Albspirit

Media/News/Publishing

Pyetësori i Prustit/Përgjigjet poeti, shkrimtari dhe publicisti Taip Sulko



Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Besoj në lumturinë e përkryer. Është gjëja më e mirë që ka jeta, por që haset fare rrallë. E përfytyroj në dy shtjella. E para është lumturia që buron nga një ndodhi e veçantë, një arritje e madhe, një valë vlerësimesh, përmbushja e një ëndrre të shumëpritur, ngjarje të mëdha të jetës si të jesh i dashuruar, të lind një fëmijë, mbaron një shkollë, boton një libër jo të zakonshëm etj. Lumturia ka shenjat e saj. Ti ndjehesh njëherazi si fëmijë, por ke kapur edhe qiellin, diçka e jashtëzakonshme ndodh aq sa të duket se mendja është si furshullimë e zjarrtë vetëtime që lidh një majë mali me një tjetër. E dyta: Kemi edhe lumturinë që vjen  nga një veprimtari (krijuese) rrallë edhe e përditshme, që të thith në rrjedhën e saj, të përfshin në dritat, në vrullin dhe kthjelltësinë e vet dhe ti ndjen se diçka e mirë ka lindur, bota është tjetër. 

Sigurisht që jeta nuk është gjithnjë dorështrënguar, ndodh që këto dy shtjella puqen, bëhen një. Kjo, mendoj, është edhe lumtura e përkryer, më e madhja!

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika është pjesë e jetës. E kam parë në shumë raste, herë të shfaqet si verdhacuke, e ftohtë si prej nëndheut, herë me një si shkrepje të zezë vetëtime, herë si turiri i një kafshe të pështirë si gjarpëri, ujku apo diçka tjetër. Frika mendoj se shfaqet edhe në trajtë ankthi. Kur ke dashuri të madhe ti përjeton edhe ankth të madh (herë si ngërç herë si përqafim). E kam fjalën për frikën apo ankthin që ndjen ti për fatin e njerëzve të tu më të afërt apo, në disa raste edhe të atdheut.

Cilin person të gjallë e adhuroni më së shumti? 

Më së shumti adhuroj djemtë e mi dhe nipin. Ndërkaq kam adhurim të pakufishëm për artistët dhe shkrimtarët e mëdhenj, për ata njerëz-krijues që bëjnë art që të ngazëllen.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të donit të identifikoheshit?   

Nuk kam ndonjë idhull të veçantë. Ndërkaq, kam një etje të pashtershme shumëdegëshe adhurimi për heronjtë e mëdhenj të kombit tonë si dhe për njerëzit e veprave të mëdha krijuese.

Cili është tipari juaj që nuk pëlqeni?

Shpesh kam një luftë të brendshme që shkon deri në lodhje, sigurisht për çështje jo të vogla, vetjake ose jo. Ndjej se atëbotë kam një si ngadalësim. I shoshis dhe i rishoshis gjërat deri në stërmundim. Mbase kështu kam lindur. Por pasi kokëçarja kalon them se stërshoshitja lodhëse e gjërave ku ta dish, është jo aq e keqe… 

Dhe e dyta, (mbase të lidhura), nëse filloj të zhgënjehem, përpiqem shumë të bëj durim. Por nëse zhgënjimi ndodh, atëhere kam pothuaj të pamundur të kthehem pas. Zhgënjimi më jep një lloj ngrirjeje që mban gjatë. S’di të ketë ndonjë farë mjekimi për këtë…

Cili është tipari që nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Jeta njerëzore është një përzierje vlerash dhe cenesh. Bukëshkalët gjithnjë më fusin në dëshpërim. Po ashtu nuk mund ta duroj krekosjen, mendjemadhësinë e zbrazët. Edhe një gjë, ma shpifin dhe më dhembin shumë, deri në kockë, grindjet e atyre që janë fare ulët, mbase në radhën e gjashtë apo të shtatë të pushtetit, (cilido pushtet qoftë ai), por ata prapë kacafyten.

Në cilat gjëra e teproni?

E kam të vështirë të shkëputem nga njerëzit që i dua apo gjërat që më pëlqejnë shumë. Ndrydhem, sforcohem, shtrëngohem, derisa edhe dua të drunjëzohem, por t’i shkoj deri në fund një ndjenje apo gjëje që më ka përfshirë dhe më mbërthem me bukurinë, apo madhështinë e vet. Edhe pse e di se teprimi nuk është gjë e mirë…

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

Gënjeshtra është lëndim. Besoj se futem tek ata njerëz që gënjeshtrën s’do të doja as ta thërrisja as ta takoja ndonjëherë. Ajo sikur të vret. Por edhe këtu jeta bën një përjashtim: Gënjeshtra është e domosdoshme kur jeta kthehet në një tunel të frikshëm rreziku. Mendoj se ata që luftojnë në llogore nuk shpëtojnë nëse nuk e dinë mirë artin e lëvizjeve mashtruese. Në disa rrethana gënjeshtra merr dritë, është rrugëdalja e vetme për t’i shpëtuar kërcënimit dhe errësirës. Deri tani, për fat, nuk i kam përjetuar trajtat më të këqia (shpesh të pështira) të gënjeshtrës…

Cili është rrugëtimi juaj i parapëlqyer?

