Ylli Asllani: Libohova nuk duhet të shkrihet
Ka raste në të cilat një reformë territoriale mund të duket e thjeshtë në hartë, por të jetë shumë më e ndërlikuar në jetën reale. Bashkia Libohovë është një prej tyre.
Nëse do ta shohim Libohovën vetëm përmes numrit të banorëve, mund të arrijmë lehtësisht në përfundimin se ajo është një bashki e vogël dhe, për këtë arsye, një kandidat për t’u shkrirë. Por një reformë serioze administrativo-territoriale nuk mund të ndërtohet mbi një tregues të vetëm statistikor.
Nëse reforma e vitit 2026 synon të korrigjojë mangësitë e reformës së vitit 2014, atëherë duhet të bëjë pikërisht këtë: të mos përsërisë gabimin e matjes së funksionit territorial vetëm me madhësinë demografike.
Në rastin e Libohovës, pyetja nuk duhet të jetë: Sa banorë ka Libohova?
Pyetja e drejtë është: Çfarë humbet territori i Libohovës, çfarë humbin qytetarët dhe çfarë humbet zhvillimi i Jugut nëse Libohova humbet statusin e saj si njësi e vetëqeverisjes vendore?
Nga këndvështrimi im profesional, përgjigjja është e qartë:
Libohova nuk duhet të shkrihet. Ajo duhet të ruhet, të kategorizohet si bashki e vogël strategjike dhe të fuqizohet.
- Një numër i vogël banorësh nuk do të thotë një territor pa rëndësi
Censusi i vitit 2023 regjistroi 2,765 banorë në Bashkinë Libohovë, kundrejt 3,667 banorëve në vitin 2011. Pra, gjatë kësaj periudhe territori ka humbur rreth 24.6% të popullsisë.
Ky është një fakt shqetësues dhe nuk duhet relativizuar. Por pikërisht këtu fillon analiza.
Rënia e popullsisë është problemi që duhet të zgjidhë reforma; ajo nuk mund të përdoret automatikisht si arsye për të eliminuar bashkinë, e cila në fakt duhet të ndihmojë në zgjidhjen e tij.
Nëse një territor po zbrazet, përgjigjja nuk mund të jetë thjesht largimi i qendrës së vendimmarrjes nga ai territor. Përkundrazi, duhet pyetur:
- Si do të rikthejmë aktivitetin ekonomik?
- Si do të rrisim punësimin?
- Si do të zhvillojmë turizmin?
- Si do të përdorim tokën dhe burimet ujore?
- Si do të krijojmë kushte për rikthimin e emigrantëve?
- Si do të mbajmë të rinjtë?
- Si do të garantojmë shërbimet pranë qytetarit?
Pra, problemi i Libohovës është shpopullimi, jo ekzistenca e Bashkisë Libohovë.
Madje, eliminimi i bashkisë mund të krijojë një cikël të ri negativ:
më pak banorë → më pak aktivitet → më pak shërbime lokale → më pak tërheqje territoriale → më shumë largim.
Kjo është pikërisht ajo që një reformë e re duhet të shmangë.
- Libohova është territor, jo vetëm popullsi
Bashkia Libohovë ka një sipërfaqe prej rreth 248 km², tri njësi administrative dhe 17 fshatra. Dendësia e saj është rreth 11 banorë për km².
Kjo do të thotë se kemi një territor relativisht të gjerë, me popullsi të shpërndarë, me zona rurale dhe malore, me rrjet rrugor, tokë bujqësore, pyje, kullota, burime ujore, monumente kulture dhe potenciale turistike.
Prandaj kostoja e qeverisjes së Libohovës nuk duhet matur vetëm me: “Sa banorë ka?”
por edhe me: “Sa territor duhet të administrojë dhe sa kushton t’i ofrosh shërbim këtij territori?”
Një kilometër katror urban nuk ka të njëjtën kosto administrative me një kilometër katror malor, ku banorët jetojnë në fshatra të shpërndarë dhe ku infrastruktura duhet të mirëmbahen në distanca të mëdha.
Kjo është arsyeja pse një formulë moderne e financimit vendor duhet të marrë parasysh jo vetëm popullsinë, por edhe:
- sipërfaqen;
- dendësinë;
- numrin e fshatrave;
- distancat;
- karakterin malor;
- kostot e shërbimeve;
- nivelin e zhvillimit;
- shkallën e depopullimit.
