Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Arkivat shqiptare për veprimtarinë e Myfit bej Libohovës

Telegram dërguar nga Gjirokastra prej Myfit Libohovës etj. kryetarit të delegacionit qeveritar shqiptar në Paris, Turhan pashës, ku pranohej vendosja e Shqipërisë së Jugut në një sistem të veçantë administrativ nën “mbrojtjen” e Italisë.

Gjirokastër, 20 mars 1919.

Lutemi Shkëlqesisë Suaj të ketë mirësinë të bisedojë me ministrin e Punëve të Jashtme të fuqisë mike për t’i gjetur një zgjidhje kësaj kërkese, një mënyrë që të evitohet çdo përçarje dhe keqkuptim në radhët e elementëve të krishterë dhe myslimanë të Shqipërisë së Jugut, kurse, për sa i përket çështjes së lehtësimit të detyrës që kanë mbrojtësit tanë në Konferencë, ne e gjetëm me vend t’u japim sigurime vëllezërve tanë ortodoksë, që ndoshta e ndiejnë veten të mbrojtur jo aq sa duhet nga shumica muhamedane, pavarësisht nga kushtetuta që do të hartohet nga Konferenca mbi Shqipërinë. Si pasojë, ne mund të pranojmë me gjithë qejf që Shqipërisë së Jugut t’i caktohet një sistem administrativ që t’u përgjigjet kërkesave të gjendjes dhe që ky sistem të vihet nën garancinë dhe mbrojtjen e Italisë, por pa prekur pavarësinë dhe unitetin e Shqipërisë1.

AQSH i RPSH                                   

[Nënshkruhet nga dhjetë veta midis të cilëve figurojnë emrat e Myfit Libohovës, Avni Dobullës, Javer Hurshitit, priftit Papa Pano, Rauf Ficos, Namik Delvinës]

F. MPJ. D. Nr. 4. Përkth. nga frëngjishtja, Kopje.

                         

 ***

Vendim i disa anëtarëve të Qeverisë së Durrësit në Paris, lidhur me qëndrimin e tyre politik dhe lëshimet që pranonin të bënin në dobi të Italisë.

Paris, 24 maj 1919.

1. Ne kërkojmë si minimum Shqipërinë e vitit 1913 me ata kufij të caktuar nga Konferenca e Londrës dhe e Firencës.

2. Ne pranojmë ndihmën italiane. Por ajo nuk do të jetë e tillë që të prekë të drejtat sovrane të shtetit shqiptar.

3. Ne pranojmë një princ të shtëpisë së Savojës për fronin e Shqipërisë.

4. Zotohemi t’u japim shoqërive italiane preferencën, në barazi kushtesh, për të gjitha koncesionet ekonomike dhe financiare në Shqipëri.

5. Ne nuk mund t’i njohim Italisë zotërimin e Vlorës në vijim të një marrëveshjeje ndërkombëtare. Përkundrazi, ne i japim Italisë, si shkëmbim të garancisë ushtarakisht pika strategjike të Vlorës si Ishullin e Sazanit, Karaburunin dhe Zvërnecin, si edhe të drejtën që të ketë një bazë detare në Pasha Liman1.

Megjithatë të drejtat sovrane të Shqipërisë mbi të gjithë territorin e Vlorës mbeten të paprekura dhe administrata civile, financiare dhe gjyqësore do t’i takojnë qeverisë shqiptare.

AQSH i RPSH. F. MPJ.

L. Gurakuqi, Mustafa Kruja,Myfit Libohova, Mehdi Frashëri,Turhan [pasha]

D. Nr. 322. Përkth. nga frëngjishtja.  Origj.                                                         

                                                                               

***

Vendim i një pjese të anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme që ndodheshin në Paris, mbi ndryshimet në përbërjen e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes dhe mbi vijën politike që duhej të ndiqte delegacioni i ri.

Paris, 28 qershor 1919.

