Natasha Lako: ‘Kali i Trojës’ në një projekt ligj kundër autorëve të filmit shqiptar
‘Kali i Trojës’ në një projekt ligj kundër autorëve të filmit shqiptar.
Çfarë nuk pritet prej filmit!
Mund të pritet edhe një festë me këngë iso polifonike, e improvizuar rastësisht nga një burrë babaxhan me një zë virtuozi nga Këlcyra, një mokrar dhe një tiranas, që dukej se kishin krijuar një miqësi të re, me regjisorin e filmit Odisea, që edhe kumbiimin e zërit të tyre, kishte filluar ta bënte homerik.
Kinematografia ishte shenja e parë e hyrjes së shqiptarëve në epokën e modernitetit! Tani diçka tjetër presim prej një projekt ligji mbi filmin shqiptar!
E gjithë bota vazhdon të komentojë domethëniet që burojnë prej mesazheve që kapërcejnë nga Homeri deri te aktorët e një filmi të vitit 2026.
Idetë. Zbulimet e çdo studiuesi dhe spektatori. Ndryshimet. Interpretimet.
Si vepër homerike Odisea na mëson se vepra e artit nuk jeton dot pa shtjellimin e fatit njerëzor, pa fokusimin e vazhdueshëm të botës së tij të veçantë dhe personale.
Kjo e bën Iliadën krejt tjetër dhe Odiseun krejt tjetër, si një kapërcim të madh gati epokal. Këtë kapërcim epokal të pasqyrimit të marrëdhënieve njerëzore prej epikes drejt fatit njerëzor, përpiqet të krijojë edhe kinematografia shqiptare.
Letërsia, piktura, muzika, lëvizja koreografike, skulptura deri në trup! Ky art i shtatë që në regjinë e një autori na përcjell mesazhe.
Sot kjo gjuhë shqiptare imazhi, mbrohet me ligj.
Ishte fat, që ligji mbi kinematografinë, u aprovua në shkurt të vitit 1996 në prag të kulmimeve për festën e 100 vjetorit të kinematografisë botërore, kur zëri i kineastëve shqiptarë për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit filmik pas kolapsit të prodhimit shtetëror të Kinostudios iu bashkua zërit të kineastëve të të gjithë botës për garantimin e lirisë krijuese nëpërmjet pavarësisë së institucioneve që marrin përgjegjësitë filmike.
Askujt nuk mund t’i interesojë ligji përveç një grupi të vogël kineastësh por ai mbetet i mirëqenë, vetëm si një shtrat që nuk merret me ide, domethënie, interpretime, të cilat burojnë vetëm nga krijimtaria.
Ka vende që nuk kanë as Ministri Kulture, por vetëm institucione artistike, aq të pavarura sa krijojnë edhe politikat kulturore të një periudhe të caktuar.
Këtë mund ta shprehë po në mënyrë (Universal-e,) edhe një Kristofer Nolan me Odiseun dhe kompanitë promovuese me kalin e tij!
Europa dhe gjithë bota e ka gjetur prej kohësh rrugën për mbrojtjen e artit të shtatë.
Një qeveri, si kjo e jona me çfarëdo lloj projektligji të përgatitur, nuk mund të ndryshojë gjithë kursin e një kinematografie drejt orientimit të shërbimeve, meqe po krijon një epokë të re, të quajtur të “turizmit” po prej saj.
Ndoshta e vetmja ëndërr qeveritare është që t’i japë mundësi ndonjë kompanie filmike të huaj të vijë të xhirojë ndonjë film, ku të gjithë të mbeten të lumturuar, nga peizazhi shqiptar, dhe pse jo le të vijnë t’ia dhurojnë këtë gjithë botës, por asnjëherë kjo nuk mund të mbetet një pronë strategjike e qeverisë shqiptare si një dëshirë për të shtjelluar idetë e saj.
Këtë e zgjedhin vetë autorët e filmit dhe jo qeveria shqiptare ose thjesht një kompani prodhuese që mendon për kanalet e veta financiare.
Qeveria shqiptare ka në dorë vetëm autorët shqiptarë, t’u imponojë vetëm vepra në bashkëpunim si askund në botë madje të stimulojë kompanitë prodhuese, për të shfrytëzuar buxhetin e filmit shqiptar për prodhime të filmave të huaj, në liri të hapur si gjithnjë, po për kanalet financiare, që ka sjellë një mbiprodhim kompanish produksionesh të inisiativave të hapura që mund të punojnë me çdo kënd në botë përveç se me autorët shqiptarë.
Ndërsa filmi kërkon njeriun dhe mishërimin e fateve të tij nëpërmjet krijimtarisë shqiptare mijëra vjet pas curles.
Nuk ka asnjë tagër asnjë qeveri të ndryshojë orientimin e përgjithshëm botëror në garantim të prodhimit kinematografik të vendit të vet.
