Albspirit

Media/News/Publishing

Vendimi i gjykatës amerikane mund të ndikojë te vizat e emigrimit për shqiptarët

Një vendim i një gjykate federale në Shtetet e Bashkuara mund të ndikojë procesin e përpunimit të vizave të emigrimit për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë, pasi gjykata ka kundërshtuar politikën e administratës amerikane për pezullimin e shqyrtimit të vizave për qytetarë nga 75 vende.

Në vendimin e datës 31 korrik, gjyqtari federal Amit Mehta arriti në përfundimin se politika e njohur si “Public Charge Policy”, e miratuar nga Departamenti i Shtetit, tejkalon kompetencat ligjore të këtij institucioni sipas Ligjit për Emigracionin dhe Shtetësinë.

Politika kishte hyrë në fuqi më 21 janar 2026 dhe parashikonte pezullimin ose refuzimin e shqyrtimit të vizave të emigrimit për shtetasit e vendeve të përfshira në listë, mes tyre Shqipëria dhe Kosova. Qëllimi i saj ishte vendosja e procedurave të reja për vlerësimin nëse aplikantët mund të bëheshin përfitues të ndihmës sociale në Shtetet e Bashkuara.

Sipas gjykatës, vendimmarrja për miratimin ose refuzimin e vizave u takon oficerëve konsullorë, ndërsa sekretari i Shtetit nuk ka kompetencë të vendosë kufizime të përgjithshme ndaj një kategorie të tërë aplikantësh.

Megjithatë, vendimi nuk nënkupton automatikisht anulimin e plotë të politikës për të gjithë aplikantët nga 75 vendet e prekura. Gjykata ka urdhëruar që rasti i paditësve konkretë të rishqyrtohet individualisht brenda 60 ditëve.

Ekspertët e emigracionit vlerësojnë se vendimi mund të hapë rrugën për rishikim të mënyrës së zbatimit të kësaj politike, por ndikimi i tij i plotë te aplikantët shqiptarë do të varet nga hapat e mëtejshëm ligjorë dhe administrativë të autoriteteve amerikane.