Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: MOT QIELLI, SY NJERIU

– Si është koha sot?

– Moti thuaj. I vranët. Koha është tjetër.

– Moti dhe koha afrohen, ndonjëherë edhe puqen, por janë përhera veç.

– Jo përhera.

– Secili jeton kohën e vet. Motin e jetojmë njësoj.kur jemi afër e afër.

– Edhe stinët?

– Jo përhera. Mundet të jemi në të njëjtën stinë, por secilit stina i duket ndryshe. Unë, ndonjëherë kam ftohtë edhe në gusht. Në gushtin e gjinkallave, kur të tjerët pëlcasin.

– Më çudite.

– Eh, të çudita… kjo është çudi e vogël, fare e vogël.

– Çudi si prej marrie.

– Marrie pa stinë. Pa të keq.

– Të gjithë meteorologët thonë aty-aty të vërtetën për motin.

– Mua më duket se s’janë aq të vërtetë
në parashimimet e tyre. Ata, me duket mua, e zbusin motin ose e bëjnë furtunë.

– Të jenë kaq të nxituar? Përse! Sot ka
aparatura me pa kohën, nejse, motin
edhe të hënës.

– E vërtetë kjo, e vërtetë. Njerëzit jetojnë
edhe në ndonjë planet tjetër.

– Mund të jetojnë, por ndoshta jo në të
njëjtën kohë me ne.

– E habitshme kjo, e habitshme. Edhe
moti atje s’i dihet si djeg e bubullon.

– Lerë motin e qiellit, o miku im, lëre. Jemi në tokë. Toka ka mot e kohë. Qielli ka vetëm mot. motmote.

– Po, po , ika ca larg, fluturova me ëndërr.

– Të gjithë ëndërrojmë…

– Jo të gjithë. Ne ç’të ëndërrojmë? Jemi kurrizdalë e ngërçe. Më dëgjo:

– S’më vjen turp ta them: fëmijë i varfër, trembëdhjetë vjeç kothere, hëna më dukej fetë buke lyer me… me salcë e kripë. Të nesërmen dielli më dukej, si më dukej s’e mbaj mend se me digjej kurrizi i hamallit në port gjatë verës për ndonjë dhjetëshe.
Eh, ai mot, si mot.
– Jo mot, ajo kohë. Moti dhe koha nuk janë njësoj.

– Eh, e gjitha vetëm një hapje mbyllje sysh. Sy prej qielli a prej njeriu?
Po flet për motin a për kohën, miku im?
Ç’ditë është sot?

– E martë.

– Po pse për mua është e mërkurë?

– Varet si ke fjetur.

– Ah, e gjeta. Të mërkurën marr pensionin. Marr pensionin nesër.
Unë gëzohem, e flamosura ime gruaja plakë mërzitet. Pse mërzitet? Ajo do që ditët të ikin sa më ngadalë. Të vijë sa më ngadalë dita e pensionit tim. Unë s’përmbahem, s’përmbahem hiç fare. Sa marr pensionin më duket tjetër vetja, Si më duket? Herë si mizë dheu, herë si karkalec. Ç’t’i bëj mendjes që të mos hallakatem. T’i ve dryn? Ku ta gjej?

– Në Hënë mund edhe të gjesh. Gjersa njeriu ka shkuar atje dhe në Mars, patjetër ka marr me vete çelësa e kaçavidha, qysqi e leva për të hapur rrugë, për të zbuluar fshehtas ndonjë të fshehtë, ndonjë paudhësi.

– Oooo, për ty, çmimi i parë…- fjalosi Link Gogu, por unë nuk e lashë të përralliste:

– Dëgjo, dëgjomë o largpamës. Atje në hënë dhe në Mars, ku ta kemi më të lehtë e më pak të kushtueshëm fluturimin, të cojmë një bibliotekë me Libra.

– Bibliotekë me Libra? Pse?

– Po, të këndonj njerëzia atje. Librat janë të zhubrosur e me era myku, por ç’të bëjmë, akoma s’kemi një bibliotekë.

– Dhe që t’ia lehtojmë paksa kurrizin bibliotekës them të çojmë atje ca romane të grafomaneve. U mbush qyteti veç me romancierë.

– S’e ke keq… E more çmimin në konkursin
“Ëndërr ndërplanetare…”. Por Librat në Hënë e Mars nuk i çojmë dot pa lejet e autorëve. Nuk i çojmë ne. Ne të dyve nuk na lejohet më të fluturojmë. Jemi motmotmotit shkuar

– Të faleminderit, të paça për gjithçka. Po sa honorare do na japin për mundin e mendjes? T’i vë tjegullat shtëpisë. Na fishkëllejnë brinjët si gruas plakushe natës dhe ditën më pleqni.

– Ç’honorare? Rroftë mendimi, morali, o mik!

– Pordhi…

– Kush?
– Morali, pra.