“The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
Sokol Paja
Filmi “The Journalist’s Mission”, i realizuar me mjeshtëri nga Fahri dhe Fitim Krasniqi, me një kastë autorësh shqiptarë e amerikanë premtues dhe frymëzues, erdhi në premierën e tij në Manhattan si një shprehje mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre vendimtar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në premierën e filmit, në Manhattan, morën pjesë patriotë, personalitete të shquara të mërgatës shqiptare, veprimtarë, aktivistë dhe artdashës, të cilët ndoqën një realizim kinematografik që sjell në ekran një nga periudhat më të dhimbshme dhe më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Filmi pritet të shfaqet në 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“The Journalist’s Mission” nderon sakrificën e popullit të Kosovës në përballje me regjimin represiv dhe krimet e forcave serbe gjatë luftës, duke sjellë në vëmendje edhe mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për çlirimin e Kosovës.
Filmi përcjell një mesazh të fuqishëm mbi sakrificën, lirinë, dinjitetin njerëzor dhe rëndësinë e kujtesës historike. Ai sjell në vëmendje krimet e kryera ndaj popullsisë civile në Kosovë, masakrat, dëbimet masive, vrasjet e fëmijëve dhe të moshuarve, si dhe shkatërrimin dhe djegien e shtëpive. Përmes një rrëfimi dramatik, filmi synon t’i tregojë botës përmasat e brutalitetit të përjetuar nga populli i Kosovës.
Narrativa e filmit vendos në qendër një gazetare amerikane, e cila rrezikon jetën e saj për të shpëtuar një vajzë të vogël shqiptare, ndërsa familja e saj vritet gjatë luftës në Kosovë. Me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ajo arrin ta nxjerrë vajzën nga zona e luftës dhe t’i shpëtojë jetën.
Ky personazh simbolizon humanizmin, guximin dhe përkushtimin e njerëzve që, edhe në kohë lufte, vendosin jetën dhe sigurinë e të tjerëve përpara të tyren.
Filmi paraqet luftimet e ashpra dhe qëndresën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave serbe, si dhe krimet ndaj civilëve, masakrat, dëbimet masive dhe shkatërrimin e vendbanimeve. Episodet e filmit përcjellin ankth, frikë dhe dhimbje, duke rikthyer në kujtesë tragjedinë e mijëra familjeve shqiptare të Kosovës.
Kënga “Mora fjalë”, e interpretuar nga Shkurte Fejza, si kolonë zanore e filmit, i dha një dimension të veçantë emocional rrëfimit kinematografik dhe shërbeu si homazh për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në përfundim të filmit, Gresa Behluli dhe Shkurte Fejza, me interpretimin e “Mora fjalë”, emocionuan të gjithë të pranishmit. Kënga u shndërrua në një moment të fuqishëm përkujtimi dhe nderimi për ata që dhanë jetën dhe gjithçka të tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Harry Bajraktari, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe i lirisë së Kosovës, falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar. Ai theksoi se filmi mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm edukimi dhe kujtese për brezat e ardhshëm, për të njohur dhe kuptuar atë që ka kaluar populli i Kosovës.
Në premierë ishte i pranishëm edhe diplomati amerikan William Walker, i cili shprehu mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën. Ai vlerësoi arritjet e Kosovës dhe theksoi zhvillimin e saj si një shembull të rëndësishëm të demokracisë në Ballkan.
“The Journalist’s Mission” vjen kështu jo vetëm si një vepër kinematografike, por edhe si një dëshmi artistike mbi luftën, sakrificën dhe çmimin e lirisë. Përmes historisë së personazheve, kujtesës së viktimave dhe mesazhit të mirënjohjes ndaj atyre që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, filmi synon të mbajë gjallë kujtesën historike dhe të përcjellë te brezat e rinj rëndësinë e lirisë dhe të paqes.