- Libohova ka një funksion territorial që tejkalon kufijtë e saj administrativë
Një nga argumentet më të rëndësishme, sipas meje, është se Libohova nuk duhet të shihet si një ishull administrativ.
Ajo është pjesë e një hapësire funksionale që lidh:
Gjirokastrën – Libohovën – Dropullin – luginën e Drinos – Zagorinë – Përmetin – hapësirën e Vjosës dhe kufirin me Greqinë.
Vetë pozicioni i saj, rreth 11 km nga Gjirokastra dhe 24 km nga Kakavija sipas të dhënave të Bashkisë, e vendos Libohovën në një nyje të rëndësishme të Jugut.
Kjo do të thotë se kufijtë administrativë nuk përputhen domosdoshmërisht me kufijtë realë ekonomikë, socialë dhe turistikë.
Dhe pikërisht këtu duhet të shkojë reforma moderne:
jo të zgjerojë domosdoshmërisht bashkitë, por të identifikojë zonat funksionale dhe të krijojë mekanizma bashkëpunimi ndërmjet tyre.
- Libohova është e rrethuar nga një pasuri turistike dhe kulturore e jashtëzakonshme
Libohova ka një potencial turistik që, sipas mendimit tim, është ende i nënvlerësuar.
Në territorin e saj dhe në hapësirën funksionale që e rrethon gjenden disa nga pikat më interesante të trashëgimisë së Jugut.
Labova e Kryqit
Labova e Kryqit është një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë bizantine në Shqipëri. Agjencia Kombëtare e Turizmit e paraqet kishën si një nga monumentet më të vjetra dhe më të veçanta të vendit.
Melani dhe Nepravishta
Në Nepravishtë gjenden Teqeja e Melanit, Kalaja e Melanit, Kisha Paleokristiane dhe burime të rëndësishme ujore. Kjo krijon një kombinim të rrallë ndërmjet trashëgimisë fetare, arkeologjisë, peizazhit dhe turizmit rural.
Adrianopoli
Adrianopoli nuk është monument i Bashkisë Libohovë; por Libohova është pjesë e natyrshme e itinerarit turistik që lidh Adrianopolin me Gjirokastrën, Labovën e Kryqit, Melanin dhe Zagorinë.
Kjo është shumë më e rëndësishme nga pikëpamja e zhvillimit. Turisti nuk udhëton sipas kufijve të bashkive. Ai kërkon një eksperiencë.
Prandaj një politikë e zgjuar do të mund të ndërtonte një itinerar:
Gjirokastër → Libohovë → Labovë e Kryqit → Adrianopol → Melan → Zagori → Vjosë.
Kjo do të rriste:
- qëndrimin e turistëve;
- bujtinat;
- gastronominë;
- guidat;
- artizanatin;
- shitjen e produkteve lokale;
- punësimin;
- të ardhurat lokale.
Pra, Libohova mund të jetë një portë turistike e luginës së Drinos, jo thjesht një destinacion i vogël lokal.
- Libohova ka një kapital historik dhe shtetformues që nuk mund të reduktohet në statistikën e Censusit
Një territor nuk është vetëm popullsia që jeton aty sot. Ai është edhe historia që ka krijuar.
Libohova është e lidhur me figura të rëndësishme të administratës, diplomacisë, jurisprudencës, arsimit dhe shtetformimit shqiptar.
Figurate saj aq të shumta e të shquara të Libohovës, janë pjesë e historisë së shtetit shqiptar dhe dëshmojnë një traditë të veçantë të këtij territori në jetën publike dhe institucionale të vendit.
Kjo trashëgimi duhet të dokumentohet dhe valorizohet si pjesë e një strategjie të turizmit historik dhe kulturor.
Një qytet i vogël mund të ketë prodhuar një kapital kombëtar shumë më të madh se pesha e tij demografike.
Ky është një nga mësimet që duhet të nxjerrim kur flasim për reformën territoriale.
- Libohova nuk është vetëm trashëgimi; ajo ka edhe ekonomi reale
Një tjetër keqkuptim do të ishte ta paraqisnim Libohovën vetëm si një qytet historik dhe turistik.
