Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: DUKE KËRKUAR BABANË E SADIK BEJKOS

(Shënim mbi poezinë “Babai në mbrëmje”, të poetit Sadik Bejko)

Në historinë e poezisë botërore poezia kushtuar babait, në të gjitha format dhe qasjet, në poezitë posaçërisht të tilla, por edhe në kontekste të tjera, janë poezitë më interesante dhe më komunikuese, pasi figura e babait zotëron kujtesën fëminore dhe atë të familjes. Lidhur me babain, si një figurë e referuar gjatë historisë së njerëzimit lidhen mjaft nga mitet dhe burimet e familjes dhe shoqërisë. Babai çliron disa nga raportet fondamentale brenda familjes, atë të fëmijës me babain, të gruas me bashkëshortin, të familjes si njësi fillestare, me atë si kreu i saj, por edhe raporte të tjera që shtreson prania e figurës së tij.

Në të shumtën e herës, figura e babait, si simbolikë është një figurë e hapur, ndërsa letërsia nuk e ka sofistikuar shumë figurën e tij për shkakun e marrëdhënies që ajo mbart. Përtej të gjithave, ajo është kthyer në një figurë mitike për shkak të rolit që ai ka luajtur në të gjithë marrëdhëniet dhe kulturat psikologjike dhe familjare të kohërave. Pra miti i babait në letërsi është ndoshta më i vjetri dhe më i njohuri, më së shumti i kumtuar në kuptimin e tij të parë.

Duke qenë një figurë referuese poetët kanë përdorur simbolin, një figurë që valorizon më së shumti mbartjet që miti i babait është formuar. Përtej një qenieje me raporte njerëzore në jo pak raste ai shndërrohet, një nga tiparet që çliron miti i tij. Poeti Sadik Bejko, në stilin e tij të ngjeshur dhe “kurthin” ezoterik, që jo pak herë e zë lexuesin e tij, por edhe zigotën* në të cilën krijohet indi i parë i poezisë, d.m.th. gjallesa, ka rikthyer në poezinë shqipe mitin e babait, të titulluar “Babai në mbrëmje”.

Poezia në fjalë është një poezi e strofuar në tri strofa, ku mendja të çon në simbolikën biblike dhe të dijeve psikoanalitike, për të cilat ende qëndrojnë në këmbë teori të shumta. Që në titull, poezia ka një “protagonizëm” raportesh, një lloj korrelacioni, e cila nuk i shmanget dot mitit të babait në letërsi. Në të shumtën e herës, pjesa më e madhe e poezive kushtuar babait glorifikojnë mitin e tij. Titulli “Babai në mbrëmje” ka dy pjesë të gjerësishme kumti dhe kuptimi, ndërsa raporti i poetit me babain zgjatet mbi konceptin kohor… në mbrëmje- shkruan poeti.

Mbi tri strofat si tre nyje, përmes së cilës Bejko ndërton paradigmën at’ e bir, ka një “kod” a “fjalëkalim” inteligjent, në dukje i thjeshtë dhe manual, por me një integrim të brendshëm, ku poeti përdor një raport kohësh duket se poeti Sadik Bejko ka ndërtuar “tregimin” poetik për babain.

Strofa e parë dhe strofa e dytë, si dy “tregime” mbrëmjeje, përbëjnë pjesën më të rëndësishme të paradigmës, ai shkruan: “Mbrëmja ha tinës. Tej kafshon qafa malesh,/ korijet, varganin e kodrave, udhët/ dhe drurët që ende udhëtojnë /edhe tej dhëmbëve në grykë ujku të marrët.”, pastaj strofa e dytë: “Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin ty,/ në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja./ kështu një njeri le mjekër e pandeh se ti nuk e sheh,/ të shkon para sysh si i kyçur,/ si dera e mbyllur nga brenda.”

