KLASA INTELEKTUALE DHE AKADEMIKE SHQIPTARE, ETIKA DHE INTEGRITETI I TYNE MORAL, KULTUROR DHE NJERËZOR
Skënder SHERIFI
Të nderuem bashkatdhetarë,
Deshta me e nda me ju, miqësisht, këtë pikëpyetje e këtë shqetësim timin puro moral. Mos mendoni se e kam për me ju dhanë leksione, apo me ju shitë mend, por mue më duket kjo pyetje krejt legjitime, dhe i thashë vetes: ta pleqërojmë sa ma objektivisht së bashku?
Mundemi me u pajtue e me qenë dakord në fund, ose jo, kjo nuk prishë kurrgja. Kryesorja asht që secili me e ndie veten plotësisht të lirë me e shprehë mendimin e vet real dhe me qenë i respektuem. Pastaj, do ta pimë prapë një kafe së bashku e do të flasim për sport, film, kangë, artistë apo hajgare të përditshme…
Unë e kam, dhe e kam pasë gjithmonë, një problem serioz e qenësor, thelbësor, me klasën e quejtun intelektuale, universitare, akademike shqiptare, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë; me gjithë ata që e quejnë veten «Elita e Kombit», atë mikrokozmos kulturor e mediatik të njoftun prej të gjithëve.
Ndoshta e kam me të drejtë, ndoshta mundem me qenë edhe gabim? Do ma thoni ju! Por e kam perceptue që në fillim, shpirtërisht, intuitivisht, se diçka esenciale nuk funksionon tek ajo “elitë“…
Liria e vërtetë, të cilën nuk e kanë fare, pavarësisht se çka mund të thonë apo të deklarojnë; sinqeriteti dhe autenticiteti absolut; etika individuale, morale, kulturore, intelektuale e shoqnore; rigoroziteti e serioziteti; thellësia analitike; pa folë mandej për kultin e egos, megalomaninë dhe refuzimin sistematik të çdo kundërshtimi, etj.
— Po qysh mundesh me e afirmue atë gja, zotni Sherifi? Ku e di ti? – do të më thoni ju.
— E ndiej, e perceptoj intuitivisht, sepse kam disa shenja, sinjale, raste konkrete, të cilat m’i shtrojnë disa pikëpyetje. Se nuk më ka ardhë ajo ide kot së koti prej qiellit, pa asnjë arsye të qartë. Dhe kur shpirti jem, nga thellësia e tij, më thotë diçka, ai zani jem i mbrendshëm, unë, me logjikën teme, e dëgjoj; sepse e kam konstatue përmes eksperiencës teme jetësore se, shumë rrallë, më ka mashtrue dhe, në ma shumë se 90% të rasteve, m’u ka konfirmue si diçka e saktë.
Rasti i parë, aty ku më kanë lindëdisa pikëpyetje, ka qenë ajo mungesë totale e vërtetësisë personale, e sinqeritetit mbi çdo veprimtari krijuese artistike apo intelektuale. Pra, për me e thanë krejt haptas, por me një formë respekti e kortezie, në një mënyrë sa ma transparente e të argumentueme siç duhet se çka mendon realisht mbi një libër, një film, një dramë teatri, një album muzikor, një ekspozitë pikture të Filanit apo Fistekut?
Qysh e ke kuptue dhe perceptue ti vetë, personalisht, dhe cilat përshtypje apo gjurmë të ka lane ajo vepër? E çka i sjell ajo vepër Publikut shqiptar? Çka ka aq të veçantë apo origjinale, sa me e lavdue aq shumë?
Sepse, nëse jam serioz e profesional me veten teme, unë, së pari, të paktën 90% të produkteve krijuese i konsideroj gati të kota; ose, nëse jam ma elastik e simpatik, veçse e shtojnë një përsëritje, ose një lloj fast-food-i artistiko-kulturor, e asgja ma tepër.
Sepse ky asht realiteti… Çka ta konfirmon çdo specialist i atyne fushave, i formuem profesionalisht në Sorbonë, Oxford apo Harvard.
Në këto tridhjetë vitët e fundit, i ke maksimumi tre shkrimtarë francezë, në gjashtëdhjetë e pesë milionë banorë, të cilët i kanë sjellë diçka të veçantë letërsisë franceze apo botnore; dy-tri regjisorë filmi; një autor teatri, Florian Zeller…
Kurse të tjerët figurojnë me veprat e tyne ose korrekte, dinjitoze, mbi mesataren, por jo superorigjinale; ose me vepra mesatare të pranueshme, si seriale të kategorisë B e C; ose mandej me vepra mizerabël, të kota, nën mesataren, të cilat, për mue, nuk meritojnë me u përmend publikisht, sepse e koritin artin si ART!
Kurse tek ne, çdokush asht gjenial!
Okay, e kuptoj se janë disa rezerva politese dhe kortezie në publik, deri diku jam dakord. Por jo tue e veshë çdokënd me lavdata e komplimente të rreme: “Je super, je gjenial, bravo të qoftë, çfarë vepre fantastike!”, kur 90 për qind e produkteve kulturore shqiptare janë, sipas meje, nën nivelin mesatar europian dhe nuk të lanë, në realitet, kurrfarë përshtypjeje të thellë – bile, për mue, me kriteret që kam trashëgue prej Brukselit e Parisit, nuk i afrohen as një seriali B, të ndërtuem profesionalisht në mënyrë perfekte e, së paku, super-argëtues për Masën.
Po mandej vjen pyetja: “Ku asht kritika profesionale dhe intelektuale shqiptare, ajo e cila i skanon dhe i radiografon objektivisht e pa mëshirë fare gjithë ato vepra apo inaugurime artistike“? Më thoni: cili analist apo kritik profesionist, i cili gëzon njëfarë reputacioni në opinionin publik, e ka lirinë, guximin dhe sinqeritetin e mbrendshëm me e afirmue, por me argumente serioze e jo me llafe koti, pa lidhje, se: “ky libër, ky film, kjo dramë, kjo ekspozitë, ky album muzikor nuk vlen asgja; asht banal, mediokër e krejt i rëndomtë, për gjithë këto arsye precize“?
Nuk kanë mungue rastet, si në Shqipni, ashtu edhe në Kosovë, ku çdo njeri i rëndomtë, i cili e ka botue një libër të kotë me pare, e ka ble një parathanie apo një kritikë fiktive për një faqe gazete, ose një intervistë televizive. E kam pyetë në disa raste veten: “Si justifikohet profesionalisht emni i Dritëro Agollit apo i Besnik Mustafait në librin e kotë të Filanit, përmes një komenti apo një parathanie…“? E plot të tjerë me radhë?
A vjen Jacques Derrida, apo Gilles Deleuze, apo Philippe Sollers, me ia shkrue një kritikë, një parathanie, një amatori që e ka botue një libër veç për me ia ba qejfin vetes?
