Albspirit

Media/News/Publishing

ZONJA E NIVICËS QË U BË ZONJA E KLOSIT NË MALLAKASTËR

(Në përkujtim të Zonjës së Klosit, gruas së hekurt që krijoi fshatin Klos dhe i dha dimension jetës në trevën mallakastriote, zonjës që jetoi gjatë edhe në monument të hekurt në hyrje të rrugës së Klosit në bazament të gurtë dhe që meriton të ringrihet për historinë që shkroi, për gjakun e sakrificat e mbijetesës shqiptare në shekuj).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në rrëfenjat e shumta të trevave të Jugut, të Mallakastrës, Labërisë, e zonave përreth tyre, atje ku era përplaset me shpatet e majëmaleve të Kurveleshit, Nivicës, Këndrevicës, Bylysit, Amanties…, dhe kujtesa endet mes historisë e legjendës, lindi figura e një gruaje që koha nuk e zbehu kurrë: Zonja e Nivicës që u bë edhe Zonja e Klosit. E ardhur nga Nivica e Kurveleshit, ajo kapërceu Vjosën dhe mbërriti në Mallakastër rreth pesë shekuj më parë, duke sjellë me vete jo vetëm një prejardhje të një trashëgimie të fortë, por një shpirt të pathyeshëm që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trojet ku banoi, punoi e luftoi dhe ku vendosi rrënjët e fshatit Klos. Nga burra të moçëm dhe të mençur kemi mundur të mësojmë një histori të rrallë: “Jetonte dikur para më shumë se gjysëmmijëvjeçari në Nivicë një Zonjë, grua burrneshë e fjalës, e veprës, e besës dhe që nuk ja hante qeni shkopin në punët e malit dhe të fushës. Emri i saj kishte kaluar që kur ishte e re kufijtë e fshatit Nivicë dhe të Kurveleshit, për ndershmëri, zgjuarsi e trimëri. Legjenda përcillet shekujve për të si një krijesë e malësisë së jugut, që nuk e ndante jataganin nga vetja. Shtëpinë e kishte si saraje në Nivicë me disa shërbëtorë besnikë, që e ndiqnin në luftë kundër osmanëve dhe në mbajtjen e derës së hapur për miqësi, por në lartësi të maleve tokën e kishin me kursim. Jetonin me blektori dhe me shkëmbime të produkteve, ndërkohë edhe taksidarët osmanllinj dukeshin sa herë vinte stina e të vjelave për “të dhjetat”. Në dokumentet e kohës periudha 1472-1492 shënon një kohë të rëndësishme qëndrese pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ku Labëria, Mallakastra dhe krahina të tjera shqiptare luftuan kundër pushtimit osman, duke fituar në disa raste të drejta vetëqeverisjeje ose siç quheshin dikur “venome”/ (vetëqeverisje), ku trupat pushtuese osmane u detyruan të jepnin pas rezistencës dhe përballjes së përgjakshme në trevën kaonike dhe që njihen si “Venomet e Himarës”, ose më saktë “venomet e Labërisë”, që në atë kohë përfshinte 56 fshatra, deri në afërsi të Beratit. Në shinjestër të pushtuesit ishte vënë dhe Zonja me gjithë tarafin e saj, por për ti shpëtuar koshareve osmane, Zonja mori gjithë fisin e saj, shërbëtorët dhe gjënë e gjallë dhe nisi shtegëtimin në drejtim të vendeve “të buta”, kaloi Vjosën në grykën e Poçemit dhe ndalesën e parë e bëri në brigjet e vendbanimit të hershëm ilir në faqen e kodrinave të Bylysit e Hekalit, dhe vendin që e zgjodhi e quajti “Klos”. Pas dy vitesh qëndresë meqënëse i shoqi kishte humbur jetën larg në Jemen (njw ndwr skajet e Perandorisw Osmane), kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak shtatë vjeçar, për këtë në vend të tij në familje erdhi mandata/fermani, një ferman i shkruar me gërma arabe: “..Vatanına hizmet ederken hayatını kaybetti” (.humbi jetën në shërbim të Atdheut”). Zonja u pikëllua por nuk e dha veten. Jeta do të vazhdonte”. Brez pas brezi e kanë treguar Zonjën e Klosit si një grua me tipare burrërore, jo vetëm në pamje, por mbi të gjitha në karakter. Sytë e saj nuk njihnin frikë, ecte me hapa të rëndë dhe e vendosur si një prijëse që dimte mirë ti jepte drejtim jetës dhe fatit. Në një kohë kur historia shkruhej kryesisht nga burrat dhe për burrat, ajo guxoi të dilte përtej kufijve të zakonshëm, duke u bërë jo vetëm pjesë e saj, por edhe një ndër faqet më të veçanta të saj dhe vendorigjinën e saj janë të njohura përveç burrave edhe Zonjat e Mëmëzonjat. Zonja e Nivicës, siç njihej në vendlindje, u përball me dallgët e pushtimit osman, një periudhë e mbushur me trazira, përplasje dhe sfida të mëdha për popullsitë vendase.

