Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: NUDOT ARTISTIKE TË GJON MILIT (+16)

Fotografia nudo përfaqëson një formë arti që eksploron trupin njerëzor në mënyra të ndryshme, duke theksuaar bukurinë, harmoninë, dëlirësinë, natyrshmërinë dhe sensualitetin e tij. Ajo shpesh interpretohet si një shprehje e lirë e identitetit, duke sfiduar normat tradicionale të moralitetit dhe etikës, duke synuar theksimin e formave trupore dhe detaleve anatomike, si dhe një dialog mes artistit dhe subjektit. Shpesh është e lidhur me artet pamore si piktura, skulptura dhe përqëndrohet në estetikën dhe emocionet që mund të transmetohen nëpërmjet trupit. Ajo përfaqëson, gjithashtu, një formë arti që reflekton ndryshime kulturore dhe sociale në etapa të ndryshme të shoqërinë njerëzore.

Kjo lloj fotografie zakonisht realizohet në një studio, apo mjedis krijues, ku artisti ka kontroll mbi kompozimin dhe ndjenjat që kërkon të transmetojë.

Fotografia e parë nudo i atribuohet fotografit francez Hippolyte Bayard në vitin 1840, i cili fotografoi veten të zhveshur (The Drown – I mbyturi). Disa vite më pas dy kontribues të tjerë pionierë francezë – Eugene Durieu dhe Bruno Braquehais filluan t’i realizonin ato rreth vitit 1853 e në vazhdim si studime dedikuar artistëve piktorë si modele të gatshme të plota apo të pjesshme për pikturat e tyre. Këta autorë u konsideruan të rëndësishëm në institucionalizimin e fotografisë nudo si një formë arti që do të përhapej shpejt. 1)

Gjon Mili si një artist fotograf i afirmuar edhe për larminë tematike, subjekteve e teknikave të tij novatore, nuk i është mënjanuar kësaj gjinie, megjithse jo në mënyrë të vijueshme e sistematike. Por, edhe pse krijimtaria e tij në këtë fushë nuk është numerikisht e madhe, ajo është një prurje po aq e vlerë në trashëgiminë e tij dhe jo vetëm, pasi ai ka krijuar disa modele e kryevepra duke u shfaqur novator e origjinal. Duke qenë një studiues profesionist ai i ka njohur e zhbiruar paraprakisht fotot e Étienne-Jules Marey dhe sidomos ato të Eadweard Muybridge nga seria e tij fotografike e vitit 1887 të publikuara si Figura Humane në lëvizje (The Human Figure in Motion). Por Gjon Mili ka sjellë risi me autenticitetin e tij, kryesisht në kompzicion, formë dhe teknikat e teknologjitë e reja të paraqitjes së trupit femëror në versionet dinamike e shumë abstraguese, në marrëdhënien e pashkëputur hapësirë-lëvizje -kohë-dritë, pra një përpjekje origjinale shkencore dhe artistike që e dallon krejtësisht nga të tjerët dhe që ka lënë gjurmë në fotografinë botërore.

Pra, edhe pse nga numëri ato nuk janë shumë, në këtë rast, tek ai ndodh fenomeni që cilësia e sfidon sasinë. Ndoshta, sepse Gjon Mili e ka vlerësuar figurën nudo të femrës jo si qëllim të zbulimit të saj fizik, por si një objekt studimi kryesisht në   lëvizje dhe, sidomos, të aplikimit të metodave të reja teknologjke që bazoheshin në kinetikë dhe përdorimin e dritës së fraksionuar stroboskopike. Kësisoj, Mili kontribuoi në këtë evoluim duke ofruar një qasje më të sofistikuar e më moderne ndaj temës, duke sfiduar normat tradicionale.  

Konotacioni i tij artistiko-shkencor vjen me një larmi konceptesh dinamike, teknikash e teknologjish:

  1. Me teknikën klasike apo konvencionale të periudhës.
  2. Me stopim apo ngrirjes të lëvizjes në ajër (“stop action”)
  3. Me teknikën multistroboskopike në lëvizje.
  4. Me teknikën “atipike” stroboskopoike.
  5. Me teknikën e “fotove pa formë”.
  6. Me teknologjinë e “solarizimit”

Në të gjitha rastet synimi i tij ka qenë studimi i trupit femëror, harmonia vizuale e tij dhe një estetikë e veçantë, duke dhënë mundësinë e perceptimit të detajeve morfologjike e fizike të trupit që, zakonisht, nuk janë të dukshme në fotot statike.

