ILIRJAN MANDRO, PROFESIONALIZËM PËR ARDHMËRINË NË MISIONIN PËR RENDIN DHE SIGURINË NË AKADEMINË E SIGURISË
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Ish-Zv./Rektor i Akademisë së Sigurisë
MSc, Nënkolonel ® Vlash LEKA
Ish-specialist në QKSHP në Akademinë e Sigurisë
SFIDA ËSHTË NDRYSHIMI
Në krye të Akademisë së Sigurisë, profesori Ilirjan Mandro përfaqëson një profil të ndërtuar mbi përvojën profesionale, formimin akademik dhe përkushtimin ndaj misionit të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri. Me bindjen se e ardhmja e rendit dhe sigurisë ndërtohet përmes dijes, profesionalizmit dhe edukimit të brezave të rinj, ai e sheh Akademinë si një pikë kyçe për përgatitjen e profesionistëve që do t’i shërbejnë shoqërisë dhe shtetit. Pra, motoja “Sfida është ndryshimi” është rruga e re nëpër të cilën ecën aktualisht Akademia e Sigurisë, institucion me akreditim institucional pesëvjeçar, por edhe me programe të akredituara. Tek Rektori Ilirjan Mandro janë përbashkuar titulli i profesorit, studiuesit dhe drejtuesit, që e ka lidhur karrierën në Policinë e Shtetit me mësimdhënien, dijen juridike, kriminalistikën dhe formimin e brezave të rinj të profesionistëve, studentëve dhe kursantëve të Akademisë së Sigurisë. Fakti që ka shkëlqyer në të gjitha shkollat e ka bërë solid dhe i është përkushtuar, sikurse thotë një maksimë proverbiale popullore, “me bukë në trastë”, arsimimit dhe edukimit policor dhe jo vetëm. Por lënda e dashur e tij është “Kriminalistika”. Zakonisht, profesionistët i thellojnë dijet dhe e ndërtojnë karrierën e profesionit në mënyrë të tillë që, me kalimin e viteve, bëhen pjesë e vetë historisë së profesionit ku kanë zgjedhur të shërbejnë. Kështu, jo vetëm “për forcë të zakonit”, Prof. Dr. Ilirjan Mandro, edhe pse takoi fillimisht ambientin ushtarak, e hodhi vështrimin nga Sauku, drejt edukimit policor, ku në fakt shkëlqeu në mësime. Edhe në këtë përvjetor të lindjes së tij, bilanci i një karriere të gjatë nuk mund të matet vetëm me titujt akademikë, detyrat drejtuese apo numrin e botimeve, pasi lideri ka tejpamje dhe përmes ndikimit që ka pasur në formimin e studentëve, juristëve, magjistratëve dhe profesionistëve të fushës së rendit dhe sigurisë publike. Aktualisht, Rektor i Akademisë së Sigurisë, profesor Mandro është në krye të një institucioni që ka një traditë dhe mision të veçantë: të formojë dhe kualifikojë profesionistët e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese, përmes arsimit, specializimit dhe kërkimit shkencor. Dhe këtë e shikon si sfidë, ndërkohë që disa nga hapat themelorë kanë formuar dhe hedhur piketat e së ardhmes institucionale. Më konkretisht, Vendimi i Bordit të Akreditimit nr. 07, datë 27.01.2023, “Për akreditimin për herë të parë të institucionit të arsimit të lartë Akademia e Sigurisë”, e më tej edhe akreditimi i të gjitha programeve Bachelor për Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në AS për tri vite akademike, me 180 kredite dhe me 4500 orë mësimore në vit. Fillimi i Masterit Shkencor “Siguria Publike dhe Hetimi i Krimit” (2025–2027) përbën një pasaportë diturie për Akademinë e Sigurisë. Akademia e Sigurisë, institucioni elitë i formimit policor, vijon me këmbëngulje dhe përkushtim punën, me qëllim ofrimin e një arsimimi cilësor dhe me standarde europiane për të gjithë ata që synojnë t’i shërbejnë misionit të Policisë së Shtetit dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër, Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 276, datë 4.10.2023, “Për dekretimin e Rektorit të AS-së, Profesor Ilirjan Mandro”, si dhe pasurimi i historikut të trajnimeve që ka zhvilluar AS-ja për funksionet “Oficerë të sigurisë në shkolla”, si dhe dhjetëra kurse të tjera për të gjitha agjencitë ligjzbatuese, përbëjnë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e këtij institucioni. Prandaj, për të kuptuar zhvillimet aktuale të AS-së, duhet parë rruga që e ka sjellë deri këtu, si dhe perspektiva e vijueshmërisë dhe e konsolidimit të sistemit arsimor policor.
