Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Zavalani: BALLË PËR BALLË ME BISHËN


Mbi librin e Hengameh Haj Hassan

Sot mbaj në duar një libër,
por më duket sikur mbaj
një derë burgu,
një copëz nate,
një grua që ende pret
të dëgjohet zëri i saj.
“Ballë për ballë me bishën”
nuk është vetëm rrëfim i një gruaje
që kaloi nëpër errësirën e burgjeve të mullahëve;
është dëshmia e një shpirti
që refuzoi të vdiste
edhe kur mbi të u mbyllën
dyert e hekurta.
Hengameh nuk shkruan vetëm për veten.
Ajo merr penën si një pishtar
dhe hyn në korridoret e kujtesës,
atje ku ende dëgjohen
hapat e të burgosurve,
britmat e mbytura,
lutjet e pathëna
dhe emrat e atyre
që nuk patën mundësi
të ktheheshin për të treguar.
Ajo shkruan
për Fatin katërmbëdhjetëvjeçare,
që kishte ende në sy
dritën e jetës
dhe në zemër
mallin për nënën.
Shkruan për fëmijët
që rritën pyetjet në vend të lodrave,
për ata që natën pyesnin:
“Çfarë ndodhi me babin?”
Dhe kjo pyetje
mbetet pezull mbi historinë,
si një kambanë
që nuk pushon së rëni.
Por mbi të gjitha,
ky libër është një dëshmi
se liria nuk mund të burgoset përgjithmonë.
Mund të mbyllësh një trup
pas hekurave,
mund t’ia lidhësh duart një gruaje,
mund t’ia trembësh zërin,
mund t’i marrësh ditët,
por nuk mund t’ia burgosësh
ëndrrën për të qenë e lirë.
Sepse ka gra
që edhe në qelitë më të errëta
mbajnë brenda vetes
një agim.
Ka gra
që përballë bishës
nuk bëhen pre e saj;
bëhen dëshmi.
Dhe pena e tyre
kthehet në gjykatë të historisë.
Lexoj dhe mendoj:
sa zëra kanë mbetur ende
nën rrënojat e heshtjes?
Sa emra
presin të shqiptohen?
Sa nëna
ende presin bijtë?
Sa fëmijë
mbajnë në zemër
një pyetje pa përgjigje?
Prandaj duhet të shkruhet.
Duhet të flitet.
Duhet të kujtohet.
Sepse harresa
është terri ku mizoria
mund të rikthehet.
Ndërsa kujtesa
është drita që i thotë botës:
Jo më!
Jo më burg për mendimin.
Jo më dhunë për lirinë.
Jo më gra të heshtura
përballë frikës.
Jo më jetë të shuara
në emër të pushtetit.
Dhe ndërsa mbyll faqet e këtij libri,
nuk dëgjoj më vetëm zërin e Hengameh.
Dëgjoj shumë gra.
Shumë nëna.
Shumë vajza.
Shumë shpirtra
që nuk u kthyen kurrë
nga ajo errësirë.
Dhe më duket sikur të gjitha
më thonë të njëjtën fjalë:
Mos na harroni!
Sepse liria nuk është dhuratë.
Ajo është kujtesë,
guxim,
sakrificë
dhe përgjegjësi.
Dhe për sa kohë një grua
merr penën në dorë
për të dëshmuar të vërtetën,
bisha mund të ketë pushtetin,
mund të ketë burgjet,
mund të ketë frikën—
por nuk e ka fjalën e fundit.
Fjalën e fundit
e ka liria.