Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Ardhja në jetë…


Përpara se të tregoj për veten, dua të tregoj se nga vij.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më kanë rrëfyer se forcat e Isa Toskës u ngjitën deri në fshatin tim, Ngraçan, për t’i kërkuar kryeplakut të fshatit mbështetje dhe rekrutimin e burrave. Kryeplaku ishte xhaxhai im, Riza Shanaj. Ai u përgjigj:
— Jeni me vonesë. Djali i vëllait tim është tashmë me partizanët.
Kaq mjaftoi. Forcat mercenare të Isa Toskës u vunë flakën shtëpive në hyrje të fshatit. Morën peng xhaxhain tim tjetër, Bektashin, dhe Ismailin, djalin e Rizait. Po atë ditë të dy u ekzekutuan.
Të gjithë të tjerët u detyruan të largoheshin nëpër pyje dhe gjetën strehë në malin e Shpiragut, në vendlindjen e nënës sime, te gjyshja. Aty jetuan afro nëntë muaj. Pikërisht në atë periudhë jam ngjizur unë. Para meje ishin tre vëllezër dhe një motër e cila në moshën 7-vjeçare u ka ikur brenda natës. Një dhimbje barku që i mori jetën. I vinin tulla të nxehta Fatos së bukur. Me sa duket ka pasur apendisit e shkreta nga tulla e nxehtë i iku jeta. (Për çudi në të njëjtën moshë vajza ime u bë operacion nga apendisiti). Pra prindërit pas 12 vjetësh diference me Petritin më zunë mua në Shpirag. Nëna më thoshte donim ta kishim një vajzë po ja që për tjetër gjë u nisëm na dole ti. I kisha tre çuna.
Erdha unë që ngjizjen e kam në Shpirag.
Kur familja u kthye në fshat, nuk kishte më shtëpi. Gjithçka ishte djegur. U linda më 7 shkurt 1945.
Ndoshta për këtë arsye Natasha ka bërë shpesh një paralele poetike mes lindjes sime dhe lindjes së Jezusit: një fëmijë që vjen në jetë pothuajse në një grazhd në një strehë të varfër, pas një kohe lufte e shkatërrimi.
Nuk kisha mbushur ende pesë ditë nga lindja, kur nga spitali partizan në Itali u kthye vëllai im i madh, Arifi, përgjegjës i rinisë partizane. Ishte plagosur rëndë në luftë. Ai vendosi të më pagëzonte me emrin Mevlan, në kujtim të komandantit të batalionit partizan, i cili mbante të njëjtin emër.
Babai im, Seiti, ishte një njeri i ditur. Gjyshi e kishte dërguar për shkollë në Berat, ku kishte kryer mejtepin dhe medresenë, duke u përgatitur si mësues i shkencave ekzakte në shkollat fetare.
Në vitin 1927, kur në fshat u diskutua nëse shkolla duhej të hapej në xhami, pati kundërshtime.
Disa thoshin se fëmijët mund ta ndotnin ambientin e shenjtë. Babai im dha një përgjigje që mbeti në kujtesën e të gjithëve:
— Fëmijët janë melaqe. Janë të pafajshëm dhe Zoti ua fal.
Argumenti i tij fitoi dhe shkolla u hap në xhami. Për vite me radhë nuk e dija se ndërtesa ku zhvillohej mësimi kishte qenë dikur xhami.
Pas disa vitesh, për arsye shëndetësore, babai u largua nga arsimi dhe u punësua si nëpunës i taksave në Bashkinë e Ballshit. Sa herë duhej të shkruaja autobiografinë, këtë fakt e lija jashtë. Kisha frikë se shokët do të më thoshin: “I biri i taksidarit të mbretit”. Në atë kohë, në mendësinë tonë, kjo dukej si një njollë që duhej fshehur. Nga babai kujtoj dy gjera. Ishte një dasmë, unë isha në oborr, qentë u kacafytën për kockat e dasmës dhe më përfshinë mes tyre, aty si duket më ngulën ndonjë dhemb dhe kujtoj se babai më shpuri te infermieri në një shtëpi me shkallë, e kujtoj se në krye të shkallëve qe lidhur një dash që më bëri aq përshtypje.
Rasti i dytë që e kujtoj ishte një mëngjes, gratë po merreshin me trupin e pajetë të babait, nëna sa më pa që u zgjova thirri një njeri dhe i tha merre largoje. Unë pashë lotët e tyre dhe ngela, nëna më tha e ik se plak ishte. Të vetmen gjë që nuk ia fala gjjthë jetës, si më tha ashtu për babain, kur ai në atë kohë kishte qenë 52 vjeç!
Kur isha pesë vjeç, fillova të zgjohesha natën me ulërima. Nëna ime ishte goditur rëndë nga jeta. Burri i saj kishte vdekur kur unë isha vetëm tre vjeç. Pak më vonë vdiq edhe djali i madh, Arifi, sepse plagët e luftës nuk iu mbyllën kurrë. Kur unë mbusha pesë vjeç, ajo kishte humbur tashmë bashkëshortin dhe djalin.
Qarjet e mia të natës u bënë aq shqetësuese, sa një mbrëmje nëna më çoi te Babai i Drenies, një vend i shenjtë, që të flija aty një natë.
Nga ajo natë kam një kujtim të pashlyeshëm. Mbaj mend një varr të madh, si një djep gjigant, të mbuluar me një pëlhurë të gjelbër. Njerëzit rrotulloheshin përreth me nderim e besim.
Kaluan shtatëdhjetë e gjashtë vjet.
Në Fier takova rastësisht një poet nga Drenia. E pyeta nëse varri i Babait të Drenies ishte ende ashtu siç e mbaja mend. Ai buzëqeshi dhe më tha:
— Po. Është ende po ai.
Në atë çast kuptova se kujtesa ime e fëmijërisë nuk më kishte tradhtuar.
Jam një mallakastriot, i ngjizur në Shpirag, në vendlindjen e nënës sime, por i lindur mes hirit të luftës, në Ngraçan.
Ndoshta pikërisht aty fillon historia ime. Më pas shtegëtimet Patos, Tiranë dhe shumë e shumë vende, njohje, punë dhe vetëm punë. Nuk mund të rri pa kujtuar filmin e parë në jetë kur isha 7 vjeç në kinemanë e Patosit, në atë kohë filmi më dukej si magji. As qē më ka shkuar në mend që vite më vonë nëna do vinte në të njëjtën kinema të më shikonte me shoqet dhe të ma falte gabimin që kisha ikur nga mjeksia. Filmi “I teti në bronx” e kishte bërë krenare. Kështu mori rrjedhën jeta ime, prej 1965 me art dhe ekran.
(Nga libri në proçes ” Nuk është vonë të tregosh”).