Libohova ka ekonomi. Bujqësia, blegtoria, artizanati, tregtia dhe aktivitetet familjare janë pjesë e jetës ekonomike të territorit.
Të dhënat e profilit territorial kanë evidentuar rreth 1,586 ferma dhe rreth 2,470 hektarë tokë bujqësore, ndërsa të dhënat më të fundit tregojnë 48 ndërmarrje aktive.
Por ka një element edhe më interesant, të cilin mendoj se duhet ta evidentojmë fort në dokumentin përfundimtar:
banorët e Libohovës nuk e kufizojnë aktivitetin e tyre ekonomik brenda kufijve administrativë të bashkisë.
Ka një ndërveprim të fortë ekonomik me Dropullin, veçanërisht në:
- bujqësi;
- blegtori;
- artizanat;
- tregti;
- shërbime.
Kjo dëshmon se kemi një zonë funksionale Libohovë–Dropull, ku ekonomia reale është më e gjerë se administrimi institucional.
Dhe ky është argument për bashkëpunim, jo domosdoshmërisht për shkrirje.
- Uji është një nga kapitalet më të mëdha të Libohovës
Libohova ka një pasuri ujore që duhet parë si aset strategjik.
Burimet, ujërat sipërfaqësore dhe infrastruktura historike e ujitjes përbëjnë një kapital që mund të mbështesë:
- bujqësinë;
- blegtorinë;
- turizmin;
- furnizimin me ujë;
- ekonominë lokale;
- dhe, në kushte të caktuara, prodhimin energjetik.
Këtu dua të veçoj potencialin e lumit Suha,
me të cilin jam marrë posacërisht si drejtues i Agjensisë ‘AMIV’, së bashku me Prof. Farudin Hoxha, Ing. Bexhet Cobani dhe Agjensinë ‘Humannet’ të Janinës,
Me mbështetjen e programit ‘ European AID’ kemi kryer më vitin 2005 një studim të plotë hidrologjik, energjetik, bujqësor dhe mjedisor për mundësinë e një projekti të integruar HEC-i të Prof. Farudinit i cili do të ofronte:
ujë – energji – ujitje – bujqësis
Ky studim teknik konfirmoi fizibilitetin, e ndërtimit të HEC-it të Suhës, që do të kishte ndikim në një pjesë të rëndësishme të luginës së Drinos dhe do të përmirësonte gjithë potencialet e zhvillimit të zonës!
Më vjen mirë të njoftoj se ky projekt tashmë po ndiqet dhe thellohet më tej prej arkitektit të ri Prof. Erion Cobani
Prandaj Libohova duhet të ketë bashkinë për të qenë aktor i këtij procesi.
Nuk duhet ta humbasim këtë mundësi duke e trajtuar bashkinë vetëm si një njësi me pak banorë.
- Një dobësi fiskale nuk është e njëjtë me paaftësi qeverisëse
Është e drejtë të pranojmë se Libohova ka bazë të kufizuar fiskale.
Të ardhurat e veta janë të ulëta dhe mbështetja nga transfertat kombëtare është e domosdoshme. Por këtu duhet bërë një dallim thelbësor:
Një bashki mund të ketë kapacitet të kufizuar fiskal pa qenë domosdoshmërisht e paaftë për të vetëqeverisur territorin e saj.
Në fakt, në vitin 2024 Libohova nuk rezultonte më në kategorinë e bashkive me problem të rëndë financiar, pas përmirësimit të treguesve të detyrimeve të prapambetura.
Prandaj zgjidhja duhet të jetë: më shumë financim – më shumë bashkëpunim – më shumë kapacitet teknik – më shumë investim.
Jo: më pak bashki.
- Çfarë na mëson Europa?
Këtu mendoj se kemi një argument shumë të forte jo vetëm për Libohovën…!
Nëse do të përdornim një logjikë thjesht numerike, shumë vende europiane do të duhej të kishin eliminuar një pjesë të konsiderueshme të komunave të tyre të vogla.
Por kjo nuk ka ndodhur.
Franca
Franca vazhdon të ketë një numër shumë të madh komunash të vogla. Madje, në vitin 2026, komunat me më pak se 1,000 banorë përbënin rreth 71% të komunave franceze dhe shteti vazhdon t’i trajtojë ato si komuna me qeverisje lokale, duke përshtatur edhe rregullat zgjedhore për karakteristikat e tyre.
