Protesta e 64-t radhazi për Zvërnecin në Tiranë
Protestuesit u mblodhën sërish pasditen e kësaj të diele në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e Kryeministrit.
Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në ditën e 64-t radhazi, protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec mblodhi qytetarët para Kryeministrisë prej nga u mbajtën dhe fjalime nga organizatorët dhe qytetarë të zakonshëm.
Një protestuese u shpreh se kërkon që të largohet kryeministri Edi Rama.
“Protestojmë që Rama të dorëhiqet sa më parë. Pensionet janë të vogla, çmimet janë shumë të shtrenjta. Ilaçet i marrim veresi”, tha ajo.
Nje i ri duke iu referuar debatit për reformën administrativo-territoriale, tha se kundërshtimi nuk duhet të kufizohet vetëm te bashkitë që preken nga propozimet.
“Sot protesta po ndodh këtu, dje ndodhi në Poliçan, por mos harroni se këto bashkitë që po shkrihen apo këto gjerat që po na ndodhin nesër mund të jetë prona juaj. Mos harroni dilni protestoni”, tha ai.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore si dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
https://ata.gov.al/2026/08/02/protesta-e-64-t-radhazi-per-zvernecin-ne-tirane