NGA DIJA JURIDIKE TEK PROFESIONALIZMI NË KRIMINALISTIKË DHE HORIZON KULTUROR
Rrugëtimi professional i Profesor Ilirjan Mandros është e lidhur ngushtë me botën akademike, juridike e kulturore gjithmonë në funksionin në cilësisë dhe profesionalizmit të studentit policor. Fusha ku ai ka ndërtuar profilin e tij është kriminalistika, një disiplinë që kërkon jo vetëm njohje të thellë të ligjit, por edhe aftësi për të kuptuar mekanizmat e hetimit, provës dhe zbulimit të së vërtetës. Në këtë drejtim, ai është vlerësuar si ekspert i njohur i kriminalistikës dhe ka mbajtur edhe funksionin e Nënkryetarit të Shoqatës së Ekspertëve të Shqipërisë. Por ajo që e dallon profilin e tij është ndërthurja e profesionit me mësimdhënien dhe përpjekja për ta bërë lëndën e tij sa më të prekshme dhe praktike për studentët. Për vite me radhë, ai ka dhënë kontribut në edukimin juridik të studentëve në disa universitete shqiptare. Një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është edhe puna në Shkollën e Magjistraturës, ku është përfshirë në programin e trajnimit fillestar për kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe në formimin e vazhdueshëm të magjistratëve në detyrë. Natyrshëm, kjo përvojë e ka vendosur profesorin në një pozicion të veçantë. Ai nuk ka qenë vetëm pedagog që përcjell dije në auditor, por edhe profesionist që e ka parë nga afër mënyrën se si kjo dije përkthehet në praktikën e drejtësisë. Në këtë kuptim, mësimdhënia për të nuk është thjesht një proces akademik, por është, para së gjithash, një përgjegjësi profesionale. Një prej treguesve më domethënës të kësaj veprimtarie është edhe krijimtaria shkencore. Ndërkohë, bazuar në të dhënat e publikuara nga Akademia e Sigurisë, Prof. Mandro është autor dhe bashkautor i më shumë teksteve universitare dhe pasuniversitare, kryesisht në fushën e kriminalistikës dhe në metodikat e mësimdhënies për rendin dhe sigurinë publike. Ai ka botuar gjithashtu studime dhe artikuj shkencorë dhe ka marrë pjesë si referues në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo veprimtari tregon një dimension tjetër të karrierës, ku kërkimi shkencor, botimet dhe përballja me zhvillimet e reja në drejtësi dhe siguri kanë qenë pjesë e vazhdueshme e profilit të tij. Në një profesion ku ligji, teknologjia dhe format e kriminalitetit ndryshojnë dhe evoluojnë vazhdimisht, edhe formimi profesional duhet të ndryshojë. Pikërisht këtu qëndron një prej sfidave që ka përçuar edhe në punën e tij akademike: profesionisti i sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te përvoja. Ai duhet të ketë dije, metodë dhe aftësi për t’u përshtatur. Kjo është një prej ideve që përshkon karrierën e tij, edhe si themel i profesionit dhe i eksperiencës së gjatë në këtë fushë.