Ne e kuptojmë mirë sesi funksionon ky muhabet dhe e dimë mirë se në Shqipni çdo gja blihet me pare… okay? Por mandej, ku qëndron dinjiteti dhe kredibiliteti i atyne personave, të cilët gëzojnë një status, të merituem apo të stërfryem artificialisht në Shoqninë shqiptare, e të cilët na paraqiten si elita e inteligjencës kombëtare?
A ia ban një parathanie Albert Camus kushërinit tem barmen, i cili i ka shkrue përmes magnetofonit kujtimet e veta gjatë jetës së natës? Pse, a mos ishte baras me Alec Baldwin apo Truman Capote? E paska pasë një penë gjeniale, por s’e ka dijtë askush deri dje? Prandaj, kur çdo gja trajtohet njisoj; kur libri i një idioti vlen po aq sa libri i një autori me brumë; kur një tallavahane vlen po aq sa një muzikë e përkryeme; kur një film debil vlen ma shumë se një film i Antonionit; kur një piktor i sheshit Skënderbej ia kalon Klimt; kur çdo gja barazohet, banalizohet, bastardohet, denigrohet, kthehet në spektakël dëfrues, atëherë, dikur, do të asgjësohet vetvetiu në thelb, ngaqë ka marrë fund gjithçka dhe ka vdekë çdo art e çdo kulturë kombëtare, europiane apo ndërkombëtare.
Sepse, kur asgja nuk trajtohet me seriozitet e profesionalizëm, me një etikë morale dhe intelektuale pa kompromis, noton në një kaos shpirtënor e intelektual total, sepse nuk ke ma asnjë referencë serioze, asnjë hierarki vlerash ku me u kapë e mbi të cilën me u bazue. Ngaqë çdo gja anulohet kur hyn, larë e palarë, pa asnjë kriter paraprak, pa asnjë filtrim apo seleksionim, në mullinin e pamëshirshëm të Shoqnise së Spektaklit dhe të buzz-it debil informatik ku një influencues analfabet e vulgar, ose një prostitutë ordinere, dëgjohet një mijë herë ma shumë se çdo filozof apo autor i klasit të parë.
Po pra! Poetët madhorë, pa kalue akoma në programet shkollore, kur i kanë botue në fillimet e tyne, i kanë lexue 200 deri në maksimum 1.000 veta — bile, ju e shihni se tirazhet sot janë prej 300 deri në 500 kopje për poezi — e kuptoni pse?
Kurse një injorant patetik mund t’i ketë, pa e kuptue pse, 10 milionë “followers“ në rrjetet e veta sociale. Kjo quhet triumfi i idiotësisë postmoderne! Hyn ku nuk duhet, ushqehesh me budallallëqe e mbeturina, mohon çdo gja tënden autentike sepse të duket primitive; tenton me imitue botën e jashtme, por pa e kuptue…
Nuk e zotëron minimalisht as kulturën tane kombëtare, traditën, trashëgiminë, as kulturën europiane apo planetare, sepse nuk ua njeh historinë, artin, kulturën, filozofinë, as shkencën. Por të duket vetja modern, alla Paris e New York, Londër e Amsterdam! Kurse, në realitet, je vetëm një Klloun i mjerë, një Majmun, një Imitues, një Konsumator.
Kështu, kjo lloj shoqnie prodhon pastaj automatikisht anti-vlera, anti-kulturë, anti-identitet, antikombëtarizëm patriotik, anti-universalizëm kulturor real dhe, në fakt, anti-gjithçka, ngaqë i intereson vetëm konsumi, spektakli, biznesi, pastrimi i trunit dhe argëtimet sipërfaqësore; si në kohën e Jul Cezarit, në lojërat e Cirkut, me atë formulën e famshme: “Bukë dhe Lojëra” dhe po e shtoj: “kurva, dollarë, telerealitete, bixhoz e kazino, diskoteka, kokainë…” brenda një globalizmi ultra-liberal e materialist në ekstrem, alla Silicon Valley, alla Las Vegas dhe Jurassic Park; një lloj Disney Landi gjigant… me fast-foode, hamburgera e Coca-Cola deri në ngopje!
Jemi si minjtë e laboratorit, tue u sjellë në fabrikën e amnezisë e të trullosjes, ku çdo mendim personal intim, çdo pikëpyetje, çdo ëndërr, çdo dëshirë autentike, çdo emocion shpirtënor i pakalkulueshëm do të jetë praktikisht i pamundun me u shprehë, pa kalue direkt në riedukim nëpër Gulagët modernë të Elon Musk, Jeff Bezos me shokë… gjithë atë çka e kanë parapa për mrekulli Mister Franz Kafka, George Orwell, Aldous Huxley dhe disa autorë vizionarë të zhanrit Science Fiction, me Asimovin, Stephen King e të tjerë.
Ec e nxirre prej atij modeli shoqnor Marcel Proustin, Jorge Luis Borgesin, Thomas Pynchon-in, Fernando Pessoan, Arthur Rimbaud-n, Charles Baudelaire-in, William Shakespeare-in apo Viktor Hygoin? Natyrisht që jo! Por do të nxjerrim Kim Kardashian-in, Taylor Swift-in, Jay-Z-në dhe Snoop Dogg-un me shokë!
Pastaj X-Factor-in, Fermën, Përputhen, Love Island Albania, Star Top, Lufta e Nuseve, Survivor, Kepi i Tundimeve, Style Star Show, Dance Albania… plus 50 deri në 100 seriale, telenovela latino-amerikane apo turkofone. Nesër, apo pas dhjetë vjetësh, me i thanë djalit apo nipit tem: “A e njeh Pasolinin, Viscontin, Jean Vigo, Renoir, Cassavetes-in, Kurosawa-n, Bergman-in, Lautréamont-in, Nerval-in, Whitman-in, Vermeer-in, Delacroix-n, Hopper-in, Hartung-un, Calder-in, Miró-n, Janis Joplin-in, Deep Purple, Prince-in, James Brown-in” do të thotë: “Jo! Në cilin serial kanë luejtë? Në cilën skuadër futbolli? A figurojnë në internet me followers? Kush mutin janë gjithë këta njerëz”?
Ky asht pastrimi i trunit dhe eliminimi progresiv i trashëgimive kulturore e artistike. Provoni vetë me gjeneratat e reja aktuale! Çka e konfirmon falimentimin komplet të edukatës familjare dhe të sistemit edukativ shkollor. Ja pra, me çka janë ushqye tash 35 vjet gjeneratat e reja shqiptare! A shihni ndonjë kulturë apo art madhor në këto programe?
Atëherë, si e interpretoni? Ky asht roli dhe misioni i Qeverive, i Ministrive dhe i televizioneve shqiptare? Me e propagandue degjenerimin dhe dekadencën globale?
Kam mendue, me siguri naivisht: a mos e kemi për mision me ua transmetue ndonjë vlerë esenciale, ndonjë edukatë kombëtare, europiane e qytetare, ndonjë bazë kulturore? Ndonjë ideal, ndonjë ambicie të një natyre krejt tjetër, se sa me u ba mbrenda orës miliarderë!
