Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Veli Hodaj

PO TË MUNDJA…

Po të mundja,
Gjithë drurët e prerë të pyjeve,
Libra do t’i bëja,

Degët e shelgjeve,
Fyej e bilbila.

Kashtën e njomë të thekrës,
Pipëza e zurna…

Gjethet e harbuara të blireve,
Do t’i bëja varka,
Në dete lumturie,
Të vozitnin të dashuruarit.

Po të mundja,
S’do të lija gojë zogu të uritur
As bimë që të thahet dhe nga hëna.

Me grurë do të mbjellja qiellin,
Të ngopeshin zogjtë
E të mbushen me çyrekë të ngrohtë furrat…

Burimet e tharë,
Do t’i bëja të shfrynin bulçinjtë e ujit.

Me duart e mia si shata,
Lëngun e jetës ta çoja në çdo rrënjë misri e lajthie…

Po të mundja,
Me pulqerët e gishtrinjve të barit,
Erën ta ledhatoja,
Ta bëja puhizë, që të dallgëzonte të lashtat,
Fërfërimën e tyre në muzikë dhome ta ktheja…

Kur vjeshta të hante misra të pjekur
E të mblidhte gështenja,
Gjithë frutat e bahçes sime,
Me ju do t’i ndaja…

Kur të vinte dimri,
Me dhëmbët kacunarë prej akulli,
Zogjve të thêllëzës,
Koteleve të dhelprës
E lepurueshve të vegjël,
Pupla a gëzofë,
T’u bëja ca nga vjershat e mia…

Nipave e mbesave,
Me shkronja dielli do ua shkruaja abetaren.

(Mjaft përrallat me gogolë e përbindësha!)

Tē mirët e mi,
Në cilën lule ta puth ballin tuaj?

QAZIM SHEMAJT…


(Në kujtim të një miku dhe poeti të veçantë)

Ti jeton në në një botë tjetër,
Unë hëpërhë, s’mund të vij dot,
Po do të pres te “Tymi i vjetër”,
Aty ku dikur kthenim ndonjë gotë.

Vjershën që nise, mos e ler, mbaroje!

Strofën e fundit qindise mirë!
Unë tek “Tymi” do të bëj roje,
Do pres ty deri në të gdhirë…

Mbi Vasjar ka dalë hëna si ftua,
Në Qesarat ka shpërthyer lofata,
Zogjtë recitojnë lirikat e tua,
Paditur se ç’dhimbje të fsheh nata.

Po të pyes kot, miku im, fare kot,
Se ike nxituar si me të ngutur
Me Dritëroin a e kthen ndonjë gotë?
Nëse po, qënka ikje e bukur…

SPANJË

Këtu çdo gjë është kaq grishëse,
E befasia të merr për dore,
Si pikëçuditëse këto qiellgërvishëse,
Vendosur në fund të fjalisë habitore!

Mua asgjë s’më hyn në sy
Edhe “Kamp Nou” si punë koti,
Nëse s’takoj dy idhujt e mi,
Zotërinjtë Sanço Panço e Don Kishoti.

Kam ardhur nga një vend i largët,
Të jesh këtu është çështje fati,
…Një hingëllimë e lodhur, e zvargët,
Me siguri është Rosinanti…

Don Kishoti dhe unë mbi kalë endemi kot,
Nëpër përrenjë, prozhme e brinja,
Nëse s’e gjen dot ti, o im zot,
Do ta gjej unë të përndritshmen Dylqinja.

I fantaksuri ma jep shpatën mua
E unë luftoj me mullinjtë e erës,
Le të derdhet lumë gjaku në përrua,
Pa mëshirë shpoj shakujt e verës…

Nga aventura në çmenduri,
U dreqosëm keq në këtë punë,
S’qënkemi asnjëri në terezi,
Tani Don Kishot jam bërë edhe unë.

Çdo të ishte Spanja, them me vete,
Pa Sanço Panço e Don Kishot,
A do t’i kishte
këto gradaçele
Dhe emrin diellor, që ka në botë…?

(Spanjë, 2017).

DUKET QË JAM PLAKUR…

Duket që jam plakur,
Më pak më merr malli për lulet
Edhe për grifshën, Që bën vervelenë te pjergulla e lisit.
Për këta dy zogj të dashuruar,
Që si të harbuar, Pendët e njeri-tjetrit gudulisin…

Mezi çapitem,
Të le pikën e lotit mbi gjethet e lajthive
E prillin ta marr për dore,
Që lulet mollës të m’i bëjë kokrra,

Boçet e bredhave, lulet e sfakës e kërcejtë e thekrës,
Për gjithë fëmijët e vendlindjes t’i bëj lodra…

Duket që jam plakur,
Më pik malli për nipër e mbesa,
Pak mos t’i shoh,
Më bëhen ylberë në ëndrra
E unë ylberët ndjek ngado…

Kur s’i shoh,
Bëhem grënjar,
Me sytë mbërthyer nga dera,
Po dera qënka vuvëruar nga korona,
Kolera.

Duket që jam plakur,
Se shkoj shpesh e më shpesh,
Në lëndinën ku prehen të parët e mi,
Me punë e pa punë,

Me bisht të syrit shoh,
Ngastrën e lëndinës, ku do të prehem dhe unë…

KËTË VIT S’BESOJ SE DO TË DALIM NË STAN…

Këtë vit s’besoj se do dalim në stan,
Ka firuar tufa,
Nuk është më dashi me byqe të madhe
Kopeja ecin kuturu në udhën e askundit.
Në kullotë s’ ngjiten dot,
I dërrmoi çalëza…

Dashin me këmborë të madhe,
E bleu kasapi,
Mish e bëri,
Në dyqanin poshtë pallatit tim e shiti,
Mua më lëvizi zemra nga vendi…

Këmborët dhe zilet kanë mbetur të vuvëra,
Varur në telat e shurdhërisë,
Ndonjëherë kujtohet era,
Djallëzisht me to luan muzikë funebre…

Gurët e vëgjollës, si pëllëmbë të hapura,
Presin kripën, delet dhe qingjat,
Si plakat, mbetur vetëm, kryqëzuar duart mbi përparëse,
Me vështrimin nga udha. .