Të nënshkruarit, kryetar dhe anëtarë të Qeverisë së Përkohshme shqiptare, që ndodhen në Paris, në mbledhjen e mbajtur në Paris më 27 qershor 1919, morën vendimet që vijojnë:

1) Për shkak të gjendjes shëndetësore të Shkëlqesës së tij, Turhan pashës, që ka nevojë për pushim dhe një kurë për një farë kohe, dhe me qëllim që t’u jepet fund pasojave të dëmshme të divergjencave që kanë ndodhur prej disa kohësh në gjirin e delegacionit shqiptar, si edhe për konsiderata politike të brendshme dhe të jashtme, e quajtën të nevojshme të bëjnë menjëherë një ndryshim rrënjësor në këtë delegacion.

2) Me përjashtim të imzot Bumçit, që merr kryesinë e delegacionit duke zëvendësuar Shkëlqesën e tij Turhan pashën, dhe të zotit Mustafa Kruja, i cili dha dorëheqjen, të gjithë pjesëtarët e tjerë të delegacionit zëvendësohen.

3) Si pasojë, delegacioni i ri i Qeverisë së Përkohshme shqiptare në Konferencën e Paqes përbëhet si vijon: L. Bumçi, kryetar, zz. Mehdi bej Frashëri, Luigj Gurakuqi dhe Lef Nosi, anëtarë.

4. Me të njëjtin rast z. Mehdi Frashëri emërohet delegat për Punët e Jashtme duke zëvendësuar kështu Mehmet bej Konicën, që mbetet anëtar i Qeverisë së Përkohshme, por pa portofol, dhe të cilit i lutemi që të shkojë në Londër për të mbrojtur atje kauzën kombëtare.

5) Ky vendim do t’i njoftohet menjëherë Konferencës së Paqes si edhe anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.

6) Delegacioni i ri do të ndjekë me besnikëri programin që përmbahet në memorandumin e 12 shkurtit 19191, si edhe në paraqitjen e rivendikimeve shqiptare të datës 24 të po atij muaji2 dhe që bazohet në parimin e tërësisë tokësore, të pavarësisë dhe të sovranitetit të shtetit shqiptar.

7) Për sa i përket pranimit të një ndihme të njërës prej Fuqive të Mëdha Aleate dhe Shoqe dhe për të caktuar afatin e saj delegacioni shqiptar do të veprojë sipas frymës së demarsheve që janë bërë deri tashti.

8) Delegacioni shqiptar do të kërkojë përveç kësaj konfirmimin e asnjanësisë së shtetit shqiptar, në përshtatje me dispozitat e mëparshme.

9) Në rastin e ndonjë marrëveshjeje me qeverinë italiane, delegacioni shqiptar do të veprojë sipas vendimeve që janë marrë nga të nënshkruarit më 24 maj 19191.

10) Anëtarët e delegacionit janë përgjegjës vetëm përpara Qeverisë së Përkohshme shqiptare.

Çdo veprim i anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme që do të komprometonte prestigjin e delegacionit pranë rretheve diplomatike, konsiderohet tradhti.

11) Delegacioni shqiptar nuk do të refuzonte ndihmën e sinqertë të përfaqësuesve të kolonive shqiptare që ndodhen në Paris, me kusht që qëndrimi i tyre të mos jetë në kundërshtim me politikën e qeverisë shqiptare.

12) Vendimet e sipërpërmendura u morën me shumicën e votave të anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme që ndodhen në Paris, dhe që veprojnë njëkohësisht në emër të kolegëve të tyre që kanë mbetur në Durrës, në përputhje me prokurën që u është dhënë me letrën e prillit 19192.

Këto vendime kanë karakter të detyrueshëm për anëtarët që formojnë pakicën të cilët, si pasojë duhet t’u konformohen.

AQSH i RPSH. F. MPJ.                     

L. Bumçi, Luigj Gurakuqi, Myfit Libohova, Mehdi Frashëri, Turhan [pasha], Mustafa Kruja

D. Nr. 7. Përkth. nga frëngjishtja. Origj.

_______________

1) Shih dok. nr. 65.

2) Nuk është botuar këtu. Shih: “Shqipnija përpara Konferencës së Paqes, volum I, Romë, 1919.