1) Fotoja “Nudo përballë pasqyrës” e vitit 1948, është një vepër e dyfishtë artistike – e piktorit amerikan David Fredenthal (1914-1958) dhe e fotografit tonë Gjon Mili. Fredenthal ka qenë piktor i angazhuar në revistën LIFE (1943-46), pra edhe një koleg e mik i Milit, me të cilin ka bashkëpunuar edhe herë të tjera. Këtë foto ata e kanë realizuar në disa versione kompozicionale, njërën më të bukur se tjetrën, në vitin 1948. Ishin vite kur fotografia nudo po fillonte të shpërthente si një formë arti më serioze.

Varianti i paraqitur këtu ka tipar primar gjithëpërfshirjen, pra një vepër që ka rrokur njëheresh piktorin, i rrëmbyer thellësisht në momente të punës së tij vizatimore duke pirë cigare, kurse në trekëndëshin e djathtë të kuadratit, thuajse simetrik me të parin, modelin që i tregon piktorit kokën dhe shpinën, ndërkohë që në pasqyrë reflektohet ana e përparme e fytyrës dhe bustit të zhdërvjellët femëror.  Gjon Mili ka aftësinë për të kapur bukurinë estetike të trupit njerëzor në mënyrë emocionale dhe, njëheresh, duke shprehur qartë prirjen e tij eksploruese e studimore me efekte të këndshme vizuale. Të këtij karakteri janë edhe fotot “Studentët vizatojnë nudo”, “Nudo në shkollën e arteve Skowhegan” (ku nëpërmjet kundërdritës nuk shihen format, por vetëm silhueta e modelit), “Studim i femrës nudo”, “Natë Parisiene” (1949) “Nightclubs”, 1947, fotot në studion e Akademisë së Arteve të Pensilvanisë 2) e, veçanërisht, fotoja me ngjyra “Nudo me vello të kuqe”, një mishërim i aftësive të veçanta kompozicionale e estetike të Gjon Milit, botuar në revistën “Vogue”.

Nga fotot e preferuara të Milit me teknikën e ndalimit të lëvizjes (stop action) janë edhe ato që paraqitin figura nudo femrash gjimnaste apo valltare, të fiksuara pezull në ajër. Ato dallohen për precizionin e saktë të kapjes së ritmit dhe momentit deçiziv të akrobacisë, piruetës, fifllakut, apo saltos. Edhe këto, krahas shprehjes së plasticitetit dhe bukurisë estetike të trupit femëror, përbëjnë shembuj të punës studimore të Gjon Milit në këtë fushë.  Disa prej tyre janë paraqitur në ekspozitat e tij, sidomos në atë retrospektive të vitit 1980 në MoMA, Nju Jork.

3) Me metodën multistroboskopike:

Ndër to përfshihen një seri nudosh të plota stroboskpike në lëvizje me një kontrast të fortë dritë-hijesh, ku ndriçimi me intensitet shumë të lartë ndizet nga anash statujës femërore që, zakonisht është në lëvizje, duke u goditur njëheresh nga para me blicet e shpejtësisë e frekuencave të larta me abdurrator të hapur. Përdorimi i dritës dhe hijes në fotot e tij krijon një efekt dramatik dhe artistik, duke theksuar format trupore në mënyrë unike. Një trup që përkëdhelet nga loja e dritëhijeve e ku çdo tendosje muskulore dallohet qartë dhe estetikisht.

Nga kjo mënyrë e preferuar ndriçimi, trupi nudo rrethohet nga një aureolë e mprehtë drite, që nxjerr në pah silueta anatomike, hirin e formës femërore dhe natyrën harmonike të lëvizjes.

Prej tyre, fotoja që quhet “Nudo duke zbritur shkallët” e shkrepur në vitin 1942   është vlerësuar si një kryevepër fotografike e papërsëritëshme dhe zë një vend të veçantë në artin fotografik botëror.  Në vitet pasardhëse, deri më 1950, Gjon Mili ka shkrepur disa variante alternative, gjithsesi po aq të bukura.  Ato janë botuar vazhdimisht në katalogë amerikanë e ndërkombëtare dhe janë paraqitur shpesh në ekspozita të rëndësishme, sidomos në ekspozitën më të madhe botërore lëvizëse “The Family of Man”, 1955, në ekspozitën retrospektive të vitit 1980 në ju Jork, etj.

Fotoja “Nudo duke zbritur shkallët” është një interpretim, apo zbërthim kreativ i pikturës kubiste të piktorit francez Marcel Duchamp “Woman Walking Downstairs”, të realizuar më 1912. Interesant është fakti që edhe kjo tablo është krijuar nën ndikimin e fotografive më të hershme, “më primitive” të Étienne-Jules Marey dhe Edweard Muybridge “Woman Walking Downstairs” nga seria e tij e fotografive të vitit 1887, botuar si figura njerëzore në lëvizje. Gjon Mili duke i njohur dhe interpretuar të gjitha këto vepra në një këndvështrim më përfytyrues e më bashkëkohor, por edhe në sajë të teknologjisë më të përparuar shkencore, arriti të krijojë një vepër po aq estetike dhe dinamike, përgjithësuese e më provokuese.