Kjo nuk do të thotë se Franca nuk kërkon ekonomi shkalle. Ajo e zgjidh problemin në një mënyrë tjetër:
ruan komunën, por organizon bashkëpunimin ndërkomunal për funksionet që kërkojnë kapacitet më të madh.
Ky është një mësim shumë i vlefshëm për Shqipërinë.
Italia
Italia ka shkuar edhe më tej. Ligji nr. 158/2017 njeh posaçërisht kategorinë e “piccoli comuni”, komunat me deri në 5,000 banorë, dhe parashikon masa për mbështetjen, valorizimin dhe zhvillimin e tyre. Të dhënat zyrtare italiane identifikojnë mbi 5,500 komuna të kësaj kategorie.
Pra, Italia nuk thotë: “Nën 5,000 banorë – shkrihu.”
Ajo thotë: “Nën 5,000 banorë – kërkojnë politika të posaçme.”
Ky është një ndryshim thelbësor filozofik. Pra, mësimi europian është i qartë:
Ekonomia e shkallës nuk kërkon domosdoshmërisht shkrirjen e njësisë vendore.
- Shqipëria mund të bëjë atë që nuk e bëri reforma e vitit 2014
Mendoj se këtu duhet të ishte thelbi i debatit për RAT 2026.
Reforma e vitit 2014 u mbështet fuqishëm në konceptin e konsolidimit territorial dhe krijimit të njësive më të mëdha.
Por një reformë e re nuk duhet të jetë thjesht: “2014 – 15 bashki.”
Ajo duhet të jetë një reformë që korrigjon filozofinë.
Duhet të kalojmë:
nga madhësia → te funksioni;
nga numri i banorëve → te nevojat e qytetarit;
nga shkrirja → te bashkëpunimi;
nga uniformiteti → te asimetria;
nga administrimi i territorit → te zhvillimi i territorit.
Në këtë model, Libohova mund të jetë një “bashki e vogël strategjike”.
- Çfarë do të propozoja konkretisht për Libohovën?
Unë nuk do të mjaftohesha me kërkesën:
“Mos e shkrini Bashkinë Libohovë.”
Do të propozoja një paketë konkrete:
Së pari – Ruajtjen e Bashkisë Libohovë.
Së dyti – Klasifikimin e saj si “bashki e vogël strategjike”.
Së treti – Një formulë të veçantë financimi që merr parasysh:
- territorin;
- dendësinë;
- numrin e fshatrave;
- distancat;
- karakterin malor;
- shpopullimin;
- trashëgiminë dhe funksionet turistike.
Së katërti – Krijimin e një programi të posaçëm kundër shpopullimit.
Së pesti – Krijimin e një programi “Libohova – Qendër e turizmit kulturor dhe rural të luginës së Drinos”.
Së gjashti – Një program për zhvillimin e:
bujqësisë + agropërpunimit + artizanatit + gastronomisë + agroturizmit.
Së shtati – Një studim serioz për potencialin e Suhës dhe menaxhimin e integruar të ujit.
Së teti – Formalizimin e bashkëpunimit funksional Libohovë–Dropull–Gjirokastër–Përmet për projekte të përbashkëta.
Së nënti – Bashkëpunim ndërbashkiak për shërbimet që kërkojnë ekonomi shkalle.
Pra:
Të bashkojmë funksionet kur duhet, por të mos bashkojmë domosdoshmërisht bashkitë.
Ky është, sipas meje, modeli më i arsyeshëm.
- Argumenti kushtetues dhe europian
Kushtetuta e Shqipërisë nuk e përcakton numrin e banorëve si kriterin e vetëm për ekzistencën e një njësie vendore. Neni 108 lidhet me nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike, si dhe me traditën historike, ndërsa ndryshimet e kufijve kërkojnë marrjen e mendimit të popullsisë së prekur.
Edhe Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore e vendos në themel të sistemit:
- autonominë;
- subsidiaritetin;
- kompetencat reale;
- burimet financiare;
- pjesëmarrjen e komunitetit.
Në këtë kuadër, një ndryshim territorial nuk duhet të justifikohet thjesht me një tabelë statistikore.
