Artan Xh. Duka: Duk kur i jep dum!
Të nesërmen!
Fillimi i mbarë është vetëm gjysma e punës ndaj edhe protesta, ndonse maratonë, nëse nuk i jep dum gjërave nuk do të ketë duk.
Protesta nuk ka plan B dhe, edhe nëse përmbushet plani A – largimi politik i BeRamës, pa patur një lëvizje të re politike me një program demokratik me interesin qytetar e kombëtar në qëndër të tij dhe kushtet për një garë zgjedhore korrekte, sërisht gjërat do të mbeten për të dëshiruar.
Problemi ynë nuk është punë emrash por sistemi e mbi të gjitha ai zgjedhor që nga tarabë e kaluç për të paudhët e të paaftit në politikë, është katandisur në pedanë e dyshek për ta. E vetmja zgjidhje mbetet rikthimi i mazhoritarit që ngjall garë të vërtetë e të prekshme me qytetarin arbirtër real sikundër po shohim edhe së fundi me garën zgjedhore të nëntorit në SHBA.
Pa krijuar një lëvizje e pa shpalosur një program me reformën zgjedhore e referendumin si premisë për më tej, protesta do të zbehet e do të mbahet mënd vetëm si një punë e mirë e lënë mjerisht në mes.
Ca gjëra protesta i ka arritur ndërkohë. Jo vetëm i ka prishur qetësinë politikës abuzive që e merrte gjithnjë qytetarin të mirëqënë – boll që një kafe nuk e pinë më rehat në lokal apo nuk baresin më lisho rrugëve pa hedhur kokën majtas e djathtas se mos u bërtet, i tregon me gisht e i akuzon kush por dhe i futi në një thes ata që e shtynë 4 dekada duke fajësuar shoqi-shoqin për pushtet.
Ndonse jo korrekte se nuk janë të gjithë njëlloj, sot në politikë po digjet i njomi me të thatin dhe qytetari është më mosbesues se kurrë e kjo vlen edhe për drejtuesit e nesërm të protestës që do të paragjykohen po njëlloj nëse vijojnë me pseudoreforma zgjedhore listash që sërisht anashkalojnë vullnetin e drejtëpërdrejtë qytetar.
Berisha i pari e Rama pas tij me oborre rrotull duhej të ishin kujtime të largta tashmë në politikē. Anatemuan bllokmenët që mbetën gjatë majë fikut të pushtetit por ua kaluan atyre në vite, privilegje, abuzime e pasuri në kurriz të qytetarit të përvuajtur shqiptar. Edhe vezën e kuqe të bënin, boll që u bënë dekada me ta e janë pushtetarë e deputetë tavoline sepse mbijetojnë falë listave në politikë, duhet të ishin dorëhequr edhe pa ua kërkuar kush me kohë.
Rama, që ndryshe nga garat për kryetar bashkie do të mbahet mënd si kryeministër tavoline sepse asnjëherë nuk bëri garë reale zgjedhore, nuk është apriori kusht për hyrjen në BE. Nuk është i rënë nga qielli që t’a ndjekim pas si Moisiun në shkretëtirë me vegimet në bastin e tij personal për futjen në BE duke ushqyer bashkë me Berishën preçedentin anti-rrotacion në demokraci. Nisur nga e shkuara, nuk na duhen njerëz të fortë por sistem i fortë e zë fill nga vota.
Asgjë njëlloj si më parë!
Sfidave të protestës i është shtuar edhe distancimi pa vonesë prej dhunës e vandalizmit ndaj sigurisë së jetës e pronës në vend. Nëse nuk ndodh atëhere jo vetëm ajo nuk duhet të emërtohet e numërohet më si ditë si protestē e flamingove apo studentëve në shesh por dhe do të ishte edhe bumerang si për fundin e maratonës së protestēs me shkak Zvërnecin ashtu edhe vetë institucionin e protestës për të ardhmen në vënd.
Piromania nuk duhet të jetë prelud rrotacioni e as alibi për vijimësi; kush nga flaka vjen, nga flaka ikën dhe loja e avazi me studentllëkun nuk është vulë garancie për standart demokratik. Boll me superlativa bajate mediatike, zapatizma e heroizmra se student ishin dhe ata të 90 që na lanë pilaf pardesybardhët që e bënë mullar e ende i kemi nëpërkëmbë sot.
Qeveria ndërkohë ka përgjegjësi që nuk i doli zot qytetarit në hallin e tij. Dhe kur humb besimi tek qeverisja, opozita, politika e protesta tok, demokracia futet në qorrsokak.
Anarkia e ditëve të fundit lyp shpagim ligjor e financiar ndaj atyre që cënuan pronën e sigurinë qytetare e publike me urdhërdhënës pas, faturë politike si qeveri e opozitë bashkë, analizë kritike ndaj rolit të institucioneve të sigurisë, medias, asaj sociale etj.
Qytetari, taksapaguesi nuk i ka borxh askujt t’i shkatërrohet prona personale, rrezikohet jeta, t’i përdoren taksat për kompensime ndaj të tretëve – banka, dyqane etj, tendera të rinj për të bërë nga e para trotuare, ndriçim publik, semafore, riparuar ministri që nuk janë pronë e Ramës por qytetarit vetë etj. Shteti ligjor duhet të ndjehet si i tillë që të krijohet preçedent për të ardhmen.
Ndërkohë kushtrimi opozitar për mbështetje pa rezerva të protestës edhe pas anarkisë që pasoi, vetëm riprovoi arsyen përse ajo është katandisur aty ku është në mos është vetë problemi. Kjo vlen edhe për partitë e reja që sa kohë nuk distancohen nga dhuna, rrezikojnë imazh politik e humbje besimi pakthim.
Sa për Ramën, boll që e la fillikat qytetarin si qeveri ndaj pllakosjes së anarkisë, që nuk arriti t’a parashikonte, parandalonte e përballonte këtë njollë e gjëmë që traumatizoi qytetarin, turistin e shokoi botën, boll kaq që të hapë krahun menjëherë në qeverisje e parti.
Pazotësia, shto këtu edhe ndaj korrupsionit elitar që edhe sikur qelibar vetë të jetë, prapë e njollos si qeverisje, del e tepron për të dorëzuar çelsat. Por edhe sikur të shkëlqyer të jenë vjen një ditë e bëhesh bozë e dikush pranë duhet t’ua përshpërisë në vesh pa ua thënë turma nē shesh.
Shteti ligjor doli shtet lecke e kjo jo thjesht se hallkat e tij ishin jo profesionale por dhe se u mungon morali qeverisës lart. Pushtetari lart me punën e namin që krijon inkurajon apo shkurajon njëkohësisht poshtë. Koha do të tregojë nëse marrëzia e fiksimi me pushtetin në tranzicion është punë egoje, babëzie, tërheqje spangoje nga jashtë apo një miks por qytetarët boll kanë humbur kohë me lufta-gjela mes Berishës e Ramës dekada rresht.
Pas anarkisë që vetëm i prish punë qytetarit e i jep alibi politikēs, vetë protesta zor se do të jetë si më parë. E që sheshi të rimbushet plot, sa më shpejt protesta e vërtetë t’ja lërë vëndin një partie e programi premtues për të ardhmen, aq më mirë. Sfida, përtej largimit të BeRamës, është ajo që pason. Duhet një plan B ndryshe rrezikojmë ose klonim të BeRamës ose vakum ku humbim të gjithë. Pa i dhënë dum të nesërmes, zor se do të ketë duk largimi i BeRamës sot!