Mendoj se shkrimtari, artisti, krijuesi, nuk përfytyrohet dot pa lëvizjen, pa ecjen, pa udhëtimin. Për mua rrugëtimet më të vlefshme e që i adhuroj, janë ato ku ti rizbulon botën, ato që të futin në magjinë e artit të madh dhe sigurisht udhëtimet ku ti njeh dhe zbulon më mirë vetveten. Shpesh udhëtimet bashkohen tek një urë që të jep trajtën e plotë si qënie…  

Cilën fjalë apo shprehje e përdorni më së shpeshti?

Përpiqem t’i mënjanoj fjalët e tepërta, (mbase edhe nuk i ve re). Në biseda të gjata (me miqtë) më tërheqin temat që lidhen fjalë si përkushtim, frikë, rrezik, paqe. Kur has në vepra me vlera të rralla them shpesh me vete: Uau ç’mrekulli, ky është art! Çfarë ngjeshje rrëfimi, çfarë figuracioni!

Për çfarë ju ka ardhur keq apo jeni penduar që e keni bërë?  

Pendimet më të thella m’i kanë sjellë ato veprime kur nuk kam qënë vetvetja, kur kam vepruar nën trysninë e një zemërimi të beftë, qoftë dhe i drejtë, kur më ka udhëhequr një farë uni i pandreqshëm (që ndonjëherë nuk e dimë se e kemi), kur e kam lëshuar veten në veprime mendjelehta dhe, me dashje apo pa dashje, kam sjellë lëndim tek të tjerët. Pas kësaj kam ndjerë një pendim të thellë, zhgënjim për veten.  Por e them fort, rrallë, tepër rrallë jam gjendur në rrethana të tilla.

Ç’ka ose cila është dashuria juaj më e madhe?

Dashuria është si një rreth që zgjerohet. Do përmendja njerëzit e mi më të afërt, nipin, fëmijët, familjen, vendin im, artin, letërsinë ajo që bëj dhe që dua ta bëj çdo ditë, të shkruaj…

Cila është gjendja juaj mendore e tanishme?

Jam si në ethe. Më ngjan se koha ikën shpejt dhe unë kam shumë gjëra për të bërë. Kam edhe atë shprehinë e pandreqshme të ëndërrimtarit. Ndërkaq gjithë kjo fjollë e stërmadhe etjeje të bukur, përshkohet nga një ankth i pafundmë. Jam në thelb i ngazëllyer dhe shqetësuar për gjithçka që më rrethon, nga ajo më e dashura dhe më e afërta deri tek më e largëta, por që prapë prek thelbin tonë si njeri! Kjo është gjendja ime… 

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Do të doja të isha pak më tepër praktik, por pa e humbur ndjeshmërinë e lartë që kam pothuaj për gjithçka. Mbase nuk ka zgjidhje për këtë, ato ndonjëherë kushtëzojnë njëra-tjetrën…

Cilën do të quanit ju arritjen tuaj më të madhe?

Kjo pyetje më sjell në mendje poetin dhe tragjedianin e madh grek Eskilin, i cili, që në gjallje la porosi që në mbishkrimin e varrit të tij të përmendej vetëm trimëria që kishte treguar në betejën e Marathonës. Me siguri donte t’i jepte një porosi të madhe bashkëqytetarëve dhe botës. Parë me këtë sy: unë kam rritur dy djem të shkëlqyer dhe s’kam kursyer as kohën as energjitë të jap ndihmesën time për vendin. Në letërsi: Jehonën në të gjërë e ka dhe më mirë nga gjithë veprat e mia është pritur romani “I arratisuri”. Është padyshim një arritje e madhe për mua, pa harruar edhe librin me poezi “Portat e Qiellit”.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Dua ta them shkurt: Bota do të doja të ishte më e mirë. Ngjan si e pamundur…Njerëzimi dhe bota jonë duket se është rritur në dy degë, nga një anë është bërë më e bukur, e madhe, më e shpejtë, më ëndërrmadhe, por nga ana tjetër është bërë më e ashpër, ndonjëherë e egër, si në ata filmat ku trimoshat flasin vetëm një herë, pastaj vrik nxjerrin armën dhe të vrasin. Kjo do të doja të mos ndodhte, të kthehej pas! Nuk heq dorë se besuari se një ditë bota do të jetë më e butë dhe më me shumë mirëkuptim… Ndryshe nuk je poet…Ngul këmbë në ëndrrën time që fati i botës t’i ngjajë fatit vetjak të njeriut, si, si… varkë pa motor. Me shumë përpjekje, mbase me stërmundim dhe, nëse era është e mbarë, do të dalësh një ditë në breg. Ndryshimi duhet të jetë i mundur! 