Duhet të provohet se ndryshimi:
përmirëson realisht qeverisjen, shërbimet dhe jetën e qytetarëve.
Dhe kjo është pyetja që duhet t’i bëhet çdo propozimi për shkrirjen e Libohovës:
A do të jetë qytetari i Libohovës më afër apo më larg qeverisjes pas shkrirjes?
A do të ketë më shumë apo më pak mundësi për zhvillimin e territorit?
A do të rriten apo do të ulen mundësitë për të frenuar shpopullimin?
A do të ketë më shumë apo më pak përfaqësim lokal?
Nëse këto pyetje nuk marrin përgjigje bindëse, atëherë shkrirja nuk mund të konsiderohet reformë.
- Përfundimi im si ekspert
Pas analizimit të dimensionit demografik, territorial, ekonomik, financiar, turistik, historik dhe institucional, përfundimi im profesional është se Bashkia Libohovë nuk duhet të shkrihet në një reformë të re administrativo-territoriale.
Jo sepse Libohova është e madhe. Ajo nuk është.
Jo sepse nuk ka probleme. Ajo ka probleme serioze.
Dhe pikërisht këtu qëndron argumenti.
Libohova është e vogël, por ka nevojë të madhe për qeverisje lokale.
Është e prekur nga shpopullimi, por ka potenciale konkrete për ta frenuar atë.
Ka bazë të kufizuar fiskale, por ka pasuri ekonomike dhe territoriale të pashfrytëzuara.
Ka pak banorë, por administron një territor të gjerë.
Ka një ekonomi të vogël, por me lidhje funksionale që shtrihen përtej kufijve të saj.
Ka një popullsi të reduktuar, por një trashëgimi historike dhe kulturore shumë më të madhe se pesha e saj demografike.
Dhe mbi të gjitha, Libohova ka një potencial të rëndësishëm për t’u shndërruar në një qendër të zhvillimit rural, turistik, kulturor dhe ekonomik të një pjese të rëndësishme të luginës së Drinos.
Prandaj, në vend që të pyesim:
“Pse duhet ta mbajmë një bashki kaq të vogël?”
unë do të shtroja pyetjen:
“Pse duhet të eliminojmë një qendër lokale që mund të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve të territorit?”
Ky është ndryshimi midis një riorganizimi administrativ mekanik dhe një reforme të vërtetë territoriale.
LE TE JETE LIBOHOVA TEST I RAT 2026
Nëse Reforma Administrativo-Territoriale 2026 dëshiron të jetë një reformë moderne, ajo duhet të dëshmojë se ka mësuar nga eksperienca europiane.
Ajo duhet të pranojë se:
Një bashki e vogël nuk është domosdoshmërisht një bashki e dështuar.
Një territor i depopulluar nuk shërohet duke i hequr qendrën lokale të qeverisjes.
Ekonomia e shkallës mund të arrihet përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.
Autonomia vendore mund të kombinohet me kapacitete të përbashkëta.
Madhësia demografike nuk është e njëjtë me rëndësinë territoriale.
Dhe në këtë kuptim, Libohova mund të bëhet një nga testet më të rëndësishme të filozofisë së RAT 2026.
Nëse ne duam një qeverisje vendore:
më pranë qytetarit, më të përgjegjshme, më funksionale, më europiane
dhe më të aftë për të luftuar shpopullimin,
atëherë nuk duhet të fillojmë duke larguar bashkinë nga territori.
Duhet të fillojmë duke e bërë atë më të aftë.
Përfundimi im është i prerë:
Bashkia Libohovë nuk duhet të shkrihet. Ajo duhet të ruhet, të fuqizohet dhe të shndërrohet nga një “bashki e vogël” në një “bashki të vogël strategjike”.
Sepse madhësia e saj demografike është një problem që duhet zgjidhur; ndërsa funksioni i saj territorial, ekonomik, kulturor dhe historik është një pasuri që duhet ruajtur.
Dhe pikërisht këtu duhet të qëndrojë filozofia e një Reformë të re Administrativo-Territoriale:
Jo të shkrijmë territorin për shkak të dobësisë së tij, por ta forcojmë qeverisjen për ta nxjerrë territorin nga dobësia.