Sadik Bejko: Rasputini – patronazhizmi seksual
Ergys Agasi i sotëm shqiptar, Rasputin i dikurshëm pranë Carit Rus sugjerojnë simbolikën arketipale: seksualitet ndërthurur me pushtet.
Rasputin në oborrin e Carit Nikolla II dhe Ergys Agasi në Shqipëri mund të përfytyrohen si dy figura ku seksualiteti dhe pushteti puqen pazgjidhshëm, duke u bërë ikona të ekzistencës njëherësh dhe të dekadencës së sistemit politik.
Rasputini, ky mistik siberian, hyri në zemër të oborrit carist përmes besimit të Caricës ruse, të mbretëreshës, besim se ai do të shëronte nga hemofilia careviçin, birin e Carit. Prifti, mistiku Rasputin, nga historia u perceptua si shpëtimtar mistik njëherësh dhe si shkatërrues moral, për shkak të sharlatanizmit dhe të jetës së tij të shthurur seksuale. Rasputini me kohë u kthye në simbol të dobësisë së pushtetit carist dhe në simbol të korruptimit, kalbëzimit të elitave ruse.
Ergys Agasi i sotëm shqiptar po përfaqëson ikonën fondamentale të dekadencës shqiptare.
– Si biznesmen ai është i lidhur me pushtetin politik dhe me institucionet e sigurisë. Institucione të korruptuara aq sa “fikin radarët e shtetit” për rehatinë e tij.
– Ai është i akuzuar për korrupsion, për manipulim tenderash dhe për lidhje me figura të larta shtetërore.
– Përmendja për marrëdhënie seksuale me gra në pushtet dhe me gra të medias e kthen figurën e tij në një simbol të patronazhit seksual dhe të patronazhit politik të elitave.
Analogia me Rasputinin carist, si arketip i përjetshëm i seksualitetit mistik/ serik, plus korruptimin e pushtetit politik të çon te situata e rënies, e degradimit të pandalahëm kokëposhtë të dinastisë ruse Romanov.
Agasi ynë me serial seks patronazhin plus me korruptimin e pushtetit ekonomiko-politik (me dhuratat, favoret, mosbesimin te institucionet) simbolizon dekadencën e sistemit të sotëm shtetëror.
Figurat Rasputin – Agasi shfaqen si “ikona të rënies” në kohët kur pushteti nuk kontrollohet nga ligji, por nga lidhjet intime, nga korrupsioni dhe nga ndikimi i fshehtë.
Seksualiteti dhe pushteti kështu dalin përtej jetës private të individit, bëhen ikonë publike e dekadencës së një situate që po e shijojmë.