***

Marrëveshje e nënshkruar midis Qeverisë së Durrësit dhe qeverisë italiane lidhur me ndarjen e kompetencave administrative midis organeve pushtuese dhe vendëse.

Sot, më 20 gusht 1919                                                            

Zotërinjtë,

Myfit bej Libohova, ministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Përkohshme shqiptare, Fejzi bej Alizoti, ministër i Financave i Qeverisë së përkohshme shqiptare, markezi Karlo Duraco, këshilltar i legatës së M.T. Mbretit të Italisë, koloneli Bartolomeo Viçenci, të ngarkuar nga qeveria mbretërore për të studjuar bashkërisht rregullimin më të mirë që mund t’i jepet që tani administratës shqiptare, kanë rënë në ujdi mbi parimet që vijojnë, të cilat i porositen për aprovim qeverisë italiane.

Në pritje që vendimet e Konferencës së Paqes të lejojnë kalimin në një rregullim përfundimtar të shtetit shqiptar, qeverimi i territorit të pushtuar nga trupat italiane do të ushtrohet nga organet që pasojnë:

ORGANE SHQIPTARE

Qeveria e Përkohshme shqiptare, e formuar në Durrës më 25 dhjetor 1918.

ORGANE ITALIANE

1) Komanda e trupave të Shqipërisë.

2) Komisari i lartë civil italian pranë Qeverisë së Përkohshme shqiptare.

I. QEVERIA E PËRKOHSHME SHQIPTARE

1) Juridiksioni. Ka juridiksion mbi të gjithë territorin e pushtuar dhe që do të pushtohet prej trupave italiane, me përjashtim të zonës së fortifikuar të Vlorës (shih Nr. II, III).

2) Pushteti. Qeveria e Përkohshme shqiptare do të ushtrojë pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor, duke vepruar në bazë të ligjeve, rregullave dhe zakoneve vendëse.

Një përfaqësues i qeverisë së Italisë (komisar i lartë civil) do ta ndihmojë Qeverinë e Përkohshme shqiptare në ushtrimin e pushtetit të saj (shih Nr. III).

II. KOMANDA E TRUPAVE ITALIANE TË SHQIPËRISË

1) Juridiksioni. Ka juridiksion mbi tokën që përfshihet brenda caqeve të zonës së fortifikuar të Vlorës (rrjedha e Vjosës që nga gryka deri në Tepelenë, rrjedha e Drinos, malet e Kurveleshit).

2) Pushteti. Ka të gjithë pushtetin qeveritar që i takon nga gjendja e veçantë e një zone të fortifikuar. Për këtë vepër qeverisjeje ajo do të varet drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë.

Administrata e këtij territori do të ketë tipare thjesht shqiptare (shih Nr. VIII).

III. KOMISARI I LARTË ITALIAN

Përfaqëson qeverinë e Italisë dhe është drejtpërdrejt në vartësinë e vetme të Ministrisë së Punëve të jashtme të Italisë.

Kundrejt Qeverisë së Përkohshme shqiptare ka funksione ndihme edhe kontrolli. Të gjitha vendimet me një farë rëndësie (buxheti me ndryshimet e tij për rrethet territoriale administrative, punime e kontrata të rëndësishme, koncesione të rëndësishme të shërbimeve shtetërore, emërim, pushim ose transferim për funksionarët e lartë të shtetit etj.) duhet të merren me marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Përkohshme shqiptare dhe komisarit të lartë. Në rast konflikti, vendimi i kalohet, në rrugën arbitrale, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.

Komisari i lartë, për të ushtruar këtë veprimtari kontrolli, do të ketë në vartësi të vet ndonjë funksionar italian, i cili njëkohësisht do të mund të shërbejë si këshilltar teknik pranë degëve të ndryshme të administratës shqiptare.

Veç kësaj, Qeveria e Përkohshme shqiptare mund të kërkojë teknikë e specialistë italianë dhe t’i ketë nën vartësinë e drejtpërdrejtë të zyrtarëve të vet shqiptarë.