Duke marrë parasysh këtë kontekst: a do të çuditemi me dekadencën aktuale, e cila ka fillue tash tri dekada në realitet dhe po vazhdon me një ritëm marramendës?
Unë, personalisht, jo, sepse e kam parapa qysh në vitet ’80; kjo figuron qartë në disa poezi të mia të asaj kohe dhe e kam dijtë se do të vinte detyrimisht kjo kohë! Kur e shoh edhe Francën, që, për arsye krejt personale, pavarësisht pozicionimit të saj në lidhje me çështjen shqiptare, mbi të cilin nuk jam as unë dakord, por ua kam thanë pa hezitim fare sy më sy, mirëpo, unë e due atë shtet, sepse më ka dashtë mue si person, më ka favorizue dhe më ka kultivue, dhe i kam disa kujtime të paharrueshme e të përjetshme me Parisin…
Asht baras me një marrëdhanie dashunie, në realitet. Jam natyrisht kritik ndaj Francës në lidhje me problematikën shqiptare në Ballkan, por mue, si individ, më asht sjellë perfekt. Dhe asht po ai shtet, me Parisin, që më ka ndërtue ashtu siç jam, me Personalitetin dhe Universin që kam sot!
Mirëpo, asht tepër e tmerrshme sesi ka ra dhjetë shkallë ma poshtë, në krahasim me ambientin dhe nivelin kulturor global që e kishin njerëzit dikur, me lirinë dhe tolerancën e jashtëzakonshme, me atë universalizmin maksimal, ose në raport me gjithë çka kam eksperimentue unë ndërmjet viteve 1976–1990… Një katastrofë e paimagjinueshme!
Kurse sot, e përjeton një neveri sartriane kur e percepton një shtet nul e pa busull, pa pikën e autoritetit në Europë apo në botë, krahasue me De Gaulle, Mitterrand e ca të tjerë, me një klasë politike oportuniste, populiste e qesharake, pa guxim e pa vizion dhe me një popull të frustruem e depresiv, i cili asht pothuej gati me i sjellë dy injorantë patetikë të ekstremit të djathtë (ish-fashistë) në pushtet, në Élysée e Matignon, prej muajit maj 2027 — çka do të ishte një bombë atomike, jo vetëm për Francën, por për gjithë Europën e Bashkueme e me pasoja ndërkombëtare të panumërta.
Dhe i them vetes: “Po si asht e mundun që një popull revolucionar, me gjithë atë thesar kulturor e historik gjenial, me ra gati në një gjendje komatoze vetëvrasëse”? Mezi po e besoj. E pra, asht një realitet hipotetik potencial, ngaqë të gjitha sondazhet aktuale e paralajmërojnë Marine Le Pen si fituese të zgjedhjeve presidenciale franceze. Çka e konfirmon dekadencën e përgjithshme globale!
Por nuk asht kjo FRANCA apo Parisi jem! Jo, jo! Franca jeme asht ajo e librit që kam botue në nëntor 2023 “WELCOME TO PARIS” ose Parisi magjik i filmit: “Midnight in Paris” i të madhit Woody Allen. Kur isha unë në kryeqytetin francez me dimension planetar, kanë predominue inteligjenca, kultura, intelekti, arti, debati, aventura e gjithanshme, eksplorimi, guximi, liria, mendimi ultra-analitik e kritik, pikëpyetja… Dhe më kujtohet fort mirë se, në ato kohëra, ishin së paku 20–30 kritikë me një reputacion të konsoliduem, të cilëve çdokush u frigohej duke menduar “si do ta komentojnë veprën e tyne”?
Jo vetëm autorët francezë, të cilët kanë qenë po ashtu kritikë e analistë të përkryem, me disa vepra e artikuj të botuem mbi letërsinë franceze e ndërkombëtare, sikurse: Gustave Lanson, André Suarès, Paul Valéry, Marcel Proust, André Gide, Jean Paulhan, Maurice Blanchot, Jean Starobinski, Roland Barthes, René Girard, Gérard Genette, Tzvetan Todorov, Julia Kristeva, Michel Foucault, Gilles Deleuze, George Steiner, Jean-Yves Tadié e plot të tjerë…
Por mandej i ke gazetarët kritikë të specializuem, të cilët e kishin një reputacion maksimal: Angelo Rinaldi, Bernard Frank, Josyane Savigneau, Jacqueline Piatier, Jean-Louis Bory, Maurice Nadeau, Pierre Assouline, Jean-Luc Douin, Patrick Kéchichian, Jean-Paul Enthoven, François Busnel, Jérôme Garcin, Bertrand Poirot-Delpech, Jean-François Revel, Robert Kanters, Pol Vandromme, Michel Mohrt, François Bott, François Nourissier, Robert Poulet, Jean d’Ormesson, Michel Contat, Gilles Lapouge…
Për filmin, ishte zoti André Bazin e gjithë regjisorët e “Nouvelle Vague”, të cilët punonin si kritikë në gazetën e famshme kinematografike “Les Cahiers du Cinéma” — Godard, Truffaut, Rohmer, Rivette… Pastaj ishte Jean Douchet, Michel Ciment, specialistë absolutë të filmit, Serge Daney, Michel Cournot, Pierre Billard, Jean de Baroncelli, Claude-Jean Philippe, Jean Roy…
Në Teatër e kishim Robert Kemp, Jean-Jacques Gautier, Georges Lerminier, Bernard Dort, Jean Vilar, Gilles Sandier, Fabienne Pascaud… E nuk po flas për kritikët e pikturës dhe të muzikës, se na shkon pak gjatë. Nuk flitet këtu për ca amatorë të improvizuem “kritikë arti“!
Jo, o miq, se gjithë këta Kritikë e Analistë të specializuem e të pasionuem e kishin një kulturë të konsolidueme dhe një vizion të sigurt mbi artin që mbulonin, dhe nuk flisnin kot, lidhje e pa lidhje, si amatorë. Lexonin dhe i shijonin të gjitha veprat krijuese. Përpos kësaj, çdokush ua respektonte mendimin dhe i lexonte me qejf e me kureshtje, sepse mësonin diçka edhe mbi veprat artistike, përmes komenteve të tyne aq brilante. Sepse kishin thellësi dhe nivel intelektual maksimal. Shihnin në veprën e IKSIT, atë çka publiku normal, i rëndomtë, nuk e shihte, dhe e shpjegonin përfekt. Dhe çka asht kulmi i etikës profesionale: ishin totalisht të pavarun. Nuk kishin nevojë me iu shitë askujt për një zarf, një darkë apo një weekend në bregdet.
Ata nuk shkruenin për me ia mbarue qejfin dikujt, por për me e ruejtë emnin dhe reputacionin e vet. Dhe ashtu, gradualisht, me seriozitet, me kulturë e me një profesionalizëm evident, e kishin fitue autoritetin dhe kredibilitetin e tyne para opinionit, i cili i priste me padurim mendimet e tyne mbi veprat artistike!
