Ruzhdi Gole: Ndoshta, jo ndoshta
1.
Vendi ynë përhera
do të jetë i bukur…
Ndoshta…
Vendi ynë ka më pak heronj
kur ne e teprojmë
lavdinë e tij.
Të mençurit e vendit tim
rrojnë pak përhera
nuk vdesin…
2.
Menjëherë
pikëllohen pishat
kur këqyrin afër qiejt
ndarë gjysmë nga bota,
Mali asnjëherë nuk rrudhet
rrudhet ndonjëherë
ndonjë qerpik
përlot pak
…ndoshta…
3.
Po e ndaj përgjysmë
moshën time
– tha njeriu,
diku vetja,
diku huajtur veten,
diku gjithçka, diku hiç,
ndaj përgjysmë veten nga vetja
por tek e vërteta: pëllëmba
s’është e plotë nëse
fatkeqësisht
unë – njeriu
prej saj
këpus
gisht.
Ndaj gjysmë pikëllimet e mia
po me veten… Diku mugëtira
më afrohet
jetoj vdekshëm…
pa vdekjen…
Përhera,
nganjëherë ndoshta… –
tha njeriu duke ikur… pa ikur.
4.
Zemërimi i dikujt quhet Jetë,
dikush qesh edhe zemëruar,
dikush me atdheun e tij
më gjatë zem’rohet
duke e fshirë vite
atdheun e tij
pafund
kujtesë.
Mallkimi i dikujt ka atdhe,
mallkimi i askujt
nuk ka atdhe
të vërtetë!
5.
Çelur para syve të të gjithëve
dhe fshehtas duke u rritur
një dritare për fëmijën
ishte pemë përpara
se të bëhej pamje,
kraharor i drunjtë
për të mbyllur
natën.
… ndoshta, mundet….
Para syve të librave rritej fëmija
duke e lidhur shpejt fatin e tij
një kërthize tjetër.
…ndoshta, jo ndoshta…
Para syve të askujt
fëmija u afrohej lapidarëve
u besonte atyre, jo pasardhësve…
…ndoshta, asnjëherë ndoshta…
6.
Askush nuk më urdhëron
fjalën time t’ia blatoj
ndonjëherë atdheut –
tha këmbësori.
– As vet atdheu im…
Ndoshta
kjo është e vërteta jote –
i tha frymori i dytë këmbësorit.
Sa të vërtetë jeni ! – u tha atyre
frymori i tretë, kudo përhera
më pararendës se ata
aq i (pa)dukshëm
i gjithi para syve
të ecejakeve
të tyre.
Ky është atdheu?-
u habitën frymorët.
Atdheu ynë është… jo ndoshta…
7.
Mure të tejdukshëm prej guri
Gurë të tejdukshëm
plot erëra,
qivuret prej pluhuri,
hija tretur
dherash.
Deti
gjysma korb
dhe gjysm’ pëllumb,
Mali
ende gjuan
malin me plumb.
Tjetër kund humbsha,
mos humbsha
tjetër kund…
8.
Ooo, ma ktheu mëndjen gjumi…
Mos ngrys me mua – më tha,
flatro tek majat e zulmit.
Ooo, sapo ma nxiti hapin gjurma,
Me furtunat vrapo – më tha
mua më zenë urnat.
Rri me ne dhe ca
tutje është
e vona…
Oooo, ma zgjati krahun deti,
ndoshta deti …
përgjithnjë
Vlora…
9.
Përhera e kam dashur
pa iu lutur askujt
të më mbaj afër
veç prindërve…
Më pak e kam dashur
kur më ka zhgënjyer.
Kush më ka zhgjënjyer?
Atdheu im?!
Ooo,
ç’psalm qënkam
pa bekim perëndish!
10.
Qeshin ngazëllimet
era ngashërehet
vala ngadhnjen
lumturon, trishton ende korriku…
ndër poetët e parë e të vonë
ndoshta shumë i ndezur
më i pafikur.
Kopshtet e yjeve përflakur
qershitë e plot yjeve
s’i vjel askush,
diku e diku… në Vlorë,
ku tjetër kund?!
Lumturon, trishton ende korriku…