IV. DREJTËSIA

Do të administrohet nga gjykatat shqiptare. Do t’u kalohen gjyqeve ushtarake italiane vetëm deliktet kundër shtetit, kundër sigurisë së ushtrisë italiane, kundër ushtarakëve italianë dhe kundër administratës ushtarake italiane. Kryesia e Gjyqit të Diktimit ashtu edhe ajo e ndonjë gjykate të shkallës së parë, mund t’i besohet ndonjë arbëreshi (italo-shqiptari).

V. ARSIMI

Të gjitha shkollat në Shqipëri do të jenë kombëtare. Mësimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe. Në shkollat e mesme do të jetë i detyrueshëm mësimi i gjuhës italiane. Në qendrat kryesore të Shqipërisë do të hapen, në marrëveshje me qeverinë e Italisë, kurse të veçanta pregatitore për të bërë të aftë të rinjtë që kanë ndjekur shkollat shqipe, të vazhdojnë studimet e tyre në shkollat italiane.

VI. GJENDARMËRIA

Do të jetë nën komandën italiane të ngarkuar për organizimin e saj. Përdorimi i gjendarmërisë do të varet drejtpërdrejt nga Qeveria e Përkohshme shqiptare, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike. Komandanti i gjendarmërisë mund të ketë ndihmën e oficerëve të tjerë të karabinierisë si instruktorë, kontrollorë dhe, eventualisht, edhe si komandantë njësish në lokalitetet më të rëndësishme.

Me dispozita të veçanta do të merren masa për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet armës së karabinierëve mbretërorë dhe gjendarmërisë shqiptare, si edhe për të informuar vazhdimisht komandat ushtarake italiane për çdo gjë që mund të ketë pasoja për çështjen e sigurimit të trupave. Italia do të japë, me kërkesën e Qeverisë së Përkohshme shqiptare, gjithçka duhet për pajisjen dhe armatosjen e gjendarmërisë; shpenzimet do t’i paguajë Qeveria e Përkohshme shqiptare.

VII. MILICITË

Do të organizohen nga komanda italiane për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve të shtetit. Ato do të varen drejtpërsëdrejti dhe vetëm nga komanda italiane. Qeveria e Përkohshme shqiptare do të marrë masa për rekrutimin e milicëve.

Në raste të veçanta, kur rendi publik do të trazohej rëndë, Qeveria e Përkohshme shqiptare mund t’i kërkojë komandës ushtarake italiane pjesëmarrjen e milicëve. Kryesia e komandës së milicëve do të mbahet nga një oficer italian. Në një kohë të parë, oficerët e ngarkuar me komanda më të larta deri në komandën e batalionit, mund të jenë italianë; mund të jenë të tillë edhe oficerët e tjerë me gradë më të ulët, që drejtojnë punë të veçanta. Të gjithë oficerët e tjerë duhet të jenë shqiptarë.

VIII. VLORA

Delegatët shqiptarë kanë shprehur pikëpamjen e tyre që edhe territori i zonës së fortifikuar të Vlorës të varet, nga ana administrative, prej Qeverisë së Përkohshme shqiptare dhe që komanda ushtarake italiane të ketë aty vetëm të drejtë me karakter ushtarak dhe të mbajë sigurinë dhe rendin publik. Komisari i lartë italian në Shqipëri, për të lehtësuar marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve ushtarake italiane dhe autoriteteve shqiptare të vendit, të mbante aty një përfaqësues të vet. Delegatët italianë, në nenin 2, e kanë pranuar se administrata e zonës së fortifikuar të Vlorës duhet të ketë karakter thjesht shqiptar dhe kanë marrë shënim për dëshirat e shprehura këtu më lart për t’ua raportuar instancave më të larta.

IX. GJIROKASTRA

Duke pasur parasysh situatën e veçantë të krahinës së Gjirokastrës, delegatët shqiptarë kanë shprehur dëshirën që barra e prefektit të asaj krahine t’i besohet nënkolonelit Etore Lodi, me ndihmën e një funksionari shqiptar mysliman.

