nomenklaturës komuniste, si në pushtet edhe në Parti, të cilët përvetësonin pjesë nga prona e përbashkët sipas gradës apo pozitës që mbanin.
Ata nuk i vriste fare ndërgjegjja për këto përvetësime sepse ishin të bindur se “merrnin pjesën që ju takonte” nga prona e përbashkët.Këtë fakt realisht e “lehtësonte” shumë edhe zëvendësimi i fjalës “vjedhje” me një emërtesë më të zbutur, meqënëse ky si profesion u masivizua shumë në atë sistem si përvetësim, kompromentim, etj. Këto realitete e shkatërruan përfundimisht njeriun shqiptar. Ishte shumë interesante të bisedoje me këta llojë hajdutësh të socializmit, ata ishin mëse të bindur se kjo grabitje ishte e drejtë dhe normale dhe se ishte në përputhshmëri me rrugën e drejtë të komunizmit, ku njeriu do të merrte nga shoqëria aq sa kishte nevojë, pavarësisht nga kontributi që ai jepte në shoqëri. Me kalimin e kohës ky popull tashmë “hajdut” ja u ndjeu lezetin këtyre punëve dhe filloi t’i perfeksionojë këto “marifete”, sidomos, tani në periudhën e “tranzicionit të pafund” i ngriti në nivele “groteske” apo në nivele “shkencore”. Si bazë e suksesit u përdor “pastrimi i parave të pista” jo me kuptimin kapitalist, që thotë se këto para rrjedhin nga krimi, por me kuptimin komunist, sepse babai i komunizmit shoku Lenin ka thënë se çdo dollar ka një pikë gjaku.
Korrupsioni sot këtu në Shqipëri ka fituar të drejtën e qytetarisë në jetën e përditshme, ai është institucionalizuar dhe ka hyrë në modën e re të jetës kapitaliste. Korrupsioni pjell vila, fabrika, pallate shumë katshe, rezerva dhe bollëk parash në valut të huaj, etj. Kështu që edhe neo – komunistët e sotëm, bijtë e baballarëve të djeshëm kriminelë, janë bërë milionerë dhe janë pasuruar në mënyrë të shfrenuar me tamaqarllëk të madh, ata janë bosët e jetës së “re”.
Natyrisht ata sot janë të paprekshëm, kanë pushtetin e çdo gjëje, të shohim se sa do të zgjasë kjo padrejtësi. Të vjen çudi me fatin e këtyre rezilëve sepse për “Nazizmin” – njerëzimi bëri Nuremberg dhe ju dha dënimin që meritonin. Shpirtrat e mijra të ekzekutuarve kërkojnë ndëshkimin e tyre, në bazë të ligjeve njerëzore ndërkombëtare për këta monstra të reja e të vjetra. Të vjen rëndë, keqardhje edhe inat kur shikon të nderohen sot në të quajturën periudhë “Demokratike” kriminelë me stash të gjatë në krime si: Siri Çarçani, Aranit Çela, Manol Konomi, Nesti Kerenxhi, etj. etj. Ata gëzojnë sot të gjitha mirënjohjet shtetërore e shoqërore dhe marrin pensione shumë – shumë të larta për “shërbime të shquara” për nder të së kaluarës së tyre kriminale. Këtyre monstrave ju japin edhe një nder tjetër, sigurisht të pamerituar si “Veteranë” që në të vërtetë janë veteranët e Luftës Civile Shqiptare. Akoma edhe më e turpshme është kur shikon akoma edhe sot institucione të nderuara, shkolla, rrugë, etj me emrat e këtyre kriminelëve. Kapakun e turpit e zë Enver Hoxha, që akoma edhe sot është: “Hero i Popullit” dhe nuk ia heq njeri këtë titull. Po kush t’ia heq? Kush e ka Qeverinë? Kush i ka paratë dhe kapitalet? Djemtë e monstrave si: Xhelil Gjoni, Thanas Nano, Et’hem Gjinushi, Dilaver Poçi, Josif Pashko, Kiço Ngjela, Todi Lubonja, Vasil Kati, etj… etj. Më “qesharakja” është se në krye të Komitetit të Helsinkit është ish – eksponenti komunist Arben Puto, kunati i monstrës së zezë Manush Myftiu. “Zoti nuk e merr vesh se kush e lejon këtë vazhdimësi absurde”!
***
Më kujtohet kur banonim tek dhoma historike në rrugën e Shëngjergjit, ekonomikisht ishim si e gjithë Shqipëria, punonim të gjithë dhe mbanim frymën. Ndërmjet nesh në familje ekzistonte një harmoni e lavdërueshme për atë kohë që jetonim, nga shëndeti nuk ankoheshim, përveç babait sepse ne ishim në moshë të re dhe mbi të gjitha i ishim përshtatur asaj jete. Shpresat për një të nesërme më të mirë tek ne ekzistonin gjithmonë, asnjëherë nuk i kishim humbur ato. Gjëndja shumë e keqe e dhomës tashmë jo vetëm që nuk na bezdiste më, por përkundrazi ishte bërë burim humori në vazhdimësi. Kur ecnim në dyshemenë me trarë të thyer, dridheshin në vetvete filxhanët e kafesë në pjatat e tyre brënda në atë palo bufe me një “muzikalitet melodioz” të padëgjuar ndonjëherë, dhe biles ndonjëherë nëna thoshte se ku i kemi gjetur e i kemi marrë këta filxhanë “epileptik”, që gjithë ditën janë në krizë nga sëmundja, dhe jo më pak interesante ishte kur binin copza nga suvaja e mureve mbi ato farë mbulesa të shtretërve.
