Ruzhdi Gole: GËZOFSH TI, KRESHTËZ!
*
Sa t’kam dashtë
njat pranvere
veç pranvera e ka dijt’,
ç’kohë mënoi nuk ish veç terresh
ç’kohë praron nuk është veç ndrit…
Njat pranver’ sa t’kam dashtë
hire të tjera përtërit, …
tash dimnojmë
thëllim nartë
ç’kohë vjen
pa e dijt…
*
Si me t’thanë në gjys’ të verës
do verojmë më shumë
ndopak?
Gege je
zy’myl etjesh hershëm,
unë jug ndjellës
diç dinak.
Si me t’thanë
përtej gjysmës
se jetojmë botën tjetër,
jetëgjatë … më gjatë thukët
të shkojmë tutje
asht ende herët.
Si me t’thanë në cep të jetës?
*
Nata shtrihet
me gjinjtë jashta
bel’ i natës gjithandej k’putet,
me na mug afrohen plasat
me na tut
orteqet
ujqër
ngjethojnë lugjet.
Mes dëbore mes një pylli
ëndërr tash
shtrihemi shpejt,
me u mug
pik’llohet
ylli
mjaftojnë vashat
me u çel
tutje
njiher’
bashkë
cekët
veç.
*
Hopthi, gropthi shkundet bora,
dikujt e gjora i dhimbset
shkurt shkurtit,
dikush i g’zohet
për fjollat
qashtër
lumthi.
Gëzofsh borën
motit tjetër
veç nga të tjerët
kreshtëz në shkurt,
ma mbush plot
qelqin e erës
me mjedër
me aromë
helmin hajdut.
Hopthi, gropthi
shkundem dëbore
suferine qëllohem me shkelm,
pak hajdut i k’saj dreq bote
hove hope
lot në helm.
Gëzofshim dëborën, o Kreshtëz …
*
Çupëzë me gjumin zgjuar,
gjumë o gjumë
i gjithi flatër,
dritë merr diku hua
të shpagosh
kthjellët natën.
Lëngatë nata më nuk ndihet
gjersa era pi ullukët
gjersa shallet
ngrohin
terret
thirrjet
Gjumë, o gjumë për një çupëz
*
Marritë i gëzohen territ përdore
ku me dal, me u shtri pa u fik,
ik e ik
me gris teshat e orëve
tekstilet e gjumit me i shthurr
vjegëz fundbote
rrëzëllijnë
harmonitë.
O botë e gacave, e marrive njitash…
ku me u shtri
të shkrijë bora e gjinjve
në pëllëmbët e mia
prej flore
gishtash endacakë?
Marrive u gëzohem
territ përdore …
*
Fryma e begatë mos më rrezatoftë
veç një stine,
Shpirtin e jap
për tjetër shpirt,
në mos, më jepni një
dallgë Vlore
të mbulohem hijshëm
i hirtë…
*
Shumë të kam lëvduar
sikur t’jesh veç grua
me qerpikët
që sillen
me erën si duan.
Shumë të kam lëvdue
sikur të jesh
veç flutur
ndjell drite
hile e huaj
lumthi rreze,
korbi mugull.
Askund s’të kam lënë
as përcjell, përzënë
me fllad me vrap,
më pak se grua
më shumë
se nënë
e perëndishme
fatit motak.
Shumë t’lëvdoj
si t’jesh ende vajzë…
*
Si me çel pa u ndjell vyshkja
kur dhe vyshkja
me u hirnu
ndillet,
kuturu
k’putet shkuma
jo e valëve as e linjave.
Nëpër trup
me i gjet gjithë linjat
gjeth’ diku
deg’ gjetkë,
me u ndjell
pa u vyshk
retina
me pa botë
jo veç me diell.
Si me u vyshk e me u çel?…