SANDRO PERTINI – PRESIDENTI QË ITALIANËT E QUANIN “NJERIU I POPULLIT”
Saimir Kadiu
Pertini, 25 shtator 1896 – 24 shkurt 1990
Sot, më 25 shtator 2026, bëhen 130 vjet nga lindja e Sandro Pertinit, një prej figurave më të jashtëzakonshme të Republikës Italiane. Socialist, antifashist, partizan, i burgosur politik, protagonist i Rezistencës dhe më pas President i Republikës së Italisë nga viti 1978 deri më 1985, Pertini mbeti deri në fund një njeri që nuk e ndau kurrë pushtetin nga njerëzit.
Ai lindi më 25 shtator 1896 në Stella, pranë Savonës. Që i ri u përfshi në luftën politike kundër fashizmit. Regjimi i Musolinit e konsideroi një kundërshtar të rrezikshëm. U arrestua, u burgos dhe u dënua nga Gjykata Speciale. Në burg njohu edhe Antonio Gramscin. Më pas, pas burgimit, nisi një tjetër kapitull i gjatë i internimit politik: Ponza, Tremiti dhe më në fund Ventotene.
Ventotene ishte një ishull burgu, por edhe një ishull idesh.
Atje regjimi fashist kishte mbledhur shumë prej kundërshtarëve të tij më të vendosur. Në të njëjtin horizont të vogël shkëmbor jetonin, të izoluar nga bota, njerëz që më vonë do të bëheshin protagonistë të historisë europiane: Sandro Pertini, Altiero Spinelli, Ernesto Rossi e shumë antifashistë të tjerë.
Dhe aty, mes tyre, ishin edhe shqiptarët…
Emrat e Llazar Fundos, Gani Kryeziut, Said Kryeziut, Masar Shehut, Safet Butkës, Abaz Ermenjit, Selman Rizës, Faslli Frashërit, Myzafer Pipës, Izet Bebeziqit, Stavri Skendit, Hasan Reçit dhe Sadik Bekteshit, ndër të tjerë, lidhen me historinë e antifashisteve shqiptare te internuar në Ventotene, me te cilet Pertini kishte lidhur miqesi.
Në këtë mjedis Pertini u afrua veçanërisht me Zai Fundon, një prej intelektualëve shqiptarë më të spikatur të antifashizmit. Dëshmitë e ish-të internuarve kujtojnë vlerësimin e madh që Pertini kishte për të. Madje, në gusht 1943, në ditët e para pas rënies së Musolinit, Pertini ndërhyri për lirimin e Fundos dhe të Gani Kryeziut, të cilët vazhdonin të mbaheshin në Ventotene.
Është një prej atyre fijeve të vogla, por të çmuara, që lidhin historinë shqiptare me historinë italiane dhe europiane.
Dy njerëz që regjimet i kishin futur në të njëjtin ishull.
Njëri do të bëhej President i Republikës Italiane.
Tjetri do të kthehej në Shqipëri dhe, vetëm pak muaj më vonë, do të përfundonte tragjikisht i ekzekutuar më 1944.
Kështu, historia e Ventotenes nuk ishte vetëm histori burgu. Ishte histori miqësish, debatesh, idealesh dhe shpresash për një Europë tjetër.
Pertini doli nga Ventotene në gusht 1943, por jo për të jetuar i qetë. Historia e kërkonte përsëri.
Vite me vone ai shprehu deshiren te takonte bashkevuajtesit shqiptare te Ventotenes.
Rezultoi e pamundur…
Ne vitin 1960, Sandro Pertini u interesua permes rrugeve diplomatike per shoket e tij te vjeter te kampit te internimit. Ai kerkoi posacerisht Masar Shehun. Per te shmangur takimin ose sqarimet e metejshme, autoritetet e regjimit komunist i thane se Masar Shehu kishte vdekur…Ne te vertete, Masar Shehu ishte gjalle, por ashtu si shume antifashiste te tjere jokonformiste, shihej me dyshim nga regjimi.