Ndonjëherë ato binin edhe mbi ne sidomos kur ishim duke fjetur, por nuk na bënte më përshtypje sepse u mësuam me këtë fenomen të zakonshëm, e largonim me dorë dhe kaq. Këto vogëlsira u bënë pjesë e jetës në atë dhomë tip “Hauri”, rënia e suvasë kur ishte më masive na bënte nder sepse pengonte dhe eskursionet e minjve, të cilat kishin karakter ndëshkues ndaj nesh sepse, ju zihej rruga dhe ju kufizohej mundësia për t’u ushqyer, por kjo ndodhte pak si rrallë sidomos në fund të 15-ditsheve kur ushqimi shkonte në minimum si për ne edhe për ata. Tik – taku i rrjedhjeve të pikave të shiut nga tavani që godisnin të ashtuquajturat orendi të shtëpisë, krijonte me të vërtetë një “melodi shumë romantike”, muzikaliteti i goditjeve uniforme na nxiste për të fjetur, kështu që ne mezi i prisnim ditët me shi. As Bet’hoveni, thoshte nëna, nuk i kishte arritur kërrkund këto melodi kaq të mrekullueshme dhe qetësuese për njeriun. Tualetin nuk e kishim të nivelit “klasik”, ajo më shumë ishte një “nevojtore” që përdorej vetëm për “shtrëngesë” dhe kjo vetëm për femrat sepse “tëpëgëri” ditën paketohej dhe hidhej me buzëqeshje në Lanë, ndërsa për ne burrat s’kish problem se në çdo kohë mund të dilnim jashtë. Rroftë lumi i Lanës, apo nuk të nxiste zhurma e rrjedhjes së lumit, a ka më mirë që këto veprime të kryhen në natyrë në kaskadën e Lanës së gjelbëruar? Ky veprim origjinal sot (thonim atëher) ka bukurinë e vet sidomos për veteranët e luftës sepse ju kujton jetën partizane që në situatat luftarake dilej vetëm në ato ambjente.
Qëlloi një ditë që po dilja bashkë me Sherifin nga “Rezidenca” jonë e famshme dhe përballemi me të “madhin” Lasgush Poradecin i cili jetonte pak më sipër nesh në një shtëpi ibrete, lëre se ç’broçkulla thonë sot. Ai ishte shumë mik me Sherifin dhe kishin shumë muhabete bashkë. Pasi u përshëndetëm vazhduam rrugën të tre për në pazar. Pas pak ai e pyeti Sherifin:
– Po ç’kemi bre ndonjë të re?
Sherifi iu përgjigj gjoja si me bezdisje: – O Lasgush a e di që një gjë shumë interesante po na ndodh në shtëpi? Ti e di besoj që ne për shtëpi kemi vetëm një dhomë.
– E po si të gjithë ne, i thotë Lasgushi.
Dhe vazhdon më tej Sherifi: – Në shtëpi kemi një radio “Moskoviç”
– E po pse sa radio do të kesh zotrote? – i thotë Lasgushi, – apo mos do të kesh dhe ndonjë “Gramafon me gjymkë”?