NË AUDITORËT E AKADEMISË SË SIGURISË DIJET RREZATOJNË PËRTEJ AUDITORIT
Mjaft nga lektorët më në zë kanë edhe ata idhujt e tyre, të cilëve u referohen pikërisht për dijen. Kështu i shkon për shtat Profesor Mandros shprehja e Francis Bacon, që thotë se “Knoëledge is poëer”, e përkthyer “Dija është fuqi/pushtet”. Dhe kjo është më se e vërtetë, pasi një prej dimensioneve më të rëndësishme të profilit akademik të Profesor Ilirjan Mandros është pikërisht roli i tij si pedagog dhe formues i profesionistëve në kuadër të edukimit policor, në institucionin e vetëm të përgatitjes së tyre, ku pritshmëria e publikut është e madhe. Fakt është se një profesor matet jo vetëm me atë që ka shkruar, por edhe me atë që ka lënë si gjurmë tek auditorët e edukimit, te njerëzit që ka mësuar, udhëhequr dhe drejtuar. Në rastin e Profesor Mandros, kjo gjurmë shtrihet në disa breza studentësh të drejtësisë, kandidatësh për magjistratë dhe profesionistësh të fushës së rendit dhe sigurisë publike shqiptare. Përvoja ndër vite është një prej pikave të rëndësishme të këtij rrugëtimi. Aty, auditorët në Magjistraturë, për shembull, nuk përbëhen nga studentë që sapo nisin të njohin profesionin. Ata janë njerëz që përgatiten të marrin përgjegjësi të drejtpërdrejta në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, mësimdhënia në këtë nivel kërkon jo vetëm njohuri akademike, por edhe përvojë praktike. Në këtë ndërthurje mes teorisë dhe praktikës është ndërtuar një pjesë e rëndësishme e profilit të edukatorit dhe lektorit. Angazhim serioz, Akademia e Sigurisë ka luajtur edhe për çështje që lidhen me barazinë gjinore, mosdiskriminimin, të drejtat e fëmijëve, viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe grupet vulnerabël. Në AS kanë gjetur bashkëpunim dhjetëra e dhjetëra institucione. Mjaft aktive ka qenë ky institucion edhe e hapur me shoqërinë civile dhe ky është një dimension që profilizon institucionin në mënyrë profesionale. Siguria nuk është vetëm çështje policie, hetimi apo rendi publik, pasi në qendër të saj është njeriu, janë njerëzit, është komuniteti. Janë qytetarët, viktimat, familjet, fëmijët dhe të gjitha grupet që përballen me rrezikun e përjashtimit apo të dhunës dhe fakt është se, në këtë pikë, formimi juridik dhe ai kriminalistik takohen me një tjetër përgjegjësi: mbrojtjen e të drejtave. Pikërisht për këtë arsye, puna akademike e AS-së nuk është e shkëputur nga realiteti shoqëror. Krahas të gjitha këtyre, bashkëpunimi me shumë institucione brenda e jashtë vendit ka qenë fokusi i përditshmërisë institucionale. Ka raste që aspekti i karrierës dhe përfshirja në procese të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë mbetet një “objektiv” i përgjegjshmërisë së titullarëve, ndërkohë që për të duhet të punojnë të gjithë dhe jo të “zvarrisin këmbët” dhe të bëhen sehirxhinj deri ku shkon procesi i akreditimit, që në fakt është një pasaportë besueshmërie institucionale. Ky është një dimension që shpesh mbetet larg vëmendjes publike, por që ka rëndësi të madhe të drejtpërdrejtë për të ardhmen e institucioneve akademike. Në rastin e Akademisë së Sigurisë, Profesor Mandro ka drejtuar procesin e akreditimit institucional për vitet 2023 deri në 2028, si dhe proceset e akreditimit të programit Bachelor dhe Kolegjit Profesional Policor, proces i filluar që prej periudhës që drejtonte Rektor Profesor Bilbil Mema, proces vijueshmërie që është mjaft i rëndësishëm, jo si “dorëzim stafete”, por si vijueshmëri përgjegjësie dhe drejtimi si lider vizionar. Është rasti të sjellim në vëmendje të gjithë drejtuesit e institucionit të Akademisë së Sigurisë në vite, edhe pse kjo akademi e ka ndërruar emrin disa herë, por jo misionin. Akademia është drejtuar nga sa vijon në vite: Major Viktor Shantoja (21.5.1938–7.4.1938, kursi i parë i policimit), pas LANÇ-it: Sotir Argjëndari (1945–1948), Kolonel Riza Lubonja (1948–1954), Gjeneralmajor Halim Xhelo (1954–1956), Kolonel Feti Smokthina (1956–1962), Kolonel Maman Saliu (1962–1966), Gani Goxhi (1972–1976), Muço Saliu (1977–1979), Rakip Beqaj (1979–1982), Luan Gjonça (1983–1990), Ermir Dobjani (1992–1992), Skënder Doda (1993–1995), Hysen Arapi (1995–1997), Luan Veliqoti (1997–2000), Bajram Yzeiri (2000–2004), Pirro Llazi (2004–2006), Bilbil Memaj (1.9.2014–18.5.2022), Ilirjan Mandro (18.5.2022 e në vijim). Ndërsa eprorët e rektorëve/drejtorëve kanë qenë drejtorët e Policisë së Shtetit në 114 vjet shtet shqiptar, që, përllogaritur nga viti 1913 deri në vitin 2026, drejtimin e Policisë së Shtetit e kanë mbajtur Halim bej Gostivari, Fehim bej Mezhgorani, Baroni Franc Biegeleben, Veli Vasjari, Sulejman Kërçiku, Ahmet Sinani, Musa Çepelia, Hamza Isaraj, Qazim Bodinaku, Rustem Ymeri, Hilë Mosi, Zef Kadarja, Theodhor Stamati, Shyqyri Borshi, Gjush Deda, Kolë Radovani, Skënder Selmanaj, Tahir Kolgjini, Namik Xhafa, Lako Polena, Sali Ormëni, Maqo Çomo, Delo Balili, Xhule Çiraku, Kasëm Servet Kaso (Kaçi), Agron Vasil Tafa, Dilaver Bengasi, Fadil Cani (Canaj), Astrit Mehaj, Sabri Jaçaj, Agim Shehu, Sokol Baraj, Besnik Bregu, Hasan Ahmetaj, Veton Gjoliku, Veli Myftari, Bilbil Mema, Bajram Ymer Ibraj, Ahmet Prençi, Hysni Burgaj, Artan Didi, Haki Çako, Ardi Veliu, Gledis Nano, Mahamet Rrumbullaku, Drejtues Madhor Ilir Proda, Sokol Bizhga, i komanduar për një periudhë të shkurtër, dhe së fundi Drejtues Madhor Skënder Hita nga Turani i Tepelenës, i cili vijon ta drejtojë Policinë e Shtetit prej 30.3.2026 dhe është drejtori i 47-të i Policisë në radhë kronologjike. Por të gjithë drejtuesit e mëparshëm kanë punuar bazuar në ligje, vendime, udhëzime e rregullore. Por Akademia e Sigurisë mori për herë të parë akreditimin institucional si institucion i arsimit të lartë, për një periudhë pesëvjeçare, në vitin 2023. Vetë Akademia e Sigurisë ka bërë të ditur se procesi përfshiu përgatitjen e një materiali voluminoz prej rreth gjashtëmijë faqesh në shqip dhe anglisht, një proces më shumë se një procedurë administrative dhe që lidhet me standardet e një institucioni që përgatit njerëzit të cilët nesër do të mbajnë përgjegjësi konkrete për rendin dhe sigurinë publike në Shqipëri. Fakt është se një polici moderne nuk ndërtohet vetëm me uniformë, hierarki dhe procedura, por, në radhë të parë, me njerëz të përgatitur dhe me stafe elitare mësimdhënëse.
NË DREJTIM TË AKADEMISË SË SIGURISË, INSTITUCIONIT UNIK NË SHQIPËRI
Rektori është autoriteti më i lartë akademik i Akademisë së Sigurisë dhe zgjidhet përmes votimit të personelit akademik dhe studentëve, ndërsa më pas dekretohet nga Presidenti i Republikës me propozim të ministrave përgjegjës për rendin dhe arsimin. Për të kandiduar, një profesor duhet të ketë të paktën dhjetë vite përvojë akademike, së paku pesë vite përvojë në drejtimin e disiplinave dhe zhvillimin e programeve akademike, si dhe të plotësojë kriteret e integritetit dhe të mos ketë masa disiplinore në fuqi. Mandati i rektorit lejon rizgjedhjen, duke e bërë këtë post një prej pozicioneve kyçe në drejtimin akademik të strukturës së sigurisë publike. Kështu, në mënyrë standarde, më 4 tetor 2023, Prof. Dr. Ilirjan Mandro u dekretua nga Presidenti i Republikës si Rektor i Akademisë së Sigurisë, me Dekretin nr. 276, që në fakt është një moment që shënoi një tjetër etapë në karrierën drejtuese e profesionale të Profesor Mandros. Nga pedagogu e studiuesi, më tej Dekan i FSH-së, në drejtuesin e institucionit që ka përgjegjësinë për formimin akademik dhe profesional të një pjese të rëndësishme të strukturave të sigurisë në vend. Akademia e Sigurisë është një institucion publik i arsimit të lartë policor dhe misioni i saj lidhet me formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, por edhe me ofrimin e specializimeve dhe kualifikimeve për institucione të tjera të zbatimit të ligjit. Por në këtë institucion, drejtimi akademik merr një peshë dhe rëndësi të veçantë. Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit zhvillon programe Bachelor, Master dhe Master të Shkencave, si dhe trajnime, specializime, kualifikime dhe programe të ecurisë në karrierë. Misioni i tij është përgatitja e specialistëve për nivele menaxhimi dhe drejtimi në fushën e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri dhe çdo drejtues e shikon si sfidë. Këtu merr rëndësi ruajtja e traditës së një institucioni me histori të gjatë dhe, në të njëjtën kohë, përshtatja e saj me nevojat e një policie moderne. Akademia e Sigurisë ka një histori të gjatë në formimin policor, ku, sipas të dhënave të vetë institucionit, në 50 vitet e saj të para, nga viti 1971 deri në vitin 2021, ajo ka diplomuar ose certifikuar rreth 5283 oficerë, ndërsa në Kolegjin Profesional të Formimit Policor janë certifikuar rreth 10 655 kursantë, por ka vijuar edhe në këto pesë vite t’i shtojë shumë produktivitetin e vet, sipas nevojave të Policisë së Shtetit. Në të njëjtën periudhë janë zhvilluar edhe projekte kërkimore, konferenca shkencore dhe botime akademike. Sot kjo trashëgimi përballet me një realitet tjetër, kur krimi është bërë më kompleks dhe më i sofistikuar. Teknologjia ka ndryshuar mënyrën e hetimit. Kriminaliteti nuk njeh kufij dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është bërë pjesë e pandashme e punës së institucioneve të sigurisë. Në këtë realitet, Akademia nuk mund të jetë vetëm një qendër trajnimi, prandaj duhet të jetë edhe një qendër dijeje, kërkimi dhe reflektimi profesional. Ky është një prej dimensioneve të drejtimit të Profesor Mandros që lidhet drejtpërdrejt me profilin e tij akademik, ndërkohë që ai vjen në drejtimin e Akademisë së Sigurisë me përvojën e një profesori, studiuesi dhe eksperti të kriminalistikës. Dhe kjo e bën natyrshëm arsimin një prej pikave të forta të vizionit të tij. Një rrugëtim profesional interesant, ku rruga e Profesor Ilirjan Mandros mund të lexohet edhe nëpërmjet titujve akademikë, përmes librave dhe studimeve, përmes auditorëve ku ka dhënë mësim, përmes proceseve institucionale që ka drejtuar, përmes një fjale që e lidh të gjithë këtë rrugëtim me formimin e studentëve, me profesionistët e sigurisë publike. Dhe sot, formimi i një institucioni që synon të ketë standarde gjithnjë e më të larta akademike dhe profesionale, pjesa më domethënëse e bilancit përllogaritet sa njerëz ka ndihmuar të bëhen më të përgatitur për profesionin e tyre, sepse, në fakt, siguria kërkon dije, profesionalizëm dhe njerëz të përgatitur. Në krye të Akademisë së Sigurisë, Profesor Mandro e shikon detyrën si përgjegjësi që lidhet jo vetëm me të shkuarën e tij profesionale, por edhe me atë që do t’u lihet brezave të së ardhmes. Krahas Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, ku drejton bindshëm Alfred Çepe, AS-ja ka edhe Kolegjin Profesional të Formimit Policor me akreditimin ndërkombëtar, që cilësohet edhe si një hap historik drejt standardeve të reja të arsimit policor në Shqipëri, të certifikuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe ku drejton me kompetencë Drejtori Mitat Tola. Tashmë është e njohur se partneriteti strategjik me SHBA-në mundësoi nxjerrjen e një vendimi të Bordit të Akreditimit (IADLEST-USA), që certifikoi me një rezultat prej 93,7 pikësh Akademinë e Sigurisë, duke u renditur ndër 72 akademitë më të njohura policore të botës në klasifikimin “Shkëlqyer”. Por ky bashkëpunim do të vijojë dhe profesionalizmi, me siguri, do të rritet. Ndërkohë që Profesor Mandro ka drejtuar punën e një nisme plot vlerë, “Kam zgjedhur t’ju jem mirënjohës dëshmorëve të Policisë së Shtetit”, ku 150 studentë të Bachelor-it, viti i parë, 2025–2026, përgatitën 150 dosje për dëshmorët e Policisë së Shtetit, që kanë nga 20 deri në 120 faqe secila dhe që është vendosur aktualisht në Bibliotekën e AS-së, besojmë plotësisht që do të vijojë edhe me studentët e tjerë të Akademisë së Sigurisë. Kjo nismë është pjesë e programit të lëndës “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri”, ku kontribut kanë pasur edhe Zaho Golemi, Reshat Kalaci, Luiza Filaj, Robert Shehu, Albert Hitoaliaj, Albert Mullai, Valbona Çaushi, Ylli Xhelili, Santina Rama, Hatixhe Dulellari, Leonarda, Aida, punonjëset e Bibliotekës Suneda Lleshi, Oliana Shanaj, Enjo Hodaj, Genti Dollaku dhe shumë të tjerë.
