Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Arkivoli prej letre

Gjithandej pluhura, pluhurosur aq shumë sa udhës s’i dukeshin as sytë, as vetullat. Gropa, gunga dhe pellgje i afroheshin e i tinëzonin njera-tjetrës qytetthit nxirë, nxirë shpifur.

– Si the? Nxirë e shpifur? Mbylle gojën! Ky është qytetth minatorësh, pra, qytet i proletarëve.

– I proletarëve të pikur.

– Si the? Të pikur? Po i mbyll veshët. S’dëgjova asgjë.
*
Po vjen, po vjen?- thërriste turma. Kush po vinte? Nga po vinte? Nga udha pra, nga gropat. Por askush s’po vinte ende, akoma pritej… por nga e dinin të gjithë se do vinte dikush, dikushi që s’njihte këtu askënd?
Të këputurit po ngjiteshin lart nga nëntoka. Nga nëntoka ngjiteshin lart lodhja, uria, frika e shembjes.

– Shpëtuam edhe sot, shpëtuam – tha një zë i trashë, i bjerrur e i drojtur.

– O Zot, çfarë errësire aty poshtë…

– Cili zot? Ç’do zoti këtu? Ç’është zoti?
S’dëgjova gjë, dëgjova sikur s’dëgjova.
Shtëllunga hapi krahët gjithë dredha e kërcunj, i mbështolli mirë e mirë kokekëmbë proletarët e fundit, sikur ua përpiu fjalët “nxirë e shpifur”, la mënjanë Zotin ose më mirë nuk e gjeti asku’ dhe ngadalë u tret tutje-tutje.
*
Njeriu zbritur nga makina, gjithë gongalla dhe rrotarrjepur po rrinte në mes te sheshit qarkuar nga disa ngrehina të mvrenjtura e të mavijosura. Askush s’e priste, e prisnin, por pa asnjë fjalë të ngrohtë, pa asnjë shtrëngim duarsh veç me një tundje të lehtë koke të stilit proletar.
I sapoardhuri nxorri nga xhepi i xhupit të vet një shishe uji dhe e piu nxituar. I shkrumbonte gjuha.
Gjithçka shkrumb nga dielli përvëlues. Diellit vet s’po gjente një burim të freskohej. Të sapoardhurit iu afruan dy njerëz me fytyra të ushqyera mirë.

– Mbërritët… – foli ftohtë burri i parë.

– Sapo mbërrita – iu gjegj i ardhuri.

– U vonuat… – i tha frymori i dytë.

– Eh, rrugë e gjatë, e keqe…

– Rrugë jo aq e keqe – i foli burri i parë, -por ju vini nga kryeqyteti kështu që… Këtu jetojmë ne. S’jetojmë keq.
Ky proletar ështe atdhetari i parë që tradhëtonte veten pa e ditur se e vërteta diku tjetër gajasej. Gajasej tek mendja e të sapoardhurit.
*

– Ç’dreq ngrehine kjo, – mendoi burri ardhur nga larg. – Si një kolibe qensh. Sa i pagjumë jam…
Librat i rrinin përpara syve të zhubrosur, ca të shqepur e të shqyer, të shkelur.

– Shpëtuat, të mirët e mi, shpëtuat…
Kujt i foli njeriu me kaq dhemshuri? Librave? Ata, sot, janë shurdhmemecë në këtë qytet’th me rreze dhe rrezik proletar. Kush do i lexonte, kush?
Dhe nëse librat nuk shfletohen ata pak nga pak humbin shikimin, dëgjimin, verbin e shkruar.
Mbrëmë, gjer vonë, pas mesnatë ai u mundua t’i qetësonte librat. Edhe atyre u dhimbtte shpina, edhe ata donin sa më shpejt të shplodheshin.
*
Vetëm fëmijtë e këtij qytet’thi i qeshën këtij njeriu kur erdhi. Vetëm ata e ndihmuan njeriun për të mbart
librat gjer tek kapanoni duke mos kuptuar se ata kështu ndihmuan jo vetëm librat, por edhe personazhet e tyre të mos flinin jashta natën tharë nga të ftohtit, gris’ nga era, squll nga shiu i papritur.
Natës, dikush, i derdhi qiri të shkrirë në vesh. Kush? Pse ? Nata s’bëzajti, nata veç ulëriu sa iu çpua timpani aq keq sa s’e mori veten gjer në mëngjes.
Këtu askush s’lexonte. Këtu lexohej pak. Fëmijtë e shkollave flakëronin nga lojnat me rrasa e plasa, njerëzit e nëntokës nxinin nga uria e lumtur, mamija dergjej vet në shtrat, klubi priste kupona mence dhe më rrallë shumë rrallë bileta kinemaje. Qytet’thi luante shah, domino, pinte raki, mbllaçitej e villte.
Vendaliu më i ri, u afrohej pa droje njerëzve, u tundtte lehtë kokën, tek-tuk ndonjë prej tyre ia kthente ftohtë, kalimthi, nxituar përshëndetjen. Përhera mbante dy-tri libra me vete, i shfletonte pak, lexonte duke ecur.

– Ky qenka i rrjedhur – foli njeriu veshur me mushama.

– I rrjedhur, i parrjedhur por ai di të lexoje kurse ne memzi hedhim firmën tonë – foli tjetri çizme rrjepur.
Pak, shumë pak njerëz i afroheshin këtij dituraku. Tepëronin dy-tri gishta po t’i numëroje. Merrnin ndonjë libër, e kthenin edhe të njollosur.
Dituraku, rreth të shtatëdhjetave, nuk dilte kurrë pa libër nga ngrehina. Njihte ca nga shkrimtarët e këtyre librave qysh në fëmijëri. Ku jetonin tani ata? Ca të gjallë e ca… Jo, jo, nuk ka shkrimtarë të vërtetë të vdekur. Besojeni këtë!
Mërzia po ntrashej tek njeriu i lexuar. Ai ulej tek mensa, pinte kafe, përkulte kokën mbi libër një kohë të gjatë. E harronte Librin aty, bënte sikur e harronte. Ia kthenin të nesërmen, s’ia kërkonte kush për ta lexuar, sadopak.
O, qytet’th i palexuar, qytet qymyri, kush e ka fajin për analfabetizmin tënd në kohën e mendjes – shpejtësisë më reaktive ? Asnjë faj nuk është i yti.
Vendaliu më i ri filloj të nxirrte çdo ditë libra nga vandaku i tij. I shpërndante gjithandej, tek dega e një peme, tek guri më kokëmadh natyror, dy tre libra ia dha banakierit për vajzën e tij studentë filologjie.
Disa fletë libri i vërviti në ajër mbi ujërat e lumit, i vinte keq që po lageshin, po squlleshin, po iknin arratisur, po të paktën peshqit diçka do lexonin, diçka do të lexonin pemët, zajet e zogjtë.
O marrëzi e njeriut, ti vdes e jeton mes librave!…
Vendaliu i ri, pak nga pak, po ikte nga kjo jetë bashkë me Librat. U shtri në mes të ngrehinës, zgjati gishtat andej-këndej, merrte Libra, Libra, Libra, mbulonte veten në frymën e fundit…
Në këtë qytet’th, në vendin tonë prej rrezesh e prej rreziku, ndoshta dhe në botë ky ishte dhe është i vetmi arkivol prej letre.