Ajo nuk ishte një figurë që fshihej pas mureve apo që i dorëzohej fatit, por përkundrazi, ishte një luftëtare që e përballonte rrezikun dhe e shikonte jetën në sy, por edhe njerëzit i shikonte në sy dhe “i përpinte” me shikimin e mprehtë dhe që dinte të lexonte edhe mendimet e tyre. Zonja ishte në gjendje të ngjeshte armët dhe të qëndronte në vijën e parë, duke u përballur me pushtuesit me një guxim që frymëzonte dhe luftëtarët burra. Me të drejtë edhe fshati e krahina e quanin burrneshë.

Fakt është se madhështia e saj nuk qëndronte vetëm në trimëri, por edhe në vizionin për të ardhmen për vijueshmërinë e jetës. Përtej lumit të Vjosës ngjitur me Labërinë e Saj në trojet e ilire të Bylysit, të zonës së Mallakastrës, aty ku më vonë do të lindte fshati Klos, ajo parashikoi dhe hodhi themelet e dy lagjeve që do të bëheshin vatër jete, lufte dhe qëndrese. Tashmë me të drejtë quhej zonja e Klosit, pasi me duart, mendjen e saj të mprehtë dhe me një vendosmëri të rrallë, ajo ndërtoi jo vetëm shtëpi të gurta, por dy mëhalla të njohura në Klos dhe në mbarë Mallakastrën. Klosi ka qenë gjithmonë një oxhak i madh, një vatër zjarri nga një bashkësi njerëzish që trashëgonin truallin, jetën e rilindur por dhe frymën e saj të pathyeshme. Me kalimin e kohës, Zonja e Nivicës u shndërrua në Zonjen e Klosit. Ky shndërrim nuk ishte thjesht një ndryshim emri, por një kurorëzim i një jete të jetuar me dinjitet, sakrificë e trimëri, pasi ajo u bë simbol i vendit, një figurë që përfaqësonte qëndresën, guximin, krenarinë e një populli që nuk pranonte kurrësesi nënshtrimin. Historia e saj shkon përtej mureve të kujtesës, përtej dekadave e shekujve, e megjithëse e mbështjellë me mjegullën e legjendës, ka mbijetuar për mbi 500 vjet. Ajo është përcjellë brez pas brezi, në oda burrash, në oda me qelqe dhe jo vetëm, si rrëfenja familjare, duke u bërë pjesë e identitetit të krejt zonës. Si çdo histori të madhe, ajo nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një frymëzim për të ardhmen, është nderim për këtë figurë të jashtëzakonshme, pasardhësit e saj ngritën një monument madhështor metalik hyjnor dhe të shenjtëruar, rreth katër metra të lartë, në hyrje të rrugës që të çon drejt fshatit Klos. Ai monument nuk ishte thjesht një strukturë e metaltë e ngritur në një bazament guri solid si vetë njerëzit e këtij vendi, por është një dëshmi e gjallë e mirënjohjes, kujtesës së përhershme kolektive të unifikuar për një grua që sfidoi kohën dhe rregullat e saj. Me forcën e saj të vullnetit ngriti dhe përforcoi rregulla kanunore që përfshihen në të drejtën zakonore labe dhe asaj mallakastriote.