KONTRIBUTI SHKENCOR I PROFESOR ILIRJAN MANDROS, NJË RRUGËTIM MBI NJË ÇEREK SHEKULLOR
Rruga e publikimeve të Profesor Ilirjan Mandros është domethënëse dhe sinjifikative në edukimin policor dhe jo vetëm. Ai ka një jetë mes mësimdhënies, kriminalistikës, kërkimit shkencor dhe drejtimit në funksionet më të larta në Akademinë e Sigurisë. Kontributi i tij në fushën e kriminalistikës dhe sigurisë shtrihet përgjatë gati një çerek shekulli dhe lidhet ngushtë edhe me veprimtarinë shkencore të Akademisë së Sigurisë. Publikimet e tij përfshijnë pjesëmarrjen në konferencat shkencore të organizuara nga Akademia e Sigurisë, si në ato kombëtare, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, ku Profesor Mandro ka marrë pjesë si referues dhe lektor. Kontributi i tij lidhet gjithashtu me detyrat drejtuese që ka mbajtur ndër vite, fillimisht si dekan i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit dhe aktualisht si Rektor i Akademisë së Sigurisë. Në mënyrë të përmbledhur, ndër publikimet dhe punimet e tij mund të përmenden: Prof. Ilirjan Mandro, “Falsifikimi i dokumenteve bankare”, revista “Drejtësia”, nr. 3, viti 1995; Ilirjan Mandro, “Në labirintet e balistikës kriminalistike”, Tiranë, 1997; Ilirjan Mandro, “Këqyrja e vendit të ngjarjes në vrasjet me armë zjarri”, Tiranë, 2002; Prof. Ilirjan Mandro, “Roli i ekspertit në procesin penal”, referuar në takimin e përbashkët ndërmjet institucioneve të Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë në rrethet Bulqizë, Burrel dhe Peshkopi, viti 2002; Prof. Ilirjan Mandro, “Studim i 84 rasteve të vrasjeve me armë zjarri të ndodhura gjatë viteve 1986–2000”; Ilirjan Mandro, “Arkivi i punimeve kriminalistike: Ngjarje e vitit 1987”; Ilirjan Mandro dhe Agim Çiraku, “Metodika e hetimit të ngjarjeve automobilistike”, Tiranë, 2004; Ilirjan Mandro, “Kriminalistika”, Pjesa e Parë, “Teknikat e fiksimit të provave materiale”; Ilirjan Mandro, “Njohuri për kriminalistikën”, Tiranë, 2011; Ilirjan Mandro, “Njohuri për kriminalistikën”, Pjesa e dytë, Tiranë, 2019; Në bashkautorësi me Prof. Dr. Skënder Begeja dhe Orest Afezollin, Prof. Ilirjan Mandro, “Policia Shkencore”, Tiranë, 2004; Në bashkautorësi me Prof. Çipi dhe Prof. S. Meksi, Prof. Ilirjan Mandro, “Mjekësia ligjore kriminalistike”, Tiranë, 2020. Ndërkohë që përgjatë vitit 2026 janë botuar edhe dy publikime të tjera mbi kriminalistikën me autor Ilirjan Mandron, duke e zgjeruar më tej kontributin e tij në këtë fushë. Po në vitin 2026 është botuar edhe “Albumi i Akademisë së Sigurisë”, një botim voluminoz i përgatitur nën drejtimin e Profesor Ilirjan Mandros. Në publikimet e tij përfshihen edhe publikime të shumta në 37 numra të revistës “Policimi dhe Siguria”, organi teoriko-shkencor i Akademisë së Sigurisë. Në tërësinë e saj, kjo veprimtari botuese dëshmon një angazhim të vazhdueshëm të Profesor Ilirjan Mandros në fushën e kërkimit shkencor, kriminalistikës dhe formimit profesional të brezave të rinj në strukturat e sigurisë. Publikimet, studimet, tekstet mësimore dhe kontributet në veprimtaritë shkencore përbëjnë një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij akademike dhe profesionale.