Po, po! Unë vetë i lexoja me shumë dëshirë e etje, sepse e analizonin me skaner veprën dhe e thoshin tamam atë çka mendonin dhe sesi e kishin perceptue ata vetë, na pëlqente apo s’na pëlqente, por me një argumentacion superfin, të përgatitun dhe i cili qëndronte. Edhe sot i falënderoj, sepse ma kanë përsosë edhe mue mendimin kritik mbi veprat e artit!
Po në Shqipni e në Kosovë? Ku i ke këta lloj njerëzish, nëse ekzistojnë dikund? Edhe ata që e kanë fillimisht një kapacitet korrekt, shumë shpejt bastardohen, sepse i kap etja për komfort, për ndonjë post apo për disa pasuni materiale. Kuptohet se tek ne — dhe ky asht një mjerim i madh — asht de facto tepër vështirë me qëndrue dinjitoz deri në fund, i ndershëm, me karakter të afirmuem, i lirë e krejt i pavarun, dhe tue jetue pothuej normalisht me një standard mesatar korrekt, si kritik arti, si artist krijues, apo si hulumtues në histori, antropologji, etnologji apo shkencë.
Kështu që, në shumicën e rasteve, do të komprometohesh herët a vonë, tue iu lëpijë pushtetit politik dhe biznesit, me shpresën se mos ta akordojnë ndonjë favor… Dhe mandej, me kaq, ka përfundue pavarësia dhe profesionalizmi yt, etika individuale dhe intelektuale. Do të jesh detyrimisht i kushtëzuem, i varun dhe i diktuem…siç e ka konstatue vetë Populli shqiptar instinktivisht, dhe siç e verifikon çdokush që e ka një analizë kritike serioze.
Kështu që unë nuk po vij me qëllimin me i dënue, sepse nuk jam prokuror, por humanist anarshist, dhe nesër prapë do ta pi një kafe me të gjithë. Por duhet me e pranue të vërtetën evidente e objektive dhe me tentue me e korrigjue, e jo me u ushqye non-stop edhe pesëdhjetë vjet të tjera me rrena e me përralla. Në një moment, duhet me reague të gjithë së bashku si qytetarë normalë, me një logjikë racionale në krye, dhe me thanë: “Jo, STOP gjithë këtij sistemi aq të çoroditun e të bastarduem”!
Pse?
Sepse, përpos nesh që u rritëm në atë komedi mashtruese groteske, po edukohen me të njëjtën logjikë veprimi edhe fëmijët e nipat tanë. Dhe kështu, po i prishim psikologjikisht e moralisht gjithë gjeneratat e reja, përveç atyne që, për fat, kanë ikë nëpër Europë, ku do të mësojnë diçka ligjore, racionale e normale, e cila merr erë demokracie!
Mund të mos ishe ti vetë dakord me mendimet e thellueme të kritikëve francezë, të cilët i ka admirue jashtë mase Ibrahim Rugova, me plot të drejtë.
— Ah, po qysh e kritikuen kaq randë këtë libër apo këtë film, i cili mue më ka pëlqye?
Okay, dakord! Por analiza e tyne ishte e argumentueme përfekt dhe krejt e pranueshme intelektualisht. Pra, unë e due Godard-in apo Proustin, por ti nuk e don. Nuk prishë fare punë! Eja dhe ta pleqërojmë me argumente…
Por, me analizën tonë kritike, të dy mund ta kemi me të drejtë, sepse e kemi mendimin të strukturuem dhe të argumentuem siç duhet!
Ishin me të vërtetë të pamëshirshëm me librat, filmat, dramat, albumet, ekspozitat, por kishe kënaqësi me i lexue, sepse çdoherë edhe ti mësojshe diçka me randësi mbi atë vepër, të cilën nuk e kishe pa, dhe të hapej patjetër një horizont i ri…
Askush në Paris nuk vinte me të thanë: “Bravo, je një gjeni dhe mirë e ke, çfarë vepre gjigante, miku im…” dhe me të sha pas shpine një orë ma vonë! Ta shprehnin aty, sy më sy: “Shikoni, i nderuar, vepra e juej i ka sipas filtrimeve dhe kritereve tona këto defekte e mungesa, ose këto kualitete dhe pikë, zotëri Iks”!
Prandaj, kam pasë gjithmonë dyshime mbi klasën intelektuale dhe kulturore shqiptare, sepse nuk m’u ka dukë e sinqertë, e thellë dhe e artikulueme me argumente serioze mbi veprat. Dhe kur ia ban qejfin çdokujt, në fund, nuk i shërben askujt: as artit, as kulturës, por, para së gjithash, as të vërtetës. Sepse, me atë lloj qëndrimi amator, oportunist e hipokrit, ti nuk thua në fakt asgja serioze dhe e bastardon automatikisht çdo gja vetë, me këtë lloj pozicionimi ultra-strategjik, ndërkohë që prej teje, si intelektual, pritet një mendim serioz!
Pastaj, sinjali i dytë i alarmit vjen kur shteti, shoqnia, përjeton shkundje, trauma madhore, revolucione, situata të forta dramatike apo fantastike… diçka kolektivisht serioze e mjaft të fuqishme, si për shembull lufta e Vietnamit, ndërhyrja ushtarake ruse në Pragë e Budapest dhe sot në Ukrainë, revolucionet e Tien Anmenit, Majdanit et Gjeorgjisë, pranverat Arabe; xhihadi islamik, Maji ’68, të drejtat civile amerikane me zezakët në vitet ’60 e ’70, me Presidentin John Kennedy dhe vëllanë e tij Robert, Nixon-i me Watergate, Festivali i Woodstock-ut, Lufta e Kosovës, Piramidat dhe ngjarjet e vitit 1997 në Shqipni, arritja e Demokracisë pas përmbysjes së regjimit të mëparshëm komunist, lufta e Algjerisë; ndërhyrja në Irak apo Libi e plot tema të tjera me randësi si: aborti i lirë, të drejtat e femrave, martesa homoseksuale, të drejtat e kafshëve, klimatologjia dhe ekologjia… e kështu me radhë, plot tematika të tjera.
Pra, të gjitha këto evenimente e tallaze, që i kanë përjetue shoqnitë njerëzore në disa shtete, kanë pasë pasoja dhe kanë lanë gjurmë, po apo jo? A jeni dakord me mue? Pastaj vjen pyetja normale: “Si janë pozicionue dhe qysh i kanë komentue intelektualët këto ngjarje?” Se nuk pritet, prioritarisht, mendimi i Taksistit dhe Shitësit të perimeve? Unë, tue qenë i afërt shpirtërisht me Francën e Parisin, e kam vërejtë se gjithë emnat madhorë me autoritet të Kulturës dhe të Inteligjencës franceze të atyne viteve — po themi prej vitit 1960 deri në vitin 2000 — me Sartre, Camus, Aron, Foucault, Malraux, Bourdieu, Deleuze, Barthes, Derrida, Badiou, Lyotard, Julliard, Jean Daniel, Lacan, Althusser, Baudrillard, Morin, Sollers, Kristeva, Marek Halter, Régis Debray… janë pozicionue moralisht, si intelektualë, ndaj gjithë këtyne fenomeneve kolektive, të cilat i kanë shkundë, mirë apo keq, shoqnitë njerëzore në disa Shtete. Kanë reague, kanë shkrue artikuj nëpër shtyp e revista prestigjioze si “Le Monde, Libération”, “Le Nouvel Observateur”, “L’Express”, “Le Point” — dhe e kanë shprehë burrnisht e lirisht mendimin e tyne mbi të gjitha këto ngjarje. Kështu që edhe opinioni publik i gjanë francez apo ndërkombëtar asht ushqye me analizat e tyne. Dhe unë i pari, sepse më kanë interesue.
