Albspirit

Media/News/Publishing

MESAZHI I UNITETIT NË NJË KOHË PËRÇARJESH

(Me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës dhe dhjetëvjetorit të shenjtërimit të saj)

Simbolika e Nënë Terezës mbetet një testament moral për shqiptarët dhe për gjithë njerëzimin: rrënjët nuk të pengojnë të bëhesh universal; përkundrazi, vetëm ai që e njeh mirë origjinën dhe përgjegjësinë e tij mund t’i shërbejë botës me dinjitet. Ashtu si Gonxhe Bojaxhiu e shndërroi rrugëtimin e saj personal në një mision universal të dashurisë dhe mëshirës, edhe çështja shqiptare duhet ta shndërrojë energjinë e saj historike në një projekt të bashkuar, demokratik dhe evropian.

Nga Prof.dr Skender Asani

Përvjetorët e figurave të mëdha nuk duhet të mbeten vetëm data ceremoniale të kujtesës kolektive. Ato marrin kuptimin e tyre të vërtetë kur shndërrohen në momente reflektimi mbi kohën në të cilën jetojmë, mbi sfidat që na rrethojnë dhe mbi përgjegjësinë që kemi ndaj brezave që do të vijnë. Ditëlindja e Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut të Shkupit, dhe dhjetëvjetori i shenjtërimit të saj, përbëjnë një rast të veçantë për të rikthyer vëmendjen jo vetëm te madhështia e veprës së saj humanitare, por edhe te filozofia e saj njerëzore, e cila sot tingëllon jashtëzakonisht aktuale përballë përçarjeve politike, shoqërore dhe kombëtare që po e karakterizojnë hapësirën shqiptare.

Në një kohë kur shqiptarët në të gjitha trojet e tyre përballen me tensione të brendshme, rivalitete të skajshme politike dhe një gjuhë publike gjithnjë e më përjashtuese, figura e Nënë Terezës shfaqet si një ndërgjegje morale që na kujton se asnjë projekt njerëzor nuk mund të ndërtohet mbi urrejtjen. Ajo nuk ishte politikane, nuk udhëhoqi lëvizje partiake dhe nuk ndërtoi doktrina ideologjike; megjithatë, ndikimi i saj mbi njerëzimin ishte shumë më i fuqishëm sesa ai i shumë udhëheqësve politikë. Arsyeja qëndron në thjeshtësinë e filozofisë së saj: njeriu duhet të vendoset përpara konfliktit, mëshira përpara urrejtjes dhe dialogu përpara përplasjes.

Nënë Tereza kishte aftësinë e rrallë që me fjali të pakta të përcillte mesazhe universale. Fjalët e saj nuk kërkonin triumfin e njërit mbi tjetrin, por kapërcimin e murit që i ndante njerëzit. Në këtë kuptim, filozofia e saj mund të lexohet edhe si një kulturë e parandalimit të konfliktit. Problemet nuk zgjidhen duke pritur që ato të arrijnë pikën e shpërthimit. Çështjet e vështira duhet të trajtohen në kohën kur ende ekziston hapësira për mirëkuptim, sepse historia dëshmon se edhe pas konflikteve palët detyrohen përsëri të ulen në tryezën e bisedimeve. Dallimi i vetëm është se pas luftës ose pas përplasjeve të mëdha, në atë tryezë ulen njerëz të lodhur nga humbjet, të rënduar nga plagët dhe të ndarë nga trauma që mund të zgjasë për breza të tërë.

Prandaj dialogu nuk është shenjë dobësie. Dialogu është forma më e lartë e përgjegjësisë historike. Të flasësh përpara konfliktit do të thotë të shpëtosh energjinë njerëzore, institucionet, ekonominë dhe mbi të gjitha jetën e njerëzve. Kjo është arsyeja pse mesazhi i Nënë Terezës nuk duhet reduktuar vetëm në dimensionin fetar apo humanitar; ai mbart një potencial të fuqishëm etik për shoqëritë moderne, veçanërisht për ato shoqëri që jetojnë në hapësira të ndërlikuara historike dhe politike, siç është Ballkani.