Kjo foto është një shembull i shkëlqyer i aftësisë së tij për të manipuluar dritën dhe lëvizjen për të krijuar efekte vizuale të një estetike të veçantë eksperimentuese, duke ju hapur rrugën edhe të tjerëve.

“Nudo duke zbritur shkallët” është konsideruar më shumë se thjesht një foto; ajo është një manifestim i kreativitetit dhe novacionit të Gjon Milit, ajo është një dialog i përkryer shkencor e artistik, duke u bërë kështu një kryevepër në historinë e fotografisë. Duke fragmentuar dhe ngrirë lëvizjen në mënyrë dinamike, ai eksperimentoi me metodën e realizimit të këtyre fotografive, duke u fokusuar në detajet morfologjike dhe fizike të trupit në lëvizje, për t’u dhënë shikuesve mundësinë të perceptonin forma dhe linja elegante që dukej sikur dilnin nga vetja e tyre në mënyrë transhendente.

Paraqitja eterike e figurës mishëron konceptin e lëvizjes duke sfiduar format konvencionale të imazheve statike, duke mjegulluar linjat midis realitetit dhe abstraksionit. Paleta bikromatike bardh’e zi rrit efektin dramatik, duke i lejuar shikuesit të zhytet në rrjedhën dinamike. Lëvizja magjepsëse takohet me elegancën artistike.

Përveç kësaj, Mili duke patur një interes të thellë për artin dhe estetikën, përpiqej të krijonte një dialog mes artit vizual dhe shkencës. Kjo qasje e tij jo vetëm që e ndihmoi atë në zhvillimin e teknikave novatore, por gjithashtu kontribuoi në avancimin e fotografisë si një formë arti.  Ai shpesh eksploronte tema që lidhen me lëvizjen kinetike, duke i dhënë një kontekst më të thellë fotografive të tij. Kjo qasje e bënte çdo foto një provë artistike dhe shkencore, duke theksuar lidhjen midis artit dhe fizikës ndaj detaleve morfologjike dhe fizike që zakonisht janë të padukshme për syrin e zakonshëm.

Në disa raste Gjon Mili ka eksperimentuar edhe fotografinë nudo “të solarizuar” (ose “Sabatier effect”), që nënkupton një ekspozim të shpejtë në laborator të filmit ndaj një fluksi të fortë drite të konceptuar nga fotografi gjatë zhvillimit laboratorik në bashkëveprim me emulsionet kimile zhvilluese. Ky veprim shkakton një përmbysje inverse të pjesshme të toneve, një “kontur elektrik” ose “brerore”, duke krijuar një efekt grafik surreal e fantazmagorik, si insekt, qënie mitologjike, apo një shtjellë energjie. Duke qenë se Mili ishte mjeshtër i eksperimentimit me dritën, i ekspozimeve të shumëfishta, i lëvizjeve të trupit, efekteve stroboskopoike, deformimeve optike, etj., kjo e afron foton e solarizuar me konceptin surrealist të Man Ray-t (1890-1976), i cili konsiderohet pionieri i solarizimit artistik. Jo realizëm fotografik, por transformim poetik dhe psikologjik i figurës, një gjuhë estetike e modernizmit dhe formalizmit fotografik, e erotizmit artistik, e manierizmit futurist.

Ndodh ndonjëherë që fotot e Milit mund të iluzionojnë shikuesin duke u dukur vetëm si imazhe stroboskopike të lëvizjes, pra e bëjnë të vështirë për të dalluar thelbin kryesor të temës nudo prej tij, pasi ato disa herë janë interpretuar si thjesht estetike dhe jo si studime mbi trupin njerëzor.

Nga ana tjetër edhe pse Mili i realizoi këto fotografi kryesisht për qëllime studimore, duke u fokusuar në teknika dhe efekte vizuale, më shumë se sa në përmbajtjen emocionale ose narrativën që mund të ofrojnë, kjo qasje ka bërë që ndonjëherë kritika dhe studiuesit e artit t’ju vlerësojnë fotove të tilla më shumë anën eksperimentale teknike, sesa shprehje artistike.

Megjithatë, rëndësia kulturore e këtyre fotove qëndron në faktin se ato mbeten pjesë e historisë së artit dhe fotografisë, duke u njohur si disa nga punët më të mira në këtë zhanër.