Prodhim që sigurohet prej emrash të mëdhenj autorësh të çdo vendi.
Të gjitha çuditë e tjera me koncertet a la Kanye West janë vetëm anekse. Anekse dhe mundësi të pafundme të inisiativës së lirë që krijojnë edhe dyert e hapura për bashkëpunime ose prodhime të filmit të huaj në Shqipëri, një rrugë e hapur prej Gianni Amelios dhe Teo Anxhelopusit, në periudhën e krizave të mëdha të trasformimit plot plagë jo vetëm të Shqipërisë, por me plagë edhe më të thella në të gjithë Ballkanin.
Çdo shkelje e rregullave ndërkombëtare dhe çorientimeve ndaj kinematografisë, dhunës dhe detyrimeve qeveritare për të shkelur të drejtat e autorëve për vetë zgjedhjet e metodës së punës së tyre individuale, të qarta për çdo europian por krejt të paqarta, për respektimin e vullnetit të lirë të çdo autori që në draftet e para të pavarësisë së krijimit të një vepre filmike, veçanërisht për filmin autor i cili kalon vetëm garat e mëdha të gjykimeve të kualifikuara.
Mund të jenë të tepërta hollësitë ligjore, për një publik që sytë i ka vetëm para ekranit dhe jo në prapaskenat e tij, por jo rastësisht kinematografinë shqiptare e mbron e gjithë bota.
Aq e fuqishme është mbrojtja e ekranit të madh dhe e fjalës FILM sa tregimi i historisë njerëzore prej storytelling drejt screen story të mbrojtura në çdo ligj si çdo shenjtëri e fjalës film, që nga emërtimi i Instituti Suedez i Filmit, Institutit Britanik i Filmit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Franceze etj deri te ligji i Zelandës së Re mbi Kinematografinë, deri në qendrën koreane të filmit, ku mbretëron po kjo fjalë e ngrohtë ‘domestic movie’, filmi vendas, gjë që e ka bërë një prej kinematografive më të zhvilluara të sotme.
Për saktësi Koreja e Jugut për filmin me bashkëprodhim, përcakton vetëm një 30 % të fondit të vet të përgjithshëm buxhetor për filmin ndërsa për kinemate qëndron detyrimi që në çdo kinema 20% të filmave të ditës të jenë filmat koreane.
Vetë koreanët kanë zgjedhur të mbështeten për ecurinë e tyre kinematografike te ligjet gjermane mbi kinematografinë.
E arrin apo jo këtë prodhimi i filmit shqiptar është çështje tjetër.
Për mua fytyra e një ylli të ri kinemaje shqiptare, pas shfaqjes së parë në ekran nuk do të presë përsëri të shfaqet në rolin e ‘ijeve’ tradicionale shqiptare.
Këtë përgjegjësi sipas këtij ligji e merr ‘Agjencia Kombëtare Kinematografike Audivizuale’, kryeqendra e ëndrrave qeverisëse shqiptare, të qendisura nga “kush e se kush” që prek interesat direkte të autorëve shqiptarë.
Nuk flitet që për buxhetin e filmit shqiptar sipas këtij projekt ligji është vendosur sistemi i vjeljes së taksave prej kompanive private të lidhura me komunikime të tjera në varësi gjithnjë e më tepër të një burimi krejt privat për një krijimtari publike, që mbetet kështu gjithnjë e më tepër peng i buxheteve të papërcaktuara.
Rrjedhimisht filmi shqiptar vazhdon sipas këtij projektligji të mbetet edhe më i pasigurt, në krahasim me çfarë i premtohet sipas po të këtij projektligji, mbështetjes së filmave të prodhimit të huaj.
Ndërsa filmi vazhdon të krijohet prej njeriut për njeriun.
Çdo prishje ekuilibri në dëm të krijimtarisë së në vend,i sjell vetëm shterje.
Sepse përderisa talenti shqiptar lind ditë për ditë në një proces të vazhdueshëm krijues muzikë, letërsi, picturë, koreografi, arkitekturë dhe çdo art, respektivisht këto i përfaqëson bashkërisht potenca e artit të shtatë.
Dihet se historinë e çdo kinematografie e krijojnë autorët e saj.
Projektligji i ri vijon me goditje të përqendruar sulmin ndaj artit shqiptar, të cilit prej vitesh i është goditur çdo autoritet.
Rruga hapet jo vetëm drejt shterjes krijuese, nuk mund të quhet vetëm eksperiment, por tentative për largim edhe prej vetë Europës, ndoshta edhe prej të gjithë botës ku kinematografia ekziston derisa sa ekziston kjo dëshirë për të krijuar nga e para një ligj të ri që nuk do të jetë më vetëm i kinematografisë.