Pas kthimit në Romë, Pertini u bë një nga protagonistët e Rezistencës. U arrestua nga gjermanët, u dënua me vdekje dhe arriti të arratisej nga Regina Coeli në janar 1944. Më pas u bë një prej drejtuesve të Rezistencës në Italinë e Veriut dhe një prej figurave të kryengritjes së 25 prillit 1945.
Pas luftës, Pertini nuk u bë një politikan që harroi vitet e burgut.
Përkundrazi.
Vitet e burgut u bënë pjesë e moralit të tij politik.
Ai kaloi në Asamblenë Kushtetuese, në Senat, në Dhomën e Deputetëve, të cilën e drejtoi nga viti 1968 deri më 1976. Në vitin 1978, në një nga momentet më të vështira të Republikës Italiane, u zgjodh President i Republikës.
Por ajo që e bëri Pertinin kaq të dashur për italianët nuk ishte vetëm karriera politike.
Ishte mënyra si sillej.
Ai kishte një marrëdhënie të pazakontë me njerëzit e zakonshëm. Nuk kishte distancën ceremoniale që shpesh krijon pushteti. Fliste drejtpërdrejt, emocionohej publikisht, qeshte, zemërohej, përqafohej me njerëzit.
Dhe kishte një tjetër dashuri të madhe: futbollin.
Pertini ishte tifoz i zjarrtë i Genoas, klubit të qytetit të tij të adoptuar politik e kulturor, por mbi të gjitha ishte tifoz i kombëtares italiane.
Dhe pastaj erdhi 11 korriku 1982.
Santiago Bernabéu, Madrid.
Finalja e Kupës së Botës: Italia – Gjermania Perëndimore.
Në tribunë ishte Presidenti Pertini, 85 vjeç. Përballë tij, Mbreti Juan Carlos i Spanjës. Italia fitoi 3–1, me golat e Paolo Rossit, Marco Tardellit dhe Alessandro Altobellit.
Por historia nuk e ka ruajtur vetëm rezultatin.
Ka ruajtur Pertinin.
Atë burrë të moshuar që, në tribunën presidenciale, nuk sillej si një president.
Sillej si një tifoz.
Kur Tardelli shënoi golin e dytë, kamera kapi fytyrën e Pertinit. Ishte i ngritur në këmbë, i emocionuar, duke festuar si miliona italianë nëpër shtëpitë e tyre.
Në atë çast, Presidenti dhe populli ishin bërë një.
Dhe fotografia e tij duke luajtur me gjestet e duarve, duke festuar fitoren italiane, u bë një nga imazhet më të paharrueshme të Italisë së shekullit XX.
Ky ishte Sandro Pertini.
Njeriu që kishte kaluar burgjet e fashizmit.
Njeriu që kishte jetuar në Ponza, Tremiti dhe Ventotene.
Njeriu që kishte njohur Gramscin.
Njeriu që kishte luftuar në Rezistencë.
Njeriu që kishte parë shokët e tij të luftës të vdisnin.
Njeriu që kishte mbrojtur lirinë.
Dhe, shumë vite më vonë, Presidenti i një Republike demokratike që brohoriste për Italinë në finalen e Botërorit.
Ndoshta pikërisht kjo e shpjegon dashurinë e jashtëzakonshme që italianët patën për të.
Pertini nuk u përpoq të dukej si president.
Ai mbeti Sandro Pertini.
Dhe kjo, në fund të fundit, ishte madhështia e tij.
Një jetë e kaluar nga burgu në liri, nga Ventotene në Quirinale, nga lufta antifashiste te Presidenca e Republikës dhe, më në fund, në tribunën e Santiago Bernabéut.
Një jetë në të cilën politika nuk ishte vetëm pushtet.
Ishte besim, liri, dinjitet dhe qytetari.
Dhe në historinë e tij, Shqipëria ka një kujtim të vogël, por të çmuar: atë të një presidenti italian që, shumë përpara se të bëhej President, kishte ndarë ishullin e internimit me shqiptarë si Zai Fundo e Gani Kryeziu dhe kishte ngritur zërin për lirimin e tyre.