Albspirit

Media/News/Publishing

HIMARA SHNDËRROHET NË EPIQENDRËN KULTURORE TË MESDHEUT:  EDICIONI I PARË I EVENTIT “VALART”

Tommaso Garofalo

Nga data 1 deri më 5 shtator, bregdeti i Himarës do të mirëpresë edicionin e parë të eventit “VALART – Himara Mediterranean Wave”, një nismë e organizuar nga Shoqata Artimpulse me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Bashkisë Himarë. Ky aktivitet synon të shndërrojë shëtitoren kryesore të qytetit në një urë komunikimi artistik mes popujve që lagen nga detet Mesdhe, Adriatik dhe Jon, duke zgjatur sezonin turistik dhe duke pasuruar ofertën kulturore të rajonit. Projekti i hap dyert shteteve mesdhetare si Shqipëria, Greqia, Italia, Franca, Spanja, Kroacia, Mali i Zi, Turqia, Egjipti e Tunizia, duke i ftuar të bëhen pjesë aktive përmes filmave, artistëve dhe muzikës së tyre unike.

Programi pesëditor gërsheton projeksionet kinematografike, kinemanë në rërë me netë muzikore plot energji. Mbrëmjet do të marrin jetë përmes një kalendari të pasur artistik, ku interpretimet e këngëve franceze, greke, italiane, turke, shqiptare e më gjerë do të krijojnë një atmosferë të mirëfilltë mesdhetare. Mbrëmja e parë do të çelet me performancën e grupit Niki Band, për të pasuar në natën e dytë me tingujt e duetit me famë evropiane Santi & Tugcke. Nata e tretë skena do i takoje grupit Simbol, ndërsa në natën e katërt skena do t’i përkasë grupit Motel Noir. Eventi do të kurorëzohet në natën e fundit me zërin e këngëtares së njohur Manjola Nallbani.

E gjithë rrjedha e festivalit do të shoqërohet çdo natë nga ritmet e DJ Johny, ndërsa rolin e prezantueseve do ta mbajnë Marsi Qurku dhe Grace Mc Caul, të cilat përveç prezantimit të programit do të ngjiten në skenë edhe për të performuar me disa këngë për publikun.

Përtej anës artistike, kjo nismë mbart një peshë të rëndësishme strategjike me idenë e krijimit të bashkëpunimit institucional me Bashkinë e Barit dhe atë të Brindisit. Ky partneritet do të synoje ne te ardhmen të institucionalizojë lëvizjen e artistëve dhe produkteve kulturore mes Pulias dhe Shqipërisë dhe promovimit të ndërsjellë turistik dhe krijimit të itinerareve të përbashkëta “Kulturë dhe Det”. Gjithashtu, përfshirja e bashkive italiane hap rrugën për aplikime në programet evropiane te financimit duke e kthyer eventin “VALART” nga Artimpulse dhe Bashkia Himarë në një model afatgjatë të diplomacisë kulturore dhe zhvillimit ekonomik lokal.