“Përtej Maleve”, një sagë familjare mes mallit, identitetit dhe rikthimit
Zhuljeta Grabocka Çina
Kur letërsia merr përsipër të shndërrojë në të vërtetë artistike fatin e brezave të një familjeje, jo si kronikë të thjeshtë ngjarjesh, por si dramë të fatit njerëzor të kushtëzuar nga rrethanat dhe zgjedhjet individuale, ajo fiton përmasa universale. Këtë synim e realizon romani “Përtej Maleve” i shkrimtarit të ri shqiptar Eduard Lekgjika, botuar në qershor të vitit 2026.
Në qendër të veprës qëndron përballja e fatit të dy vëllezërve, jo vetëm si lidhje gjaku, por si ndarje e dhimbshme nga rrënjët e të parëve. Njëri emigron drejt Amerikës në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa tjetri mbetet në Shqipëri, i lidhur me tokën dhe kujtesën familjare. Kjo ndarje përbën boshtin kompozicional të romanit dhe pikën ku ndërthuren drama personale, historia kombëtare dhe kërkimi i identitetit.
Amerika e shekullit të kaluar paraqitet si “toka e premtuar”, ëndrra e emigrantit shqiptar. Megjithatë, autori e përmbys në mënyrë të ndjerë këtë fabul tradicionale: toka e vërtetë e premtuar nuk është largësia përtej oqeanit, por vendlindja, kujtesa dhe lidhja shpirtërore me dheun e të parëve. Pikërisht këtu romani fiton një dimension simbolik, duke e shndërruar historinë e një familjeje në histori të shumë brezave shqiptarësh.
Narracioni ndërtohet me një peshë emocionale që mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit. Fati individual i personazheve shoqërohet nga përpjekja për të ruajtur virtytin, për të ndërtuar familjen, për të respektuar traditën, për të nderuar emrin e fshatit dhe identitetin kulturor të atdheut. Në këtë aspekt, romani i afrohet traditës së sagave familjare që kanë lënë gjurmë në letërsinë botërore.
Tema e emigrimit dhe e mallit për atdheun ka qenë një nga temat më të fuqishme të letërsisë moderne. Te John Steinbeck gjejmë dramën e shpërnguljes dhe kërkimin e një jete më të mirë; te Thomas Wolfe rikthehet vazhdimisht ideja se njeriu mbetet i lidhur përjetësisht me vendin e origjinës; ndërsa Isabel Allende dhe Gabriel García Márquez e kanë trajtuar historinë e familjeve në disa breza si metaforë të historisë së një kombi. Në letërsinë evropiane, edhe Milan Kundera ka eksploruar ndjenjën e mërgimit, kujtesës dhe identitetit të humbur. Në këtë linjë tematike mund të vendoset edhe romani i Lekgjikës, duke ruajtur natyrisht veçantinë e përvojës shqiptare.
Një nga vlerat e spikatura të veprës është shtrirja kohore e subjektit. Duke përfshirë tri breza, nga vitet 1920 deri në fillimin e shekullit XXI, në dy kontinente, romani merr përmasat e një epopeje familjare. Historia individuale ndërthuret me realitetet historike që kanë shoqëruar shtetformimin shqiptar, duke sjellë personazhe, karaktere, rrethana dhe drama që pasqyrojnë një shekull ndryshimesh të mëdha.
Vepra është një himn për familjen dhe vlerat e saj. Ajo dëshmon se forca e karakterit njerëzor mbetet më e qëndrueshme se largësitë gjeografike dhe më e fortë se kalimi i kohës. Galeria e personazheve, e ndërtuar me ndjeshmëri dhe realizëm, krijon një univers ku lexuesi mund të gjejë gjurmë të gjyshërve, të prindërve, të motrave e vëllezërve, të komunitetit dhe të vetes.
Pikërisht ky universalizim i përvojës njerëzore e bën romanin të veçantë. Letërsia ushqehet nga jeta, por jo nga sipërfaqja e saj. Ajo depërton në thesaret më të fshehta të shpirtit njerëzor, në traditat kulturore, në kujtesën kolektive dhe në emocionet që kalojnë nga një brez te tjetri. “Përtej Maleve” arrin të prekë këto shtresa të thella, duke e bërë historinë e një familjeje histori të shumë familjeve shqiptare.
Kulmi emocional i veprës vjen me rikthimin e pasardhësve në vendlindjen e të parëve. Është një kreshendo ndjenjash që kujton harmoninë dhe fuqinë emocionale të katër stinëve të Antonio Vivaldi. Fjalia përmbyllëse e protagonistit, “Unë jam në shtëpinë time”, shndërrohet në një thirrje shpirtërore për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, një dëshmi se udhëtimi më i gjatë i njeriut është ai që e kthen te rrënjët e veta.
Duke uruar Eduard Lekgjikën për këtë debutim letrar dhe bashkëpunimin me shtëpinë botuese “Botonjësja Voskopojare”, mund të thuhet se letërsia shqiptare fiton një zë të ri që vjen si kujtesë, si dëshmi dhe si triumf shpirtëror. “Përtej Maleve” është një roman që flet për emigrimin, por mbi të gjitha për përkatësinë; për largimin, por edhe për rikthimin; për humbjen, por sidomos për forcën e pashuar të kujtesës dhe të identitetit shqiptar.