Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: GJENETIKË


(poe-prozë)

Ç’gjen dhe humb diku dikund…

Sa afrohesh ta shohësh gjënë
të bërtet me duf dikush
për të të përzënë.

Çfarë humbet e sheh më vonë
fshehur mund t’jetë mes tonë.

Kujt t’i vësh gishtin me xixa
kë të shohësh sy ndër sy
sa e sheh… vidhet Ikja
ai s’është më aty,
bën përpjetë
osh poshtë
krahë ere
hapa
bosh.

Hapa bosh? S’paska ikur?
Zëre, pa u ndjerë
sose pa u fikur.

Ku me u fik
në ç’breg, në ç’brinjë
në retinë në vetëtimë?

Ç’lë dhe merr ti me vete?
Këmba dridhet t’përpjete,
hov ngut bjerrë më poshtë.
Në një rrënjë ç’të plehërosh?

Uji tharë, currilat mugen
nuk ke këmbë
të shkosh
më tutje.

Gjithandej ca retina ujërash,
këmbë pyjesh ndër përrenj,
me lënë rrungaje rrudhat
shtrojmë savanë
me borë të zezë.

Kjo retinë nuk është më imja
veç e botës që shkon përtej,
pamje hiresh na gënjejnë.

Nuk gënjejnë tani por hershmi
kur rrëzonim kishën, tekstin,
kur me sytë dal përjashta
shihnim tinëz diç dimër
pranvere gëzonim diç,
gjelbëruar hijshëm
andrrash, jetë jete
veç një risk.

Një gisht jete, disa plot,
pak zemër, qarë botë.

Botë qarë, gurgule,
këmba kapte
tjetër dhe.

Nuk i gjej gishtrinjtë kund
tek të mitë ik’ me gungë,
me trallisje poshtë
të epërme,
cikma hiç
hiç rreze.

Trilli feks me një gisht qirinjsh.

Ç’humb dhe gjen arratish?
Arratish me këmbë tjetër
o prej pishë o veç letër.

Letër këmba, oh ç’lajthitje,
ajo laget, por nuk griset,
ajo çahet po nuk tretet
këmba mbath
për shputë
vdekjen.

S’është e imja më kjo këmbë
kjo retinë që kërkon gjënë,
as ky vesh që po platitet
të shurdhojë vorfnitë
mëditje,

as ky krah gjithë plasa – plasa
as ky gju – eshtra dërrasash
as thonjtë zilepsur zekthe
ndarë përgjysmë
alpin e vreshtë
në mes tonë
rreze – rreze
re, rrezmë.

S’është e imja asnjë krenajë?
kush ma fali, ç’fajtor pa faj?
cili sy me retinën plumb
më rrëmben, më shtin
humb – humb?

Cila shputë thep thurrur,
ç’botë qirinjsh
vetull shkulur?

Ç’lë e ç’marr me vete bosh
veç një rrënjë të plehëroj,
ç’humb e gjej arratish?
Veç një frymë,
tjetër gisht.