Albspirit

Media/News/Publishing

Samiti “Irani i Lirë” Paris – 20 dhe 21 qershor 2026


Në nderim të përvjetorit të martirëve dhe të burgosurve politikë, si dhe përvjetorit të fillimit të rezistencës së popullit iranian kundër diktaturës fashiste fetare, Konferenca Ndërkombëtare “Irani i Lirë 2026” u zhvillua të shtunën dhe të dielën, më 20 dhe 21 qershor.
Dhjetëra personalitete të shquara politike, parlamentare, juridike dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Kanadaja morën pjesë në këtë tubim dyditor në selinë e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në Paris.
Folësja kryesore e konferencës ishte zonja Maryam Rajavi, Presidente e zgjedhur e Rezistencës Iraniane për periudhën kalimtare.
Ndër personalitetet e shquara të pranishëm dhe folësit ishin:
Charles Michel, President i Këshillit Evropian (2019–2024); Boris Johnson, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (2019–2022); Gjenerali James Jones, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Obama; Bob Blackman, Kryetar i Komitetit të Parlamentarëve të Partisë Konservatore Britanike; Christine Arrighi, deputete franceze dhe Presidente e Komitetit Parlamentar për një Iran Demokratik; John Bercow, Kryetar i Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar (2009–2019); Gjenerali Keith Kellogg, i dërguari i Presidentit Trump për çështjet e Ukrainës, Gjenerali Tod Wolters, Komandanti Suprem i Aleancës së NATO-s në Evropë (2019–2022), Louis Freeh, ish-Drejtori i FBI-së dhe ish-Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Baird, ish-Ministër i Jashtëm i Kanadasë, bashkë me një sërë kryeministrash, ministrash dhe parlamentarësh të tjerë evropianë, mbajtën fjalime në mbështetje të alternativës së vetme ndaj regjimit iranian — Mujahedinëve dhe Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit — si dhe planit dhjetëpikësh të zonjës Maryam Rajavi për Iranin e ardhshëm.
Ata shprehën mbështetje për Muxhahedinët dhe Rezistencën Iraniane, për qëllimin e një Irani të lirë dhe për planin me 10 pika të zonjës Rajavi, duke theksuar nevojën për t’i dhënë fund politikës së pajtimit me regjimin.
Në fjalën e saj, zonja Maryam Rajavi theksoi se rruga për çlirimin e Iranit nuk është as luftë e huaj, as pajtim me regjimin. Ajo tha se forca e vërtetë e ndryshimit gjendet brenda Iranit dhe te populli që dëshiron një shoqëri të lirë, të drejtë dhe demokratike. Ajo vuri në dukje rolin e rinisë së ndërgjegjshme dhe vetëflijuese, e cila u ka thënë “jo” si diktaturës së Shahut, ashtu edhe diktaturës së mullahëve, dhe që, krahas një rezistence të organizuar me 61 vjet përvojë luftë kundër dy diktaturave, po çon përpara rrugën e çlirimit të Iranit.
Presidenti Charles Michel, duke iu referuar planit me 10 pika të zonjës Rajavi për Iranin pas rrëzimit të mullahëve, tha: “Ky Plan me Dhjetë Pika, në sytë e mi, është i barabartë me premtimet e baballarëve themelues të Bashkimit Evropian: …demokraci, paqe, liri, prosperitet”. Ai shtoi se regjimi iranian dëshiron që njerëzit të besojnë se ndryshimi është i pamundur, por “ndryshimi është në rrugë. Ndryshimi është në zemrat tuaja, ju iranianë këtu në Paris. Ndryshimi është në zemrat e aktivistëve të Ashraf 3 në Shqipëri, të cilët janë edhe të mbijetuar dhe unë i përshëndes ata”.
Boris Johnson tha se ndihet i nderuar që mbështet “Iranin e lirë” dhe “luftën tuaj për demokraci, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes”. Ai theksoi se “krona dhe froni nuk mund t’i garantojnë lirinë popullit iranian” dhe se “ndryshimi duhet të vijë nga brenda”.
Gjenerali James Jones deklaroi se Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit dhe rezistenca e organizuar, të frymëzuara nga udhëheqja e zonjës Rajavi, e kanë bërë të qartë rrugën drejt ndryshimit demokratik. Ai gjithashtu theksoi se Reza Pahlavi nuk mund të jetë një opsion për të ardhmen e Iranit.
Gjenerali Tod Walters, duke iu referuar Muxhahedinëve në Shqipëri, tha:
“Patriotët në Ashraf 3 dhe qytetarët e mirë të Iranit anembanë botës e meritojnë përpjekjen tonë. Ne i admirojmë përpjekjet e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit dhe të Maryam Rajavit për ta çliruar Iranin nga ky regjim i korruptuar. Kjo rezistencë është aset strategjik ynë dhe me të, ne do të fitojmë”.
Bob Blackman, në emër të delegacionit britanik, shprehu solidaritetin më të thellë me Rezistencën Iraniane. Lidhur me Muxhahedinët në Shqipëri, ai tha:
“Heronjtë dhe trima të Ashraf 3 meritojnë admirimin tonë. Për dekada, vendosmëria dhe vetëflijimi juaj e kanë mbajtur gjallë shpresën për një Iran të lirë, laik, demokratik dhe jo-bërthamor. Demokracia në Iran nuk do të arrihet nga ata që kërkojnë të ringjallin trashëgiminë e monarkisë”.
Christine Arrighi theksoi se pjesëmarrësit në këtë tubim ndajnë një qëllim të vetëm: çlirimin e popullit iranian nga një diktaturë mizore. Ajo tha se mesazhi i sotëm është “Jo pajtimit” dhe “Po kryengritjes kundër regjimit”, dhe deklaroi se programi i zonjës Maryam Rajavi për një Iran të Lirë gëzon mbështetje serioze në Asamblenë Kombëtare të Francës.
John Bercow e përshkroi zonjën Rajavi si një kampione të lirisë dhe një nga figurat më të guximshme në botë. Ai tha se lëvizja e mbështetur nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit dhe Muxhahedinët “mbështet” demokracinë dhe lirinë që pasqyrohen në planin me 10 pika.
Gjenerali Kellogg vlerësoi zbulimet bërthamore të regjimit iranian nga Muxhahedinët dhe Këshilli Kombëtar i Rezistencës në vitin 2002, të cilat çuan në fillimin e inspektimeve ndërkombëtare.
Disa senatorë amerikanë dërguan gjithashtu mesazhe video në mbështetje të këtij tubimi, mes tyre senatori Ruben Gallego, anëtar i Komisionit të Senatit të SHBA-së për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare; senatorja Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit të Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë; senatori Thom Tillis, anëtar i Komisioneve të Senatit për Gjyqësorin dhe Bankat; si dhe senatori Ted Cruz, kryetar i Komisionit të Senatit të SHBA-së për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin.
Mesazhi i përbashkët i folësve ishte se e ardhmja e Iranit nuk qëndron as në kthimin te diktatura e mëparshme, as në vazhdimin e fashizmit fetar sundues, por në një republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore të mbështetur te populli iranian, rinia kryengritëse dhe rezistenca e organizuar.