Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria pas 36 vitesh: besimi i shpërdoruar dhe papërgjegjshmëria e lidershipit politik

Vladimir Marku, pensionist, ish-naftëtar


Fat i keq për këtë atdhe, për këtë Shqipëri, ku kanë kaluar 36 vjet dhe lidershipet politike kanë treguar kaq pak mirënjohje për votën dhe besimin që u ka dhënë populli.
Nuk e kuptova kurrë pse, kur të jepet një mundësi e artë për të punuar, për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, nuk zgjedh të largohesh me nder, duke lënë pas një emër të mirë për veten dhe për pasardhësit e tu.
Pse kjo mirësi dhe kjo fisnikëri që qytetari tregon kur të beson pushtetin, shpërblehet kaq shpesh me mosmirënjohje? Pse, me kalimin e viteve, fillon tjetërsimi, nga shërbëtorë të qytetarëve në njerëz fodullë e mendjemëdhenj, që bien në delir dhe mendojnë se vetëm ata dinë, ndërsa të gjithë të tjerët janë të paaftë?
Nuk e kuptoj si është e mundur që njerëz që, në pamje të parë, paraqiten me integritet, kulturë dhe inteligjencë të lartë, pasi marrin drejtimin e shtetit, përfundojnë duke ushtruar një pushtet, pasojat e të cilit i paguan një komb i tërë.
Si shpjegohet kjo me liderë që kanë udhëtuar dhe kanë parë botën e qytetëruar? A nuk kanë mësuar nga udhëheqësit e vendeve demokratike se pushteti është përgjegjësi dhe jo pronë private, se detyra publike është shërbim dhe jo privilegj?
Përse kaq shumë makutëri dhe egërsi ndaj këtij vendi të bekuar, ndaj bashkëkombësve të tyre? A na duan vetëm në momentin e votës, ndërsa më pas harrojnë se edhe ne kemi të drejtën të jetojmë, të ndërtojmë dhe ta shijojmë vendin tonë si qytetarët e vendeve të zhvilluara?
A e imagjinoni se çfarë burrështetasish ka njohur historia? Winston Churchill udhëhoqi Britaninë e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por në vitin 1945 humbi zgjedhjet. Megjithatë, ai pranoi rezultatin dhe vazhdoi jetën e tij politike. Në vitin 1951 u rikthye në detyrën e kryeministrit.
Ky është një mësim i madh për demokracinë: pushteti nuk është i përjetshëm dhe asnjë njeri nuk është mbi vullnetin e popullit.
A e shihni se si në vende të qytetëruara drejtuesit, pasi lënë detyrën, kthehen në jetën e tyre të zakonshme, pa u kapur pas privilegjeve dhe pa e trajtuar pushtetin si pronë të trashëguar?
A mendoni ndonjëherë se si do të ndihen fëmijët tuaj nesër? Mund të trashëgojnë prona, pasuri e kulla pa fund, por a mund të trashëgohet bashkë me to edhe respekti i njerëzve? Pasuria mund të blihet, por nderi dhe dinjiteti nuk blihen. Pasojat e veprimeve të prindërve mund të rëndojnë edhe mbi pasardhësit e tyre.
Si ndiheni ju, klasë politike, kur e dini se shumë prej ligjeve dhe vendimeve tuaja krijojnë përshtypjen se synojnë më shumë mbrojtjen e privilegjeve dhe të karriges suaj sesa interesin e qytetarëve?
Po, pikërisht për karrigen po flas! Sepse duket sikur detyrën e deputetit e vlerësoni më shumë për privilegjet që sjell sesa për përgjegjësinë që mbart. Pensione suplementare dhe përfitime të veçanta për politikanët, ndërsa njerëzit që kanë punuar një jetë të tërë në bujqësi, në arsim, në ekonomi, në shëndetësi e në sektorë të tjerë, shpesh përballen me pensione që mezi u sigurojnë jetesën.
Çfarë drejtësie është kjo? Çfarë morali politik qëndron pas një pabarazie të tillë? A nuk duhet që sa më e madhe të jetë përgjegjësia publike, aq më i madh të jetë edhe detyrimi për të dhënë llogari?
