Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “Rebelohet” sërish poeti Rudolf Marku

Në gazetën “ExLibris” u botuan shtatë poezitë më të fundit të Rudolf Markut, shkruar gjatë muajit shtator 2026.

Në të gjitha poezitë spikat mendimi filozofik, kontrasti mes jetës meditative dhe qënies ekzistenciale, paradoksi dhe ironia nga bashkimi i të kundërtave në një qënie të vetme. Dolfi nuk është nga ata poetë që vjen me një pjatë të ëmbël ngushëllimi për mundimet e jetës dhe të dashurisë; poezitë e tij, pavarësisht nga thelbi liriko- filozofik, janë shpesh “të hidhuara” në ëmbëlsinë e vet, që të bëjnë të rrudhësh gojën dhe të biesh në mendime të thella.

“Netët e Valpurgisë, celebrime satanike, buzë me gjak

Ku flijohen fëmijët, gra të pafajshme, ëndrrimtarët e pafat,

Në vënd të zogjve -aeroplanë të mëdhenj,

Që hedhin bomba gazmore gjithëandej,

Netët e Valpurgisë në Sheshin Skënderbej…

(Netët e Valpurisë).

R. Marku është nga ata poetë që i shemb krijesat e veta, me t’i shpallur, për t’i nxjerrë nga gjysmëdrita dhe muzgu, mendimtar që luan me veten, me të tjerët dhe me botën, si me lodrën e vet. Këshillues dhe gjykues i botës së njeriut, krijesës që ai e pranon sipas gjendjes së vet, herë si kreatyrë natyrore, herë si vetëkrijim, dhe herë nuk denjon ta barabisë as me qenin e shtëpisë së vet:

“Në fundin e jetës veç pak kujtime mbeten,

Qeni i fëminisë që e vranë në oborrin e shtëpisë tonë…”

(Vetëm pak kujtime mbesin)

Poeti Rudolf Marku jeton si të qënkësh forcë natyrore e shtrënguar të shtillet mes shoqërisë njerëzore, duke treguar me gisht botën dhe jetën:

“Oh, ç’zvavitje, oh ç’spektakël, o netë folklorike përzier me xhaz,

Lashtësi ilirike , bërë bashkë ferr dhe premtim- parajsë;

(Netët e Valpurisë).

Marku nuk hyn në botën njerëzore kur ia hapin derën; ai hyn me të shtyrë, pasi nuk i pëlqen të jetë njeriu i rastësive të humbura. Ai nuk kujdeset të mendojë për çastet që kanë shkuar, për mënyrën se si duheshin jetuar ato çaste që nuk kthehen kurrë më. Për këtë poet laureat dhe shkrimtar postmodern, Shqipëria ka mbetur vendi i shfaqjes së papjekurisë dhe i shfrenimit të betonit.

“Herën tjetër kur të kthehemi këtu si vizitorë,

Do blejmë kartolina – grataqielash për miqt përsëri,

Edhe pse tre trumcakë me sqep çukisin betonin me inat,

Duke ruajnë territorin e vet me kokfortësi.

(Do blejmë kartolina)

Melhem rudolfian, që shëron duke shpotitur, edhe pse i kyçur në kullën e fildishtë të pesimizmit të tij. Zbrazëtia e brendshme, amështia e ndërgjegjes, varfëria e shpirtit, na shtyjnë drejt një shoqërie që përbëhet nga njerëz të njëllojtë, ku çdokush kënaqet me të ngjashmin e vet, duke rrëshqitur përfundimisht në zvetënim. Me individualitetin e tij të spikatur, me një gjykim aristetolian dhe me një dhimbje të lindur, në këto poezi poeti ka ngjyrosur çdo ndjenjë, i bindur se “natyra është e përjetshme dhe jeta është lëvizje e brendshme”.

“Nuk ka nevojë të zgjedhesh mes pyjesh një vend,

Dhe as na duhen lartësitë ku t’na merren mëndt”

(Netët e Valpurgisë)

“Një delfin i plagosur që erdh në breg duke iu besuar gabimisht njerëzve”

(Vetëm pak kujtime mbesin)

Janë vargje ku mbizotëron ndjeshmëria dhe prishet ekuilibri i temperamentit, duke sjellë trishtim të tepruar. “Të gjithë individët e shquar në filozofi, në politikë, në poezi, në art, janë melankolikë”, është një thënie e Aristotelit. Do të thosha se kjo nuk është vetëm ndjeshmëri e poetit, një “rebelim” i unit të tij për të mos iu përshtatur cektësisë, zbrazëtisë dhe shijes së keqe të njerëzve dhe atyre që drejtojnë, por edhe aftësia e tij intelektuale.

Nga gjithë cikli do të veçoja poezinë “Në qytetin e vjetër”, që trajton thelbin e ekzistencë së gjërave në tërësinë e tyre, ku qendra e gravitetit bie pikërisht te dashuria, pasi vetëm ajo mund të bëjë histori:

“Ecim këtë mbrëmje vonë, në muzg,

Dhe Bota është e mbuluar nga hijet e territ,

Kalojmë mespërmes mureve mesjetare,

Jemi të vendosur për ta terheqë drejt nesh,

Trupin e Dashnisë që digjet mes flakëve,

Nga gryka rrethore- thithëse e Ferrit.

Nuk na njeh askush. Nuk jemi nga ky qytet,

Por dimë se vetëm dashnia mund të bëj Histori,

Me kujtesen e vendit ku u shtrimë mes barit,

Me ledhet nga ku na kërcënonin me heshta,

Me plagët e Krishtit bërë nga kryqëzime farisejsh,

Dhe me zhurmën tinzare të hapave që dëgjohen përsëri.

Gurët e strallit ende thërrasin

Këpucët tona të ngrëna që ecnin në muzg,

Në qytetin e vjetër me rrugët e ngushta,

Që shprehin trishtimin si shiritat mbi krahët e burrave,

Kur të afërmit e të vdekurve që deshën mbajnë zi.

E dinim se vetëm dashnia mund të bëj Histori”.

Njeriu që pa nevoja shpirtërore, si pasojë e mangësisë dhe vulgaritetit të përmasave të tij intelektuale, mund të përkufizohet si filistin, me horizont të ngushtë kulturor e botë shpirtërore të vogël. Por edhe si farisej, i lidhur ngushtë me pushtetin, autoritetin,të vetmet gjëra të vlefshme për sytë e tij. Fariseu është sinononim i njeriut hipokrit, shtiracak apo dyfytyrësh, që merret seriozisht dhe papushim me një realitet që nuk ekziston. Ai është njeriu pa nevoja shpirtërore dhe pasojat e kësaj janë të shumta.

Rudolf Marku është poet që ndien me tërë qënien e tij, “demon” i së vërtetës, me një kthjelltësi të pakrahasueshme, me ndershëmri dhe sinqeritet, që e shndërron të pafundmen në frymëzim që ka formë, në art të nivelit të lartë.