Urtësia popullore shqiptare e ka përmbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme absurditetin e vetëshkatërrimit me proverba që kanë mbijetuar ndër shekuj. “Fshati digjet, krihet plaka”, thotë populli, duke ironizuar indiferencën ndaj së keqes së përbashkët. Po aq domethënëse është edhe shprehja tjetër: “Për inat të vjehrrës, vdes djali.” Të dyja këto metafora nuk janë vetëm produkte të folklorit, por janë analiza të thella të psikologjisë shoqërore. Ato tregojnë se njeriu mund të arrijë deri në atë pikë sa, për shkak të inatit, egoizmit ose rivalitetit, të dëmtojë pikërisht atë që duhej ta mbronte.

Nëse këto proverba i lexojmë në kontekstin e sotëm shqiptar, ato marrin një kuptim alarmues. Përplasjet e vazhdueshme ndërmjet elitave politike, gjuhët përjashtuese, delegjitimimi i ndërsjellë dhe mungesa e kulturës së kompromisit krijojnë përshtypjen sikur energjia kombëtare po harxhohet në beteja të brendshme, ndërkohë që sfidat reale kërkojnë bashkim kapacitetesh. Demokracia nuk e përjashton konfliktin e ideve; përkundrazi, ajo ushqehet prej tij. Por ekziston një vijë e hollë ndërmjet konkurrencës demokratike dhe përçarjes që rrezikon interesin e përgjithshëm. Pikërisht këtë vijë duhet ta ruajnë elitat politike.

Në traditën shqiptare, sidomos në kohët e vështira, ekzistonte institucioni moral i pleqnarëve dhe pajtimtarëve. Ata nuk kishin domosdoshmërisht pushtet juridik, por kishin autoritet etik. Fjala e tyre dëgjohej sepse besohej se qëndronte mbi interesat e çastit. Sot shqiptarët kanë parlamente, akademi, universitete, media, institucione shtetërore dhe shoqëri civile shumë më të zhvilluar sesa dikur, por shpesh ndihet mungesa e atij autoriteti moral që do të mund të artikulonte interesin kombëtar mbi interesin e ngushtë partiak. Kjo mungesë e kulturës së ndërmjetësimit e bën krizën më të thellë, sepse konfliktet prodhojnë zhurmë, ndërsa pajtimi kërkon urtësi.

Përgjegjësia e brezit politik të sotëm është, për këtë arsye, shumë më e madhe sesa fitimi i një mandati ose ruajtja e një pushteti. Ka momente historike që nuk maten me kalendarin elektoral, por me pasojat që lënë mbi një komb. Sot shqiptarët ndodhen përballë një nevoje të qartë për të ndërtuar një minimum konsensusi strategjik mbi çështjet që tejkalojnë ndarjet partiake. Ky nuk është unitet ideologjik dhe as uniformitet politik; është vetëdije se disa interesa janë më të mëdha se çdo rivalitet i përkohshëm.

Fundi i shekullit XX solli ndryshime historike për kombin shqiptar. Shqipëria doli nga izolimi dhe hapi perspektivën e saj euroatlantike; Kosova, pas sakrificave të jashtëzakonshme, ndërtoi shtetësinë e saj dhe fitoi subjektivitet ndërkombëtar; ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut arritën një avancim të rëndësishëm të pozitës së tyre kushtetuese dhe shtetformuese përmes proceseve politike që ndryshuan karakterin e shtetit. Këto arritje nuk janë dhuratë e historisë. Ato janë rezultat i përpjekjeve shumëbrezore, i sakrificës, diplomacisë, rezistencës dhe vizionit politik.

