Qeveria shqiptare kritikon Zelenskin për herë të parë që nga lufta Rusi-Ukrainë
MPJ për deklaratën e Zelenskit kundër Kosovës: Çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”
Tiranë – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte në Serbi ku pavarësisht mbështetjes që Kosova dhe Shqipëria i kanë dhënë, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Zelenski deklaroi se jo vetëm nuk e njeh pavarësinë e Kosovës por e cilësoi atë si një territor serb kur u shpreh:
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Deklarata pasoi sot një qëndrim zyrtar nga ministria e Jashtme e Shqipërisë. Për herë të parë, qeveria shqiptare u shfaq me nota kritike ndaj Zelenskit duke shfaqur kështu thyerjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
MPJ tha se ka mbështetur dhe vazhdon ta bëjë, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, por kjo nuk do të thotë se nuk është po aq fort, mbështetëse e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.
Këtu vjen dhe “dushi i ftohtë” për Zelenskib: “Çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”.
MPJ vë në dukje se “rasti i Kosovës qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe ligjore” dhe kujton një fakt të rëndësishëm: “Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte e prerë: Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare”.
Njëkohësisht ministria jonë e Jashtme evidenton dhe se “agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një çështje krejtësisht e ndryshme. Ai përbën një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.
Gjithsesi MPJ përpiqet të justifikojë më tej në deklaratën e saj, presidentin Zelenski kur thotë se vizita e tij në Serbi ka në fokus interesat e Ukrainës dhe shton: “Kjo është e kuptueshme dhe legjitime. Po ashtu, çdo hap që ndihmon Serbinë të largohet më tej nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe t’i afrohet Evropës është pozitiv”.
Megjithatë, më tej vijon kritika: “Por çdo angazhim është gjithashtu një mundësi për të çuar përpara një mirëkuptim themelor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa”.