Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: “Vitet parisiane të Hasan Tahsinit”

Arben Iliazi

Miku im, shkrimtari, studiuesi dhe kineasti Luan Rama, më dhuroi librin e tij “Vitet parisiane të Hasan Tahsinit”, të sapo dalë nga “furra” e “Albas”. Hasan Tahsini ka jetuar për 12 vjet në Paris. Në rolin e dijetarit dhe filozofit, ai ia kundërvë jetën e përditshme jetës nëpërmjet mendimit, të cilën e konsideronte jetë të epërme. Ky libër është një rrëfim për Dijetarin e shquar, që i zbret kategoritë e amshuara nga qielli ku preheshin, dhe i sjell në atë copë të vogël toke ku kanë lindur. Për Tahsinin, gjithçka hyjnore është njerëzore, ndërsa gjithçka njerëzore i përket historisë. H.Tahsini ishte i sigurtë në kuptimësinë e kohës, i armatosur me dije dhe norma universale. Në ngadhnjimin e shkallëshkallshëm të arsyes mbi zakonet e paragjykimet, me një besim të patundur në përparimin e arsyes, ai i kthen rrjedhës kohore gjithçka që shikohej si identike dhe e pandryshueshme tek njeriu. Që nga Platoni deri te Volteri, larmia njerëzore gjendej përballë gjyqit të vlerave. Mendimi iluminist i Tahsinit gëzon prestigj të konsiderueshëm pasi luftoi, para së gjithash, për idetë e arsyes universale, duke sprapsur pargjykimet dhe padijen, me një shpirt unikal dhe mbi baza kinse racionale, me një mendim të kthjellët dhe të arsyeshëm, pa e parë të përtejmen si horizont të përjetshëm e të përhershëm dhe qëllimin më të lartë të veprimtarisë njerëzore, por edhe pa ‘blasfemuar” me parime abstrakte e jashtëkohore, pas mjegullnajave metafiziko-morale, dhe pa e flakur tej mundimin shpëtimtar të ndjenjës fetare. Tahsini ishte një Sokrat shqiptar. Në dallim nga Sokrati grek i lashtësisë, që nuk la asnjë vepër, Tahsini ynë të paktën na la disa vepra. Ai la dy nxënës “të hajrit”, Naimin dhe Sami Frashërin, që u bënë maja të Rilindjes Shqiptare dhe një Namik Qemal e të tjerë, që u bënë maja të Rilindjes Osmane.

Tani të të kthehemi te pyetja: A kishte dyshuar vallë Tahsini në dogmën fetare, kur kishte pikëtakuar shkencën e madhe në Paris dhe vështronte yjet nga Observatori i Parisit? Apo ishte një rrugë tjetër, ndoshta më e gjatë, që e çonte drejt njohjes, deshifrimit të enigmave të kësaj bote një fetar jashtë modelit sultanor? Kështu,pra, nisi avantura ime në kërkim të gjurmëve të H. Tahsinit në Paris, ku kishte shëtitur dhe përjetuar ngjarje historike, shkruan Luan Rama. Në vitin 1857, nga Stabolli, ku drejtonte Universitetin e Stambollit, Tahsini u nis drejt Parisit, së bashku me Selim Sabit, si të përzgjedhur të qeverisë, për të drejtuar Shkollën Imperiale, e cila ndodhej 300 metra larg Observatorit, që drejtohej nga zbuluesi i Neptunit, Le Verrier. Astronomia u bë fusha e preferuar e Tahsinit, edhe pse kishte petkun e klerikut. Ai shkroi shumë duke iu referuar zbulimeve të kohës, shkrime që i gjejmë në veprën e tij, të botuar pas vdekjes, ku shtrohen çështje themelore të krijimit dhe ekzistencës së universit, trajtuar në mënyrë shkencore dhe filozofike. Pikëpamjet e tij u përmblodhën në libra si: “Themelet e shkencës së qielli”, “Qenia dhe historia e krijimit”, si dhe “Psikologjia, ose shkenca e shpirtit”, studim që e rendit ndër themeluesit e psikologjisë moderne në historinë e vonë osmane të shkencës.

