PADREJTËSIA E HAGËS DHE RREZIKU PËR NJË “MARS 2”
Trazirat e 17–18 marsit 2004 u iniciuan nga Serbia dhe manipuluan zemërimin e masës për të krijuar një gjendje të re në Kosovë, që kishte të bënte me kantonizimin e saj. 16 shtatori 2026 mund të ketë qenë rasti i dytë për krijimin e një “Marsi 2”, me synim dobësimin, ndarjen dhe shfuqizimin e shtetit të Kosovës, duke njollosur luftën e UÇK-së, shtetin e Kosovës dhe shqiptarët, si aktorë me qëllime kundër komunitetit serb.
Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi – profesor dhe hulumtues
Planet për ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës duket se janë kalkuluar edhe me revoltën e pritshme të qytetarëve pas shpalljes së dënimeve për krerët të UÇK-së në Hagë. Një reagim në afekt, nxitje e orkestruar dhe manipulim emocional sipas modelit të trazirave të marsit 2004, do të ishte skenari më fatal kundër Kosovës.
Se cilat ishin synimet e Serbisë me trazirat e marsit 2004 mund të lexoni më shumë këtu.
Dobësimin e sovranitetit të Kosovës dhe paraqitjen e serbëve në Kosovë si pre e “spastrimit etnik”, Serbia ka kohë që është duke e bërë me një dinamikë të shtuar.
Kur kemi parasysh se në Kosovë janë kapur spiunë të BIA-s, të cilët kishin plane të nxisnin trazira ndëretnike duke provokuar situatën dhe pastaj pala tjetër do t’i “hidhte benzinë”, atëherë 16 shtatori, në ditën kur vendimi për ish-krerët e UÇK-së do të ishte dënues, mund të ketë qenë ajo ditë për realizimin e një “Marsi 2”.
Rreziku ishte që zemërimi i krijuar në Kosovë të shfrytëzohej për të provokuar një incident ndëretnik: protesta të devijuara drejt zonave me shumicë serbe ose objekteve të Kishës Ortodokse, përplasje, viktima dhe më pas ndërkombëtarizim të menjëhershëm të krizës. Një skenar i tillë do ta zhvendoste brenda pak orësh debatin nga padrejtësia e Hagës te pyetja nëse Kosova është e aftë t’i mbrojë serbët dhe trashëgiminë ortodokse. Pikërisht ky është lloji i pasojës politike që, pas marsit 2004, ushqeu planet për decentralizim etnik, autonomi, ndarje dhe më pas zhbërje të shtetit të Kosovës.
Vuçiq dhe informacionet para aktgjykimit
Qysh më 3 shtator, trembëdhjetë ditë para aktgjykimit, Aleksandar Vuçiq deklaronte se ishte i shqetësuar për protestat në Kosovë dhe pretendonte se po paralajmërohej dhunë nëse Hashim Thaqi nuk lirohej.
Nëntë ditë më vonë ndodhi diçka edhe më e pazakontë. Më 12 shtator, Vuçiq tregoi se shërbimet serbe i kishin dhënë fillimisht informacion se Thaçi do të merrte një dënim që afërsisht do t’i mbulonte vetëm kohën e paraburgimit. Por më pas, duke iu referuar kontakteve në Paris me liderë evropianë dhe botërorë, tha se kishte marrë “indikacione të tjera” se mund të jepej një dënim i rëndë. Vizita e Vuçiqit në Paris dhe takimi i tij me Emmanuel Macron më 9 shtator janë gjithashtu të dokumentuara nga Presidenca e Serbisë.
Katër ditë më vonë, Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli 18 dhe Rexhep Selimi 13 vjetë burgim.
Kjo ngre një pyetje që nuk duhet anashkaluar: çfarë informacioni për një vendim ende të pashpallur po qarkullonte në nivelet politike dhe diplomatike?
