Cikël poetik nga Xheni Krypi
Malli i Mërgimit
Nga vendlindja u nisa me shpresë në sy,
rrugëve të botës u bëra i huaj për ty.
Por zemra s’më ndahet nga toka ime e shenjtë,
ku fjala shqip digjet si zjarr dhe më mban gjallë.
Në qytete të huaja ndërtoj ditë pas dite,
por shpirti më rri në ato male e vite.
Çdo dritë që ndizet në këtë botë të ftohtë,
më kthen te shtëpia, te dashurija e ngrohtë.
O mërgimtar, larg je nga vendi yt,
por zemra të rreh gjithmonë aty.
As koha, as rruga, as deti i madh,
s’e shuan dot mallin që të mban gjallë.
Fotot e vjetra më flasin pa zë,
më tregojnë kush jam, më thonë nga je.
Nëna më pret ende te dera e vjetër,
me sy plot mall në çdo mbrëmje të heshtur.
O mërgimtar…
zemra nuk harron vendin ku ke lindur.
Edhe mes botës së huaj, mes zërave të largët,
shpirti yt kthehet gjithmonë aty ku ka mall.
Një ditë do kthehem, e ndjej thellë në shpirt,
ku çdo gur e çdo kujtim më thërret i gjallë.
Dhe ky mall që sot më djeg si zjarr i pashuar,
do bëhet përqafim në shtëpi, do shuhet ngadalë
Gruaja që ndërton dritë
Ka gra që nuk lindin për të kërkuar vend në botë,
por për ta mbajtur botën në këmbë pa u rrëzuar vetë.
Ecën mbi dhimbje pa u bërë zë,
dhe nga heshtja ndërtojnë forcë.
Janë gjykuar pa u dëgjuar,
kanë duruar pa u parë,
dhe prapë nuk janë thyer —
vetëm janë bërë më të forta.
Sepse gruaja me dinjitet nuk kërkon mëshirë,
nuk përkulet para padrejtësisë,
dhe nuk humbet veten për askënd.
Ka gra që ndjejnë më thellë se deti,
që lotin e mbajnë si dritë në sy.
Të buta në shpirt, por jo të dobëta
sepse butësia e tyre është forcë e fshehtë.
Janë goditur nga sfida pa mëshirë,
kanë rënë në heshtje që s’e pa askush,
por çdo rënie i ka bërë më të kthjellta,
më të forta, më të vërteta me veten.
Ka gra që nuk jetojnë vetëm për veten,
por për ta kthyer botën pak më të butë.
Shkruajnë me shpirt atë që fjala s’e mban,
dhe këndojnë dhimbjet derisa bëhen shpresë.
Janë pranë grave që kanë nevojë për forcë,
u japin dorë kur bota i lë pas.
Sepse e dinë mirë:
një grua e ngritur, ngre mbi vete edhe jetët e të tjerëve.
Dhe nuk kërkojnë duartrokitje për mirësinë,
sepse zemra e tyre flet në heshtje me vepra.
Shkruajnë, këndojnë, ndihmojnë
dhe me çdo veprim ndërtojnë njerëzim.
Dhe kur bota harron çfarë është drita,
ato nuk flasin më shumë
thjesht jetojnë në mënyrë të tillë
që errësira të mos ketë më asnjë justifikim.
Mos e nënvlerëso kurrë një grua që ndërton dritë për të tjerët,
sepse ajo është arsyeja pse bota nuk errësohet plotësisht.
Lodhja e shpirtrave të mirë
Na mbytën jo vetëm padrejtësitë,
por fakti që u bënë normale.
Që njerëzit më nuk tronditen
kur shembet e drejta,
kur përbuzen dijet,
kur shpërblehet ligësia.
Jetojmë mes fytyrash
që qeshin ditën
dhe shkatërrojnë jetë natën.
Mes njerëzish
që shesin ndërgjegjen për pak pushtet,
dhe e quajnë sukses.
Kam parë njerëz të mirë
të thinjen nga heshtja.
Kam parë mendje të ndritura
të mbyten nga mosvlerësimi.
Kam parë zemra të pastra
të kërkojnë vetëm pak drejtësi
dhe të marrin përçmim në këmbim.
Kam filluar të besoj
se kjo botë ka frikë nga njerëzit me dritë.
Prandaj i thyen,
i lodh,
i lë pa zë nëpër korridore padrejtësie.
Sepse njeriu me dije nuk përkulet lehtë.
Dhe njeriu me ndërgjegje
ua kujton të ligjve
sa bosh janë brenda vetes.
Jetojmë në kohë
ku maskat marrin poste,
e fytyrat e pastra mësohen me heshtje.
Ku i ndershmi numëron plagët në errësirë,
ndërsa mashtrimi ulet në tavolina të arta.
Dhe ndonjëherë,
lodhja nuk vjen nga jeta.
Vjen nga fakti
që duhet të jetosh mes njerëzve
që nuk ndiejnë asgjë
kur të tjerët copëtohen nga brenda.
E megjithatë…
edhe në këtë errësirë të rëndë,
shpirti i pastër nuk zhduket.
Ai vetëm lodhet…
por nuk bëhet kurrë si errësira që e rrethon.