Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Asllani: Dy fjalë përkujtimi për akademikun, prof. Farudin Hoxhën

Të dashur miq, këtë mbrëmje shtatori do të doja të sillja si përshpirtje dy fjalë përkujtimi për Prof. Farudin Hoxhën, i cili si sot 9 vite më parë u nda nga kjo botë!

Ai iku në heshtje, me respekt dhe pa zhurmë sikur nuk do të donte të shqetësonte askënd edhe në çastin e tij më sublim!

U largua në hije Intelektuali që kishte kontribuar aq shumë për të sjellë dritë për shqiptarët!

Por përcjellje të tillë pa bujë të personalitetevetë shquar si Profesori shoqëria i kujton edhe më gjatë…!

Miqësia ime me Profesorin ishte e thellë edhe pse jo në standartin politik të kohës, por dhe në mospërputhje me hierarkinë e vlerave! Pasi sikurse bënim humor me të, Akademia e Shkencave duhet të merret vetëm me ata që e kanë titullin Profesor…

Pra kishim thyer disa rregulla për disa kauza njerëzore që mendonin se ja vlenin! Disa kauza që vërtiteshin tek vendlindja jonë Gjirokastra!

Leri projektet e vogla, më tha kur u takuam, Gjirokastra dhe Jugu mund të mbijetojnë nga projektet e mëdha! Një ide që dhe sot e vërtit përherë në mëndje!

Në qendër të projekteve tona duhet të jetë uji, ai hyn kudo dhe është fati ynë, shtonte ai! A e di që 60 milion m3 ujë në ditë të Shqipërisë derdhen të pashfrytëzuara në det…!

Kishte bredhur në studio, kantier më kantier në Shqipëri e në botë, dhe tani i ishte kthyer dashurisë së tij të përjetshme Gjirokastrës!

Ne atëhere, si agjensi programesh po kryenim së bashku një studim fizibiliteti të plotë mbi kapacitetin ujëmbledhës të lumit të Suhës si dhe dobishmërinë e ndërtimit të HEC-it që Prof. Farudini kishte projektuar të parin si Inxhinier në vitet 60- të…

Ishte një donacion i European Aid i cili na nxiti në këtë histori ineteresante që u zhvillua në hapwsirwn malore midis dy shteteve shqiptar dhe atij grek!

Në ato dy tre vjet mësuam prej tij shprehi teknike më shumë ndoshta se edhe nga dega e impianteve të inxhinierisë që kisha studjuar…!

Prej tij mund të dukeshin të thjeshta problemet më të konplikuara. Kjo tip dige nw Selckë, shpjegonte Prof. Farudini në fakt është një imitim i sitemit hidraulik të shtëpisë gjirokastrite, ku nëpërmjet ulluqëve të çatisë mblidhet ujë në sterë gjatë dimrit, për tu përdorur në behar kur moti është i thatë e nuk bie shi …

Brodhëm shumë nëpër lugina e male, në Janinë, Libohovë, Polican për të verifikuar parametrat tektonik e hidrogjeologjik, si dhe për të prekur nga afër gjithë faktorët teknike e mjedisor të projektit të tij shumë produktiv!

Por zbulimi më i madh që kryem nuk ishte vetëm kapaciteti shkencor i Prof. Farudinit, por bota e tij e madhe shpirtërore, karakteri njerëzor, shkujdesja, humori këndshëm, komunikimi i ngrohtë me këdo dhe thjeshtësia intelektuale…

Ndiheshim krenarë me të, kur shihnim si e nderonte ajka e intelektualëve gjirokastritë e grekë në auditorët që mbusheshim plot e plot në Gjirokastër e Janinë!

Kemi aq shumë për të rrëfyer për Profesorim….! Ndofta ndonjë ditë do të hedh të plota mbresat dhe kujtimet për mikun tonë të spikatur!

Janë disa çaste e përvjetorë që krahas trishtimit të sjellin mbresa e emocione që të bëjnë të harrosh dhimbjen dhe të mendosh se ishte fat që kemi bashkëudhëtuar një pjesë jetës me intelektualë të shquar si Farudin Hoxha!

Dritë pastë përjetë shpirti dhe vepra e tij e madhe!