– Jo mor jo, – i thotë Sherifi, – se kam aty por dua të të tregoj diçka tjetër se ne me atë radio më shumë dëgjojmë muzikë, por meqë jemi dy vëllezër e bëjmë me orare që të mos i mbetet hatri asnjërit, njëherë e dëgjoj unë si më i madh dhe pastaj ky, deri këtu nuk ka asgjë për çudi por çudi më bënë një fenomen shumë interesant, unë dua muzikë “Xhaz”, ndërsa vëllai është tip romantik dhe do muzikë “Klasike” sepse aktualisht punon shofer me Rusët, të cilët e duan shumë muzikën klasike. Kur unë filloj të dëgjoj xhaz, menjëherë del nga dërrasat e çara të dyshemesë një mi i madh ngjyrë gri por meqënëse është i njohur në shtëpin tonë sepse jetojmë bashkë nën një çati, ia kemi vënë emrin Xhixhi dhe shkon e rri mu në një qoshe të dhomës përballë radios dhe meje, dhe e ndjek ritmin e muzikës shumë i eksituar dhe në ato momente nuk di se ç’bënë, biles edhe po t’i shkosh pranë në ato momente, nuk lëviz fare nga vendi por vazhdon të lëvizi tamam sikur kërcen, me ca lëvizje të çuditshme sipas rregullit dhe ritmit dhe me shumë energji. Kur unë e mbyll radion sepse e kam konsumuar orarin tim të lejuar dhe e hap vëllai, ai vë menjëherë muzikë klasike dhe çuditërisht në mënyrë të dukshme ai fillon dhe proteston duke u hedhur e stërhedhur dhe në fund largohet, dhe çuditërisht po në atë vend apo në atë qoshe vjen një mi tjetër po aq i madh dhe ky në ngjyrë gri, por pak më i errët dhe rri aty duke dëgjuar i qetë e gjithë melankoli dhe biles tek “Madam Batërflai” edhe “përlotet” shumë. Kjo gjë na ka habitur, biles një ditë vëllai vuri një pjesë koncertale klasike të gëzueshme, për çudi ai filloi të bëjë ca “pirueta” shumë të bukura, që na habiti seriozisht dhe këtë klasikun e kemi emërtuar Zhani. Por çudia e çudirave ndodhi kur ia mbyllëm edhe këtij radion dhe e çuam te Tirana në lajmet e orës 20.00, atëherë ata bashkohen të dy, Zhani dhe Xhixhi dhe në mënyrë të dukshme fillojnë protestën duke hipur në tavan dhe si të tërbuar fillojnë inkursionet lart e poshtë tavanit duke na bërë zhurmë dhe duke lëshuar pluhur tavani, poshtë ku rrinim ne. Ke parë që ata të dy minjtë u bënë shqetësimi ynë, biles na imponoheshin me shijet e tyre si në muzikë apo emisionet në gjuhë të huaj, hall i madh na zuri. Kjo na bindi se qoftë jetën apo edhe rehatinë vetëm ne, nuk i paskemi në dorën tonë. Nuk mund të mendonim kurrë që paskemi qënë në dorën e dy minjve. Këto gjëra sikur na çuditën, si e shpjegon ti o Lazgush këtë çështje se je më i pjekur nga ne?
– Dëgjo o Sherif dhe mbaje vesh. Merr dhe hidhi këto që më the në një copë letër dhe zhvilloi kur të vijë koha, zhvishi nga alegoria, kështu të këshilloj meqë ma kërkove. Pastaj e vura re që psherëtiu “Eeh bre si ka ardhur koha”, e tmerrshme, e tmerrshme, turp, turp dhe nuk u ndie më, vura re që ra në mendime. Ecëm nja 40 – 50 metra pa folur dhe pa asnjë reagim nga të dy palët. Kur e pashë këtë gjëndje, unë ju luta për një kafe te “Partizani”, ai pranoi dhe aty ai filloi bisedat me Sherifin për Aleksandrin e Madh, Pirron, etj dhe më pas u ndamë.
***
Në Korrik të vitit 1949 fillova punë si Intendent (ekonomat mençe) në kantierin e asfaltimit Tiranë, i cili varej nga Ndërmarrja “Rruga”. Pas tre – katër muajve më transferuan si kartelist nëpër magazinat e materialeve të Drejtorisë Qëndrore. Këto magazina ndodheshin rreth e qark ofiçinës qëndrore mekanike të kësaj ndërmarrje. Kjo ishte një bazë mekanike mjaft e kompletuar sepse trashëgonte nga italianët nivelet më të mira të kohës, të inkluduara në Shoqërinë e Ndërtimit të rrugëve dhe urave “Tudini Talenti” e njohur në nivel Europian. Duke qenë fqinj pune me këtë bazë mekanike, puna që bëhej aty më tërhoqi shumë sepse më dukej interesante dhe burrërore. Gjithashtu kisha idenë se po të isha edhe unë punonjës në atë ofiçinë jo vetëm që do të paguhesha më mirë, por mendoja ti ngjisja shkallët e kualifikimit më shpejt nga punonjësit e atjeshëm sepse, isha më i arsimuar dhe do të punoja me qejf e shpirt, mbi të gjitha mendoja se duke veshur uniformën klasike të punëtorit “kominoshet”, do të shpëtoja edhe nga përbuzja klasore që na shqetësonte çdo minut. Edhe për natyrën time e pëlqeva apo e dashurova profilin e auto – mekanikut. Por më vonë e kuptova se kisha qenë shumë naiv që e mendova se do të shpëtoja nga ajo e mallkuar si kolerë “luftë e klasave”, sepse Partia për të ruajtur pastërtinë klasore interesohej dhe luftonte jo vetëm në sektorin e administratës, por në të gjithë jetën e vendit. Dëshirat e mia për punën e re mi bëri realitet një mik i familjes sonë, Astrit Xhuli, i cili arriti të më transferojë në Ndërmarrjen “Ndërtesa” e ngarkuar në atë kohë për ndërtime industriale. Në bazën mekanike të kësaj ndërmarrjeje i vetmi drejtues teknik me kompetenca absolute ishte vetëm Astriti, madje ishte e çuditshme se edhe organizatat tejet të mërzitshme