Tash, kur e baj sot paralelin me botën tonë shqiptare, e kam një problem mjaft serioz. Së pari: Kush janë EMNAT madhorë, me autoritet, me kredibilitet, të dëgjuem e të respektuem prej çdokujt prej nesh, të cilët janë prononcue mbi ngjarjet, së pari shqiptare, e mandej ndërkombëtare?
Sepse, kur shprehet Sartre, Camus, Barthes, Bourdieu, Foucault, çdokush, i djathtë apo i majtë, i respekton paraprakisht këto figura intelektuale, sepse ua pranon prestigjin, autoritetin dhe kredibilitetin.
Po tek ne: Kush janë këta persona?
Unë nuk e di. Me përjashtim të Ismail Kadaresë, i cili asht shprehë mbi disa dukuri, por jo mbi të gjitha, së paku, asht dëgjue me vëmendje. Por mandej? Kush tjetër? M’i citoni, për shembull, me emna e me referenca precize, – kur dhe ku, në cilën gazetë? — dikë të njoftun, prestigjioz, i cili përfaqëson inteligjencën dhe kulturën shqiptare, me një autoritet të padiskutueshëm, që mund ta marrim si referencë morale dhe intelektuale? Kush asht shprehë shumë qartë, me plot liri, guxim e dinjitet personal, mbi fillimet e demokracisë shqiptare në vitet 1989–1990–1991–1992… Se si ka ndodhë saktësisht ai skenar i kalimit prej Komunizmit të Ramiz Alisë tek demokracia e Sali Berishës? Çka as sot, në vitin 2026, populli shqiptar nuk e di me fakte të dokumentueme e të padiskutueshme!
Pra, kush prej intelektualëve, akademikëve, filozofëve, sociologëve, psikologëve, artistëve madhorë asht shprehë mbi këtë temë? Po bilanci i komunizmit, versioni Enver Hoxha? Po tranzicioni demokratik? Po ngjarjet e Piramidave dhe përplasja tragjike e vitit 1997 — depot ushtarake, lufta civile, vizita e Prodit, misioni italian Alba? Po mandej Azem Hajdari, dëmshpërblimet dhe greva e urisë e ish-të burgosunve politikë antikomunistë? Po Lazarati? Gërdeci? E me siguri kam harrue plot tema të tjera!
Dhe po vij direkt tash tek kjo REVOLTË e Tiranës, e cila po zgjat tash ma shumë se tre muaj nëpër bulevarde. Po i la anash me qëllim gjithë temat shqetësuese ndërkombëtare, që e kanë një randësi të paimagjinueshme dhe po përqendrohem vetëm në temat shqiptaro-shqiptare si prioritet. Pra, në të gjitha këto që ua citova, deri tek kjo REVOLTË e fundit, e cila po vazhdon, A i keni dëgjue intelektualët, akademikët tanë, shkrimtarët, filozofët, kineastët, dramaturgët, artistët e mëdhenj, të shprehen se çka mendojnë realisht e sinqerisht gjithë këta njerëz mbi këto tema dhe, aktualisht, mbi revoltën aktuale?
Ju, a e dini? Se unë personalisht, nuk e di. Po pse nuk reagojnë? Pse nuk shprehen? A i ndalë diktatura e Enver Hoxhës, censura dhe propaganda bolshevike apo fashiste? A nuk deklarojmë se jemi në një demokraci pluraliste me vota të lira?
Në Parisin që kam njoftë unë, të gjithë këta emna që i kam citue në këtë shkrim do të ishin shprehë detyrimisht, sipas mendimit të tyne të lirë, dhe do të na kishin propozue një vizion të tyne serioz mbi ngjarjen e momentit.
Po si, o miq, i keni disa qindra apo mijëra njerëz të llojllojshëm nëpër rrugët e Tiranës tash ma shumë se 100 ditë, dhe ju, si intelektualë, si akademikë, si profesorë universiteti, si artistë, si autorë, si regjisorë, si filozofë, si politologë, si sociologë, si psikologë nuk ju intereson fare ajo punë? Dhe qëndroni krejt indiferentë, sikur mos të ishte asgja ajo ngjarje, një skeç për ndonjë kamerë të fshehtë?
E pra, askush prej francezëve që kam njoftë unë nuk do të kishte heshtë… Sepse ai asht pikërisht roli i inteligjencës kombëtare, i ikonave kulturore emblematike të një Kombi: me ardhë e me na sqarue, me na këshillue e me na kritikue nëse e meritojmë, me na sjellë pak dritë e zgjuarsi, pak urtësi, tamam si Plaku i Katundit, i Urti i vendit, të cilit vetë populli malësor ia kërkon atë mendim të stërholluem në pleqërinë e odave.
Por intelektualët që ikin ligsht prej përgjegjësisë së tyne morale dhe shmangen për çfarëdo arsyeje të papranueshme, a mund të respektohen tamam si intelektualë të vërtetë? Sot, për shembull, e kemi një Revoltë në Tiranë e cila po i kalon tri muaj. Unë, siç ua kam thanë në tri shkrimet e mia, i mbështes automatikisht revoltat paqësore e konstruktive, kudo që të ndodhin. Por, po ashtu, i kam shprehë lirisht disa rezerva, kritika miqësore e pikëpyetje personale mbi këtë revoltë, tuj ua dhanë edhe disa sugjerime pozitive.
Po intelektualët tanë? Elita kulturore dhe akademike ku asht në këtë rast, kur, me plot logjikë, sikurse në Paris, pritet një reagim dhe një pozicionim njerëzor serioz e autentik prej tyne? Unë personalisht e kam krye, sa ma ndershmërisht e me sinqeritet, atë detyrë etike normale që e kam si Poet atdhetar e universal, kozmopolit e multidimensional.
Pse nuk vjen populli, masa e gjanë shqiptare, e cila i ka edhe ajo patjetër 100 halle e derte, probleme jetësore, vuejtje e plagë të tjera të përditshme, me iu bashkangjitë kësaj Proteste me kërkesat e veta? Një pikëpyetje e madhe kjo? Aq ma tepër kur dihet mirë se nuk janë as ata të kënaqun! Po pse nuk prononcohet qartë shtresa intelektuale e kulturore e vendit? Unë, ju, tjetri, na e dimë të gjithë pse? Ngaqë asht krejt evidente: “I ndjekin interesat, privilegjet, kalkulimet dhe strategjitë e tyne individuale”. Ngaqë, pa diskutim fare, egoizmi personal predominon ndaj interesit kolektiv, apo ndaj ardhmënisë eventuale të Kombit.
