Prof. Skënder Aliu, zbulues i rrallë i pasurisë mijëravjeçare të historisë shqiptare
Kujtim Nuro
Me rastin e 90-vjetorit të datëlindjes së tij
Sot, një falenderim, mirënjohje dhe urim i veçantë i takon qytetarit të denjë, intelektualit, mësuesit, historianit, ciceronit, arkeologut të shquar, të diturit, birit të Kolonjës, prof. dr. Skënder Aliut. I lindur më 11 Gusht 1936, në një prej familjeve atdhetare dhe arsimdashëse të fshatit të njohur Qesarakë të zones plot tradita të Shënmërtirit, i arsimuar në vendlindjen e tij dhe në Universitetin e Tiranës, i përkushtuar në rrugëtimin e jetës dhe të shkencës duke qenë ato gjithmonë të shenjta, ai në këtë 90-vjetor, është intelektuali që me punën, vetmohimin, sakrificat që ka bërë, jo vetëm që ka shkruar historinë e krahinës së Kolonjës, por edhe vetë ka bërë historinë e një intelektuali dhe shkencëtari model si dhe frymëzuesi për brezat e rinj. Prandaj, ai e meriton, që shtëpia ku ai ka lindur, është rritur dhe edukuar të jetë një shtëpi muze, ku të gjithë do të kenë shumë për të mësuar për jetën dhe veprën e këtij punëtori të madh të shkencës shqiptare.
Kushdo që ka qenë nxënës i tij, kushdo që ka shkuar të vizitojë muzeun e Kolonjës, edhe pse kanë kaluar dekada, zërin dhe elokuencen e veçantë të të folurit dhe të spieguesit, mësuesit dhe ciceronit të profesor Skënderit, e ndjen dhe e parafytyron edhe sot.
Prof. Skënder Aliu, nëpërmjet kërkimeve të tij të shumta dhe të pandërprera arkeologjike, fillimet e të cilave kanë qenë që kur ai ishte student, ka mundur të rindërtojë, të hedhë dritë për të kaluarën shume shekullore të të parëve tanë në vendbanimet e Korçës, në Apolloni, në Gajtan të Shkodrës dhe veçanërisht në vendbanimet aq të pasura që prej periudhës së neolitit të hershëm, të bronxit dhe të hekurit në Borovë, Kamnik, Luaras, Prodan, Psar, Rehovë, Shtikë etj.
Ai është një bashkëudhëtar e bashkëkohës i nëntokës aq të pasur të “minierës” së Pllajës së Kolonjës, i cili këtë histori dhe kulturë të lashtë të saj na e ka rrikthyer ne në jetë, të gjallë, nëpërmjet objekteve dhe stolive që ka gjetur në tumat e lartëpërmendura. Ashtu siç i kanë adhuruar të parët e atyre që i kanë vendosur në varreza për të afërmit e tyre, ashtu i ka adhuruar dhe i adhuron edhe prof. Skënderi këto objekte dhe stoli. Edhe kur ai ka gjetur një qeramikë të thyer apo varëse të dëmtuar, arkeologu yne është gëzuar, sepse ato kanë një vlerë historike të çmuar dhe të pazvëndësueshme.
Vlera e tyre është e pakrahasueshme për historinë e vendodhjes ku ajo qeramikë e thyer është gjetur në krahasim me një varëse apo unazë floriri e ndodhur në vitrinat e argjendarisë së sotme. Por, prof. Skënderi edhe ndjen pikëllim, kur sot shikon që ndërtimet e objekteve të ndryshme fillojnë pa u kryer më pare kërkimet arkeologjike, që duhet të jete standarti nr. 1 i fushës së ndërtimit. Duhet një njeri i veçantë për t’i gjetur objektet arkeologjike, për t’i intepretuar dhe për t’ia paraqitur ato publikut dhe botës akademike. Dhe ky njëri I veçantë është prof. Skënder Aliu, që ka ditur t’i kryejë në nivelin më të lartë detyrat e emisionit të tij, arkeologut, sepse tek ai kanë bashkëjetuar më së miri gjatë gjitha jetës dhe punes së kryer cilësitë që duhet të këtë një arkeolog: durimi, këmbëngulja, vullneti dhe dija për të analizuar dhe përgjithësuar.
Ai është ndjerë gjithmonë i lumtur, sepse ka patur gjithnjë një kureshtje të pashuar dhe dashuri për të zbuluar dhe për të na dhënë të gjithë neve kronologjine e atyre periudhave, historinë dhe kulturën shumë shekullore, e cila ndodhej në nënshtresat e tokës së vendlindjes sonë, Kolonjës. Prof. Skënder Aliu është dhe do të jete një nga zbuluesit e rrallë të nëntokës së kësaj treve, një nga arkeologët e shquar të shkencës së arkeologjise shqiptare dhe më gjerë. Dhe në këtë90 vjetor të datëlindjes së tij i urojmë veçse shëndet, jete të gjatë, ditë të lumtura dhe gëzimi gjithmonë së bashku me familjen dhe të afërmit e tij të dashur.