Nuk duken qengjat,
Që me gjuhëzat si flakëza,
Të gudulisin gurët e vëgjollës
E të kënden me shijen e kripës.

Pështymë gjarpëri nën gur e mbi gurë.

Drizat, kulumbritë e dëllinjat,
Me thonjtë gjemba,
Do të rrëmbejnë ç’ të mundin,
Ca fije leshi nga kurrizet e tyre,
Për të endur pëlhurën e trishtimit…

Është rrëgjuar stani,
Gurët- fofla,
Rrukullisen për seku
E prapë aty mbeten,

Në stan dimëruan ujqërit.

Ujkonja aty polli gjashtë këlyshë,
Babëzi e madhe!
Nga gjinjtë e ujkonjës s’del më qumësht
I ushqen me uri të padurueshme këlyshët.

Kopeja nuk u duk,
Ndonëse ujqërit,
Me sytë të mjergulluar nga uria,
Pritën mos dalin shtigjesh…

Kuturisën e shkuan në oborret e shtëpive ujqërit,
Trimëri e madhe uria!

Nuk i trembi askush,
S’kishte njerëz,
Se ku kishin shkuar!?

Qentë, si të shushatur, nuk u ndjenë
Sikur thoshin, le të bëjnë punën e tyre…

Bariun e moshuar mezi e mbajnë gjunjët,
Si lisi zgarbull,

Që e ka përvëluar zjarri përbrënda,
Pak ta prekësh,
Rrëzohet…

Nxjerr kutinë të dredhë cigaren,
Nuk shtie duhan në letër,
Shtie brengën…
E rrufit fort,
Si të rrufisë gjithë hallet e moshës, kohës a botës,
Duhma- duhma e çon në zgafellat e mushkrive…

E ka lënë vetëm djali i vetëm.
I biri një mëngjes nuk e nxorri tufën,
Iku për punë në qytet.
(E ka zënë “llavra”, thoshin).

Dhe tani del çdo mëngjes te kthesa e madhe,
T’i dërgojë babai një bidon me qumësht…

Këtë vit s’besoj se do të dalim në stan…

PËRSHPIRTJE PËR TIM ATË…

Im atë rron e vdes çdo ditë brenda meje…
Si zogu,
Që në degën e lisit a qershisë ka folenë,
Në pikën e gjakut të shpirtit të tij,
Folenë e ADN-s sime kam…
Vuajtjet e tij,
Rrudha balli, si brezare të thella ugari,
Më janë bërë.

Të qeshurën e tij të hidhur,
Në cepat e buzëve të mia,
Do ta gjeni…

Dhimbjen e plumbit të luftës,
E ndjej çdo ditë,
Në gjunjët, kyçet, kërcinjtë, në gjithë kokallat e mia.

Shpirti i tij është brenda shpirtit tim…

Trastën me bukë,
Që u dha të uriturve të “rrezikshëm”
E mbaj çdo ditë mbi supe e shpinë.

Si amanet,
Qindarkat e mbetura pas kafesë së mëngjesit,
Ua shpërndaj të uriturve të shumtë të rrugës.

Im atë ishte i thantë,
Por edhe thanën e lodhin erërat, rrebeshet, vitet,
Gjersa bie…

A nuk rrëzohen lisat, shkëmbinjtë, orteqet?

Babai është brenda qënies sime…

Prej tij e kam ecjen, zemërimin, heshtjen.

Vëzhgimin gjer në lëvozhgën e ëndrrës,
Prej tij e kam…

Trishtimin,
Për krahun e thyer të një zogu,
Për lotin e një fëmije a magjen e boshatisur,
Për demagogët,që gjokset rrahin, ardhur prej hiçit,
Për botën,
Që çdo ditë çmëndet nga pak,
Prej tij e kam…

Dehjen
Prej aromës së barit
A duhmës së luleqershive të baçes sime,
Gëzimin prej hingëllimës së një mëzi a sqotës së hollë të dëborës,
Hedhur, si gunë, shpatulla të maleve,
Besimin,
Se bota, patjetër, do të të bëhet më e mirë,
Prej tij i kam…

Dëgjoj zëra që vijnë nga nëndheu
A prej qiejsh,
Është zëri i tij…

Hyjmë e dalim te njëri- tjetri,
Siç hyjmë e dalim në një shtëpi,
Ku ende s’i është hedhur çatia.

Gurin e varrit të tij e kam “xhëng” në gjoks,
Më zë firomën.
M’i dërrmon kockat, kur bie për gjumë.
Në ëndrra më thotë:
“Bij,
Mos paçi fatin, që pata unë”!
Im atë ishte i heshtur si murg,
S’dinte të mallëkonte, të urrente, të hakmerrej…

Paqësor gjer në dhimbje, gjer në vdekje,
Prej tij jam…

Mbështjellë me heshtjen e hidhur si me një zhgun,
Me fjalët e heshtjes së tij bëj këtë vjershë,

Këtë poezi prej tij e kam…
Ai rron e vdes çdo ditë brënda meje…
Ngutem të këpus një gjethe të njomëz lajthie
E me të në buzë,
Nxjerr ca tinguj të qetë, si muzikë dhome,
Që përshpirtje t’ia bëj tim eti…
Amen!

(Marrë nga vëllimi poetik “Zērat e Vendlindjes”)