Luan Rama: Në Malmö për artet, letërsinë dhe historinë
Disa ditë më parë, me rastin e Ditës së Librit, isha ftuar në Malmö si shumë miq të tjerë nga shoqata kulturore “Okarina”, shoqatë me një emër të veçantë, por me nje simbolikë të vetën: Okarina është një vegël muzikore frymore e gjetur si objekt arkeologjik në Kosovë të Ilirisë. Në zbritje në Kopenhagen një diell i largët e bënte peizazhin bregdetar disi ireal dhe onirik. Me Qerim Kryeziun udhëtoja nëpër urën gjigande që lidh Danimarkën me Suedinë me një ndjesi të çuditëshme. E para herë që prekja viset e Skandinavisë të ngjizur shumë vite më parë në botën time përmes filmave të Ingmar Bergman apo Jan Troell, të një aktori si Max von Sydow apo të mrekullueshmet Liv Ullman e Bibi Anderson dhe sigurisht më së pari të letërsisë së madhe dhe origjinale suedeze me nobelistët e saj të shquar si Selma Lagërlof, Strindberg, Tranströmer e shume te tjerë të kohëve moderne të përkthyer në shqip. Që i ri, libri i përkthyer në Tiranë “Njerëz të pavarur”, më kishte thirrur në qenësinë time me shëmbullin se si duhej ta kuptoja lirinë personale dhe pavarësinë e tokës atdheut. Gjithçka tashmë më bënte për vete në këtë vend kaq të afërt shpirtërisht. Kisha lexuar në “Laterna magica” për Bergmanin e madh dhe madje që të nesërmen pashë dhe teatrin ku kishte drejtuar për shumë vite me rradhë dramat e tij.
Që atë mbrëmje dëgjova për koncertin e flautistes Diana Jashari në Goteborg e cila shfaqte diplomën e saj si instrumentiste e re. Po kështu për Arjanën, dhe koncertin e saj po atë ditë në Malmö, këngë që nuk arritëm t’i dëgjonim atê mbrëmje. Të nesërmen, shoqata organizoi manifestimin kulturor me prezantimin e librave të shqiptarëve me banim në Suedi duke filluar me monografinë për piktorin e shquar Salih Lutolli “Kalorësi i rrugës pa fund” për të cilin kisha shkruar parathënien. Shumë miq në atë sallë vinin nga vende të ndryshme të Suedisë dhe Danimarkës. Poetja e njohur dhe gjuhëtarja Entela Tabaku vinte nga universiteti i largët por historik i Upsalës, poeti dhe kritiku Shqiptar Oseku vinte nga Stokholmi, poetja e dhe militantja e njohur e botës së gruas Zyrafete Kryeziu Manaj nga Goteborg, poeti pasionant dhe psikologu Imri Demisai nga Goteborg gjithashtu apo përkthyesi i mrekullueshëm Qerim Raqi nga Stokholmi si dhe shumë të tjerë nga Landskrona, Halmstad apo Danimarka. Ç’kënaqësi të ishe midis tyre dhe të huajve të pranishëm, me Hanife Kryeziut tek prezantonte aq bukur te ftuarit. Të gjithë pasionantë të artit dhe letërsisë e po kështu të muzikës, këngës. Mes tyre profesor Rexhep Jashari me librat e tij historikë në prezantimin e figurave të shquara si Isa Boletini, Bajram Curri apo epikës sonë historike. Ç’pasion i madh për historinë ! Por mbi të gjitha ndjeva atë frymë që na bashkonte. Fryma ! Është ajo që na bashkon dhe na jep zemër, është përkushtimi, dinjiteti i të qenit shqiptar. Në dhjetë vjet, kjo shoqatë e drejtuar nga Bashkin Jashari dhe Qerim Kryeziu i ka mbledhur gjithnjë shqiptarët. Është padyshim krenari kur të flasin për personalitetet shqiptare nëpër Suedi si Dritëro Kasapi e Bashkim Neziraj në teatrin suedez, Kosovare Asllanin e shumë personalitete të tjera. E mes tyre padyshim dhe Niels Henrik Hooge që i ka kushtuar nje libër tê rëndësishëm Kosovës dhe shqiptarëve.
Në natën që bie, në përgjumje, unë vazhdoj të udhëtoj nëpër këtë tokë mikpritëse, me një popull të ngjashëm me shqiptarët, gjithnjë në sprovat e historisë, me epikën e famshme historike, me luftrat e mëdha për pavarësi, me heronjtë e dikërshëm që qëndrojnë ende mbi kuaj nëpër sheshet e historisë.
Shqiptarët këtu e duan librin. Duke drejtuar këtë takim, modest siç është, Qerimi Kryeziu nuk flet për librat e tij të cilët me vite janë shumuar, nga “Reflektime letrare”, “Dy poetë, një univers frymëzimi”, “Shqiptarët në retrokujtesën nordike” apo biografia për një nga albanologët e njohur suedezë “Trinia shqiptare e suedezit Ullmar Qvick” etj., as për veprimtarinë e tij si gazetar dhe themelues i rrjetit të parë tv në Suedi “ALBSE”, e cila filloi në vitin 2018 por ai flet për të tjerët. Librat e tij flasin se sa shumë është integruar në botën letrare dhe historike të Suedisë. Kishe kënaqësi të dëgjoje poezinë e Imri Demisai për Frojdin dhe akoma më shumë poetin dhe përkthyesin Qerim Raqi i cili të befasonte me kontributin e tij në fushën e përkthimit të autorëve të shumë suedezë, së pari të antologjisë poetike por dhe antologjisë tjetër me poezi e tregime të tetë nobelistëve të famshëm suedeze. Ky ashik i poezisë ka sjellë në shqip një nga nobelsitët më modernë të Suedisë: Thomas Tranströmer që padyshim është nga më të vështirët për tu përkthyer, libër i përshëndetur nga gjuhëtari i njohur dhe përpiluesi i parë i fjalorit suedisht-shqip Ismail Rrugova. Ç’shërbim i madh në fushën e librit dhe të kulturës.
Në natën që bie, në përgjumjen e orëve të vona, vazhdoj të udhëtoj në këtë tokë mikpritëse, të ngjashme me tokën tonë, me epika të njëjta, me rapsodë popullorë të ngjashëm, me luftën për pavarësi dhe heronj që qëndrojnë ende mbi kuaj. Janë kuaj që vijnë nga historia, them me vete. Kuajt që shkojnë në kohë stuhije. Padyshim, një ditë e paharruar rrethuar nga shumë miq!
4 maj 2024.