Si jetojnë artistët, intelektualët, akademikët tanë? Me çka? Me poezi, me pikturë, me filma, me art, me ëndrra, me rroga qesharake sa për me mbulue një qira apartamenti në Tiranë? Tue u lidhë direkt apo indirekt me botën politike, ekonomike, me biznesin, me oligarkinë, pra, me gjithë ata, natyrisht të korruptuem, që mund t’i fuqizojnë, paguajnë, emërojnë në një post dikund, sponsorizojnë…? Dhe mandej, tue qenë konkretisht direkt apo indirekt të varun prej tyne, dhe, siç thotë me plot vend populli, me bon-sensin e vet intuitiv: “të bleme, ose moralisht të shitun, apo të kushtëzuem”, çka kanë për t’i thënë po atij populli aq i rënduar nga padrejtësinat kronike?
Çdokush e din atë punë. Por mandej, si munden me u kthye për me folë keq e negativisht kundër atyne që ua kanë ofrue disa privilegje? Prandaj, heshtin dhe e mbyllin gojën! I kuptoj natyrisht dhe nuk vij për me i dënue, sepse jemi njerëz me aftësitë dhe dobësitë tona individuale. Dhe nuk jemi të gjithë heronj, apo persona totalisht të pavarun e të pa kompromis. Mirëpo, mandej, deshëm apo nuk deshëm, ajo klasë intelektuale, akademike, e quejtun elitare, nuk mund ta gëzojë asnjë kredibilitet moral në opinionin publik popullor. Çka masa e gjanë shqiptare e dinë shumë mirë, sepse i njeh dhe e ka kuptue përfekt sesi funksionojnë gjithë këta njerëz.
Dhe e kanë me plot të drejtë? Kur i sheh të njajtët editorialistë apo komentatorë, analista apo pseudo-specialista fiktivë, që opinioni publik i quen «Gjithologë», tue kalue përditë prej njanit ekran te tjetri, për me u prononcue mbi gjithçka, në nji teatër kakofonik sa për show e spektakël live, ti dikur e kupton sensin e gjithë atij cirkusi narkotik! Me ba zhurmë, buzz-e, e provokime, me folë për mos me thanë kurrgja, me ndërpre tjetrin, me gjestikulue lidhje e pa lidhje… me nji fjalë, me e vu nji popull në gjumë, tue ia eliminue çdo mendim të prehtë!
Mirëpo, dikush i paguen gjithë ata aktorë, politologë kafesh, me nga dhjetë tituj e funksione… Të hanën jam Bodleri, të martën jam deputet, të mërkurën jam editorialist e opinionist, të enjten jam biznesmen, të premten jam këshilltar i Ministrit, të shtunën jam muzikant në nji dasëm dhe të dielën jam piktor në Ksamil! E, simbas jush, kështu krijohet vepra dhe kredibiliteti? Kështu kanë pasë veprue Van Goghu, Gogheni, Giacometti, Prusti, Floberi, Lenoni, Bob Marley, Jimmy Hendrixi, Miles Davis, Maria Callas, Aretha Franklin duke u demultiplikuar gjithëkund?
Prandej ata kanë vepra referenciale madhore, kurse na nuk kemi! Sepse, tek neve mbretënon kalkulimi, oportunizmi dhe sharlatanizmi global edhe në ART ose në fushat kulturore dhe krijuese! Që në ngjizje, nuk nisen gjërat me pasion, me sinqeritet, autenticitet dhe me një urgjencë shpirtërore, dhe çdo shumë shpejt çdo gja devijon direkt në 10 kalkulime anekse, kështu që më në fund auto-bastardohet vetvetiu. Nuk ka se di del Rekuiemi i Mozartit, apo veprat e zotit Milan Kundera apo Emile Cioran me atë psikologji veprimi, as Guepardi apo Vdekja në Venedik e Luchino Viscontit!
Kjo quhet bon sensi intuitiv popullor! Ti nuk mundesh sot me mashtrue asnji fëmijë gjashtëvjeçar, asnji qen, apo nji macë… se e kupton menjëherë, me antenat që ka, sa e don dhe sa je i interesuem për të! Prandaj, shqiptarët jetojnë de facto në nji shoqni krejtësisht të bllokueme, të infektueme e të kushtëzueme, ku mungon tragjikisht LIRIA dhe PAVARËSIA, domethanë autonomia, kapaciteti i veprimit dhe i mendimit të lirë individual, pa kalkulime.
Pastaj, prej rrethanave të ndërlikueme për me jetue normalisht në kushte mesatare, mungojnë edhe personat që i kushtohen ekskluzivisht pasionit të tyne të flakët dhe ia dedikojnë me krejt zemër e shpirt jetën e tyne pikërisht atij pasioni!
Kështu që çdokush pervertohet dhe devijon shumë shpejt prej drejtimit të vet fillestar për me kapë diçka materiale? Kështu që, kur ti jeton në nji shoqni të falsifikueme në thelb e në rrâjë, ku dominon rrena, mashtrimi, uzurpimi, falsifikimi që në fillim, hipokrizia dhe mos-sinqeriteti, opaciteti dhe anti-transparenca, arbitrarizmi irracional kundër logjikës racionale, e pastaj me radhë klientelizmi dhe korrupsioni aktiv apo pasiv kundër meritokracisë dhe drejtësisë ligjore…
Çka ke me pritë pozitive apo të shëndoshë prej atij SHTETI, apo prej atij POPULLI? Sepse ky asht nji problem i madh, kolosal, për nji popull që aspiron dhe pretendon me zhvillue nji jetë krejt normale, si gjithë bota evropiane, ku ligji asht ligj dhe ka drejtësi, ka rregulla që gjithkund respektohen!
Kurse tek na, tragjedia jonë asht ajo ku çdo gja që konsiderohet krejt normale në Holandë, Suedi, Norvegji, Zvicër, Gjermani, rrotullohet, shembet, denigrohet ose mohohet prej perversionit të përgjithësuem dhe shndërrohet në anomali. Pra, e mira denoncohet dhe bahet tash e keqe… dhe dikur, me kohë, anormalja ose e keqja bahen normale dhe e mirë, e shndërrohen tash në normë, në nji kriter veprimi logjik e të aprovuem prej gjithë Shoqnisë… kuptohet se e ke mandej trunin krejt të çrregulluem, kaotik e të infektuem!
Dhe si pasojë, nuk ke me prodhue ma kurrgja normale, të shëndoshë, pozitive, konstruktive, të drejtë, humane e të tjera… Jo, se do vazhdhojsh në mjegull, çregullsi dhe kaos!