Kryesia e gjykatës civile të Gjirokastrës do të ushtrohet vazhdimisht nga një funksionar juridik arbëreshitalo-shqiptar, por gjykatësve vendës do t’u caktohet votë vendimore sikundër në të gjitha gjykatat e tjera të Shqipërisë. Gjithashtu edhe komanda e gjendarmërisë së vendit do të mbahet nga një oficer i karabinierëve mbretërorë.

Tani për tani nuk do të bëhet asnjë ndryshim në rendin që ekziston në atë krahinë.

Do të mbahet në krahinë përpjesëtimi i tanishëm i funksionarëve dhe zyrtarëve civilë të krishterë dhe myslimanë.

Me një fjalë, administrata e Gjirokastrës duhet të jetë e tillë, që të mos lërë shteg për asnjë akuzë dhe që të kënaqë dëshirat e ligjshme të popullsisë ortodokse, por megjithatë, duke mos lënë shkas që krahinës t’i jepet një tipar i veçantë.

AQSH i RPSH                                   

Karlo Duraco, Myfit Libohova, Bartolomeo Viçenci, Fejzi Alizoti

F. MPJ. D. Nr. 7.                              

Përkth. nga italishtja. Kopje.

***

Protokolli i nënshkruar midis Qeverisë së Përkohshme shqiptare të Durrësit dhe komandës italiane të pushtimit në Shqipëri, për kalimin e administratës së prefekturës së Gjirokastrës nën vartësinë e qeverisë shqiptare.

16 dhjetor 1919.

Në vitin një mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë, ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të dhjetorit, në Vlorë ndërmjet nesh gjeneralleitnant Piaçentini, oficer i lartë Setimio, komandant i trupave italiane të Shqipërisë, si përfaqësues i qeverisë mbretërore të Italisë, dhe Myfit bej Libohovës, delegat i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Përkohshme shqiptare, si përfaqësues po i kësaj qeverie shqiptare, po përcaktohen, në marrëveshje të përbashkët, normat dhe modalitetet që vazhdojnë dhe që duhet të zbatohen në kalimin e administratës së krahinës së Gjirokastrës nga komanda e trupave të Shqipërisë në duart e Qeverisë së Përkohshme shqiptare.

1) Do të vazhdohen metodat bindëse të përdorura deri tani nga komanda e trupave, me qëllim që të forcohen përherë e më tepër ndjenjat e bashkimit dhe të vëllazërimit ndërmjet të gjithë qytetarëve shqiptarë, cilitdo besim e gjuhë që t’i përkasin.

2) Do të mbahet rregullimi i tanishëm në krahinë, qoftë për sa u përket personave, qoftë institucioneve dhe gjërave, d.m.th.:

a) Në përputhje me sa është vendosur në marrëveshjen e arritur më 20 gusht 1919 në Romë ndërmjet përfaqsuesve të Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme dhe atyre të Qeverisë së Përkohshme shqiptare1, funksionarët dhe zyrtarët e lartë të tanishëm do të mbahen në detyrë, në kuptimin që ata nuk mund të hiqen e të ndëshkohen pa një marrëveshje të mëparshme ndërmjet përfaqësuesit të qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Përkohshme shqiptare. Po kështu të veprohet edhe për sa u përket emërimeve të funksionarëve të rinj dhe përgjithësisht për çdo masë që ka rëndësi.

b) Do të ruhet çdo institucion ushtarak vendës, duke përfshirë themelimin e ushtrisë kombëtare shqiptare nën komandën e oficerëve italianë dhe të juridiksionit të komandës së trupave të Shqipërisë.

Pastaj, derisa të mos ketë përfunduar organizimi i gjendarmërisë shqiptare, (nga ana e komandës së caktuar) arma e karabinierëve mbretërorë, së bashku me elementët e disponueshëm të gjendarmërisë shqiptare, do të mendojë për mbajtjen e rendit publik dhe për sigurinë publike në krahinë nën komandën e oficerëve italianë, në vartësi të drejtpërdrejtë të komandës së trupave të Shqipërisë.