Por çdo arritje historike mbetet e cenueshme nëse nuk mbrohet me mençuri. Në Ballkan vazhdojnë të ekzistojnë interesa dhe politika që synojnë relativizimin ose dobësimin e proceseve që forcojnë pozitën politike të shqiptarëve. Pengesat ndaj proceseve integruese të Shqipërisë, përpjekjet për të minuar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe tendencat për të zbehur karakterin shtetformues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë sfida që kërkojnë përgjigje të matur, institucionale dhe strategjike. Pikërisht në këtë realitet bëhet edhe më e rëndësishme që energjia kombëtare të mos shpërdorohet në vetëpërçarje.

Do të ishte paradoks historik që atë që kundërshtarët e interesave shqiptare nuk arrijnë ta realizojnë nga jashtë, shqiptarët ta prodhojnë vetë përmes fragmentarizimit të brendshëm. Një komb nuk dobësohet vetëm nga presioni i jashtëm; ai dobësohet edhe kur humb aftësinë për të dalluar se cilat janë çështjet mbi të cilat nuk duhet të luftojë me vetveten. Kjo kërkon pjekuri politike, kulturë institucionale dhe një elitë që e kupton se historia nuk i shpërblen gjithmonë fituesit e betejave të vogla, por ata që arrijnë të ruajnë interesat e mëdha.

Në këtë kontekst merr kuptim të veçantë edhe simbolika e Ditëve të Nënë Terezës. Jo rastësisht, tashmë prej një dekade, manifestimet kushtuar saj e nisin rrugëtimin nga Shkupi, vazhdojnë në Prishtinë dhe Tiranë, për t’u shtrirë më pas në mbarë hapësirën shqiptare. Ky itinerar nuk është vetëm gjeografik; ai është një hartë simbolike e kujtesës, kulturës dhe identitetit të përbashkët shqiptar. Edhe këtë vit, në dhjetëvjetorin e shenjtërimit të saj, ky rrugëtim do të marrë një domethënie të veçantë përmes librit dhe ekspozitës me titull “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale.” Vetë titulli përmbledh një proces të jashtëzakonshëm transformimi njerëzor, shpirtëror dhe historik: rrugën e një vajze shqiptare të lindur në Shkup drejt shndërrimit në një nga figurat më universale të njerëzimit.

Ky transformim nga Gonxhe Bojaxhiu në Nënë Terezën universale nuk nënkupton mohimin e rrënjëve të saj, por ngritjen e tyre në një dimension të ri. Ajo mbeti bijë e Shkupit, bijë e familjes shqiptare, bijë e kulturës së saj, por njëkohësisht u bë pronë morale e gjithë njerëzimit. Pikërisht në këtë simbolikë mund të gjendet edhe një metaforë e fuqishme për rrugëtimin e çështjes shqiptare. Ashtu si Gonxhja u nis nga identiteti i saj konkret dhe arriti universalen përmes shërbimit, sakrificës dhe dashurisë, edhe çështja shqiptare duhet të transformohet nga fragmentarizimi drejt një perspektive të pjekur kombëtare, demokratike dhe evropiane. Rruga drejt suksesit nuk kalon përmes mohimit të identiteteve lokale apo dallimeve politike, por përmes aftësisë për t’i harmonizuar ato në funksion të një projekti më të madh historik.

Nëse Gonxhja shqiptare e Shkupit e gjeti udhën drejt universales, atëherë edhe shqiptarët sot duhet të gjejnë udhën e transformimit të energjisë së tyre politike në një vizion të përbashkët. Kjo do të thotë të kalosh nga kultura e reagimit drejt kulturës së ndërtimit; nga rivaliteti shkatërrues drejt konkurrencës demokratike; nga politika e ditës drejt strategjisë së dekadave. Kjo është ndoshta metafora më e fuqishme që ofron figura e Nënë Terezës në këtë përvjetor: madhështia nuk lind nga ndarja, por nga aftësia për ta tejkaluar atë.

Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për një mendim unik. Një komb modern nuk ndërtohet mbi heshtjen e mendimit ndryshe. Ai ndërtohet mbi aftësinë për të bashkëjetuar me dallimet dhe për të ruajtur një drejtim të përbashkët strategjik. Integrimi evropian i Shqipërisë, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës, avancimi i të drejtave dhe pozitës kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, zhvillimi i arsimit, kulturës, shkencës dhe bashkëpunimit mbarëshqiptar janë objektiva që kërkojnë vazhdimësi dhe jo improvizime politike.

Në këtë kuptim, uniteti nuk duhet kuptuar si slogan emocional. Ai është kategori historike dhe strategjike. Është aftësia e një kombi për të ruajtur interesat e tij madhore edhe atëherë kur brenda tij ekzistojnë dallime të forta politike. Një elitë e përgjegjshme nuk matet vetëm me aftësinë për të fituar zgjedhje, por me aftësinë për të mos e futur shoqërinë në rrugë pa dalje. Sepse konfliktet mund të prodhojnë fitues të përkohshëm, por shumë shpesh humbës të përhershëm.

Mesazhi i Nënë Terezës na rikthen te një e vërtetë e thjeshtë: paqja fillon shumë përpara se të nënshkruhen marrëveshjet. Ajo fillon në gjuhën që përdorim, në respektin që tregojmë ndaj kundërshtarit, në gatishmërinë për të dëgjuar dhe në kurajën për të falur. Një politikë që ushqehet vazhdimisht me përbuzje e përjashtim nuk mund të prodhojë stabilitet afatgjatë. Një shoqëri që ndërton ura komunikimi edhe në momentet më të vështira krijon kapacitet për të kapërcyer krizat pa i shndërruar ato në tragjedi historike.

Prandaj, në ditëlindjen e saj dhe në dhjetëvjetorin e shenjtërimit, nderimi më i madh që mund t’i bëhet Nënë Terezës nuk është vetëm përmes ceremonive përkujtimore. Nderimi i saj i vërtetë është rikthimi i kulturës së dialogut, i përgjegjësisë morale dhe i vetëdijes se e ardhmja e përbashkët është më e rëndësishme se fitoret e vogla politike. Nga Shkupi i saj, drejt Prishtinës, Tiranës dhe gjithë hapësirës shqiptare, udhëtimi simbolik i Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale duhet të lexohet edhe si një thirrje për transformimin tonë kolektiv: nga përçarja drejt bashkimit, nga kriza drejt vizionit dhe nga interesat e çastit drejt përgjegjësisë historike.

Historia nuk do t’i gjykojë brezat tanë vetëm për atë që fituan, por edhe për atë që ruajtën. Nuk do t’i kujtojë vetëm për betejat politike, por për aftësinë që patën të mbrojnë arritjet historike dhe t’u hapin rrugë perspektivave të reja kombëtare. Kjo është arsyeja pse sot kërkohet më shumë urtësi sesa zemërim, më shumë vizion sesa propagandë dhe më shumë përgjegjësi sesa triumfalizëm.

Simbolika e Nënë Terezës mbetet një testament moral për shqiptarët dhe për gjithë njerëzimin: rrënjët nuk të pengojnë të bëhesh universal; përkundrazi, vetëm ai që e njeh mirë origjinën dhe përgjegjësinë e tij mund t’i shërbejë botës me dinjitet. Ashtu si Gonxhe Bojaxhiu e shndërroi rrugëtimin e saj personal në një mision universal të dashurisë dhe mëshirës, edhe çështja shqiptare duhet ta shndërrojë energjinë e saj historike në një projekt të bashkuar, demokratik dhe evropian. Ky është mesazhi që i jep kuptim të vërtetë këtij përvjetori: të mos presim që urat të shemben për të kuptuar vlerën e tyre, por t’i ndërtojmë ato sot, me urtësi, dialog dhe besim në të ardhmen e përbashkët.

Shkup, 24 gusht 2026.