Albspirit

Media/News/Publishing

TRI POEZI PËR GJERGJ KASTRIOTIN-SKËNDERBEUN

Përktheu: Luket Hasaj

Poezi nga Giovan Battista Marino

Poeti i madh napolitan Giovan Battista (Giambattista) Marino, autor i përshkrimeve të figurave heroike, në veprën e tij “La Galeria”, e botuar në vitin 1620, i ka kushtuar një poezi Gjergj Kastriotit:

Vetëm falë krahëve t’fuqishëm t’mi

me një Aleksandër t’ri krenohet Epiri

n’betejë luftëtari, egërsira n’gjueti

do ndiejë trimërinë time t’mahnitshme.

Vetë emri dhe f’tyra u kall lemeri’

barbarët të tmerruar marrin arratinë,

pa zhveshur shpatën, pa hedhur shigjet’

shpesh më shumë se dora, shikimi i vret.

Sonet nga Edmund Spenser

Edmund Spenser, një nga poetët më të shquar të gjuhës angleze, i njohur për kryeveprën e tij “Faerie Queene” (Mbretëresha e Zanave), një poemë epike që i thur lavde dinastisë së Tudorëve dhe Elizabetës I, shkroi një sonet për Skënderbeun që thuhet se është edhe krijimi i parë letrar për figurën e Gjergj Kastriotit në letërsinë angleze. Këtë sonet e solli në vitin 1596 Zachary Jones kur botoi në anglisht të përkthyer nga frëngjishtja veprën e Marin Barletit: “The History of George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania” (Historia e Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbe, Mbret i Arbërisë).

Pse mburret kot lashtësia kaq fort

me monumentet e moçme të burrave të mëdhenj,

dhe heronjve që me vepra lavdiplot’

mahnitën botën, edhe fëmijëve ua rrëfejnë?

Me zulmën e tyre të gjithë habiten,

statujat e tyre dhe kolosë madhështorë admirojnë,

harqe triumfi që ata ngritën,

piramidat vigane që qiejt kërcënojnë.

Ja ai që koha e mëvonshme n’dritë e qiti,

mes të mëdhenjve, krahas më t’madhit shkon

i madh në emër, pushtet e fuqi,

një fron triumfi meriton.

Kamxhik për turqit, gjëmë për armiq pa besë e fe,

për bëmat e tua flet ky libër, o Skënderbe.

Sonet nga Gabriele Faerno

Humanisti dhe shkrimtari italian i shek. XVI Gabriele Faerno, i njohur edhe me emrin e tij latin Faernus Cremonensis, i kushtoi një sonet Gjergj Kastriotit, me të cilin mbyllet jetëshkrimi i Kryeheroit tonë nga Paolo Xhovio te vepra e tij “Elogia virorum bellica virtute illustrium”:

Brenda varrit tënd o Gergj u mbyll

shkatërrimi i turqve, tmerri i otomanëve

dhe mbrojtja e Epirit,

por eshtrat dhe hiret e tua anembanë

në shumë vende u shpërndanë.

Gjymtyrët e tua o Hero nën dhé nuk prehen,

se turqit në varr s’i lanë;

Emri yt zulmëmadh aq shumë mori dhenë,

sa kur ike n’amshim,

trupin tënd, të thyer copë e grimë,

e ndanë armiqtë e tu, që të fitonin guxim.

Trimëria, që tjerëve u jep një varr përherë,

të la pa varr, e po ajo me ata armiq të egër

të dhuroi më shumë lavdi e nder.