Premtimet e institucioneve për “karbon-neutralitet” dhe agjendën ekologjike, krejtësisht të shkëputura nga realiteti i Kosovës
Ismet Hajrullahu
Premtimet e institucioneve në Prishtinë për “karbon-neutralitet” dhe agjendën ekologjike duken krejtësisht të shkëputura nga realiteti i Kosovës. Ndërsa në letër plotësohen kriteret për të kënaqur partnerët ndërkombëtarë, në terren përballemi me dështimin e një sistemi që nuk mbulon dot as nevojat bazike të qytetarëve. Tranzicioni i gjelbër, në kushtet tona, mbetet një iluzion që thjesht tenton të mbulojë krizën e thellë socio-ekonomike.
Nuk mund të kërkohet ndërgjegjësim mjedisor në një shoqëri ku pothuajse gjysma e tregut operon në të zezë. Kur mbijetesa ekonomike është shqetësimi kryesor, reformat ekologjike humbin kuptimin. Në këtë mes, është e vërtetë që edhe vetë qytetarët shkaktojnë dëme mjedisore duke djegur mbetje plastike apo goma. Por ky veprim, sado i dëmshëm, është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së shërbimeve nga shteti. Njerëzit gjejnë zgjidhje të dëshpëruara sepse institucionet nuk ofrojnë as kontejnerë, as ngrohje të përballueshme dhe as nuk marrin mundimin të penalizojnë ndotësit e vegjël apo të mëdhenj. Masat parandaluese janë pothuajse zero.
Problemi më i madh i këtij sistemi është zbatimi selektiv i ligjit, i cili krijon një ndarje të qartë klasore. Ndërsa ndaj një qytetari të thjeshtë mund të ndërmerren masa për gabime të vogla, operatorët e mëdhenj ekonomikë veprojnë të paprekur. Ata shkatërrojnë shtretërit e lumenjve, helmojnë tokën dhe betonizojnë hapësirat publike pa pësuar asnjë pasojë, shpesh të mbrojtur nga interesat politike. Organet shtetërore përdorin një rreptësi selektive që godet të pafuqishmin, duke garantuar amnisti totale për degradimin industrial që zhvillohet nën mbrojtjen dhe financimin e interesave politike.
Ndërtimi i një agjende të gjelbër mbi një strukturë të korruptuar është një mashtrim i destinuar të dështojë. Për sa kohë që informaliteti dominon tregun, strategjitë mjedisore do të mbeten thjesht instrumente burokratike për të zhvatur fonde dhe për të bërë propagandë politike. Pa adresuar mjerimin ekonomik, informalitetin në treg dhe korrupsionin institucional, ky tranzicion ekologjik do të mbetet vetëm një iluzion që tenton të fshehë krizën tonë socio-ekonomike.