Në kohën kur Tahsini mbërriti në Paris, debatet intelektuale, liria e shtypit, kërcënimet e censurës ndaj vëllimit poetik “Lulet e së keqes” të Baudelaire, si dhe të romanit “Madame Bovary” të Flaubert, dhe liria e shtypit ishin në qendër të mediave.

Gjatë viteve në Paris, përveç mbarëvajtjes në Shkollën Osmane, përveç mësimdhënies së lëndëve shkollore, si njeri kureshtar që ishte, pati rastin të përfitojë shumë nga kultura franceze.

Tërë rilindasit turq dhe ata shqiptarë morën “dorë” nga Hasan Tahsini, si në Pris edhe në Stamboll. Tahsini ka qenë mësues shtëpie i historianit zyrtar të famshëm Osman, Hajrullah Efendi, djali i të cilit ishte poeti dhe dramaturgu me famë osmane, Abdulhak Hamid.

Në kujtimet e tij, të botuara në vitet 1920 në Stamboll, poet Abdulhak Hamid, i cili “që fëmijë hyri në parajsën e Hasan Tahsinit”, mentorit të tij, shkruan:”Hasan Tahsini tha se atje (në Paris) ishin ferri dhe parajsa që ndodheshin nën tokë. Duhet shkuar në Paris, sepse ata që nuk kanë jetuar në Paris konsiderohen se s’kanë jetuar vërtet në këtë botë”. Hasan Tahsini kishte krijuar figurën e dijetarit dhe ky njeri i paqtë dhe erudit e kishte fituar respektin e autoriteteve. Bota franceze la gjurmë të madhe në shpirtin e tij. Ai u specializua në filozofinë materialiste, në matematikë, kimi, fizikë, në shkencat natyrore dhe astronomisë në universitetin e Sorbonës. Interesante është vepra e tij “Sekretet e ujit dhe ajrit”, ku te pika e ujit Tahsini shikonte burimin e vetë Gjithësisë. Dhe këto zbulime i jepnin frymën e një poeti, me poezi të frymëzuara nga shkenca, siç dhe do të shkruante:

“Në avull i shndërroi ujërat i dashuri im

Deti i lotëve nga sytë e mi e bëri gjithësinë tërësi”.

Hasan Tahsini la përshtypje të pashlyeshme në kujtimet e njerëzve, me personalitetin e tij unik, si një figurë intersante, në kafenetë parisiene që frekuentonte. Ai mori pjesë në shumë konferenca e debate, të cilat athere zhvilloheshin të hapura, sidomos në kafenenë e famshme “Il Procopo”, ku mblidheshin iluministët dhe figurat e shquara të Francës. Pikërisht aty Benjamin Franklin-i hartoi Kushtetutën Amerikane.

L. Rama përshkruan në këtë libër edhe njohjen e H. Tahsinit me linguistin dhe historianin e shquar Bianchi, një nga studiuesit më të mirë të botës osmane, arabe dhe të Orientit të largët.

Mjerisht, thotë autori Luan Rama, nuk kemi kujtime personale të Tahsinit. Këto shënime mund të kenë humbur gjatë ikjes së shpejtë nga Parisi, me rastin e vdekjes së papritur të Fuad Pashës, të cilin duhet ta përcillte për në Stamboll. Ose ndoshta këto shënime kanë humbur gjatë vdekjes së tij në vetmi, ku askush nuk u kujdes për trashëgiminë e tij. Ajo çka ishte botuar deri athere u mblodh nga Vëllezërit Frashëri, nga miq të afërt dhe ish nxënës të tij, dhe sot i kemi të grupuara, edhe pse disa traktate janë ende të pabotuara.