Përveç kësaj, elementi që disponohet i gjendarmërisë shqiptare do të ketë detyrë e punë thjesht administrative, sipas zakoneve të vendit.

3) Gjykata do të kryesohet nga një gjykatës i karrierës italo-shqiptar. Por, derisa Ministria Mbretërore e Drejtësisë nuk do të ketë vendosur për caktimin e një gjykatësi të tillë, kryesia e gjykatës do të mbahet nga një shqiptar.

4) dispozitat e marra tanimë nga komanda e trupave të Shqipërisë për mësimin e gjuhës greke në fshatrat ku flitet ekskluzivisht kjo gjuhë, do të respektohen.

5) Dogana e Sarandës do të mbarështohet nga personeli shqiptar dhe, në përputhje me dëshirën e shprehur prej përfaqësuesit të Qeverisë së Përkohshme, drejtimi teknik i shërbimit do t’i besohet një zyrtari italian të rojes mbretërore të financës, i cili do të varet nga kontrollori për të cilin bën fjalë art. 7.

Regjimi doganor në Gjirokastër do të vazhdojë të jetë i njëjtë me atë të Vlorës dhe anasjelltas, në interesin e përbashkët të dy krahinave.

6) Parashikimet dhe shumat e caktuara në bilancin e vitit 1919, që janë aprovuar nga komanda e trupave të Shqipërisë, do të respektohen.

7) Në pajtim, me sa caktohet tek art. 3 i marrëveshjes së arritur më 20 gusht 1919 në Romë ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme dhe atyre të Qeverisë së Përkohshme, funksionet e kontrollit mbi administratën vendëse do t’i besohen një funksionari zyrtar italian, i cili do të qëndrojë në krah të prefektit të krahinës me kombësi shqiptare.

Masat më të rëndësishme të administratës, sidomos në fushën financiare, do të merren me marrëveshje të përbashkët ndërmjet prefektit dhe kontrollorit.

Kontrollori, sa kohë që do të kryhet kalimi i administratës dhe gjatë një periudhe të parë të gjendjes së re, do të varet drejtpërdrejt nga komanda e trupave të Shqipërisë; por, si të kalojnë dy muaj nga data e kësaj marrëveshjeje, kontrollori në fjalë do të kalojë në vartësi të komisarit të lartë italian pranë Qeverisë së Përkohshme.

8) Brenda caqeve të sipërtreguara Qeveria e Përkohshme do të qeverisë dhe do të administrojë krahinën në atë mënyrë e me mjetet që do të çmojë më të mira, në mënyrë që të ruhet prestigji i saj dhe të ketë mundësinë të marrë masa lirisht, për pregatitjen e ambientit për një plebishit të mundshëm.

9) Kjo marrëveshje është e anullueshme në çfarëdo çasti me kërkesën e njërës prej dy palëve.

AQSh i RPSh.                                             

Nënshkruar: Setimio Piaçentini, Myfit bej Libohova, Ugo Kapialbi, Kolozimo L.

F. MPJ. DNr. 6(26)                                                       

Përkth. nga italishtja.                                                     

Kopje.                                                                           

***

Notë e delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, paraqitur kryetarit të Konferencës së Paqes, Zh. Klemansoit, ku kundërshtonte zbatimin eventual të Traktatit të fshehtë të Londrës në dëm të Shqipërisë.

Paris, 17 mars 1919.

Shkëlqesë,

Mbas kësaj lufte të gjatë dhe të rreptë, që u ka kushtue aq sakrifica të mëdha e të randa Fuqive të Besëlidhuna e të Shoqnueme për me ba që të triumfojnë parimet e drejtësisë e të lirisë, të mbledhunit e Konferencës së Paqes ka ngjallë shpresat e gjithë kombeve të dobëta e të ndrydhuna.

Këto kombe e dijshin parandej se Aeropagu botnor që asht tue venduem fatin e rruzullimit mbarë, nuk do t’u përngjante kurrsesi kongreseve të maparshme, të cilat i përdorshin popujt e vegjël e vendet e tyne mu si gurët e damës; ato s’kishin asnji dyshim se të drejtat e tyne të ligjshme do t’ishin të nderueme e se dëshirat e drejta të tyne do të çoheshin plotësisht në vend.