Nga raporti Marty te historia e EULEX-it
Edhe origjina e procesit kërkon rikujtim. Mocioni i 15 prillit 2008, që dërgoi më pas te raporti i Dick Martyt, u iniciua nga Konstantin Kosachev i Rusisë; ndër nënshkruesit ishin Milosh Aligrudiq nga Serbia dhe Mikhail Margelov nga Rusia, krahas parlamentarëve nga vende të tjera.
Serbia dhe Rusia më pas vazhduan ta shtynin ndërkombëtarisht çështjen. Në prill 2011 Serbia kërkoi krijimin e një mekanizmi hetues nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit, ndërsa më 23 qershor Rusia qarkulloi në emër të Serbisë një projekt-rezolutë për krijimin e këtij mekanizmi. Rusia vazhdoi ta mbështeste kërkesën serbe edhe në diskutimet e mëvonshme në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkohë, gjyqtari kryesues Charles Smith kishte qenë më parë pjesë e strukturës së lartë gjyqësore të EULEX-it. Sipas biografisë zyrtare të Dhomave të Specializuara, ai ishte gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013, anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më pas nënkryetar e kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Në vitin 2021, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, në një çështje tjetër para Speciales kërkoi përjashtimin e tij, duke iu referuar pretendimeve të ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons dhe korrespondencës elektronike lidhur me sjelljen e Smith gjatë kohës në EULEX. Vendimi zyrtar mbi kërkesën për përjashtimin e Smithit u refuzua, por konfirmon se materialet dhe pretendimet ishin paraqitur në procedurë.
Këto elemente krijojnë një konvergjencë që meriton hetim: origjina politike e çështjes, interesi afatgjatë i Serbisë dhe Rusisë, informacionet paraprake të presidentit serb, historia institucionale e gjyqtarit kryesues dhe një kontekst ku Perëndimi njëkohësisht kërkon ta mbajë Serbinë sa më larg orbitës ruse. Në vitin 2026, Serbia ka “vazhduar” rrugën drejt BE-së dhe njëkohësisht ka nisur hapa për “reduktimin” e varësisë energjetike nga Rusia dhe sigurimin e furnizimeve përmes mekanizmave evropianë.
Një “mars 2004” i ri dhe interesi pas vendimit
Pyetja më e rëndë, megjithatë, është ajo që vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë.
Nëse zemërimi në Kosovë mbetet protestë politike, kemi krizë të drejtësisë dhe besimit. Por, nëse zemërimi tranformohet në dhunë kundër serbëve ose kishave ortodokse, atëherë kemi diçka tjetër: një krizë sigurie që mund të përdoret për të rikthyer argumentin se Kosova nuk mund të funksionojë si shoqëri multietnike dhe se duhet një zgjidhje tjetër.
Këtë model Kosova e ka parë njëherë, në marsin e vitit 2004. Prandaj, pyetja sot nuk është vetëm se çfarë vendosi Haga.
Pyetja është se çfarë skenarësh mund të ishin kalkuluar me vendimin e Dhomave të Specializuara. Nëse planet tashmë kanë dështuar – dhe me sa duket po – atëherë me vendimin e apelit mund të kemi një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së. Mirëpo, mbetet në detyrën tonë si shtet dhe shoqëri që këto plane t’i mbajmë të dështuara. Në këtë drejtim, do të duhej shikuar mundësitë që Oda e Avokatëve të Kosovës ta mbështesë mbrojtjen në Hagë përmes një ekipi të specializuar për analizën e aktgjykimit, identifikimin e gabimeve juridike e faktike, kërkimin e jurisprudencës, shqyrtimin e provave të reja dhe simulimin e seancave të apelit. Ajo mund të kërkojë edhe status amicus curiae, pasi Rregulla 67 e Rregullores së Procedurës dhe Provave lejon që një organizatë ose person të kërkojë leje ose të ftohet nga paneli për të paraqitur vërejtje si amicus curiae, ndërsa drejtimin procedural e mban ekipi mbrojtës në Hagë.