Albspirit

Media/News/Publishing

Ndrek Gjini: Nikolaos Dragoumis dhe libri i tij për Skënderbeun

Nikolaos Dragoumis (1809–1879) ishtë një nga figurat më të shquara politike, diplomatike dhe letrare të Greqisë së shekullit të 19-të. Ai shërbeu si Ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë në vitin 1862 dhe la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë dhe historiografinë greke përmes librave të tij.

Në vitin 1861 ai botoi në Athinë një biografi të rëndësishme me titull “Historia e Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skënderbe” (greqisht: Ιστορία Γεωργίου του Καστριώτου του επιλεγομένου Σκεντέρμπεη).

Kjo vepër e Dragoumis-it ishte jo thjeshtë një përkthim, por një përpunim i përshtatur mbi bazën e jetëshkrimit  të Skënderbeut marrë nga libri i autorit francez Camille Paganel të vitit 1855.

Ky botim i Dragoumi u prit mire dhe i luajti një rol të rëndësishëm në historiografinë e kohës. Kjo vepër e tij madje u ribotua më vonë në vitin 1880 dhe në 1884.

Dragoumis, i cili ishte gjithashtu bashkëthemelues i revistës prestigjoze letrare greke Pandora, e paraqiste figurën e Gjergj Kastriotit si një simbol të rezistencës së krishterë dhe si një strateg legjendar që frymëzonte lirinë në Ballkan.

Ndryshe nga disa historianë të tjerë të asaj periudhe që tentonin t’a paraqitnin Skënderbeun me origjinë sllave, versioni i Dragoumis-it theksonte qartë se Skënderbeu ishte shqiptar. Kjo bëri që figura e tij të shërbente më pas si një urë afrimi politik dhe kulturor mes shqiptarëve dhe grekëve gjatë shekullit XIX.

Vepra e Dragoumis-it nuk ishte thjesht një përkthim mekanik, por një përshtatje e thellë analitike e bazuar në biografinë e shkruar nga historiani dhe politikani francez Camille Paganel në vitin 1855 (“Histoire de Scanderbeg, héros albanais”). Dragoumis i shtoi tekstit shënime, komente dhe një strukturë që i përshtatej kontekstit politik ballkanik të shekullit XIX.

Botimi origjinal i vitit 1861 përbëhet nga 101 faqe kryesore tekst, me një parathënje nga faqja I deri VIII si faqe hyrje.

Ky libër është me përmasa 27 centimetra, gjë që e bënte një botim mjaft dinjitoz për formatet e librave të kohës.

Libri u botuas dhe qarkulloi fillimisht edhe si pjesë e suplementeve speciale të revistës letrare dhe kulturore Pandora, të cilën Dragoumis e drejtonte bashkë me figura si Konstantinos Paparrigopoulos.

Kjo siguroi që figura e Skënderbeut të lexohej nga elita intelektuale e kohës.

Për qëllime gjeopolitike, gjatë shekullit XIX, historiografia sllave dhe disa historianë perëndimorë (si Carl Hopf) tentuan ta paraqisnin Skënderbeu me origjinë sllave. Por Dragoumis, duke u bazuar te Paganel, argumenton fuqishëm dhe mbron origjinën shqiptare të Skënderbeut, duke e cilësuar atë si “Udhëheqës të Shqipërisë” (Ηγεμόνας της Αλβανίας).

Qëllimi kryesor i Dragoumis-it ishte politik. Përmes figurës së Skënderbeut, ai synonte të krijonte një urë bashkëpunimi ushtarak dhe shpirtëror ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve ortodoksë e myslimanë për një kryengritje të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Ai e projektoi Skënderbeun si një hero të përbashkët të lirisë ballkanike.

Ky libër pati një ndikim kaq të madh në formësimin e mendimit kombëtar Shqiptar në Greqi, saqë ribotua disa herë. Madje disa shtëpi botuese bashkëkohore greke si Eleutheri Skepsis e kanë ribotuar sërish këtë libri edhe në vitin 2001 (me 298 faqe, duke përfshirë në të edhe analiza të reja). Kjo për shkak të vlerave dokumentare dhe fakteve historike të kësaj vepre.

Sot, dorëshkrimet origjinale, dhe krejt korrespondenca e viteve 1866–1867 e Dragoumis-it lidhur me këtë libër dhe korrigjimet e tij me shkrim dore ruhen nën kujdesin e Shkollës Amerikane të Studimeve Klasike në Athinë (ASCSA) në fondin e letrave familjare Dragoumis.

Nuk jam i sigurtë nëse ky libër është përkthyer apo botuar në Gjuhën Shqipe.

Nësë Jo,- do ndjehesha i turpëruar nga neglizhenca e pafalshme apo “harresa” gati kriminale e historianëve dhe e studiuesve shqiptarë.

Nëse Po – medoj se ky libër duhet promovuar më shumë, pasi libra të kësaj natyre, përpos vlerave hisotrike dhe kombëtare, mund të shërbejnë edhe si prova të një historie përpjekjesh të përbashkëta të Shqiptarëve dhe Grekëve kundër Perandorisë Osmane.

Madje, promovimi i veprave të kësaj natyre mund të shërbejnë edhe si ura afrimi politik dhe kulturor mes shqiptarëve dhe grekëve të shekullit XXI.


Botimi i parë  i vitit 1861

Botimi i dytë i vitit 1884