Albspirit

Media/News/Publishing

Redaktori dhe shkrimtari Pandeli Koçi, që solli në Shqipëri poetët nga Kosova, në vitet ’70,

Arben Iliazi

60 vjet me penë në dorë

Ky djalosh simpatik, gati 85-vjeçar është shkrimtari Pandeli Koçi (emri letrar Sazan Goliku). Ka lindur në Vlorë më 6 janar 1942. Pandi është një nga miqtë e mi të hershëm, një nga redaktorët e parë në fillimet e mia letrare, kur punonte në SHB “Naim Frashëri”.

Ka botuar 12 libra me poezi, 8 me prozë dhe mbi 30 me poezi e prozë për fëmijë. Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese.

Nuk e ka lëshuar penën nga dora, si redaktor për mbi 60 vjet, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në Kuvendin Popullor, për revista shkencore etj. Në kohën e diktaturës shkruante vetëm poezi dashurie, që ia tregonte vetëm I. Kadaresë. Nuk e lejuan të botonte me emrin letrar Sazan Goliku.

Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës, ku kam pasur fatin ta kisha pedagog.

Që nga viti 1970 ishin lejuar të botoheshin libra nga Kosova, po këta ishin të paktë dhe të kontrolluar. Pandi ka qenë i pari, i cili redaktoi e përgatiti për shtyp librat me poezi të autorëve nga Kosova, po dhe romane, drama e letërsi për fëmijë.

Duke pasur një njohje më të thellë për letërsinë shqipe në Kosovë, ai shprehej me bindje se niveli i letërsisë së Kosovës ishte si niveli i gjithë letërsisë shqipe në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe në ngulimet shqiptare në botë, madje në ndonjë rast, edhe më i spikatur, në parapëlqimet stilistikore, në metodat ose drejtimet letrare.

Pandeli Koçi (Sazan Goliku) është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë dhe, për shumë kohë, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Po ndalem pak në poezinë e tij. Në krijimet e tij poetike Pandi duket sikur bën lidhjen mes kohëve dhe fateve njerëzore, me ura metaforike, duke ëndërrur për të bukurën, me dallgëzime shpirtërore, por edhe me demonizim, mes kaosit të magjishëm dhe subjektivizmit të rrëmbyer. Poezitë janë shkruar me një gjuhë të pastër dhe figuracion elegant, ku vërehet një paqetësi përballë jetës. Fantazia e tij përfshin një botë të mjegullt e pa formë , që nuk përputhet me botën e poetit dhe është gati e pamundur për të. Poeti mundohet të largohet sa më shumë nga filozofia, për të qëndruar sa më afër me botën e ndjenjave. Kështu nuk rrezikon humbjen e thjeshtësisë së frymëzimit.

Poezi nga Pandeli Koçi (Sazan Goliku)

PROMETEU

Prometeu

qëndroi

kryelart

para njerëzve

e vetes.

Zjarri mitik

iu shndërrua në monedhë të artë që rrezatonte

si Dielli.

E kush e meriton më tepër se unë! –

thirri sa u trand tokë e det

i pavdekshmi Promete

dhe e futi monedhën

në honin pa fund të xhepit të vet.

VETËMOHIMI

Kur fus dorën në xhep,

nxjerr

portofolin

shaminë

çelësat

Botën?

Jo

veten.

Veten?

Po xhepi është i grisur…

NUK KAM KOHË

Nuk kam kohë të vdes

nuk kam kohë për vogëlsira

nuk kam më ëndrra

nuk kam kohë të gaboj

Kam vetëm ca dëshira të marra

që goja nuk m’i zë

dhe dora nuk don t’i shkruaj.

PA FILLIM E FUND

Misteri i dashurisë së verbër

pa fillim e fund

hekurosi si jakën e këmishës së larë

trutë e mi të dhjamur

njëqelizor.