Albspirit

Media/News/Publishing

Bufi dhe Ndreu: Bashkëpunimi mes bashkive sjell më shumë shërbime për qytetarët

Sokol Guga

Bashkia Roskovec ka përmbyllur një vizitë studimore dyditore në Bashkinë Lezhë, e zhvilluar më 12–13 korrik 2026 në kuadër të Programit të Qeverisjes së Mirë. Vizita shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe njohjen nga afër me praktikat më të mira të administrimit vendor.

Delegacioni i Bashkisë Roskovec, i përbërë nga 14 përfaqësues dhe i drejtuar nga Kryetarja e Bashkisë, Majlinda Bufi, u prit nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, në një takim zyrtar ku u diskutuan sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të qeverisjes vendore.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, theksoi se vizita përfaqëson një investim të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve institucionale. “Qeverisja e mirë ndërtohet mbi bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të mësuar nga modelet që kanë dhënë rezultate. Kjo vizitë na ofroi mundësinë të njohim praktika konkrete dhe të identifikojmë zgjidhje që mund t’i përshtatim në Roskovec, gjithmonë në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët tanë”, u shpreh Bufi.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave mes bashkive shqiptare. “Bashkëpunimi mes pushtetit vendor është një nga mënyrat më efikase për të ndërtuar administrata më profesionale dhe më pranë qytetarëve. Kur ndajmë përvojat dhe praktikat më të mira, fitojnë të gjitha bashkitë dhe mbi të gjitha përfitojnë qytetarët”, deklaroi Ndreu.

Gjatë programit institucional, Bashkia Lezhë prezantoi një sërë praktikash të suksesshme në fushën e qeverisjes vendore, ofrimit të shërbimeve bashkiake, zhvillimit territorial, turizmit, mbrojtjes së mjedisit, komunikimit publik dhe transparencës.

Prezantimi u zhvillua nga Vasilika Laska, Drejtore e Drejtorisë së Projekteve Strategjike, Çështjeve Evropiane, Migracionit, Diasporës, Komunikimit dhe Transparencës, e cila ndau përvojën e Bashkisë Lezhë në hartimin dhe zbatimin e politikave moderne të administrimit vendor. Programi përfshiu gjithashtu vizita në terren dhe diskutime të detajuara mbi menaxhimin e shërbimeve publike, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e turizmit dhe promovimin e potencialeve territoriale, duke krijuar një hapësirë konkrete për shkëmbimin e ideve dhe identifikimin e praktikave që mund të zbatohen në Bashkinë Roskovec.

Vizita u vlerësua nga të dyja palët si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërmjet Bashkisë Roskovec dhe Bashkisë Lezhë, me synimin për të ndërtuar një administratë vendore gjithnjë e më efikase, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.