Në kushtet ku Zonja kisht humbur burrin në shërbimin e gjatë ushtarak osman (thuhet në Jemen), kushtet e detyruan që të martohej me kryeshërbëtorin e saj. Ajo solli në jetë dy djem. Djemtë u rritën dhe edukuan me zakonet e vendit, por pa harruar kurrë origjinën, traditat dhe zakonet. Ata u bënë të zotë në përballimin e punëve në mal dhe në fushë, por edhe në përgatitje luftarake që ishte zanat i shqiptarëve që trashëgohej në çdo familje. Falë autoritetit që Zonja gëzonte edhe djemtë i ndau që njeri të ishte në mal me bagëti dhe tjetri në fushë ku kishte tokë por edhe ujë. Djemtë ndoqën këshillin e Zonjës, njeri në Mëhallën e Shkëmbit në Bylis dhe tjetri në Mëhallën fushore në “Çalliaj” në Klos. Meqënëse Mëhalla e Shkëmbit kishte vështirësi të mëdha me blektori që produktet i shkëmbenin me ata të fushës, u detyruan që një pjesë e tyre të vendoseshin në fshatin Dukat të Vlorës për një jetë më të mirë, pasi tradicionalisht ka ngelur një maksimë proverbiale popullore “pranë detit pranë mbretit”. Kështu djemtë e “Mëhallës së Shkëmbit” u bënë dukatas të mirë dhe ngritën vatra e oxhakë të rinj në Dukat edhe sot mbajnë të njëjtin mbiemër me banorët e Klosit të Mallakastrës e deri të Nivicës së Kurveleshit.

Nga të gjithë të dhënat Zonja e Klosit mbetet një figurë mitike, por reale në kufijtë e historisë, por edhe të legjendës, aty ku e vërteta përzihet me rrëfimin dhe krijon një realitet më të madh dhe të qëndrueshëm si edhe vetë faktet. Zonja e Klosit është një simbol i forcës femërore, një dëshmi se guximi nuk njeh gjini dhe se një individ i vendosur mund të ndryshojë rrjedhën e histories, por edhe mund të shkruajë histori të qëndrueshme dhe që jeton gjatë.

Kushdo që kalon përbri Klosit buzë rrugës së këtij fshati me emër në rrugën nacionale që të çon nga Fieri në Gjirokastër, do të kujtojë se këtu ngjitur me Poçemin historik të tre Kuvendeve, ku era fryn mbi rrugët e Klosit, prek gurët e vjetër të shtëpive, duket sikur pëshpërit emrin e saj “Zonja e Klosit”.

Nga të dhënat brez pas brezi në Klos pasardhësit e Zonjës, për nder të saj ngritën edhe një memorial metalik kushtuar Zonjës rreth katër metra të lartë. Kohët ndryshuan dhe në vend të tyre koha solli në skenë memorialë të rinj të luftës dhe të punës, por Zonja e Klosit nuk u harrua kurrë. Memoriali ishte vendosur pranë hyrjes së rrugës aktuale në drejtim të fshatit Klos, përbri rrugës nacionale, në këmbët e qytetit antik të Nikajës, ku dëshmitë historike rrënojat e teatrit, stadiumit dhe mureve rrethuese jetojnë bashkë me historinë e antikitetit shqiptar. Nuk është e rastit që edhe Zonja e Kurveleshit përzgjodhi një vend të përshtatshëm si qyteti antik i Nikajës. Ndërkohë epoka evolon edhe për Klosin, jeta rrjedh si ujët e Vjosës, kujtimet ngelen, historia tregohet në breza. Fakt është se ish-Zonja e Nivicës që u bë Zonja e Klosit, zonjë që jetoi, vazhdon të jetojë, jo vetëm në monumentin që meriton të ringrihet, por në kujtesën kolektive të një populli që nuk harron ata që e bënë historinë me shpirt, me gjak, me sakrifica të mëdha, nuk harron kurrë identitetin arbëror e vijueshmërinë e shpirtit shqiptar, që e lartësojnë më shumë shqiptarizmën.