Siç dhe shihet, dy strofat ngjajnë me një tregim, me një kuvendim, me një përshkrim njëkohësisht dhe pse teksti poetik në stilin tregues është i mbjellë me një leksik të ngjeshur dhe duhet dekoduar, siç ndodh me kuptimet që mban të ngjeshur brenda vetes fjalë dhe sintagma, si: ha tinëz, kafshon qafa malesh, udhët dhe drurët, vargan kodrash, dhëmbët, grykë ujku, njëherësh dhe në njësitë më të mëdha si vargjet. Strofa në fjalë është interesante, është e mbushur me një gjendje ankthi dhe të papriturat që në mbrëmje të afron udhëtimi nëpër mal. Poezia është arti i endjes së fjalës, dhe ajo lexohet përmes fjalës më së pari.

Strofa e dytë e afron qerthullin e saj (dhe pse poeti nuk përmend malin dhe mbrëmjen), por është një situatë në kopsht, në kopsht afër shtëpisë, ku banojnë, hanë, flenë, kuvendojnë dhe flasin pa teklif komshinjtë me njëri tjetrin. Një tekst i mbjellë me një saktësi të madhe me kostelacion të njohur fjalësh dhe sintagmash, që plotësojnë njëra- tjetrën, si: pemë kopshti, tre metra, nxjerrin tym, në pahun, mbështjellë, mashtrohet mbrëmja, njeri le mjekër, nuk e njeh, shkon para sysh, i kyçur, dera e mbyllur nga brenda etj, dhe siç dhe mund të kuptohet, janë më së shumti togfjalësha apo sintagma foljore, në të cilët tregohet veprim.

Siç dhe mund të kuptohet, strofa e cila i përmbahet një ritmi të brendshëm kumtesh, nuk e tejkalon masën e poezisë, një tipar i njohur i poezisë së Sadik Bejkos, i cili organizon në poezinë e tij një masë të konsiderueshme elementesh gjuhësorë, simbolikë, artistikë dhe psikoanalitikë për të krijuar materien poetike.

Dy strofat e para, për shkakun e një mase të dukshme nyjëtimesh, në fjalorin e zgjedhur poetik në një similitudë një gjymtyrësh-e, poeti ka ndërtuar kohën e babait, mitin e babait, i cili vjen përmes krijimit të kohës së tij. Në tipologjinë dhe mjetet e komunikimit poetik të Sadik Bejkos ka një receptim të krijimit të kohës, ai përdor tipare dhe karakteristika, që mundëson të mbartin gjithë metaforën mbi të cilën poeti komunikon.

Babai është tek gjithë ajo “natë që han” në mal, tek kopshti me pemë, ku ka dhe njerëz me mjekër, dhe në fakt kjo është pjesa e parë e krijimit të kohës së babait, është “koha e babait” në dy strofat e parë të poezisë.

Në strofën e tretë, poeti e zbulon babain, dhe veten si zgjatim i tij, dhe pse bisedon nën “linjat e hirta”; Bejko shkruan: “Babai im plak nga larg më dërgon zërin/ në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta./ Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim/ nëpër fijet e flokëve të mi/ gjer te rrënjët e thinjëta?” Në fakt kjo është ajo që e bën ta kujtojë babain në këtë mënyrë. Të vish nga lufta është më komunikuese sesa të vish nga një ballo. Babai është një mit i shpërfaqur dhe në këtë poezi me fuqinë tradicionale të urtësisë, ligjit, një referim moral, ku qëndrojnë bashkë dashuria dhe frika; babai është mbrojtës dhe udhërrëfyes, një strehës sigurie për fëmijën.

Ky raport mbartet në të gjithë poezinë dhe pse specifikisht poeti shkruan për babain e tij, të cilit i kujton se është ngjashmëria dhe zgjatimi i tij, dhe pse ndoshta në kushte të reja.

Poezia në fjalë, ndërthur një kontekst eseistik për shkakun e raporteve që krijon miti i babait në letërsinë artistike.

Tiranë, prill 2024.