si ajo e Partisë, Bashkimet Profesionale etj, sikur rrinin më në qetësi se kudo tjetër përreth ambjenteve ku jetonim e punonim. Astrit Xhuli ishte një mësues shumë dimensional dhe me një formim intelektual shumë të kompletuar që meritonte çdo lloj epiteti në superlativ, ndërsa si zanatçi përbënte një shembull të admirueshëm deri në përsosmëri. Portreti i tij moral përmbante virtyte të larta, ai gjithnjë ishte i pushtuar nga “ethet e punës” dhe nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Tek Astriti binte në sy diapazoni i tij teknik deri në nivele shkencore mund të themi, pa lënë pa përmendur edhe taktin e mrekullueshëm të tij në ndërtimin e ndërsjelltë të mardhënieve, shef, teknik (kapo) siç ishte ai, me punëtorët e thjeshtë zanatçi, përhapte gjithnjë një përvojë të çmuar për të gjithë punonjësit e sektorëve ku drejtonte. Për mua ai tregoi një kujdes të veçantë, njëkohësisht të shoqëruar me një rreptësi disipline në punë të pashëmbëllt, gjithnjë thoshte se disiplina e gjithanshme në detyrë është baza më pozitive në sistemet e përparuara perëndimore dhe po tu bë edukatë, lartësohesh shumë shpejt dhe në nivelin profesional dhe je gjithnjë i nevojshëm në tregun e punës. Meqënëse kishte respekt dhe njohje të vjetër me familjen time, ai u hap tërësisht me mua pavarësisht nga diferenca e moshës. Kjo ishte me rrezik se një “axhamillëk” i imi na dëmtonte të dyve, por sidomos atë, sepse e tillë ishte koha atëherë. Ai më fliste shpesh për anën e keqe të asaj shoqërie apo sistemit që jetonim. Këshillat e vazhdueshme të tijat më ndihmuan shumë për të jetuar në atë ferr komunist, pa pësuar ndonjë fatkeqësi për 41 vite pune në prodhim. Detyrat shtetërore të asaj kohe për ofiçinën tonë ishin shumë të rënda, ato konsistonin kryesisht në ringritjen e mjeteve të rënda të transportit me tonazh të madh, por ama dihej edhe nga ata lart në qeveri se këto kërkesa i kalonin mundësitë teknike të ofiçinës tonë. Por fakti ishte se ata nuk gabonin kurrë, planifikonin këto detyra se e dinin mirë se ç’ishte në gjëndje të bënte Astriti, disa prej tyre ishin ish – miq e të njohur të tij të vjetër që tani gëzonin poste të larta shtetërore. Domosdoshmëria e shumë lloje mjetesh të ndërtimit si, eskavatorë, buldozierë, moto – gjeneratorë, vet – ngarkues me zinxhirë, rimorkiatorë të rëndë, etj ishin të nevojshme domosdoshmërisht sepse shtetet e Lindjes, aleatët tanë sapo kishin dalë nga Lufta II Botërore dhe nuk na i plotësonin dot nevojat që ishin mëse të domosdoshme, prandaj edhe ne vetë me forcat tona duhej të bënim diçka, kështu që e vetmja alternativë e mundshme ishte që të shfrytëzohej barbarisht Astrit Xhulin, pasi e dinin që ai i përgjigjej çdo kërkese. Prandaj ata lloj pushtetarësh vinin në përdorim disa lëvizje me djallëzi komunisti si “Beso por dhe kontrollo”. Ministria e Ndërtimit me Ministër kryeinjorantin Rrapo Dervishin, sillte në ndërmarrjen tonë drejtues administrativ të zgjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i Partisë për të ushtruar krahas poshtërsive të zakonshme të tyre, edhe presion psikologjik te Astriti për të realizuar detyrat me çdo kusht. Këta ishin natyra terroristësh të kuq, si psh injoranti me përmasa industriale Paskal Andoni – oficer hetues e prokuror ushtarak krejt i paskrupullt, Lili Sotiri, punonjës i Komitetit të Partisë që më vonë u bë dhe vjehrri i djalit të Enver Hoxhës, Sokolit. Këta të dy kuadro i sollën si Zv. Drejtorë të Ndërmarrjes ku përfshihej edhe Astriti dhe në një formë a në një tjetër i jepnin të kuptonte atij se ai i kishte shumë borxhe Partisë dhe shtetit nga e kaluara e tij e dyshimtë, sepse ishte kuadër dhe i njohur personal i “kryespiunit” Harry Fultz dhe ai e dinte mirë se si e kishin pësuar ish – kolegët e tij nga Sigurimi i Shtetit, të cilët pas proçesit të torturave, i përdornin për të demaskuar Imperializmin Amerikan, duke u vet – akuzuar si spiunë apo edhe informatorë në favor të tyre, pastaj pasi i shtrydhnin sa i binin në gjëndje të kërkonin vetë vdekjen, i burgosnin me afate të gjata ose i ekzekutonin. Astriti e dinte dhe e kuptonte drejt pozicionin e vet në atë kohë dhe mundësitë e qeverisë për të bërë çdo gjë me të, si për çdo njeri tjetër në Shqipëri. Atij nuk para i bëhej vonë për këto gjëra, punonte me ritëm të lartë, gjithmonë me mbingarkesë, këtë ritëm të lartë pune e mbante jo se ishte i detyruar nga rreziku shtetëror që i kanosej gjithnjë mbi kokë, por ky ritëm ishte pjesë normale e jetës së vetë dhe kjo e mbante gjallë atë natyrë gjithë vitalitet 14 – 16 orë në ditë të punonte në ndërmarrje, plus çfarë mendonte në shtëpi për punën e nesërme. Kështu që nuk e preokuponin fare qëllimet djallëzore të këtyre drejtuesve që ishin të “atashuar” pranë tij, ata ishin tipa që lexoheshin fare lehtë në fytyrat e tyre për qëllimet që kishin ndaj tij.