Ndonëse qëllimet fisnike me të cilat Konferenca ka nisë punimin e vet e parimet bujare që ajo kishte marrë për themel s’duhej t’u jepshin guxim lakmive e dëshirës për pushtim të kurrkujt, po shohim, megjithëkëtë, se shtetet fqinje të Shqipnisë, të mëdha a të vogla, tue mos u kënaqë me përtanësimin e plotë të dhenave të tyne kombëtare, po shtrijnë edhe parandeme të tjera të padrejta mbi vendin tonë.

Tue pa se kërkesave tona të drejta nuk po u jepet ajo randësi që meritojnë, tue pa se fqinjët tanë po mbahen të sigurtë që do t’u dalin në krye qëllimeve të veta, po fillojmë me u trembë mjaft e me besue se mos ashtë mendimi me u zbatue Traktati i fshehtë i Londrës më 1915, i cili shënon copëtimin e Shqipnisë.

Përpara kësaj rase të rrezikshme besojmë se asht detyra jonë me çue protestimet ma energjike kundër artikujve të pashpirt të këtij Traktati që i përkasin Shqipnisë, të cilët janë sheshazi në kundërshtim me parimin e kombësive e me të thanat, sa herë të përtrime të Fuqive të Mëdha Besatare e të Shoqnueme, që kishin kapë armët për me proejtun popujt e vegjël, të cilëve u njihshin të drejtën me e vendue ata vetë fatin e tyne.

Jemi të bindun se nuk do ta kemi kapërcye këtë të drejtë tue lypë sa kthimin e krahinave thjesht shqiptare që na janë këputë, aq edhe vërtetimin e mëvetësisë e njohjen e tanësisë së Shqipnisë si edhe të të drejtavet sovrane1 të popullit shqiptar ndër qarkun e kufijve të vet etnikë.

Ju lutem, Shkëlqesë, me pritë sigurimet e nderimit tem fort të naltë.

“Shqipnia përpara                                     

Kryetari i dërgatës shqiptare Konferencës së Paqes”, Ble i parë.

(nënsh.)

Kryetar: Turhan Pasha

Anëtarë: Myfit Libohova, Fjezi Alizoti

Romë, 1919, f. 44-46.                                           

                                                                                           

***

Informacion i M. Libohovës, dërguar Qeverisë së Përkohshme, mbi bisedimet e tij me gjeneral S. Piaçentinin, me konsullin amerikan si edhe për vizitën e tij me karakter politik në Gjirokastër.

T. 1085 R. Civ.                                                               

Vlorë, [mars 1919]

Si arrita në Vlorë vizitova Shk. T. gjeneral Piaçentinin, duke i bërë të ditur qëllimin tim të shkoja në Gjirokastër. Ai e pranoi duke më porositur të bëja çfarë të kisha mundësi për të arritur në sheshimin e mosmarrëveshjeve lokale. Do të duhet të qëndroj disa ditë në Gjirokastër. Duket se tashmë po punohet për të vendosur marrëveshjen që duam. Gjithashtu kam pasur bashkëbisedim me konsullin e Amerikës1. Ai e ka kuptuar drejtësinë e çështjes sonë dhe jam i bindur se vepra e tij do të jetë shumë e dobishme për ne. Ai do të shkojë në Shkodër prej nga do të kalojë në Durrës. Jam i sigurtë se do ta pritni në mënyrën më të përzemërt. Shk. T. gjenerali Piaçentini do të thërrasë telegrafisht Banush Hamdiun dhe Xhavitin2. Ju lutem t’u jepni urdhër nga ana juaj për nisjen e menjëhershme të tyre për Vlorë. Do të telegrafoj edhe nga Gjirokastra. Lutem vini në dispozicionin tim dy mijë lireta italiane.

AQSH i RPSH. F. DPB.                                                 

Mufid Libohova

D. Nr. 4. Përkth. nga italishtja. Origj.          

_______________