Pse? Sepse je i programuem krejt dallash me normat e shejtanit, e jo të njeriut humanist e demokrat, i cili e ndjek të drejtën apo logjikën racionale normale.
Mirëpo, pasojat e këtij sistemi janë katastrofike për nji popull! Gjithë problemi ynë, në realitet, asht se si mund të deprogramohemi sa ma parë prej gjithë atij perversiteti delirant anti human dhe anti gjithçka, për tu riprogramue urgjentish me rregullat demokratike normale të Beneluksit, për shembull ?
Por ajo punë don disa dekada me u realizue! Asht me të ardhë shumë keq! Më thoni, në cilin Shtet evropian vjen një Doktor serioz i Mjekësisë dhe një Piktor, aspak i pa talentuar, kur ja sheh punimet e mëparshme, për tu sjellur në Pushtet, siç janë sjellur deri sot? Pra, po i pyes intelektualët, akademikët së pari, dhe popullin krejt në fund: a është sipas jush diçka e logjikshme, e shëndoshë, normale dhe e pranueshme? Okay! Po pse nuk keni reague atëherë, ngaqë kaluan 35 vite me atë lloj programi? Do me thënë, që jeni pajtue me atë realitet!
Imagjinojeni vetën në nji shoqni orwelliane apo kafkaiane, e cila auto-emënon vetën demokratike, por në praktikë nuk ka asnji lidhje me demokracinë qytetare normale, sepse asht post-komuniste dhe autokrate në praktikë, dhe vepron me logjikën e karteleve të kthyeme në shkenca politike moderne, made in Ballkan!
Për nji film amerikan të Martin Scorsese-t shkon për mrekulli, por jo për nji shoqni e cila ëndërron me jetue në nji demokraci të qetë ligjore, në paqe e qetësi, mbrenda Bashkimit Evropian. Ti e don llojllojshmëninë, por të ofrohet uniformiteti. E don diskutimin, debatin e lirë, por të dhurohet nji vijë autokratike përmes nji propagande mediatike, me nji pastrim truni permanent. E don rregullin human, por të propozohet ligji i xhunglës, pamëshirësia, egërsia, indiferenca dhe lufta për mbijetesë me çdo kusht, mbarë apo mbrapshtë! E don drejtësinë, por dominon gjithkund padrejtësia! E ëndërron meritën individuale, talentin, zotësinë, por shpërblehet miku, kushërini, i afërmi, idioti, debili, vulgariteti, për nji interes të caktuem dhe i ofrohet nji post madhor pa ditë absolutisht kurrgja në atë sektor apo fushë të caktueme.
Për shembull, vjen nji shitës, elektricist dhe emnohet Ministër; vjen nji bandit i ndjekun prej Interpolit dhe emnohet deputet; vjen nji komandant lufte dhe emnohet Drejtor i Përgjithshëm I Spitalit… Komiko-tragjike, apo jo?
Por këto gjana kanë ndodhë në realitet dhe kanë pasur pasoja të rënda ma vonë! Pra, kur je tue jetue në nji shoqni Iks, ku çdo gja asht që në burim fiktive dhe krejtësisht e rreme, ngaqë politikani nuk asht politikan profesional me shkenca politike e diplomaci — dihet që nuk asht Kissingeri, që ministri nuk asht ministër tamam, që deputeti nuk dihet se çka asht, nuk dihet nëse e ka ble nji post dhe sa e ka ble? Po dua me ju thanë që tek neve në këtë kontekst aq delirant dhe fiktiv, duhet me e pa çdo Njeri automatikisht me disa rezerva, pikëpyetje dhe dyshime. Pra, a ashtë tamam siç po paraqitet dhe siç po pretendon që ashtë? Sepse, në një shoqëri ku asgja nuk është ndërtuar mbi baza të shëndosha dhe të vërteta reale, nuk ke asnjë garanti autenticiteti apo vërtetësie! Ky ashtë një mjerim i madh për të gjithë neve në realitet.
Gazetari nuk asht gazetar i vërtetë profesional, por nji kloun ose nji prostitutë mediatike e rastit, i paguem prej nji oligarku apo nji lobisti Ypsilon. Profesori nuk dihet se çfarë formimi apo kapaciteti real ka para klasës së vet; a asht me nji diplomë reale apo të bleme? Akademiku vjen pa asnji vepër serioze, pa ndonji artikull shkencor para publikut… kur dihet se në Londër apo Paris, nuk mund ta pretendojë askush postin akademik pa 30 deri në 50 vepra serioze të botueme dhe 50 artikuj shkencorë profesionalë të botuem në revistat prestigjioze ndërkombëtare të fushës së vet? Artisti, autori, muzikanti, nuk janë artista tamam, me baza profesionale apo me nji shpirt autentik artistik, ngaqë e kanë mendjen te përfitimi, te biznesi, te politika, te interesat e përditshme dhe demultiplikohen gjithkund pafundësisht… shiten nëpër dasma, ditëlindje e festime për 5 ose 10.000 euro. Mirëpo të gjithë vijnë për ta na u ankuar, kinse e pësojnë një padrejtësi të madhe!
Po pse nuk jam John Lenoni, Amy Winehouse, Bruce Springsteen, Bob Dylan, Edith Piaf, Charles Aznavour, Tracy Chapman, Nina Simone, Léo Ferré, Tina Turner, David Bowie apo Jacques Brel? Pse nuk jam edhe unë Fellini, Pasolini, Kubriku, Bergmani, Tarkovski, Godardi, Terrence Maliku, François Truffaut, Luis Bunuel apo Theo Angelopoulosi? Pse nuk jam Basquiat, David Hockney, Miró, Dalí, Picasso, Klee, Kandinsky ose Giacometti? Sepse je me dhjetë mendje, nuk je i sinqertë me vetën tande, nuk e përjeton urgjencën dhe nuk je i lindun, i dashunuem tmerrësisht, i pasionuem në art aq sa me ia kushtue seriozisht gjithë jetën tande atij pasioni! E prandej, zotni i nderuem, nuk ke ndonji vepër serioze.
Pastaj, a asht po ajo klasë akademike, kulturore, universitare, e cila e ka pranue në heshtje, pa reagim fare, tash 35 vjet në Shqipni, nji sistem politik binar, grotesk e absurd, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, me rrethet e tyne? Po, a janë këta dy persona ata që e kanë drejtue, direkt apo indirekt, Shqipninë, siç kanë dashtë ata vetë?
Dhe ky lloj skenari po vazhdon akoma…
A do të kishte funksionue ajo logjikë delirante në Francë, kaq shumë vjet, pa reague gjithë elita intelektuale franceze dhe pa dalë gjithë Rinia e Populli në rrugë? E pra, në Shqipni ka funksionue, me pajtimin pasiv të shtresës elitare intelektuale, sepse ua kanë dhanë edhe atyne nji copëz pushteti në fushën e tyne, me disa privilegje. Kështu që, natyrisht, kanë heshtë dhe kanë vazhdue ashtu…
Por a asht moralisht normale dhe e pranueshme? Jo aspak! Bile, përkundrazi, për mue asht e turpshme dhe absolutisht jo dinjitoze! Më thoni, ku qëndron krediti i intelektualëve tanë?