Kjo gjë, thoshte ai – iu lexohet kollaj se janë injorantë, prandaj dhe i ironizonte. Këtë lloj bashkëjetese me ta, Astriti e pranonte me kënaqësi sepse ai kishte dhe një hall apo interes tjetër nga shteti, ai dëshironte ti mbante dhe ti mbronte disa punonjës të tij, të cilët ishin “Garda” më e preferuar e tij, ai thoshte gjithnjë se ata janë baza e sukseseve të punës. Astriti thoshte gjithnjë: “Trimi i mirë me shok shumë”. Në fakt këta “heronj” Astriti i kishte zgjedhur dhe marrë vetë, por për fat të keq të gjithë këta kishin qëlluar me “biografi të keqe”, pikërisht këta më mësuan edhe mua zanatin, më vonë u bëmë edhe shokë sepse kontribuan shumë për mirë tek unë, prandaj ata mbetën në zemrën time për gjithë jetën si njerëz të mrekullueshëm. Ata punonin shumë më shumë se detyra shtetërore që kishin, dhe këtë nuk e bënin nga frika, absolutisht që jo, pushtetin komunist natyrshëm që ata jo vetëm nuk e donin, por kishin një urrejtje specifike për të, por ama ndjenin kënaqësi të madhe kur shihnin rezultatet e punës së tyre të drejtuar nga Astriti që e idealizonin. Ata gjithmonë thonin që, mirë vajti edhe kjo punë, s’ka gjë për Shqipërinë e bëmë e jo për atë.
Këta ishin burra të nderuar jo vetëm në punë, por edhe në jetë flitej me shumë respekt për ta, kudo, dhe kam nderin t’i kujtoj disa prej tyre: Adem Resilia, Qazim Bogdani, Irfan Gjinali, Milto Minia, italiani Bruno Merola, etj. Zelli i punës së tyre, rendimenti, kultura, cilësia e punës që realizonin me duart dhe mëndjen e tyre, ishte shembulli më pozitiv jo vetëm në ndërmarrje por edhe më tej, kështu që respekti për ta ishte maksimal. Por shokëve të Partisë nuk iu vinte mirë që ata ishin protagonistë në çdo gjë të rëndësishme, ata duhej të rrinin kokë – ulur sepse duhej patjetër të udhëhiqeshin me meritë nga komunistët, por ja që kështu ishte realiteti.
Në fakt për çdo 2 – 3 muaj ngriheshin 3 – 4 makina të rënda transporti, kryesisht 7 – 10 ton, lëre pastaj makinat speciale për ndërtim, si, betoniera, frantoja, transportierë, etj, të gjitha pjesët përbërëse të tyre mblidheshin nga “Mikro – ekspeditat” që Astriti organizonte nëpër të gjithë vendin deri tek hedhurinat e luftës apo mbetjet jashtë përdorimit nga e kaluara. Për të gjitha këto pjesë që mblidheshin, ai kishte bërë një magazinë të madhe me rafte, magazinier e inventar, grumbulloheshin atje dhe tërhiqeshin më vonë vetëm me urdhër të tij. Ama kur përfundonin këto mjete nuk i njihje, thuajse kishin ardhur të reja nga importi, origjinale.
Ato ishin të tipeve të njohura në Shqipëri, me konsideratë teknike shumë pozitive si për rezistencë në punë të vështira, manovrueshmëri të lartë në punë, shumë ekonomike, etj, ato ishin kryesisht të tipeve: Fiat 634, Fiat 666, Fiat 626, Lançia 3 RO, Saurer OM – 3 – B – O – D, OM Titano 137 CV, etj.etj. Kur vinte dita për t’i dorëzuar për shfrytëzim, bëhej inagurimi ceremonial sipas zakonit të vjetër privat. Thyhej shishja e rakisë në parafangon e parë të djathtë dhe pinim të gjithë nga një “gërmaz” duke thënë “për hajër”. Pikërisht me këto fonde mjetesh e makineri, u ngritën Kombinati i Tekstileve “Stalin”, Rafineria e Naftës në Cërrik, etj.
Këto mjete mbanin peshën kryesore të punës në ndërmarrje, dhe nuk ishte e vërtetë propaganda që bëhej në atë kohë se ishin mjetet e Shteteve të Lindjes Komuniste, ato që “Rindërtonin” Shqipërinë. Ato të Lindjes jo vetëm që ishin shumë të kufizuara dhe nuk përmbushnin as 20 – 30 % të kërkesave të mjeteve të nevojshme, por e keqja më e madhe ishte se ato kishin nivel teknik me manovrueshmëri të ulët, shumë difektoze si në motorra ashtu edhe në sistemet xhenerike, ato “palo” mjete u përfaqësuan këtu me tipet e paharruara për të keq si: Jaz, Maz, Skod 706 RT, Zis me karburator posht dhe frena mekanike etj.