Eh, sa shumë halle u keni lënë njerëzve! Sa probleme në arsim, në ekonomi, në shëndetësi dhe në çdo fushë të jetës! Sa të rinj të zhgënjyer, sa familje që përpiqen të mbijetojnë me ndershmëri, ndërsa shohin se përpara tyre ngrihen mure privilegjesh dhe kullash.
Sa domethënëse ishin fjalët e një studenteje:
«Çfarë më duhen kullat? As më bie radha mua!»
Në këtë fjali përmblidhet një zhgënjim i madh. Një brez që nuk kërkon pasurinë e të tjerëve, por mundësinë për të jetuar me dinjitet në vendin e vet. Një brez që kërkon të punojë, të ndërtojë të ardhmen dhe të mos ndihet i përjashtuar nga vendi ku ka lindur.
Besimi ndaj kësaj klase politike ka rënë nën nivelin zero. Numëroni mandatet sa të doni; në fund, rëndësi ka produkti që i keni dhënë vendit. Nuk mjafton të numërosh vitet, projektet dhe premtimet. Duhet të shohësh se çfarë jete u ke siguruar njerëzve dhe çfarë shprese u ke lënë brezave që vijnë.
Dua ta bëj të qartë edhe diçka: nuk pajtohem me vandalizmin. Kur shoh një semafor të shkatërruar, më dhemb shpirti, sepse e di se dëmin nesër do ta paguajmë përsëri ne, qytetarët. Pronën publike e ndiej si timen, ashtu siç ndiej makinën time, të cilën përpiqem ta mirëmbaj dhe ta ruaj, duke kërkuar zgjidhjen më ekonomike kur më duhet të ndërroj një gomë.
Por pikërisht këtu qëndron paradoksi ynë: qytetarit të ndershëm i kërkohet të ruajë çdo gjë, të paguajë çdo detyrim dhe të respektojë çdo rregull, ndërsa ai pret që edhe ata që e drejtojnë vendin të japin të njëjtin shembull përgjegjësie.
Problemet që i keni krijuar shqiptarit të ndershëm nuk po ia lehtësoni; përkundrazi, po ia shtoni barrën. Bëjmë dy hapa përpara dhe pastaj kthehemi tre hapa prapa. Sikur energjia e këtij vendi të harxhohet jo për të ndërtuar të ardhmen, por për të riparuar dëmet e keqqeverisjes dhe të vendimeve të gabuara.
Kur qytetari sheh se pasuria përqendrohet në duart e pak njerëzve, ndërsa mundësitë për një jetë dinjitoze mbeten të kufizuara, humbet jo vetëm besimin te politika, por edhe shpresën se puna dhe ndershmëria do ta çojnë përpara.
Kjo është ajo që dhemb më shumë: ndjenja se po na merret jo vetëm mundi i shumë viteve, por edhe shpresa për të ardhmen. Shpresa e atyre që kanë punuar me ndershmëri, që kanë sakrifikuar për familjet e tyre dhe që, ndonëse nuk kanë qenë të përsosur, janë përpjekur gjithmonë të bëjnë më të mirën e mundshme.
Dhe sot, ku kemi përfunduar?
Jemi në një gjendje të rëndë, të lodhur e të zhgënjyer, si peshqit në rezervuarin e Kasharit që mbeten pa ujë kur ai shteron për shkak të ndërhyrjeve të papërgjegjshme të njeriut. Një pamje që të trondit, sepse në të mund të shohim edhe veten tonë: një popull të cilit po i pakësohen mundësitë për të jetuar, shpresat për të ecur përpara dhe besimi se gjërat mund të ndryshojnë.
Dhe pyetja që mbetet është kjo:
Si do të ndiheni ju kur të vijë dita të largoheni nga pushteti?
A do të largoheni me respektin e qytetarëve, me ndërgjegjen e qetë se i keni shërbyer vendit, apo do të mbeteni në kujtesën e tyre si njerëz që e përdorën besimin e popullit për interesat e veta?
Mos harroni: pushteti kalon, karriget ndërrohen, mandatet përfundojnë, por gjykimi i historisë dhe kujtesa e njerëzve mbeten.
Shqipëria nuk ka nevojë për sundimtarë që ndihen të pazëvendësueshëm. Ka nevojë për njerëz me përgjegjësi, ndershmëri dhe përulësi, të cilët e kuptojnë se janë në shërbim të popullit dhe jo populli në shërbim të tyre.
Nga