Julika Prifti: In memoriam, xhaxhai im Peter!

Më 17 gusht, 16 vite më parë u nda nga jeta Peter Prifti, xhaxhai im.
Sot në arkivin e familjes në atdhe, gjeta njê “letër” të shkruar gati 40 vite të shkuara.
Menjëherë mê erdhën në mendje bisedat e ëndrrat e mia, të cilat nuk kisha frikë t’ia zbuloja. Isha e sigurtë se nuk do të qortohesha, apo të shikohesha si një shqiptare jo patriote apo tradhtare…
Me xhaxhanë shprehesha lirisht për dëshirat e ëndrrat e mia, ndoshta të rrezikshme për Shqipërinë e viteve ’80. Dëshira ime më e madhe ishte te dilja njëherë jashtë shtetit e të vizitoja qoftë edhe vetëm një vend tjetër evropian: Itali, Greqi, Francë, Spanjë…
Vende që ai i kishte parë e vizituar më shumë se njëherë e nga ku na kishte dërguar kartolina të bukura. Ato ishin për mua si dritare të një botë të paarritshme, qē unë nuk e njihja.
Në në nga këto biseda tregova dëshirën për të mësuar anglisht.
Xhaxhai me ofroi ndihmën e tij duke më premtuar se çdo muaj do të më dërgonte një shkrim të shkruar në anglisht, që unë do të mund ta lexoja dhe ta kuptoja. Ky premtim m’u duk shumë intrigues. Si do të mundja unë, në fillimet e mia të mësimit të gjuhës të arŕija këtë rezultat?
Koha tregoi se ai pati të drejtë.
Sot në arkivin e familjes gjeta një nga këto shkrime të dërguar gati 40 vjet të shkuara.
Ishte një emocion i veçantë ta gjeja në këtë ditë, 16 vite pas largimit të tij nga kjo jetë.
Ky shkrim për qiellin e mbrëmjes më pëlqeu shumë atëhere edhe më pelqeu po aq edhe sot. Ishte një prozë e bukur poetike, jo vetēm për dikë që sapo ka filluar të mësojë anglisht, por për këdo që e njeh mirë gjuhën dhe di të vlerësojë bukurinë e fjalës.
Një letër e vogël e ruajtuar për kaq shumë vite, që sot më solli pranë kujtimin e tij, bisedat e shkuara, dashamirësinë me të cilën ai më nxiste të mësoja, të endërroja dhe të shihja përtej asaj që njihja, pavarësisht se ku jetoja. Faleminderit xhaxhi Pando! Për letrën, kujtimet, kujdesin e treguar e pēr gjithë atë pasuri politike, kulturore, letrare, filozofike, gjuhësore që le pas për të gjithë popullin tonë.
Jam e bindur se një ditë, kur vepra jote të njihet edhe më shumë në Shqipëri e Kosovë do të dalë plotësisht në pah puna jote kolosale per kombin tonë . Na mundon, por fjalët dhe vepra jote vazhdojnë të jetojnë.