Albspirit

Media/News/Publishing

Auron Tare: “Një tufë lule e munguar për heronjtë e Vidohovës Gusht 1949”

“Një tufë lule e munguar për heronjtë e Vidohovës Gusht 1949”

Dje ishte 2 Gushti.

Një datë që Ushtria Shqiptare do të duhej ta kishte në kalendarin e saj të kujtesës. Dita kur dhjetëra ushtarë e oficerë shqiptarë ranë në mbrojtje të kufirit të shtetit, në një nga momentet më të rrezikshme të pasluftës.

Por, siç duket, drejtuesit e ushtrisë sonë ishin më të zënë duke promovuar dyzet automjete të reja (ende të pakuptueshme për publikun se çfarë përfaqësojnë) sesa duke vendosur një tufë me lule mbi varret e atyre që sakrifikuan jetën për integritetin territorial të Shqipërisë.

Një ceremoni e tillë nuk do të kushtonte asgjë. Mungesa e saj, përkundrazi, kushton shumë në kujtesën kombëtare.

Në një shkrim modest që publikova dje pati edhe zëra kritikë lidhur me përfshirjen e Shqipërisë në Luftën Civile Greke. Historia, megjithatë, nuk mund të lexohet me emocionet e ditës, por me dokumentet e kohës.

Burimet amerikane, britanike dhe greke të deklasifikuara tregojnë se ngjarjet e gushtit 1949, të njohura si “ Operacioni Pyrsos” apo “Provokacionet e Gushtit”, nuk ishin një incident kufitar i zakonshëm. Ato ishin pjesë e një përballjeje shumë më të madhe, që shtrihej përtej Ballkanit dhe ishte një nga frontet e para të Luftës së Ftohtë.

Në tetor 1944, në Moskë, Churchill dhe Stalini ranë dakord që Greqia të mbetej pothuajse tërësisht në sferën britanike të ndikimit. Komunistët grekë, të cilët kishin qenë shtylla kryesore e rezistencës antifashiste, e panë këtë si një tradhti dhe refuzuan të dorëzonin armët. Kështu shpërtheu Lufta Civile Greke.

Qeveria greke, e mbështetur fillimisht nga Britania e Madhe dhe më pas nga Shtetet e Bashkuara, nisi një luftë të pamëshirshme kundër Ushtrisë Demokratike Greke të gjeneralit Markos Vafiadhis. Konflikti zgjati katër vjet dhe u kthye në një nga betejat më të ashpra të Europës së pasluftës.

Në fund të vitit 1948 dhe gjatë verës së vitit 1949, forcat e gjeneralit Markos ishin vendosur në malin e Gramozit, ndërsa prapavijat e tyre ndodheshin në territorin shqiptar. Shqipëria luajti një rol aktiv në mbështetjen logjistike të tyre. Spitale fushore u ngritën pranë kufirit, ndërsa furnizimet me ushqime, municione dhe armatime mbërrinin përmes portit të Durrësit dhe transportoheshin drejt frontit.

Megjithatë, pas prishjes së marrëdhënieve Tito–Stalin në vitin 1948, situata ndryshoi rrënjësisht. Jugosllavia, deri atëherë mbështetësja kryesore e komunistëve grekë, mbylli kufijtë. Ndërkohë, Bashkimi Sovjetik, ndonëse kishte dhënë një ndihmë të kufizuar, vendosi të mos sfidonte marrëveshjen strategjike me Perëndimin për Greqinë dhe nuk ndërhyri drejtpërdrejt.

Pas një rezistence të ashpër në Gramoz, forcat komuniste greke u detyruan të tërhiqeshin në territorin shqiptar.

Në ndjekje të tyre nga pesë divizione të ushtrisë greke, tre brigada kaluan kufirin dhe depërtuan në territorin shqiptar. Pikërisht këtu ndodhën përplasjet me repartet kufitare shqiptare.

Sipas burimeve të kohës, forcat shqiptare arritën të bllokonin rrugët e tërheqjes dhe të kapnin një numër të konsiderueshëm ushtarësh grekë robër. Dokumentet japin shifra të ndryshme, nga rreth 600 deri në afro 800 të zënë rob.

Dokumentacioni shqiptar tregon gjithashtu se njësitë tona kishin urdhër të prerë të mos kalonin kufirin shtetëror, pikërisht për të mos krijuar asnjë pretekst që Shqipëria të akuzohej për agresion.

Ky detaj përputhet me dokumentet amerikane të deklasifikuara, ku thuhet se Uashingtoni ishte i gatshëm të mbështeste një operacion ushtarak grek në territorin shqiptar nëse provohej se ushtria shqiptare kishte kaluar e para kufirin.

Po sipas këtyre dokumenteve, aviacioni grek, i pajisur me avionë amerikanë, përdori bomba me napalm gjatë operacioneve në Gramoz. Disa prej tyre ranë dhe shpërthyen edhe në pyjet e territorit shqiptar pranë Leskovikut.

Këto nuk janë më pretendime propagandistike. Janë fakte të mbështetura në dokumentacion arkivor ndërkombëtar.

Historia e gushtit 1949 nuk është thjesht historia e Luftës Civile Greke. Ajo është edhe historia e ushtarëve shqiptarë që, pavarësisht rrethanave politike të kohës, luftuan dhe ranë duke mbrojtur kufirin e shtetit të tyre.

Regjimet kalojnë. Ideologjitë ndryshojnë. Aleancat treten.

Por varret e ushtarëve mbeten.

Dhe ndaj tyre detyrimi i shtetit nuk është politik por është moral.

Një tufë me lule, një ceremoni e thjeshtë ushtarake dhe një përkulje para kujtimit të tyre nuk do të ishte nderim për një regjim të shkuar. Do të ishte nderim për ata shqiptarë që në gushtin e vitit 1949 dhanë jetën në mbrojtje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

*********

Kapiten Memo Nexhip Bejko

Nëntoger Ferit Naim Bregasi

Novruz Orhan Danaj

Tafil Ferhat Feçanji

Jonuz Bektash Hajdini

Muharrem Sabri Veizi

Fari Nevruz Totolaku

Vangjel Tasi Prifti

Mehmet Ibrahim Muslia

Qazim Haxhi Manka

Ismail Rexhep Iliazi

Shefik Ymer Pitja

Pren Filip Dedja

Abdulla Mustafa Hida

Estref Maksut Bajrami

Shefik Hasan Alçani

Rexhep Ismail Demiri

Tafil Shahin Rolli

Vasil Naum Golemi

Shyqyri Hazis Gërmenji

Taulla Tahir Saliasi

Teki Zenun Kalemasi

Qani Haxhi Rama

Selam Haki Gjoni

Llambi Thanas Ndreka

Hasan Ramazan Gjyzeli

Shyqyri Avdia (Avdyli)

Ibrahim Fetahu

Hasan Ramadani.