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Padyshim njeri! Shpesh thuhet doja të isha shkëmb, dallgë, zog, dre, apo lule. Nëse do thellohesh sadopak në jetën plot vuajtje të qënieve të gjalla të paktën, si dreri, lulja apo zogu do të mësosh se çdo ditë qënie të tilla, apo edhe gjithë të tjerat, kacafyten për të mbetur në jetë…Në krahasim të pamundur (jo dhe aq i qëlluar) me njeriun- shpendi theret dhe hahet ndërsa lulja shkelet me këmbë. Njeriu është ndryshe, më i vështiri, por më i larti! Është i aftë të ëndërrojë dhe t’i përmbushë ëndrrat e veta! Edhe pse njeriu fatkeqsisht, njerëzimi në tërësi, ka një mospërputhje përherë më të madhe me paqen e ëndërruar të rracës së vet. E përgjak tjetrin. Ngushëllimi i vetëm është se dikur, edhe zotat kishin cene!

Cila është gjëja me e shtrenjtë që keni në pronësi?

Gjëja më e çmuar për mua është një bibliotekë, në një shtëpi që pret të ndreqet e që të më rrethojë me ngrohtësinë e saj!

Çfarë do të ishte për ju mjerimi më i madh?

Kur je duke lypur dhe përpiqesh të mbash një qëndrim plot vetnderim. Ose kur një njeri ka vetflijuar gjithça për vendin, por një ditë përfundon i dënuar, i dëbuar dhe i uritur në një fshat të largët, në fushat larg gjithçkaje, ku duhet të hapë kanale me lopatë e ku pasditeve të dimrit fryn erë e kotë…

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Tek një burrë vlerësoj aftësinë të jetë i fortë. Por ky është vetëm fillimi. Më tepër se këdo do të vlerësoja një burrë që bashkon në një fuqinë, mençurinë dhe dhembsurinë ndaj njeriut dhe vlerave që ai ka krijuar.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Adhuroj ato gra ku bukuria dhe dëlirësia puqen me një shpirt të mirë dhe të zgjuar.

Cili është shkrimtari i juaj i parapëlqyer?

Ka disa. Është një listë që shtohet fare ngadalë. Shkrimtarët i përdalloj nga veprat më të mira. Dua ta ritheksoj se kam një etje të pashtershme adhuruese për veprat e mëdha (më të madhen) si Bibla, për Odisenë e Homerit, Don Kishotin e Servantesit, Hamletin e Shekspirit, Kronikë në gur të Kadaresë, tregimet e Çehovit, Shndërrimin (Metamorfozën) e Kafkës, Vëllezërit Karamazov të Dostojevskit, Njëqind vjet vetmi të Markezit etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Për mua hero është ai/ajo krijesë njerëzore që më frymëzon, më ndriçon dhe më jep besim. Janë të shumtë. I gjej tek ata që, njëherazi, janë të ditur, që kanë jetë të plotë, që kanë familje dhe fëmijë, që prodhojnë, krijojnë, që kanë arritje dhe na japin vepra me vlerë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Përmenda më lart librat e mi më të dashur. Janë ato ku shfaqet në trajtën më të epërme dhuntia dhe aftësia e krijimit e të rrëfyerit. E cili nuk do të donte një dhunti krijuese si ajo e Kadaresë tek Kronikë në gur, si ajo e Dostojevskit tek Vëllezërit Karamazov, si ajo e Kafkës tek Shndërrimi (Metamorfoza) si ajo e Servantesit tek Don Kishoti si ajo e Dhjatës së Re tek Bibla (në kuptimin letrar)?

Si do të dëshironit të vdisnit?

Kjo pyetje të ngacmon fort, s’më kishte shkuar në mendje! Shkrimtarët (ata më të mirët) synojnë dhe iu japin pavdekësi atyre historive ku ka një përplasje për jetë a vdekje, “të jesh apo të mos jesh”. Por ata, besoj, e shpërfillin këtë pyetje dhe nuk kanë aq shumë kohë të përsiaten gjatë se si do të vdesin. Atyre dua t’ju ngjaj… Gjithësesi po përgjigjem: pas një bisede të gjatë, të shumëdëshiruar me njerëzit e mi më të dashur, ulur diku në një godinë me dritë, buzë të detit, me shkimin atje tej, ku flaka e perëndimit loz me dallgët e forta të pasdites…

Cila është motoja juaj?

Të kem në vetvete një ndërlidhje të përhershme të pikësynimit krijues me atë njerëzor. Për arritjen e pikësynimit krijues s’do të kurseja asgjë, as shëndetin tim. Por gjithçka duhet të përmbushet në truallin e një jete të plotë, dhe sigurisht, duke ruajtur fytyrën njerëzore!