Në vitin 1953 – 1954 Ndërmarja “Ndërtesa” u shkri dhe Astriti na mblodhi shumicën e punonjësve më të afërt me të në Drejtorinë Qëndrore të punimeve ushtarake dhe rikuperoi grupin e vjetër së bashku edhe njëherë. Aty ai ngriti nga e para një bazë mekanike inegzistente deri atëher, shumë kompetitive dhe kompakte dhe menjëherë filloi nga puna intensive duke ngritur në kohë rekord njëra pas tjetrës shumë mjete “Trofe” nga Lufta e II – të Botërore si Kamion “Horsh 5 T”; “Man – Diezel 7 T”; Kamion – Benz 3 T me naftë; Treçikël “Zundap”; “Fiat 634”; “Lanç 3 RO”; Tipo Militare, etj. gjithashtu u ngritën për Ministrinë e Mbrojtjes shumë vetura klasike “Fuori – Serie” (jashtë serie) të qeveritarëve të vjetër ose për njerëz të pasur të asaj kohe si “Pakord” me 8 cilindra në linjë; “Chevrolet”; “Bujk”; “Plymuth”; “Nash”; “Chrysler”; “Ford”. Më vonë e morëm vesh se Astriti kishte qënë i huazuar në Ushtri për një periudhë kohe të caktuar, si rrjedhim pa mbushur dy ite, atë e rikthyen në Ministrinë e Ndërtimit për të ngritur ofiçinën qëndrore të riparimit kapital të mjeteve të ndërtimit sepse, tashmë ishte rritur shumë numri i këtyre mjeteve dhe nevojat kërkonin një rritje të cilësisë së rigjenerimit, duke patur parasysh edhe koston e riparimeve që duhet të vinte në ulje. E rëndësishme ishte edhe kërkesa nga lart, që koha e riparimit kapital në ofiçinë duhej të ulej dhe koha e shfrytëzimit ndërmjet dy riparimeve të rritej. Pikërisht për këto qëllime u vunë në dispozicion, ambjentet e ofiçinës së Ndërmarrjes “Rruga”, ju dhanë mjaft fonde në dispozicion për zgjerim, rikonstruktim, e kompletime të reja. Astriti në këtë rast u emërua “Përgjegjës Teknik” i N.Sh.O.A.N. Pra siç thamë, ai i apasionuar pas këtyre punëve, nxori nga “arkivat” e eksperiencës së tij një metodollogji të re riparimi të panjohur deri atëherë në vendin tonë, riparimin në grup agregatesh sipas ngjashmërisë konstruktivo – teknollogjike, të cilat lidheshin në linjë zinxhir deri në proçeset përfundimtare si, bojatisje e kolaudim dhe pastaj magazinoheshin. Rezultatet e parashikuara nga Astriti shumë shpejt u materializuan me saktësi të plotë, ç.ka ishte një fitore personale e tij. Rritja e sasisë së riparimeve, shkurtimi i kohës së riparimeve dhe ulja e kostos e ngritën lartë nivelin e kësaj ndërmarrjeje të re, ajo mori vlerësimin maksimal të kohës duke u specifikuar si ndërmarrje jashtë kategorie. Pikërisht ky klasifikim superior nuk i erdhi për shtat Astritit apo e thënë më drejtë i hëngri kokën atij vetë. Ai nuk i duronte dot hallkat administrative shterpe, të cilat ishin pjellë e atij sistemi të kalbur komunist. U rrit shumë numri i nënpunësve dhe punonjësve improduktiv dhe e keqja më e madhe ishte se u shtuan ligjërisht edhe funksionarët politik të cilët ai i urrente maksimalisht përbrenda vetes. Filloi nga puna Komiteti Partisë së Ndërmarrjes, Komiteti i Bashkimeve Profesionale, Komiteti i Rinisë, Komanda e Forcave Ushtarake Vullnetare, etj, lëre pastaj Kryeinxhinier, N/ Drejtor administrativ, N/ Drejtor teknik, Degë: Paga & Norma, Degë Plani etj. etj. Kryeinxhinieri i caktuar nuk i pëlqeu fare, biles u mërzit shumë, u caktua pa më të voglën eksperiencë praktike Robert Hanxhari, por kishte pozita të forta partie dhe si rrjedhim ai e ndjente se kishte lindur për të komanduar në çdo gjë dhe duke mos u çliruar nga kjo ndjenjë, filloi t’i bëj karshillëk edhe Astritit. Urdhërat e tij ishin të kundërta me ato të Astritit, kështu që kjo situatë e re që u krijua nuk mund të vazhdonte më. Astriti e kuptoi fare mirë se ai ishte i ngarkuar nga lart të shpërfillte, ky udhëzim vinte për arsye se ata lart kishin bindjen se Berti ishte plotësisht i aftë të zëvendësonte atë njeri i cili ishte mpleksur me veset e së kaluarës. Por Astriti kuptoi çdo gjë dhe me keqardhje kërkoi vetë të largohej që aty duke nxjerrë si pretekst moshën dhe lodhjen. Kërkesa e tij u pranua menjëherë dhe ai kaloi jashtë ndërmarrjes në një vend të