Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për prioritetet e përbashkëta
Prishtinë, 25 shtator 2026 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka mirëpritur formimin e institucioneve të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me to në avancimin e prioriteteve të përbashkëta të dy vendeve.
“Ambasada e SHBA-së pret me padurim të punojë me Qeverinë dhe me Kuvendin për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen në rajon, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Deklarata e Ambasadës amerikane në Prishtinë vjen dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese vlerësoi se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë së re është bërë në pajtrim me dispozitat kushtetuese.
Gjykata më e lartë në Kosovë qartësoi se deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit që propozohet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe se Presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet deri më 6 tetor.
Zgjedhja e Presidentit të ri është një tjetër sfidë për subjektet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj në qeveri nuk e kanë numrin e nevojshëm të votave për votim të vlefshëm për president në Kuvend. Asaj i duhen edhe votat e së paku 17 deputetëve të subjekteve të tjera, prandaj është e domosdoshme një marrëveshje me subjektet që mund ta sigurojnë kuorumin e nevojshëm për votim të vlefshëm.
Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e arritën një marrëveshje që pritej të zgjidhte ngte ngërçin. Ata e propozuan ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomatin, Bekim Sejdiu, si kandidat konsensual. Por, gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan kandidaturën e Sejdiut, gjë që e vuri në pikëpyetje zgjedhjen e tij për President. Për këtë arsye, Sejdiu e tërhoqi kandidaturën e tij, ndërsa LDK-ja njoftoi për tërheqje nga marrëveshja.
Kështu, çështja e zgjedhjes së Presidentit u bë përsëri çështje dominuese në procesin e formimit të institucioneve udhëheqëse të shtetit. Në qoftë se subjektet politike nuk e gjejnë një zgjidhje me konsensus, Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të tjera të parakohshme – tw katërtat që nga shkurti i vitit 2025 apo të dytat për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
Sipas Kushtetutës, ato duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga dita e shpërbësrjes së Kuvendit, pra rreth mesot të muajit nëntor.