Mirëpo, duhet me e thanë! Dhe nuk më vjen aspak mirë, por ky asht realiteti shqiptar! Kurse na e kamuflojmë dhe shitemi çdo ditë, për çka nuk jemi…
Prandej, kur çdo gja del e falsifikueme me nji rrenë në thelb, që në ngjizje, kur kurrgja nuk korrespondon me realitetin objektiv normal në nji Shoqni të shëndoshë, dikur patjetër të kapë edhe ty gradualisht ai virusi i çmendisë së përditshme alla shqiptare. Fillon për tu adaptuar pasi askush nuk e denoncon publikisht anormalitetin kronik dhe disfunksionimin sistemik në të gjitha sferat e shtetit dhe të shoqërisë … Dikur i thua të zezës e bardhë, dhe derrit dajë!
Po, sepse rrotullohen krejt normat, vlerat, morali, sjellja, dhe krijohet nji bordel e nji kaos shpirtënor, njerëzor e moral i paparë mbrenda shoqnisë dhe mbrenda vetë individit, në të cilin askush nuk e zotnon ma vetveten, e para së gjithash, nuk e zotnon mendimin e vet të lirë, vizionin e vet mbi jetën apo shoqninë.
Po, sepse, tue u mohue non-stop drita, njerëzia, humaniteti, logjika racionale, drejtësia ligjore normale, ka fitue de facto turbullina, mjegulla, spektakli, idiotësia, vulgariteti, dukja, dollari, materializmi… dhe nuk e din mandej as ti vetë se kush je, çka mendon dhe si vepron në jetën e përditshme.
Prandej i sheh njerëzit nëpër Tiranë e Prishtinë, aq të çoroditun, të bastarduem, të infektuem, të stresuem, të kamufluem, të intriguem, të dekoncentruem, të kalkuluem, me dhjetë mendje që u u ndërron brenda tri sekondava, të cilët janë aty, por jo tamam aty, prezent para teje…
Ngaqë flotojnë në nji kaos global pa emën, tue mendue: “Çka do të mund të përfitojmë”? Welcome in the Casino Land from Albani! The Loto Life, Ladies and Gentlemen!
Të humbun në Kozmos?
Kjo situatë dhe ky kontekst krijon persona servilë, të kushtëzuem e të diktuem, të çrrënjosun, të zhvendosun, krejtësisht të dekoncentruem, ku çdokush tenton me mbrojtë copen e tij, por ku nuk egzsiton më as shoqnia, as ardhmënia kolektive… Jo, se për Shqiptarët e sotit, ato janë pallavra dhe koncepte abstrakte, gati qesharake. Si mund të ju flasish për Shqiptarizmin, ngaqë ata do mendojnë direkt: “Po çka fitoj unë me ato ideale pa lidhje? A jemi në botën globale”?
Dhe kur kurrgja nuk korrespondon me kurrgja të vërtetë, kur asnji vlerë normale nuk konsiderohet ma si nji vlerë, kur edukata bazë qytetare e familjare nuk peshon asnji cent… atëherë edhe na vetë, si njerëz e si popull, do të metamorfozohemi në qenie hibride, monstruoze, indiferente, egocentrike, gjysmë-shtazë, gjysmë-njeri algoritmik. E ma në fund, do të shndërrohemi n’asgja. Nji hiç, një lugat irreal me formën e njeriut si në dramat e Beckett-it dhe të Ioneskos! Dhe do të kalojmë në humnerën globaliste si qenie enigmatike, pa emën, e të pa përcaktuem, pa kujtesë, pa trashëgimi, pa identitet, pa kulturë, pa histori! E kemi imitue Botën por harrue vetveten.
Kështu, që nuk do jemi as vetvetja, as Europa, as Bota… Për me na vajtue me lot! Shpresoj që dikur, sa më shpejt, të më faktoni krejt të kundërtën dhe po ju përqafoj të gjithëve… Mezi po pres me pasë unë gabim… Por vitet e ardhshme kanë me na e faktue! Por, ndoshta, e gjitha kjo që po e them këtu asht vetëm nji alarm, nji klithmë, nji pikëpyetje e madhe që po ia drejtoj vetes dhe juve. Sepse, thellë-thellë, unë nuk due me besue se gjithçka ka marrë fund. Nuk due me besue se Shqiptari e ka humbë përgjithmonë etjen për liri, për drejtësi, për kulturë, për dije, për dinjitet dhe për nji jetë ma të mirë. Nuk due me besue se jemi të dënuem me mbetë përgjithmonë peng i kësaj rrene, i këtij kaosi dhe i kësaj logjike aq të çoroditun. Përkundrazi! Mendoj se ende kemi njerëz të ndershëm, të lirë, të talentuem, të rinj që mendojnë, që lexojnë, që kërkojnë, që kundërshtojnë, që nuk pranojnë me u shitë dhe me u ble. Ndoshta ata janë ende të heshtun. Ndoshta nuk i shohim gjithmonë. Por janë aty. Dhe ndoshta prej tyne ka me nisë nji ditë ndryshimi i vërtetë. Sepse nji Popull nuk vdes kur gabon. Nji popull fillon me vdekë vetëm atëherë kur nuk don ma me e kuptue gabimin e vet. Prandej, le ta ruajmë shpresën. Le të mësojmë përsëri me mendue lirshëm, me folë lirshëm, me kundërshtue pa urrejtje, me kritikue pa interesa, me krijue pa u shitë dhe me e respektue tjetrin edhe kur nuk pajtohemi me të.
Le ta rikthejmë kulturën, dijen, meritën, etikën dhe dinjitetin në vendin që u takon. Dhe, mbi të gjitha, le t’ua lëmë brezave që vijnë diçka ma të mirë se çka kemi trashëgue prej nesh. Ndoshta unë jam gabim. Dhe sinqerisht, mezi po pres që koha me ma dëshmue se kam gabue. Nëse nji ditë Shqiptari ka me m’thanë: “Jo, mik, e ke pasë gabim. Nuk jemi kaq keq. Shiko çka kemi ndërtue”, atëherë kam me qenë njeriu ma i lumtun. Sepse, në fund të fundit, nuk i kam shkrue gjithë këto fjalë kundër popullit tim. Jo, jo! Por i kam shkrue për Popullin tim, ngaqë e dua. Dhe nëse kjo pikëpyetje e gjatë ka me i shty qoftë edhe disa prej nesh me mendue pak ma thellë, me pyetë pak ma shumë dhe me veprue pak ma ndershmënisht, atëherë krejt kjo nuk ka qenë e kotë. Shpresa asht ende aty. Dhe për sa kohë që ka njerëz që mendojnë, që pyesin, që kundërshtojnë, që krijojnë dhe që nuk pranojnë me u dorëzue… ka ende të ardhme.
Bruksel, 25 shtator 2026.