thjeshtë nga ku edhe doli në pension. Metodologjia e punës së Astritit ishte shumë interesante, shkolla amerikane e kishte pajisur me një prakticitet krijues të rrallë dhe me një veçanti interesante për tu adoptuar me çfarëdo lloj kushtesh. Sot nuk mund të imagjinohet që të gjitha punimet e riparimeve apo prodhimet e reja në repartet e tornerisë, frezave, retifikave etj, apo në atë të farkëtarit, bobinazh, batilumier (sektori punimit të llamarinës), karocari e kudo që faktikisht përfaqësonin një volum pune tejet të madh, të realizoheshin pa vizatime sepse niveli kulturor, teoriko – mekanik ishte shumë i ulët dhe asnjë punonjës nuk e njihte vizatimin teknik, porositë bëheshin me yrnek (kampionaturë). Ky volum pune tejet i madh dhe shumë i rëndësishëm për aktivitetin e ndërmarrjes, kishte një vijueshmëri të admirueshme e të pandërprerë, si edhe cilësi të lartë, pa përjashtuar edhe rendimentin që ishte maksimal, duke ruajtur edhe kufijtë ekonomik në nivele të lavdërueshme. Në të gjitha këto punë e aktivitete ishte merita personale e Astritit. Ai dinte të kombinonte aftësitë e larta artizanale të punonjësve, që duhet të interpretonin këto prodhime të shumllojshme e masive, apo edhe llogjikën e tyre teknike të përfituar nga praktika e gjatë në punë së bashku me një mënyrë tejet praktike e stilit amerikan, “Made in Harry Fultz”, që i kanalizonte për mirë këto avantazhe të tyre praktike në rrugë të reja të bazuara në teknollogji të mirfilltë e një rentabilitet ekonomik. Astriti thoshte se jo gjithnjë vizatimi teknik është “gjuha e teknikës”, por ta dini se nga halli, bëhet edhe pa të, ja siç po punojmë ne sot, si memecët që komunikojnë pa folur për bukuri.
Kur bisedonim me të na thoshte “in privato” (privatisht) sepse ç’na duhet neve Kryeinxhinieri parazit, kur në ndërmarrjen tonë nuk ekziston asnjë bërthamë e vogël konstruktivo – teknollogjike, me ndonjë teknik të mesëm që do të punojë dhe të skicojmë çdo gjë dhe pastaj t’i prodhojmë për t’i lidhur ato më vonë në nyje e deri në agregate komplete, kjo do të rrjedhonte një prodhim më cilësor dhe do të hynim në një etapë prodhimi më modern, po ç’e do, me cilët? Me këta gomerë? Dhe protestonte me ironi: “Pika vreshtit që s’bën rrush, as në Maj e as në Gusht”! Kur të arrijmë të bëjmë një proçes teknollogjik të shkruar e komplet me gjithë preventiv, ta kolaudojmë saktësinë e tij dhe ta arkivojmë bashkë me vizatimet në një arkiv që as e kemi sot dhe as e mendoj më, kur do merremi me të? Kryeinxhinieri nuk ka haber fare nga këto muhabete. Kur do të bëhen këto gjëra, kur të vdesim ne? Vetëm këto gjëra që përmenda mund të na japin një autoritet profesional. Këtu në Shqipërin tonë është bërë zakon që çdo punë fillon e mbaron së prapthi. Shumë interesante ishte që në ato kohra doli një Urdhëresë – Qeveritare që të gjithë punonjësit mekanik të ritestoheshin. Nënteksti i kësaj urdhërese komuniste ishte që të gjëndeshin pretekste, gjoja për tu dhënë një shtytje të re për tu arsimuar punonjësit që donin të mbanin, kategoritë e larta të pambështetura me shkollë. Pra thjesht ishte një reformë për të ulur rrogat. Sipas Astritit kjo urdhëresë do të ishte e drejtë të përfshinte vetëm moshat e reja dhe të caktohej një periudhë kohe që të justifikonte shkakun ose qëllimin e reformës. Natyrisht për këtë rikategorizim në krye të komisionit të provimit, u vu Kryeinxhinieri. I pari që hyri në provim ishte 58 – vjeçari Liman Zabzuni, pararoja e gjithë kovaçanës, me një përvojë pune shumë të madhe mbi 40 vite nëpër kovaçanat e atyre kohrave. Ky ishte në fakt baza e të gjitha punimeve speciale, profesionisti më i talentuar, autor i të gjitha punëve delikate që kërkonin profesionalizëm të lartë, por për fat të keq ai kishte qëlluar totalisht analfabet. Në provim Kryeinxhinieri e pyet Limanin se: – kollodoku i Fiat 634 – si çfarë materiali ishte? – dhe Limani përgjigjet aty për aty: “çelik i rrahur o kryeinxhinier”, – atëher ai e pyet Limanin: – si ta