Piktori i famshëm i nihilizmit dhe absurditetit Marcel Duchamp i pëlqeu aq shumë ato sa, më 1952, ai vetë u bë “subjekt” i fotografit Eliot Elisofon dhe kompozoi me trupin e tij, si remineshencë e pikturës së vet të famshme kubiste “Nude Descending a Staircase” (1912). Në periudha të veçanta, një mori variantesh pamore e teknike   takohen në krijimtarinë e Gjon Mili për meritë të nivelit të tij të lartë akademik në fushën inxhinierike dhe optike, por edhe të pëvojave të gjata eksperimentuese, falë të cilave u krijuan edhe disa derivate të ndërmjetme nudosh, që ne po i emërojmë fotografi stroboskopike atipike. Ato që po paraqitim më tej përbëjnë disa nga shkrepjet e tij që nuk janë vënë ndonjëherë në qendër të vëmendjes, nuk janë interpretuar, apo analizuar teknikisht, edhe pse disa prej tyre ato ndodhen të botuara në revistën LIFE. Jo për tematikën, apo për përmbajtjen e tyre, por për mënyrën e realizimit. Sepse, në vështrimin e parë, si foto të bukura estetikisht stroboskopike, ato “të mashtrojnë” duke u identifikuar si foto strobe në lëvizje. Në të vërtetë, për realizimin e tyre është përdorur një teknikë e veçantë, që zor se e vë re me shikimin e parë.  Ka diçka të patakuar më herët, që i bëjnë të duken më të komplikuara e më moderniste, më eksibicioniste.

Për të sqaruar këtë, i jemi referuar revistës “LIFE”, në një shkrim me titull “Gallery”, me rastin e botimit të dy prej fotove të mësipërme. Ja çfarë thuhet aty, midis të tjerash: “Zhan Pol Sartri, duke shkruar mbi fotografin Gjon Mili, dikur i referohej gruas së zhveshur, e cila shihet nga sy ‘në një mijë aspekte si të një fluture’. Mjeshtri i blicit stroboskopik, Mili e ka përdorur atë shpesh për të ruajtur iluzionin e lëvizjes në qetësi. Studimet në këto faqe implikojnë gjithashtu ndriçimin strob, por këtë herë qëllimi dhe teknika ndryshe.  Modeli qëndron i palëvizur dhe pasi blici shuhet, ai manovronte (panoramonte) aparatin fotografik. Rezultati ishte përsëritja ritmike që transformonte një linjë të hijshme në një tablo të plotë.3)

Sigurisht që “manovrimi”, apo “panoramimi”, janë terma deri sot të patrajtuara dhe jo shumë të qarta për amatorët e Milit. Për këtë arsye unë “thirra” për ndihmë fotografin dhe studiuesin e njohur F.  Spahija, i cili më shpjegoi versionin e tij për këto foto atipike strobe: “Ndërsa modeli qëndron i palëvizur në errësirë të plotë, realizohet shkrepja e parë strobe (me një shkrepje). Modeli nuk lëviz, por qëndron sërish i palëvizshëm në errësirë të plotë, ndërsa fotografi ‘lëviz horizontalisht aparatin’ aq sa i nevojitet për të realizuar shkrepjen e dytë, në mënyrë që trupi i modeles të jetë ngjitur me atë të shkrepjes së parë. Pasi është siguruar për këtë, Mili realizon shkrepjen e dytë, pastaj në dinamikë të ngjashme bën të tretën …dhe kështu në mënyrë të njëpasnjëshme realizohen dhjetë apo aq shkrepje sa janë paramenduar…”. 

Kjo lloj fotografie zgjat disi në kohë, kërkon inteligjencë, durim, vëmendje, llogaritje e parapërgatitje të mjeshtrit, por edhe palëvizshmëri, përqëndrim, stabilitet dhe lodhje deri në mpirje   të modelit.  Nga kjo gjini, Gjon Mili ka realizuar edhe disa nëngjini të cilat janë sërish në përzierje të stroboskopisë në qetësi dhe në lëvizje bashkë.

Në përfundim mund të themi se “Nudo duke zbritur shkallët” dhe të tjerat janë më shumë se thjesht foto; ato shfaqen si një manifestim i krijimtarisë dhe inovacionit të Gjon Milit, duke u bërë kështu kryevepra në historinë e fotografisë.

Referenca:

  1. Qerim Vrioni: Protestë në një fotografi të vjetër, Flas shqip. Ca, April 25, 2026.
  2. 150 Years of the Fine Arts: LIFE 28 Apil 1952, p. 68).
  3. Gallery: LIFE, 20 Feb. 1970, p. 6.