merr mendja, ku mund të jetë punuar ky kollodok? – Vallahi, i thotë ai, nëpër kovaçanat e Italisë me siguri, besoj. – Po ti a je në gjëndje ta prodhosh vetë atë kollodok këtu në Shqipëri? – Jo, jo vallahi, përgjigjet Limani, unë nuk di me e bo ktuna e jo. – A e sheh pra o Liman pse duhet shkolla? – Po vallahi po e shof nishtina. – Atëherë ne do ta ulim një kategori, i thotë Kryeinxhinieri, Limanit. Ai i përgjigjet: Ju e dini se si duhen bo këto gjona, ene hak e keni, ene mir të ma boni, ç’t’i bojsh “Gadures” (gruas) teme që nuk më la të shkojsha në shkollë të natës në kohë të Mbretit Zog, le të haj m.. nishti, me gjith kalamajt e kalamajve. Ani, ju boni si ju ka thonë Partia dhe hiku.. kovaçi plak shumë i nervozuar. Atëher Astritit nuk ju durua më dhe ju drejtua Kryeinxhinierit që kategoria duhet të të ulet ty dhe jo Limanit të gjorë që është shumë punëtor dhe profesionist i mrekullueshëm. As kaq nuk ke parë aty ku ke bërë atë palo shkollë apo mender universitet? A nuk ju kanë çuar ndonjëherë të shihni së paku me sy se si prodhohet kollodoku në rrugë industriale? – Ja po ta them unë se në industritë e prodhimeve të mëdha, kualifikimi i punonjësve është në përpjestim të zhdrejtë me zhvillimin teknollogjik, në këto lloj industrish si ajo e Fiatit, që po zë ti në gojë, e kanë fjalën pajisjet teknologjike, me anë të këtyre pajisjeve speciale realizohen fare lehtë prodhimet që na habisin ne dhe botën tjetër si ne, por ama ato nuk i bëjnë apo i punojnë shokët e Limanit, por shokët e nivelit tënd me kualifikim të ulët. Po të tregoj si prodhohet psh kollodoku tek “Fiati”; merret një copë prokat çeliku e llogaritur në tërë drejtimet e nevojshme, e nxehin në furrë – ngrohje, pastaj e farkëtojnë nëpërmjet pajisjes së posaçme për të, pastaj e kalojnë në një pajisje tjetër dhe e stampojnë, dhe kollodoku që ti i kërkon Limanit në këto palo kushte, është gati për punim mekanik, termik, etj. Kovaçi Italian që bën këtë punë ose më mirë me thënë punëtori i industrisë italiane që bënë kollodokët, kurrë nuk e ka nivelin e aftësive klasike të Limanit. Ndërsa kovaçët si Limani me të njëjtin nivel kualifikimi edhe sot që po flasim ne, furnizojnë industrinë e aero – nautikës “BOING” në Amerikë me rrahjet e tyre të farkëtuara me dorë në kudhër si e Limanit dhe me çalik në vend të forxhës moderne dhe çfarë detale janë ato, këmishët e jashtme dhe të brëndshme për kushinetat e turbinave të motorëve reaktiv, kontratat e këtij bashkëpunimi janë prej 100 vitesh ndërmjet familjeve me traditë artizanale dhe BOINGUT. Po deshe vërtetoi këto që po të them, por ti nuk ke kurrë mundësi që ti kuptosh këto gjëra, por ç’të bësh, erdhi koha që të dëgjojmë “pordhët e tua”, mjerë Limani me shokë.
Astriti mund të them se ishte nga të fundit e asaj shkolle fantastike të“Harry Fultzit”. Periudha e punës 1949 – 1953 më vlejti si eksperiencë e artë për njohjen e detyrave dhe gjëndjen në administratën shtetërore, si psh si zbatoheshin detyrat në një kolektiv të vogël e më gjerë dhe krijova ide të sakta të funksionimit të aparatit shtetëror në atë sistem komunist. Kjo eksperiencë e mbështetur edhe nga tregime e biseda të shpeshta të cilat bëheshin me shumë takt si nga Astriti apo dhe nga administratorë të tjerë të shkëlqyer si Thanas Papa; Myrteza Hoxha; Foti Xhitoni; Dilaver Pogoni, etj më vlejti të drejtoj edhe unë veten time për 41 – vite pune të suksesshme në atë sistem gjakatar. Bashkëpunimi apo më mirë dhe më e drejtë është të them se shkolla që kreva unë si nxënës i Astritit, më dha një eksperiencë dhe një përfitim shumë të madh për riparimin e mjeteve të transportit në përgjithësi, si edhe pajisjeve mekanike kryesore të ndërtimit, por njëkohësisht më aftësoi edhe në rolin e kolaudatorit pas riparimeve.Ky rol më detyroi të marr edhe patentën e shoferit, por fal Zotit që ky profesion më shërbeu në periudha të caktuara për leverdinë time të punoj dhe si shofer profesionist.
Mirënjohje pafund Astrit Xhulit.